Dosja dhe afatet e aplikimit për kreditë e buta në Tiranë!

Ornela

Nis aplikimi për kreditë e buta në kryeqytet. Nga dita e djeshme të gjithë qytetarët dhe familjet e reja në kryeqytet që plotësojnë kushtet për të përfituar nga programi i strehimit social nëpërmjet kredisë së butë, duhet që të aplikojnë, duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve të përcaktuara pranë njësive vendore që mbulon vendbanimin e tyre. Autoritetet e Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se aplikimet për fazën e parë të pranimit të kërkesave për strehim nëpërmjet këtij programi do të vijojnë deri në datën 10 janar 2022.

Sikundër përcaktohet në ligjin për strehimin social, aplikimi për të përfituar strehim sipas pogramit të kredive të zbutura (me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim) bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programi i mbështetjes nëpërmjet kredisë së zbutur dhe më tej në fazën e dytë, aplikimin do të mund ta vijojnë vetëm ata individë ose familje që janë përzgjedhur pas vlerësimit të kushteve të përfitimit nëpërmjet dosjes së dorëzuar në fazën e parë.

Duke vënë theksin tek mbështetja e familjeve të reja, programi social i strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë synon të synon të ndihmojë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetës për shumë familje që nuk mund të përballojnë dot çmimt e tregut aktual.

Ekspertët e Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se kriteret bazë për paraseIeksionimin e kërkesës së paraqitur nga individë/familjet e interesuara për të përfituar nga programi social i strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë”, do të jenë: individë të cilët në momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç, familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë pronësi një banesë, familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, ndërkohë që këto familje duhet që të zotërojnë të ardhura brenda kufijve të percaktuar sipas strukturës së përcaktuar të numrit të antarëve të familjes dhe strukturës së apartamentit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar tabelën me nivelin minimal dhe maksimal të të ardhurave që duhet të përmbushin të gjithë individët që do të aplikojnë për programin e kredive të buta, nëpërmjet të cilës mund të sigurojnë blerjen e një banese të llojit garsoniere, apartament 1+1, 2+1 dhe 3+1 për të qenë përfitues potencialë të këtij programi.

Në dosjen e aplikimit duhet të përfshini dokumentet që evidentojnë: të dhëna personale të aplikantit, vërtetimin e kushteve të strehimit, vërtetimin e kushteve familjare, vlerësimin e kushteve sociale, vërtetimin e kushteve ekonomike, si dhe dokumentet e tjera të nevojshme. Ndërkohë familjeve të cilat janë celebruar me shtetas të huaj ose individë të cilët kanë vendlindjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do t’u kërkohet vetëm dokumentacioni i siguruar nga Institucionet e Republikës së Shqipërisë. Dosjen e plotë që duhet për secilin nga këta tregues e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Programi i subvencionimit të interesave të kredisë synon të mbështesë në blerjen e shtëpive me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim dhe një pjesë e interesave subvencionohen nga Bashkia Tiranë.

 

 TË ARDHURAT MINIMUM DHE MAKSIMUM TË PËRFITUESVE POTENCIALË

Struktura familjare Struktura apartamentit Kufiri maximal i kredisë/familje Shpenzimet INSTAT 2019 referuar shkresës së MF 5242/1 datë  02.04.2021 Niveli Maximal i të ardhurave  sipas shkronjës a të pikës 45 neni 2 ligji 22/2018 Niveli minimal i të ardhurave
1- 2 Garsoniere 4,456,850 68210 81852 31,317
3 1+1 5,348,220 100343 120412 37,581
4 2+1 6,239,590 111296 133555 43,844
5 – 6 3+1 7,576,645 109774 131729 53,239

 

 

DOKUMENTACIONI QË KËRKOHET PËR APLIKIMIN E KREDIVE TË BUTA:

  1. TË DHËNA PERSONALE TË APLIKANTIT:
  • Certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile.
  • Vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
  1. PËR VËRTETIMIN E KUSHTEVE TË STREHIMIT
  • Vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes ku vërtetohet se nuk kanë banesë, ose kanë një të tillë nën normat e strehimit; si edhe vërtetimin nga ky institucion për secilin nga anëtarët madhorë të familjës që nuk kanë kryer asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë, të paktën në 5 vitet e fundit, përveç rastit kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të një fatkeqësie (vdekje apo sëmundje e rëndë) ose force madhore.
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi.
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi.
  • Aktverifikim nga njësia vendore për: banesat në rrezik shembjeje, rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësivenatyrore, banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
  • Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës.
  • Aakt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
  1. PËR VËRTETIMIN E KUSHTEVE FAMILJARE
  • Certifikatë familjare.
  • Vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
  1. PËR VËRTETIMIN E KUSHTEVE SOCIALE:
  • Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara.
  • Vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit.
  • Dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve.
  • Urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
  • Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin.
  • Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI.
  • Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
  1. PËR VËRTETIMIN E KUSHTEVE EKONOMIKE:
  • Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune.
  • Dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve nga Drejtoria Rajonale Tatimore, për të gjithë anëtarët madhorë të familjes të cilët janë në marrëdhënie pune ose të vetëpunësuar. Për ato aplikime në të cilat njëri prej anëtarëve madhorë është me raport (leje lindje), për të vërtetuar të ardhurat mbi të cilat kryhen përllogaritjet, do të merret në konsideratë periudha përpara barrëlindjes, duke respektuar afatin e depozitimit të dokumentave. Përjashtimisht, aplikantët që punojnë në institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror, duhet të dorzojnë vetëm vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e tyre.
  • Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
  • Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
  • Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
  • Vërtetim nga organet tatimore për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, nëse figurojnë ose jo të regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë
  1. 6. DOKUMENTE TË TJERA:
  • Ndër të tjera për të vërtetuar situata të caktuar është e nevojshme përpos listës së mësipërme  të paraqiten edhe dokumenta si më poshtë vijon:
  • Vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës.Përjashtimisht vërtetimi nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfitohet sipas vendimit të gjykatë nuk është i detyrueshëm, në rastet kur nuk ndikon në nivelin e të ardhurave minimale dhe maksimale të përfituesve potencialë.
  • Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Ekstrakt historik nga QKB.
  • Vërtetimi nga zyra e punësimit për personat të cilët janë regjistruar si persona  punëkërkues të papunë;
  • Vërtetimi për individët në moshë madhore të cilët ndjekin studimet.
  • Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore nëse kanë detyrime të papaguara, për personat e vetëpunësuar.
  • Vertetim mbi bazën e vlerësuar / Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012)”.
  • Ndërkohë familjeve të cilat janë celebruar me shtetas të huaj ose individë të cilët kanë vendlindjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do t’u kërkohet vetëm dokumentacioni i siguruar nga Institucionet e Republikës së Shqipërisë.
Share This Article
1 Comment
  • Po nje djale qe punon ne pune private me cekic e sqepar ne dore dhe del perdite tek partizani per te gjetur pune ditore nuk duhet te martohet dhe te krijoje familje me keto kushte?Kjo eshte familje e re .Si do ta ndihmoje bashkia kete familje te re per strehim?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *