Rreth krijimtarisë letraro-publicistike të autorit pukjan Pashk Alia

Ornela

Zylyftar HOXHA

Kam patur rastin e mirë që disa libra të autorit Pashk Alia t’i kaloj nëpër duar që në dorëshkrim, pra në fazën parabotimit dhe të  redaktimit të tyre letrar dhe teknik. Duke bërë këtë punë, kam parë imtësisht dhe në detaje krijimtarinë e tij, mënyrën e tij të të shkruarit thjeshtë dhe bukur, stilin e tij individual impresionues, gjinitë letrare dhe publicistike si dhe temat interesante që ai ka zgjedhur: të kohës së kaluar, por edhe temave të ditës.

Nuk e kam parë konkretisht, por kam mendimin dhe përfytyrimin tim, që, kur Pashku ulet të shkruajë para kompjuterit, duket si një ushtar në llogore, i bindur dhe i ndërgjegjshëm që e di përse lufton.

Pashku është pasqyra më transparente dhe më autentike e asaj që shkruan, me një seriozitet solemn dhe përgjegjësi maksimale, cilësi që atë e ka karakterizuar në të gjithë jetën e tij publike, në çdo gjë, punë e detyrë, zhytet i gjithi në një botë virtuale, që dikur ka qenë reale dhe që ai e ka njohur mirë, duke i rënë pash më pashë asaj për të dhënë detaje e grimca jete, të cilat pastaj i ngjit, i lidh harmonishëm me njëra-tjetrën në rreshta, në paragrafe, në pasazhe, në kapituj dhe në fund, në libra.

Me këta libra, por edhe me qindra e mijëra artikuj të botuar në shtypin e shkruar si në periudhën e socializmit, por edhe sot, po të ketë një vlerësim dhe hirarki vlerash, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh te ne, del se Pashku ka dhënë një kontribut jo të vogël në pasqyrimin e vlerave shpirtërore të krahinës së tij, me një letërsi dhe publicistikë që është, siç thuhet tani, 100 për qind bio, sepse buron tërësisht nga historia, filozofia dhe folklori popullor i Malësisë së Pukës, më saktë, të Berishajve të Pukës dhe mban vulën dhe markën origjinale “Pashk Alia”.

Po i bëj një analizë fare të shkurtër, për aq sa na lejon vendi, librit “Përmendorja e shpirtit” të autorit Pashk Alia. Pashku  ka një çelës origjinal të librit, që është hyrja, një hyrje tepër e veçantë që bëhet edhe boshti, shtylla kurrizore e tërë librit.

Është mirënjohja e thellë njerëzore e përmbledhur në fjalën e thjeshtë “ndikim”, të cilën ai e shpjegon me detaje sipas Fjalorit Gjuhësor shqiptar  dhe e lakon në të gjitha rasat, për të dalë te ajo që ai ka merak: Se personaliteti i tij, krahas përpjekjeve këmbëngulëse për të mësuar, punuar dhe ngjitur shkallë-shkallë në lartësi karriere, krahas të tjerash ka ardhur nga ndikimi që kanë patur në formimin intektual, profesional, ideologjik, kulturor të autorit, mjedisi familjar, prindërit, vëllezërit, motrat, gruaja, fëmijët, fqinjët, bashkëfshatarët; mjedisi gjeografik i trojeve të Berishës së Pukës dhe më tej pastaj, shkolla, mësuesit, shokët e shkollës etj.

Në një kapitull të veçantë, të titulluar “Unë, Pashk Aia, rrëfej jetën time”, ai dëshmon ndikimin tepër të madh që pati vetë jeta e tij, e mbushur me vështirësi e sakrifica, me detyra të vështira shtetërore që në moshë fare të re, të cilat i kaloi me sukses, veç aftësisë dhe zotësisë personale, por edhe falë ndihmës që i kanë dhënë miqtë e shokët e tij, punëtorët dhe fshatarët e thjeshtë; eprorët dhe deprorët, dmth, vartësit si dhe udhëheqësit dhe drejtuesit e lartë të kohës në rreth dhe në istancate larta të pushtetit në qendër, të cilët i besuan dhe nuk u zhgënjyen në asnjë rast të vetëm.

Kurba e karrierës së tij pati vetëm ngitje, madje deri në fund, edhe pasi ra ai pushtet, në periudhën e demokracisë, duke kryer detyrën e drejtorit të Arkivave të Qarqeve në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.

Libri “Përmendorja e shpirtit” përbëhet nga tetë kapituj të ndërthurur mjeshtërisht si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë stilistikor letrar.

Siç thashë më sipër, si në tërë krijimtarinë tjetër, edhe në këtë libër ai e nis nga origjina, nga ajo që ai e quan krenari të ligjshme, të jesh me origjinë nga Berishajt, një fis fisnik iliro-abëror i Alpeve Shqiptare, një racë e artë njerëzore, po të kesh parasysh historinë e tyre në shekuj, të cilën Pashku e risjell në mënyrën më të mirë të mundshme, me argumente bindëse dhe referenca shkencore të autorëve të huaj dhe atyre vendës.

Është një histori që bën krenar çdo shqiptar, jo më pasardhësit e këtij fisi, te të cilët ka ndikuar për të ruajtur një kulturë të trashëguar të një niveli të epërm qytetërimi me vlerat më të mira njerëzore, si trimëria, burrëria, besa, mikpritja etj. çka e gjen dendur edhe sot në trojet Berishase.

Dhe Pashku është krenar që është Berishë dhe “gjak Berishe”. Kjo përbën ndikimin më  të madh njerëzor për të dhe jetën e tij.

Pas kapitullit të Berishajve, vjen kapitulli i dytë “Vatra ime”. Megjithëse ka shkruar një libër të tërë “Ati im dhe dheu i Atit”, Pashku, me një këndvështrim tjetër, në funksion të idesë qëndrore të librit shkruan për ndikimin që kanë patur në jetën e tij familja, historia e lashtë dhe e re e saj, pa përsëritur asgjë nga libri i mëparshëm.

Në tërë krijimtarinë e Pashkut, por më tepër te “Përmendorja e shpirtit” dhe posaçërisht te kapitulli i tretë, “Vatra ime”, mes rreshtave ndjen të rrahë një zemër e mallshme për truallin, tabanin, vendin, rrënjët ku u lind dhe njerëzit e atij vendi, që, shumë prej tyre,  ai i bëri personazhe të krijimtarisë së tij, si në këtë libër, për të cilin ne jemi mbledhur sot.

Karakteristikë veçuese e krijimtarisë së Pashkut, por veçanërisht e këtyre dy libra për të cilët po flasim sot, “Përmendorja e shpirtit” dhe “Bujaria pukane”, është se atë që ai ngre, e ngre në një taban të fortë, e nis nga e mbara, nga themeli, nga rrënjët e thella dhe të shëndetshme  prej të cilave në një harmoni krejt të natyrshme, rritet e lartësohet një pemë e bukur me degëza, lule dhe fruta me lëng jetësor, që është gjithë libri.

Pa rrënjë, pa shpirt, jo vetëm njeriu si individ, por edhe një popull është i vdekur. Dhe këtë Pashku e ka patur fort parasysh kur ka vendosur të shkruajë. Shpirti i tij shtrihet si rrënjët, shpërhapet, futet thellë, bie vlagën e substratit njerëzor, njomësinë e ndjenjave, futet në çdo qelizë, në çdo pore, në çdo zemër dhe rrit lisa, pjergulla, trandafila, por edhe kullon pika gjaku dhe loti që therin fort dhe çajnë shkëmbinjtë e jetës.

Ndërsa për kapitullin “Jep e merr me pasë, miq e shokë me thasë”, një titull metaforik i nxjerrë nga thesari popullor, jepet ndikimi që ka pasur autori nga miqtë e tij familjarë dhe jashtëfamiljarë, nga shtëpitë bukëngrënëse, të cilat janë shumë, aq sa ena e “Përmendores së shpirit” u mbush dhe pjesa tjetër, po aq e madhe dhe po aq e shumtë në numur, u zbraz në librin tjetër, “Bujaria Pukjane, konak në zemër,”. Ndaj dhe diku kam thënë se këta dy libra janë vazhdim dhe plotësim i njëri-tjetrit.

Për natyrën e punës që kam patur për shumë vite me radhë, ashtu si dhe Pashku, edhe unë, nuk kam lenë fshat dhe vend pa shkelur dhe familje pa bujtur, dhe jo vetëm një herë, por disa herë në rrethin tim, dhe më pas, edhe nëpër Shqipëri.

Gjëja që më ka ngelur peng dhe do të më lërë me borxhe edhe në varr, është që nuk e kam shpërblyer dot të gjithë këtë mirësi dhe bujari, këtë mikpritje që më kanë bërë si në vendlindjen time, në Skrapar, por edhe në krahina të tjera të Shqipërisë, nuk e kam ndrequr dot një raport midis atij që jep dhe atij që merr.

Ai që jep, në këtë rast familja që të ka dhënë bukën, që të ka dhënë zemrën, që të ka pritur dhe përcjellë me aq ngrohtësi dhe dashamirësi, është superiore se e ka bërë atë që duhet, ka bërë detyrën, ndërsa ti si bujtës je inferor, je borxhli dhe mundohesh ta zbusësh këtë raport, por nuk i ke mundësitë për të tërë, kështu mbetesh përjetë borxhli.

“Paskuale, i thashë një ditë (sepse kam qejf ta quaj kështu, pasi shkoj shpesh në Itali, dhe atje kam një mik të mirë me këtë emër), ti me këtë libër, por edhe të tjerë që i ke me plot personazhe, do të jesh më i qetë, se në një farë mënyre i ke larë borxhet”, mua më ngelën edhe shumë, dhe tani nuk kam as mundësi as kohë t’i shlyej.

Natyrisht qeshëm. “Po edhe mua, pavarësisht nga këto, me borxhe të tillë do të shkoj deri në varr, se parȧ dhe fjalë të keqe nuk i kam kujt boxh – më tha Pashku me dashamirësi.

Ndaj mua nuk më mbetet gjë, veçse, që me anë të këtij shkrimi, të shfrytëzoj rastin, për ta përgëzuar autorin dhe për t’i thënë atij se libri “Përmendorja e shpirtit” dhe “Bujaria pukjane”, me figurat protagoniste më në zë, më të njohura dhe më të spikatura, të vdekur dhe të gjallë të krahinës së Pukës, të bëra ashtu bashkë dhe pranë njeri-tjetrit, si në një kompleks gjigant memorial-skulptural, i ngjan një panteoni të pavdekshëm nderi me dimensione të gjera njerëzore.

 

 

 

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • E imagjinoj kete Pashk si nje plak te ulur ne vetmine e atij muzeu te vogel e modest pukjan ne qender te qytetit, me syte perdhe e i perqendruar ne nje zukatje te lehte insekti, po dhe me te vtemuar se vet Pashku dhe orendite e muzeut, e te dy ne kerkim te nje gjallerie te humbur prej kohesh ne ate qytet -tashme- te vetmuar sa dhe Pashku dhe insekti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *