Enigmat e Kuvendit të “Vulave”/ Opozita e tanishme nuk është e reformuar, por e deformuar, në bindje, në qëndrime, e çoroditur në ide dhe e mpleksur me afera të ndjeshme

Ornela

Bedri Islami

Kuvendi i sotëm i opozitës është në fakt ai i strukturave qendrore dhe i njerëzve që kanë vulat zyrtare, stemat, logot, godinën, bravat që ndërrohen, të drejtën e shkarkimit të kundërshtarëve brenda llojit, e në fund të fundit, i një brezi të ri të politikës që kërkojnë tashmë hisen e tyre, pasi të kenë zbuar të djeshmit.

Megjithëse në të drejtën e tyre për një politikë ndryshe, dëbimin e Berishës – molla e sherrit- nga grupi parlamentar, të strukturave deri tani në vorbullën e tyre dhe pa asnjë ide të lakmueshme që mund të përcjellë një vizion ndryshe, të mbledhur rreth kryetarit aktual që ka pas vetes të paktën 6 ambasadorë të fuqishëm, një shpallje “non grata” të mentorit të tij të deritanishëm politik, besimin se ai nuk do të jetë në këtë listë, për deri sa është “i urtë” dhe “ i lakueshëm”, ata kanë para vetes disa enigma të mëdha, që, më shumë se me të djeshmen, kanë të bëjnë me të ardhmen e opozitës – le ta quajmë opozita zyrtare, të liderëve të saj, përgjithësisht grup mediokër, i zgjedhur nga radha e brezit të dytë të opozitës së deri djeshme, me të ardhmen e drejtimit të saj, që ka para vetes dy rrugë: ose reformimin duke u shndërruar më në fund në një forcë politike e skajuar drejt së djathtës evropiane, ose të shuhet dhe të jetë pjesë e një historie të dështuar.

Nuk ka asnjë forcë tjetër politike, jo vetëm në vendet e Lindjes, por kudo ku njihet pluralizmi si ide dhe praktikë, që një parti politike, e fuqishme deri në skaj në fillimet e saj, në 30 vite ekzistencë të jetë ndarë në 12 pjesë dhe të rrezikojë një rindarje të saj, skizmën e madhe, ashtu si nuk njihet një tjetër që, nga 335 themeluesit e saj , sot, të jetë vetëm njëri ende në strukturat e saj, Berisha. Të terët janë larguar, kanë heshtur, janë shtypur, janë kërcënuar, në fund janë dëbuar. Madhështia e emrave të dikurshëm sot është zënë nga mediokriteti, pasioni i dikurshëm për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, medet, është kthyer në sloganin më të palogjikshëm, pasi askush nuk beson se kjo klasë politike mund të bëjë diçka evropiane.

Kuvendi i sotëm i opozitës zyrtare është një javë pas atij të 11 dhjetorit, që, duhet pranuar, bëri diçka ndryshe në statutin e supozuar, duke lejuar edhe fraksionet në partinë e tyre, çka duhej të ishte bërë para 30 viteve, por edhe në të njëjtën ditë kur bëhet një referendum – kështu e quan opozita e foltoreve, për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Në mos qoftë e gjitha tragjedi, është komedi e paparë ndonjëherë. Të duket sikur po ndajnë sahanët, lugët, pirunjtë, gotat, pjatat, tenxheret, zahiretë e dimrit, por , përtej saj, është shumë më e trishtueshme.

Sidoqoftë , sot është dita e Kuvendit të Lulzim Bashës. Me bujë të pazakontë është proklamuar se do të jetë Kuvendi i ndryshmit, i ndarjes nga e kaluara, i të ardhmes, kundër regjimit të Edi Ramës dhe, është bërë kujdes të theksohet, se interesi i demokratëve dhe PD, sakrifica e tyre është mbi interesin përsonal të cilitdo.

Vërtet do të ndodhë kjo?

Janë disa enigma para secilit.

Enigma e parë: A do të jetë Kuvendi i ndryshimit?

Të ndryshosh është gjë e natyrshme, do të thoja njerëzore. E kam shkruar edhe në raste të tjera një thënie të Adem Demaçit, sipas të cilit, “ Vetëm i vdekuri dhe i marri nuk ndryshon”.

Lulzim Basha nuk është i vdekur, e , nuk është as i marrë. Në tetë vitet e qeverisjes së opozitës ka treguar se e ka kallandisur krejt mirë pasurinë e tij, e ka fshehur të vërtetën përmes heshtjes dhe, kur i është dashur, përmes britmave.

Sidoqoftë, koha është e tij, nëse do të ketë një kohë të tillë. A është i aftë ai të ndryshojë diçka në tërë politikën që ka mbizotëruar në PD?

Tetë vitet e shkuara kanë sjellë mosbesimin e njohur ndaj tij. Në të gjithë sondazhet ai mbetet lideri më pak i votuar , sidomos për besimin ndaj tij. Pak vetë e besojnë atë, e, edhe më pak kanë shpresë në ndryshimin e tij.

Për të bërë ndryshimin e duhur atij i duhen tri gjëra të mëdha: kauza – që nuk është vetëm mposhtja e regjimit të Edi Ramës, vizioni – që në tetë vite nuk ka pasur asnjë gjurmë, dhe, e treta, ekipi që duhet të bëjë ndryshimin.

Edi Rama është drejtuesi i së majtës, duke qenë vetë, në bindje dhe përcaktime më shumë i së djathtës. Pragmatik , që e di se pushteti nuk mbahet duke luajtur gurët një muaj a dy, por i futur në betejë , ashtu si ai vetë i ka përcaktuar rregullat e lojës. Shpesh herë, duke qenë në pushtet, ai sillet si në opozitë, ndryshe nga Basha që, duke qenë në opozitë, flet sikur të jetë në pushtet.

Për të mposhtur Edi Ramën duhet të fitosh mbi veten. Duhet të ndryshosh. Lulzim Basha nuk e ka bërë dot këtë, pasi, mbi të gjitha, i dashuruar me pushtetin, ai, si Kupidi i lashtësisë, gjuan me shigjeta vetëm zyrën kryeministrore, ku synon të jetë. Nëse njerëzit nuk të ndjekin gjithë vitin, e jo vetëm në dy tre muaj fushate, nuk mund të mposhtësh askënd. Mund të bëhesh më i pasur, si ka ndodhur me Bashën dhe ekpin e tij, mund të ligjërosh më tepër, por Edi Rama vazhdon të qeverisë dhe, si duket, përmes skizmës së tanishme, do të qeverisë edhe më tej.

Për të mposhtur Edi Ramën , ose për të vënë atë nën kontrollin e opozitës dhe diktatin e saj, duhet të gjesh rrugën te njerëzit, gjë që as Basha e as grupi rreth tij nuk e kanë bërë asnjëherë. Në tre muaj lëvizje foltoresh kishte vetëm heshtje nga selia e vulave.

Kjo ka qenë sëmundja foshnjore e opozitës që pas 22 marsit 1992. Të mësuar me Njëshin brenda selisë së tyre nuk u bënë kurrë forcë e parë dhe asnjëherë më pas nuk kishin besimin e duhur të votuesve të tyre.

A mundet Basha të tërheqë pas vetes të djathtën shqiptare, kur, as ai vetë, as grupi rreth tij, nuk kanë pasur asnjë koncept të drejtë për këtë të djathtë, duke e përdorur si slogan, si objekt të politikës, kurrë si subjekt. A mundet Basha, megjithë përrallat se ka qenë disident që kur ka lerë, të bëjë të mundur që pronarët të gjejnë veten tek ai, kur, në fakt, ai vetë sot është pronar i padeshifrueshëm, kur ata, realët, janë ende të varfër. Vështirë të besohet. Në vitet e para pluraliste, më shumë për inerci dhe shpresë, se sa nga idetë dhe besimi, ish të përndjekurit politikë, ish të burgosur politikë, ish pronarë kanë ndjekur opozitën e tanishme, duke besuar se do të bëhet më mirë. Të ndryshosh këtë kurs të politikës duhet të përmbysësh shumë gjëra brenda opozitës, mbi të gjitha vizionin, çka mungon e , si duket, do të mungojë.

Lëvizja e tanishme, vetë ky kuvend, është një lëvizje nga halli, kuvend i detyruar nga foltoret, jo si ndjesi e brendshme e lidershipit të saj.

Enigma e dytë , pas këtij kuvendi, a do të reformohet Partia Demokratike, a do të kemi një forcë të re politike , apo gjithçka do të jetë e njëjtë, zvarritëse, pa frut dhe shterpë?

Opozita e tanishme zyrtare e jo zyrtare nuk është e reformuar, ajo është e deformuar. E deformuar në bindje, në qëndrime, në ecurinë e saj, në perceptimin e liderit, në krijimin e ngjarjeve tragjike pikërisht nga nënshtrimi ndaj Njëshit, e çoroditur në ide dhe e mpleksur me afera të ndjeshme. Në çështjet e mëdha politike ajo ka qenë e paqëndrueshme, kokëfortë, lehtësisht e korruptueshme. Për ngjarjet ttragjike që kanë ndodhur në Shqipëri, nën qeverisjen e tyre, liderin e kohës, Berisha as nuk e brente ndërgjegjja dhe as që ishte i shqetësuar. Edhe në një dalje të fundit në emisionin “Opinion”, në beniaminin  e tij, Fevziu, Berisha i qëndroi vrasjeve të 21 janarit, duke ndryshuar rrethanat, por jo thelbin, i bindur se përsëri do të vriste 300 të tjerë, nëse shkelej bari jeshil brenda gardhit kryeministror.

PD, dhe as Basha nuk mund të reformohen nëse nuk ndahen përfundimisht nga e shkuara jo shumë e largët e krijesës së tyre. Ata, të dy, Berisha e Basha, më tepër se një qenie normale politike, e kanë shndërruar PD-në , shpesh herë në një përbindësh politik, ku të mençurit dhe të ndershmit gjenden jashtë; mjedisi i mbytur ka krijuar premisën e dekompozimit të forcës politike, ka ndrydhur gjithçka të aftë për të bërë reformimin.

Enigma e tretë, ekipi që Basha ka mbledhur rreth vetes është më mediokri që ka pasur ndonjëherë rreth vetes Partia Demokratike.  Një grup vasalësh të Berishës që papritmas u bënë dishepujt e Bashës. Nëse ai mendon se mund të bëjë ndryshimin e madh me këtë ekip, Bardhi, Salianji, Duma, Alibeaj , etj, me turmën amorfe dhe pa identitet të spikatur politik, ai shumë shpejt do të ndjejë dështimin e rradhës.

Bardhi i ngjarjes së Elbasanit dhe i teorisë së ngritjes të grupeve të gatshme për mbrojtjen e votës, një detashment paramilitar, Salianji i “babales”, personifikimi i meskinitetit në politikë, Duma e shitblerjeve të apartamenteve , çku humbi edhe gjyqin me Veliaj, Alibeaj, që mendohet se ishte pikërisht juristi që hartoi gjithë legjislacionin sui generis për Gërdecin, ndaj u bë ministër i Drejtësisë; përgjithësisht njerëz që nuk ishin në gjendje të ndërtojnë as familjet e tyre e jo më të ndërtojnë Shqipërinë, ordinerë në shpifje dhe të babëzitur në pasuri – këto nuk mund të bëjnë as reformim, as kthim nga e mbara e as shkëputje nga e djeshmja.

Nëse dje kishte ministra e funksionarë të lartë të PD-së që i urdhëronte Shkëlzeni i Berishës, disa prej tyre janë në trupën drejtuese të tanishme, kush mund të garantojë se këto të sotmit nuk do i urdhërojë nesër “ kunati” i njohur, për të cilin katër vite më parë Genc Ruli bën thirrje të merrej prej prapanice dhe të nxirrej me shqelma jashtë selisë së PD-së, që sot e ka uzurpuar koncepti i tij?

Vetë liderllëku i Bashës është defektoz dhe, në të shumtën e rasteve , i dështuar. Tetë vite pa lëvizur asgjë dhe pa sjellë asnjë ndryshim thelbësor. Basha nuk besoj se do të jetë njëri nga kryetarët e rrahur të PD-së, por edhe trim nuk ka qenë. Deklaratat e tij të tanishme se mbi kokë ka pasur Berishën dhe se Tjetri ka vendosur për çdo gjë, e kështu mund të ketë ndodhur, dëshmojnë se, në fund të fundit, kemi një kryetar “ të rrahur” politikisht, të nënshtruar, t paaftë për të vendosur, vetëm në rastet kur shpërblimi ka qenë për të dhe familjen e tij.

Së fundi: sot, në Kuvendin e “ vulave dhe bravave” mund të merret vendimi për përjashtimin e Berishës nga Partia Demokratike. Në fakt, do të ishte i vetmi vendim që do të ishte legjitim, sidomos që, edhe në ndryshimet që mund të ndodhin sot, nuk do të lejohen fraksionet në parti.

Berisha mund të largohet, berishizmi do të jetë e vështirë. Në mos e pamundur nga ky grup drejtuesish që e kanë pasur idhullin e tyre.

Mes dy ngastrave të PD nuk ka më paqe dhe, si duket, nuk do të ketë.

Kuvendi i sotëm, për të cilin askush nuk e di numrin e saktë të delegatëve, mund të ketë shumë gjëra, fjalime të bujshme, përbetime, përshëndetje, mallkime, shfryrje nervash, dëshmi të krimit të kaluar, protesta, por mendim nuk do të ketë. Gjakrat janë nxehur pikërisht për të mos pasur mendim.

 

Share This Article
13 Comments
  • Shume sakte Z. Bedri! Lufta brenda llojit eshte me e egra! Me kujtohet libri Decameroni i Boccacios ku ata mbyllen ne dy fuci minj dhe kur ngelen vetem dy prej tyre sepse hengren njeri tjetri i leshuan ne qytet dhe ata hengeren te gjithe minjte e tjere! Kellici thote qe “kjo nuk i behet as armikut”! Por a ka dhe a mund te kete nje armik me te madh se Saliu! Duhet te jesh pak budalla,qe Saliu i ka mbledhur me vite rreth tij,si Bolshevik qe eshte! Eshte vetem leninizem!

  • Ka nje “keqkuptim” te madh me ndryshimet radikale qe solli ne Partine Demokratike, levizja e Sali Berishes.
    “Keqkuptim” ne thonjeza, sepse nuk behet nga padija, por nga deshira.
    Nuk ka dy grupe ne Partine Demokratike. Nuk ka carje ne dy pjese ne Partine Demokratike.
    Sepse: Partia Demokratike eshte nje parti politike, dhe jo nje ekip futbolli, nje skuader baskebolli, nje ShPK, nje OjQ a OJF etj.
    Nje parti politike quhet e ndare, kur ka anetaret e saj te ndare, kur ka elektoratin, votuesit e saj te ndare.
    Shumica derrmuese e anetareve te saj, nuk ka te mencur a te marre, qe nuk e shikon qe eshte me Sali Berishen.
    Shumica derrmuese e elekoratit te saj eshte berishiste, sic ka qene jete e mot.
    Shkurt e me dy fjale, Partine Demokratike, de fakto e kontrollon Sali Berisha, duam apo s’duam ne, na pelqen apo ‘pelqen neve.
    Lulzim Basha ka ca deputete vertete, ka ca zyrtare te partise vertete por, nuk duhet te harrojme, qe keta deputete te PD-se , keta zyrtare te PD-se, jane zgjedhur anetaresia berishiste, nga elektorati berishist, pikerisht.
    Madje vete zoti Basha u zgjodh ne kuvendin e Qershorit nga berishistet, shume prej tyre duke mbajtur hundet me dore, por te detyruar per hater te doktorit.
    E shohem pak anapolla: nese sot do te zhvilloheshin zgjedhje, asnje nga deputetet e PD-se qe mbeshtesin Bashen sot, nuk do te kishin asnje shans per t’u zgjedhur. Vete Basha nuk do te mund te zgjidhej deputet. Sepse, e themi prape, jane votat e Berishisteve ato qe i bene keta mosmirenjohes deputete.
    Ironia me e madhe ketu eshte qe, keta deputet qe mbajne anen e Bashes sot, thone se e bejne ne shenje luajaliteti per shkak se i beri deputet… duke harruar se deputet i beri vota e demokrateve dhe simpatizanteve te PD-se!
    Keshtuqe, eshte fyese per intelektin e cdo qytetar, te flasesh per kinse ndarje te PD-se ne dy pjese, ne dy grupe.
    Por, me shume se fyese eshte te flasesh per kinse epersine qe na paskej Basha, meqe ka mbeshtetjen amerikane dhe te ndoca ambasadoreve ( megjithese ky me ambasadoret europiane eshte nje spekulim), paska ca deputete e zyrtare dhe vulen…
    Partia eshte anetaresia e saj.
    Partia eshte elektorati i saj, jane simpatizantet e saj, jane votuesit e saj.
    Dhe te gjithe keto jane ne shumicen derrmuese Berishiste. E perserisim se bashku: jane berishiste.
    Fakti qe analistet e socialistes bejne analiza mbi nje premise te tille te rreme, eshte tregues i mbeshtetjes se tyre ndaj Bashes.
    Ne 8 (tete) vite ne pushtet Rama, ka pasur fatin me te madh qe mund te kete nje Kryeminister: ka patur si kundershtar politik njefare gjeje si Basha.
    Tani imagjinoni pak: kur Edi Rama ia ka pare hajrin kaq shume Bashes si opozitar, mendoni se do te deshironte te kishte perballe nje Sali Berishe, qe e coi ne depresion dhe per pakez fare sa nuk e coi ne cmendine ( kur Rama ishte ne opozite) ?!
    Eshte kjo arsyeja e mbeshtetjes en block qe mediat e socialistet dhe gazetaret e tyre i japen Bashes.

    • Basha humbesi me i madhe. Kjo eshte e vertet po aqe e vertet eshte edhe fakti qe Berisha ishte ai qe e kishte vendosure Bashen, si kobure ne duarte e veta.
      Berisha nuk i ishte i interesuar qe Basha te dile me i zoti se Berishe. Pore edhe Basha nuk ishte aqe i zoti sa ta rivalizonte Berishen. Keshtu qe Basha qendroi nen hijen e Berisdhes , ku dhe Berishes I interesonte qe te kishte ne krye te opozites nje Bash qe se hapte gojen kurr kunder Berishes.
      Lufte qe u hap qe per here te pare kemi nje ZE kunder Berishes ne keto tridhjetve pluralizem , u hapo me rastin e shpelljes nengrato te Berishes. Bashen faktoiri Amerikan e ndihmoi qe te futet ne lufte per ta konkuruar Berishen pore me fakte duke edhe e larguar nga Grupi parlamentar I PD-se.
      Lufta e Bashes kunder Berishes do te gjej mbeshtetj te madhe edhe Brenda opozites ne Partin Demokratik. Fakjte Basha ka mjafte dhe ato nuk duhet ti mbaj ne vetevet pore me keto fakte te luftoi per zbardhjen e se vertetes qe Berish I beri shqiperise te qintat dhe vazhdon te tho se ju nuk keni fakte.
      Per te arritur rezultate Basha duhet lufte e madhe kunder Berishes dhe Berishizmit .
      Lufta pa compromise ne se vertet Basha duhet te behet kryetar I vertet I opozites shqiptare.
      Basha nuk duhet ta kep veshin nga larg, duke sulmuar Edi Ramen. Jo lufte me e madhe per te cliruar opoziten shqiptare dhe ter shqiperin eshte lufta kunder Berishes dhe Berishizmit.
      Kjo lufte duhet te jet e vendosur deri ne eleminimin politik te Berishes, Deri ne venjen para drejtesise Peshkun e madh qe pa diskutim eshte Berisha. Vetem kure te arrihen eleminimi politik i berishes(qe fakte ka sa te duash) athere Basha te bej luften me Ramen.
      Eshte teper paradoksale te bej lufte me Ramen kure ne shtepin tende ke ujkun qe te hane cdo dite deri sa te soe te terin.
      Basha i ka te gjitha mundesite per te realizuar denimin e Berishes.
      Basha dine shum gjera me shum se te tjeret per Berishen. Jo pa qellim nderhyri Fefvziu disa here tek Berisha se c`fare din Basha per ty Berishe.
      Prandaj Basha do te dale fitimtare ne se lufte qe e filloi, do ta qoje deri ne funde.

  • Lere opoziten more shoku Bedri,
    se sot Ne kujtojme, tjeter Histori

    (Dhjetor 1981-2021 40 vjet Elegji per nje Hero-Poliagjent)

    40 vjet me pare,
    si sot pa gdhire 18,
    me urdher te Enverkos,
    vrame ne gjume Mehmet,

    pastaj shqiptaret,
    fort habitem krejt,
    kur Memon e beme,
    pas vdekje Poliagjent,

    e natyrisht me tej,
    nuk e lame me aq,
    por varros-zhvarros,
    .e beme krejt helaq,

    ne rradhe pastaj ishte,
    vete ai pra Ramiz Ali,
    e pas tij i vinte rradha,
    vete shoqes Nexhmi,

    se Enverko djali Yne,
    dhe ca te kish jetuar,
    dhe Nexho “Delikaten”,
    do ta kishte qeruar.

    • Ju “Enveristet” i hengret mune Enverit,ndersa tani po i hani mune Rames dhe Berishes!
      Lereni Enverin,se pasjka bere zullume,por lavderoni Mehmetin,qe nuk i quhen zullume as qindra ballistet e pushkatuar me urdher te tij ane e mbane Shqiperise!

  • Per Islamiket Mediatike te borderose Edi Rames natyrisht qe asnje opozite qofte me Sali a qofte pa Sali brenda, nuk vlen kurre.
    Per Bedrinjte vlen vetem kjo qeveri Rama, aq e suksesshme ne rrenimin e ekonomise vendit dhe shqiptareve!

    • Po nuk u reformua mentaliteti shqiptar, nuk reformohet as PD, as PS, e as jeta jonë shoqërore si komb.
      Nëse në mentalitetin shqiptar nuk ekziston liria, barazia, vllazëria, nuk do të reformohet asgjë.
      Në një vend ku historikisht ka pasur traditë pushteti dhe jo shteti, nuk është e largët dita që të instalohet një diktaturë e çdolloji qoftë.

  • Po nuk u reformua mentaliteti shqiptar, nuk reformohet as PD, as PS, e as jeta jonë shoqërore si komb.
    Nëse në mentalitetin shqiptar nuk ekziston liria, barazia, vllazëria, nuk do të reformohet asgjë.
    Në një vend ku historikisht ka pasur traditë pushteti dhe jo shteti, nuk është e largët dita që të instalohet një diktaturë e çdolloji qoftë.

  • Kenga e sprasme e Sales (vijon)

    Heu or Sal Ram Berisha,
    ku je nis me shkue?

    “Do te dal une malit,
    si komit me luftue,
    Gavet e Uturakun,
    Mulit ja kam ngarkue,
    Panolinat me te mira,
    Kokalarja mi ka sigurue,
    do te baj lufte per ket vatan,
    sa te dridhet djalli e shejtan,
    nuk e baj per vehte, as per Liri,
    por per Xen, Argite e…Shqipni,
    se ne trimoshat e dhjetorit 1990,
    une pra, Rama edhe shoku Met,
    nje besa-bes kemi ne mes tone,
    Karriget pra ti mbajme Gjithmone”

  • A do te zgjidhej Basha kryetar i PD-se, po qe se Berisha do te dilte hapur kunder Bashes , menjehere pas 25 Prillit, dhe kete naracion kunder Bashes do ta vazhdonte deri ne zgjedhjet e 13 Qershorit te PD-se ?
    Pergjigja eshte : Absolutisht jo .
    Atehere , kjo qe po ndodh tani ne ambjentet e Shqup-it dhe ne media, kjo qe po bene Basha dhe disa capacule te tjere qe e rrethojne, s’eshte gje tjeter vec deshmi e thenies se popullit : Kalova lumin, te dhj… kalin !
    Kjo eshte brendia e bandes se Bashes, e cila nuk ka asgje te ndryshme nga brendia e babait te tij politik Sali Berisha. Keshtu u soll Berisha 30 vjet me pare mbi Ata qe investuan per shkollimin e Tij, per edukimin e tij , per gjithcka njerezore qe i siguroi nje te ardhme te lakmuar nga bashkemoshataret e tij . Ashtu sic Berisha u soll menjehere pas dorezimit te kolltukut te Presidentit nga babai i tij politik Ramiz Alia, jo vetem me udheheqjen e Partise Punes por edhe me te gjithe antaresine e PPSh dhe me qytetaret e thjeshte qe nuk pranuan te viheshin nen sherbimin e Saliut dhe bandes se tij, ashtu sic u soll Saliu dhe banda e tij me veprat e ndertuara per 50 vjet, nga populli duke i shkaterruar dhe duke shperdoruar pa asnje fije ndergjegje kontributin, punen dhe sakrificat e popullit ne ndertimin e ketyre veprave, ashtu sic u soll Saliu me kundershtaret e vet brenda “Partise” ne vazhdimesi deri ne aktin e fundit te likujdimit fizik te Sokol Olldashit, konkurentit te vetem te LulBashes – te djalkes se tij te perzgjedhur si trashegimtar te fronit te kreut te PD, po keshtu ngjashem po e peson .
    E vetmja e mire qe pritet te ndodhe pas kesaj perplasjeje dhe vetdemaskimi reciprok te krimeve te tyre eshte shporrja e tyre nga Politika se bashku me bandat sherbetore besnike te tyre, dhenia llogari per gjithcka te keqe te kryer ne dem te Shqiperise dhe shqiptareve te Saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *