1.
Mendoja se veç unë e kisha
Çelësin që hapte portën tënde
Dhe veten time bekoja:
“O fat i artë, ku m’u gjende!…”
Po çelësi, ah, çelësi që mbaja,
Nuk ishte i vetmi, jo, jo,
Se ti kishe bërë dhjetëra kopje
Dhe portën ta hapte kushdo.
2.
O mall i parë, plot më diell,
O mall, që më ndrite rininë,
Dikur më ngrije në qiell,
Tani më fundos në greminë.
3.
O kohë, që më nise rrëmete
Drejt meje, po dot nuk më trembe,
Po, bëre si bëre, më gjete
Dhe jetën time e shembe.
O kohë, në jet’, pa pushuar,
Tek unë tërmete ke sjellë,
Po edhe kështu, i rrëzuar,
Unë jam, gjithsesi, një kështjellë.
4.
Gjithë gjuhët e zogjve i di,
Ato, që fëmijë i mësova,
Po nuk cicërova si zog,
Se si zgalemi gjëmova.
5.
Dhe këmbët, gjithnjë më kan’ çuar,
Gjithmonë tek flaka, tek zjarri,
Nga lufta kam ikur i fundit,
Në luftë kam shkuar i pari.
6.
Ti kurrë s’më kuptove, e dashur,
Të dukem si punë idioti,
Se s’mund të kuptohen, jo, kurrë,
Në jetë, poeti dhe Zoti.
7.
I bardhë si bora të jesh,
I ndritur, i larë me flori,
Prapë do të shajnë, patjetër,
Pa sharë nuk mbetet njeri.
8.
Gjithë jetën ke hapur ti gropa,
Për njërin, për tjetrin, për mua,
Porse një ditë re, si lopa,
Në njërën nga gropat e tua.
9.
Për çudi e për çudi,
Ca plagë dhe ti i more,
Se nganjëherë, vetëtima
Bie dhe në nevojtore.
10.
Të mira bëj në këtë jetë
Për to nevojë kanë të tërë,
Po kur ta bësh hidhe në det
Ose ta shkruash veç në rërë.
Dhe asnjëherë, tek asnjeri
Mos e përmend të mirën tënde,
Të mirën që të bëjnë ty
Në shkëmbin më të lartë gdhënde!…
2 Comments

Poezi dhe filozofi nga nje poet i pjekur.
Shume e bukur.