“Lamtumirë Fuçiku shqiptar! Ai nuk kishte iluzione për botën rreth tij, ai ua la këtë botë të gjallëve dhe lufta që na la trashëgim është një luftë që ia vlen”

redaktor

 

 

Nga Jorgo Mandili

Botuar në DITA

Fuçiku shqiptar… Kështu i thërrisja unë sa herë që takoheshim apo flisnim në telefon. Sepse Arbeni ishte një revolucionar. Qartësia e kthjellët dhe bindja absolute e veprave të tij janë shenja dalluese të Arbenit. Sido që të ishte, Arbeni nuk ishte kurrë i paqartë. Ajo qartësi në lidhje me gjendjen e punëve, e përcaktoi atë si njeri, materialist dhe marksist.

Ai nuk kishte iluzione për botën rreth tij. Ai e dinte se ajo ishte tmerrësisht me të meta. Dhe se ndryshimet kozmetike nuk ishin zgjidhje. Arben Duka nuk ishte idealist; ai nuk ishte romanticist. Ai ishte komunist. Për të fjalët ishin armë kundër shtypjes, mjete për të formuar një botë më të mirë. Ai e krijoi çdo fjalë si një “bombë e flamur” dhe e eterizoi, për të bërë atë që mundej.

Poezia e tij është krenare, e drejtë dhe e vetëdijshme për qëllimin e saj. Çdo poezi e tij është një rebelim; çdo poezi është një deklaratë politike; çdo poezi e tij është lirizëm, dashuri, jetë, solidaritet. Përgjithmonë revolucionar, Arbeni këndonte “Marsejezen” dhe “Internacionalen” dhe si Julius Fuçiku paralajmëronte: “Njerëz ju dua, jini vigjilentë! Ja pra pse unë e quaja “Fuçiku shqiptar”!

Është shumë e vështirë të shkruash për Arbenin si një vëzhgues i paanshëm. Ai besonte atë që përjetoi në vitet e socializmit. Ai pa në Shqipëri një popull që po rimerrte vendin e duhur nën diell. Një vepër që lavdëronte me gjithë zemër punëtorët dhe fshatarët, njerëzit e punës. Por ai pa edhe anën tjetër – tranzicionin e gjatë dhe të trishtë. Në kohën para se të vdiste, i vrarë shpirtërisht nga ky tranzicion, ai shkroi atë që pa dhe mendoi.

Unë mendoj se me krijimtarinë e tij, ai na la një dokument dhe regjistrim të paçmuar të kaosit neoliberal të Shqipërisë. Ndërsa lexojmë Arbenin ne bëhemi bashkëluftëtarë me të, çdo varg i tij është një gozhdë e ngulur në arkivolin e së keqes; vepra që la pas është një testament i shpirtit njerëzor dhe një rezistencë në vetvete.

Ai përmes ironisë dhe sarkazmës në poezitë e tij tregoi se “zorraxhinjtë e tranzicionit” nuk ishin në gjendje të shkatërronin shpresat e tij dhe të njerëzve të mirë si ai. Fjalët e tij kanë ende fuqinë për të gjallëruar dhe frymëzuar shpirtin njerëzor; fjalët e tij ende i ndjekin armiqtë e së vërtetës.

Vepra e tij do mbetet një dokumentim i vlerës së paçmueshme të shpirtit njerëzor të çliruar nga llumi i injorancës, frikës, poshtërsisë, gënjeshtrës; një besëlidhje midis komunizmit dhe racës njerëzore. Ai katalizoi trimërinë dhe altruizmin e mijërave si ai – dhe e bëri këtë me dashuri, dhembshuri dhe një besim të tillë në vetë procesin e jetës, siç është rrallë ndonjëherë në shtypin shqiptar.

Mijëra burra e gra të çdo moshe që kanë lexuar Arbenin në DITA kanë marrë “ushqim” të ri të përditshëm shpirtëror dhe moral nga forca e tij e pakufishme dhe e qetë. Unë mendoj se Arbeni e dinte se diçka e tillë do të ndodhte.

Ai nuk donte të vdiste. Çdo fjalë që ai shkruante pasqyronte pasionin e tij për jetën, dashurinë e tij të vazhdueshme për atmëmëdheun e bukur. Si mijëra dashamirës , të afërm, shokë, miq e simpatizantë të tjerë, mund të marr vetëm dorën e tij, e cila është aq e fortë në vdekje, dhe ta falënderoj. Një shtrëngim dore edhe për stafin e kolegët e “Ditës”, që po e bëjnë detyrën e tyre në këtë betejë.

Arbeni ua la botën të gjallëve dhe lufta që na la trashëgim është një luftë që ia vlen!

 

Share This Article