CEFTA – 15 vjet që bëjmë të mundur tregtinë

redaktor

Si ngjarja kryesore e javës së CEFTA-s, konferenca “CEFTA – 15 vjet që bëjmë të mundur tregtinë”, ka mbledhur në Shkup mbi 100 pjesëmarrës dhe rreth 200 pjesëmarrës online nga 7 palë të CEFTA-s, për të shënuar arritjet e Kryesimit nga Maqedonia e Veriut për vitin 2021.

Duke qenë viti i parë i zbatimit të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA i ka fokusuar përpjekjet e saj në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve në rajon. Së bashku me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, ajo ka bërë hapa të rëndësishëm drejt afrimit të rajonit me Tregun e Përbashkët të BE-së.

Në hapje të Konferencës, Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, theksoi rëndësinë e CEFTA-s për zhvillimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia e Covid-19.

“Këtë vit arritëm të fillojmë dhe të përfundojmë punë të rëndësishme në kuadër të programit Vjetor të Kryesisë sonë dhe në zbatimin e disa pikave të rëndësishme në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Brenda CEFTA-s duhet të përmbushim detyrimet tona për të zhvilluar më tej këtë Marrëveshje duke krijuar kushte të favorshme në politikën tregtare për sektorin e biznesit dhe për të zhvilluar konkurrencën e ndershme. Në kuadër të kryesimit tonë me më shumë organe të CEFTA-s dhe menaxhimit të negociatave për mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, arritëm të fokusohemi në lëvizjen e lirë të mallrave duke eliminuar pengesat, duke bërë përparim në tregtinë e lirë të shërbimeve, dhe duke përmirësuar kapacitetet institucionale të strukturave të CEFTA-s”, tha ministri Bekteshi.

Drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Djikic, theksoi rolin e rëndësishëm të CEFTA-s në promovimin e tregtisë në 15 vitet e fundit.

“Studimet kanë treguar se kontributi i CEFTA-s në eksportin e palëve vlerësohet ndërmjet 40% dhe 80%. Megjithatë, ajo që ka rëndësi është e ardhmja, dhe ekziston potenciali deri në 6.7% të PBB-së shtesë, nëse e sjellim CEFTA-n në nivelin e integrimit që ekziston në BE. Këtë vit kemi bërë hapat e parë në këtë drejtim.”, tha ai.

Zj. Ariana Dyrmishi, Drejtoreshë e Politikave të Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, u shpreh:

“Si palë në marrëveshjen e CEFTA-s, ne kemi punuar për të rishikuar kuadrin e brendshëm ligjor, në mënyrë që të eliminojmë barrierat për të gjitha bizneset tona, që të kenë mundësi të shesin online në tregjet e vendeve të CEFTA-s, sikurse dhe konsumatori jonë të jetë i mbrojtur. Kështu, rëndësia që tregtia elektronike ka marrë së fundmi, do t’i ndihmojë vendet në zhvillim, jo vetëm për kapërcimin e barrierave, por edhe për zhvillimin e potencialeve që ka tregtia elektronike në zhvillimin e vendit.”

Ibrahim Xhaka, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, u shpreh optimist për shtytjen që do t’i japë CEFTA ekonomisë.

“Unë besoj që, sa më efikase të jenë procedurat, aq më mirë do të bëhet tregtia. Do të hiqen barrierat, si ato jotarifore, ashtu edhe të gjitha barrierat e tjera administrative që mund të kemi. Faktikisht, ne duhet të punojmë që të kemi një administratë sa më efektive, të drejtë dhe transparente në të gjitha aspektet, në mënyrë që edhe zhvillimi ekonomik, por edhe lëvizja e tregtisë, qoftë import-eksport apo tranzit, të funksionojë sa më mirë.”, u shpreh ai.

 

Arritjet kryesore në vitin 2021 janë:

  • Rregullat e ndryshuara të origjinës, duke i bërë ato më fleksibël për të mirën e operatorëve ekonomikë. Rregullat e përditësuara janë në përputhje me procesin e rishikimit të rregullave aktuale të origjinës, të konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM).
  • Finalizimi i vendimit për lehtësimin e tregtisë elektronike në CEFTA.
  • Vendimet për njohjen e programeve dhe kualifikimeve profesionale të OAE janë miratuar në nivel ekspertësh.
  • Është bërë progres i rëndësishëm në negociatat e Protokollit Shtesë 7 për Mekanizmin e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, dhe ato të Vendimit për heqjen e detyrimit për leje pune për furnizuesit e shërbimeve dhe transferimet brenda kompanive.
  • Korsitë e Gjelbërta u zgjeruan në të gjitha PKK/PKK të CEFTA-s, duke siguruar një qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt të mallrave thelbësore. Një portal i ri me të dhëna mbi përdorimin e nismës së Korsive të Gjelbërta si dhe kohën e pritjes, u publikua për të ndihmuar në monitorimin e politikave tregtare. Kanë filluar diskutimet për ta shtrirë atë në shtetet fqinje anëtare të BE-së.
  • Ka nisur Implementimi i Platformës SEED+. Ai do të mbështesë shkëmbimin e certifikatave të nevojshme për zhdoganimin e mallrave, duke përfshirë e-certifikatat që synojnë të nxisin tregtinë pa letra. Ai gjithashtu do të mbështesë shkëmbimin e shpejtë të informacionit mbi papërputhshmërinë e dërgesave me kafshë dhe mallra, me qëllimin përfundimtar të mbrojtjes së konsumatorëve tanë.
  • Pilotimi i tre Aksioneve të Përbashkëta Doganore (JCA) për kamionët bosh, tregtinë ilegale të duhanit, IPR trademark, si një hap përpara drejt zbatimit të Strategjisë së CEFTA-s për Menaxhimin e Riskut Doganor.

Tre panele diskutimi, të titulluara “Lehtësimi i tregtisë përmes njohjes së certifikatave dhe procedurave”, “Tregtia në shërbime dhe licenca, kualifikime, leje” dhe “Të drejtat e pronësisë intelektuale në nxitjen e tregtisë dhe investimeve”, u fokusuan në programet e njohjes që synojnë të integrojnë 7 tregje në një të vetëm, duke siguruar akses efikas dhe të lire, për 20 milionë konsumatorë dhe ekonomi të konsoliduar prej 120 miliardë dollarësh.

Maqedonia e Veriut ia ka kaluar stafetën Moldavisë, e cila do të kryesojë CEFTA-n në vitin 2022 dhe ka premtuar se do të vazhdojë me axhendën ambicioze të promovimit të tregtisë.

Java e CEFTA-s 2021 u organizua në bashkëpunim me partnerët nga Zyra për Pronësi Intelektuale e Bashkimit Evropian, GIZ, USAID-i në Maqedoninë e Veriut dhe Forumi i Investimeve i Dhomave të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *