Ekonomiku shpall kuotat për 2022, ja sa studentë do të pranohen në degët “Bachelor” dhe “Master”

J L

Janë 1200 kuotat e propozuara nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës për maturantët që do të garojnë vitin e ardhshëm për pranimet e reja në programet e ciklit të parë “Bachelor”. E ndërsa kriteret e pranimit nuk do të ndryshojnë, autoritetet e Fakultetit Ekonomik bëjnë me dije se edhe përgjatë vitit 2022, maturantët do të garojnë për katër programe studimi të ciklit të parë, që janë: Administrim Biznes ku do të pranohen 420 fitues të rinj, Financë me 440 kuota, Informatikë Ekonomike me 240 kuota, si dhe Ekonomik me 100 kuota. Gjithashtu janë përcaktuar edhe kuotat e pranimeve për kandidatët që do të përzgjidhen në radhët e garuesve nga trojet, shtetasit e huaj, personat me aftësi të kufizuar, studentët me statusin e jetimit, romët-egjiptianët, si dhe kuotat për program të dytë studimi. Ndarjen e plotë të kuotave për secilën kategori e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Gara për maturantët\Kriteret për fituesit e 2022

Sikundër është propozuar, dy do të jenë kriteret vendimtare sa i takon formulës se si do të përzgjidhen fituesit e rinj në radhët e maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që do të konkurojnë për këto programe studimi të nivelit të parë. Kështu, fituesit e rinj të 2022 do të përzgjidhen nëpërmjet vlerësimit të mesatares se shkollës së mesme, si dhe mesatares së lëndëve të përcaktuara prioritet. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore ( që llogaritet si mesatare e thjeshtë) do të përbëjë 50 për qind të vlerësimit final për maturantin.

Ndërsa nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) po ashtu përbën 50 për qind të vlerësimit final. Në listën e këtyre lëndëve përfshihen matematika me 15 për qind të ndikimit, ekonomia me 15 për qindtë ndikimit, ndërsa fizika dhe gjuha e huaj vlerësohen secila me nga 10 për qind të ndikimit në rezultatin final që maturanti do të sigurojë nga vlerësimi i këtij kriteri.

Shumatorja e pikëve të siguruara nga këta të dy tregues përbën edhe rezultatin final që maturanti apo kandidati siguron në garën e pranimeve të këtij viti. Renditja në listë nis me kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës deri tek kandidati me rezultatin më të ulët. Fitues do të jenë të gjithë maturantët që kanë pikët më të larta referuar numrit të kuotave të aprovuara për secilën degë.

Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për vitin 2022 do ta kenë të gjithë maturantët që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Kuotat e propozuara për programet “Master”

Lidhur me pranimet e reja që do të realizohen në programet e ciklit të dytë, Fakulteti Eknomik ka propozuar që për programet “Master profesional” gara do të zhvillohet në 9 programe të ndryshme studimi, si: Administrim biznes me 55 kuota, Administrim publik me 25 kuota, Financë me 180 kuota, Kontabilitet dhe Auditim me 110 kuota, Financë- Kontabilitet dhe Auditim me 50 kuota, Sisteme Informacioni në Ekonomi me 50 kuota, Teknologji Informacioni dhe Menaxhimin e Proceseve të Biznesit 30 kuota, Menaxhim Turizmi me 25 kuota, si dhe Marketing 70 kuota. Ndarjen e plotë të kuotave e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, ku për secilën degë jepen edhe kuotat e mundshme të pranimeve të reja që do të zhvillohen jo vetëm për kandidët brenda vendit, por edhe për ciklin e transferimeve, programet e dyta të studimeve, kuotat për trojet, si dhe kategoritë me aftësi të veçanta.

Ndërsa për ciklin “Master shkencor” për vitin akademik 2022-2023 mund të garohet në 11 programe që janë: “Master i shkencave” në “Administrim biznes” me 50 kuota, Administrim publik 40 kuota, Ekonomiks 35 kuota, Financë 120 kuota, Menaxhim risku 30 kuota, Kontabilitet dhe Auditim 100 kuota, Sisteme Informacioni në Ekonomi 60 kuota, Siguri Informacioni 60 kuota, Statistikat Zyrtare 30 kuota, Menaxhim Turizmi 25 kuota, Marketing 70 kuota. Në tabelën bashkangjitur shkrimit jepen edhe prpozimet në lidhje me kuotat që do të jenë në dispozicion të kandidatëve që do të garojnë për programet e dyta të studimeve, ciklit të transferimeve, kuotave të trojeve, si dhe kategorive të veçanta në të gjitha këto programe studimi.

Tabela e propozimit të kuotave të pranimit për ciklin e parë dhe të dytë, viti akademik 2022-2023

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *