SHËNIM: Dokumenti që dëshmoi se përtej kaheve, interesat e kastës politike janë të përbashkëta, të njëjta dhe të ndërthurura

redaktor

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Rrjedhja e të dhënave personale të qindra mijërave qytetarëve shqiptarë ishte një ngjarje e bujshme, që përkoi me mbledhjen e ekzekutivit për të analizuar 100 ditët e para të qeverisjes.

Në dokumentin e përgatitur në një prej programeve më të përdorur dhe më të thjeshtë të mundshëm – ndoshta më i lehtëaksesueshëm se vetë e-Albania – shoqërisë plot kureshtarë për të ditur “sa e ke rrogën” iu servirën të ardhurat e deklaruara të shumëkujt.

Kushdo që kishte vendosur ta shpërndante dokumentin rrjetesh sociale ishte kujdesur që të interesuarit për mirëqënien e të tjerëve të mos lodheshin fort dhe të gjenin në pak klikime shumat e sakta të marra andej-këtej nga individët e listuar.

Në më pak se dy ditë, kërshëria për të rrëmuar në xhepat e botës kaploi të madh e të vogël. Mbipagesa, me raste e shumëfishtë, e disa të gjithëditurve u bë edhe pjesë diskutimesh publike, ndonëse është ende e paqartë se cili është kontributi i vyer që mund ta justifikonte.

Dallimet e konsiderueshme mes kolegëve që kishin të njëjtin pozicion vranë ‘shpirtin e festave’ në institucione e kompani. Familjarët jotransparent, gjithashtu, kaluan ditë të vështira nga “databaza”, e cila, haptazi, ishte një “kockë mishtore” për popullin e varfër, që ka me pikëpyetje edhe gjelin e vitit të ri.

Shashkë a jo, pavarësisht se nga kishte dalë dhe për ç’arsye, dhe i pasur në të dhëna personale që nuk duhet të ishin bërë publike kurrsesi, dokumenti, tashmë në dorën dhe gojën e gjithkujt, është provë konkrete e sekretit që dinë të gjithë dhe nuk ka lidhje me numrat e kartave të identitetit.

Ai nxjerr në pah pabarazinë multidimensionale, çka nuk mund të shpjegohet thjesht me sisteme ekonomike, që presupozohet të favorizojnë të aftët dhe të arriturit. Njëkohësisht, dokumenti bën publik emrat e një grushti të ledhatuarish dhe ‘më të barabartësh’ që përfitojnë paga të lakmuara, bazuar në preferenca pushtetarësh.

Mbi të gjitha, një lexim më i thellë, se “sa merr komshiu apo VIP-i provincial,” i dokumentit tregon se përtej kaheve, interesat e kastës politike janë të përbashkëta, të njëjta e të ndërthurura dhe, fatkeqësisht, jo të fokusura te ne por te ata dhe të vetët.

E ndoshta për këtë, “databaza” eklipsoi çdo zhvillim tjetër në vend. Ndoshta prej kësaj, mbledhja trepalëshe e nismës së Ballkanit të Hapur në Shqipëri, bashkë me ndikimin potencial afatgjatë të memorandumeve të firmosura gjatë saj, u analizuan pak.

Sikur u harrua skandali i inceneratorëve. Kërcënimi në rritje i variantit Omicron bashkë me idenë se mund të shkohet drejt një tjetër mbylljeje, dukshëm, u bë çështje e vitit të ardhshëm. Madje, as lufta për vulë, seli e legjitimitet brenda Partisë Demokratike nuk po merr vëmendjen e mëparshme. As këshillimi, si një ripërditësim i nocionit ‘gju më gju me popullin’ apo si një foltore rilindase nuk po josh sa databaza.

Përtej ushqyerjes të kuriozitetit joetik dhe pasojave që mund të sjell keqpërdorimi i informacionit sensitiv në të, rrjedhja e të dhënave mbi pagat, paçka se i padëshiruar, mund të jetë shërbimi më i rëndësishëm në 100 ditët e para të “Rama 3”.

Të vërtetat ulëritëse që përmbajnë shprehin vizionin e elitës sonë politike ndoshta më qartë e më konkretisht se vetë ideja e akademisë së barinjve.

 

Share This Article
4 Comments
  • Rrjedhja e te dhenave personale? Eshte dicka me teper se aq, kur ka permasa te tille gjithperfshirese!
    Ne perpjekje per ta mbuluar disi kete Skandal, po perdoret alibia e sforcuar e “publikimit te pagave” “sa e kane rrogen” etj, etj duke perfituar nga injoranca e nje pjese te shoqerise qe nuk arrin te kuptoje termin – Dekonspirim i te dhenave personale –
    Dalja ne pazar publik e te dhenave personale e afro 1 milion shqiptareve eshte skandali qe tregon renien e Shtetit po aq sa ne 1997, dhe ca me keq akoma!
    As ne 1991, as edhe ne 1997 kur kishim situatat me te ndera sociale, nuk u arrit deri te kjo poshtersi shteterore –
    Shteti nxjerr lakuriq shtetasit e tij – do te detyrohej te shkruante sherbetori me i zellshem i ketij pushteti Rama e i te gjithe pushteteve (Mero Baze)
    Shteti me kete Skandal ka rene pertoke, ai qe e ka rrezuar e shkelur me kembe eshte vetem ky pusht-shtet i vetpagezuar “Rilindje” ne duar te nje injoranti delirant si Edi Rama.
    Skandal me te madh se ky i nxjerrjes ne pazar i te Dhenave Personale (jo Pagave, sic mundohen ta justifikojne sherbetoret mediatike te qeverise Rama) nuk ka per te arritur asnje pushtet tjeter sado te perpiqet.
    Eshte nje Skandal qe vetem Edi Rama mund t’ja servirte shqiptareve, sepse ka dhene prova personale – Ka dale vete bythjashte ne plazh publik !!

  • Shkrim i bukur e me kurajo.SPAK ,inspektoriari i shtetit,nuk kane pune te hetojne autorin,i cili i zbardhi te vertetat cullak.Te hetojne te vertetat.Nje kosovar,te cilin medjat kosovare emertojne spiun te UDB-se,pagugen 20 miljon ne muaj ,te spitali Amerikan ,me pronesi te turarve!?

  • interesa leshi. Faji eeshte i atij qe qeveris pra i PS-së. Ç’faj mund të ketë opozita pa asnjë pushtet?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *