Për një baltë – për një tokë

J L

Baladë

 

Firmosur nga vetë Sulltani,

në Picar erdhi fermani,

ferman për Çelo Picarin,

flokëbardhin-kordhëtarin

 

Pyeti Çelua furtunë:

“Ç’kërkon Sulltani nga unë?!”

 

Të betohesh-kapedan,

dhe ta njohësh për Sulltan,

Të njohësh për vend të ti,

ç’shkel me këmbë e ç’sheh me sy!

 

Mblodhi plaku në kuvend,

dymbëdhjetë burra me mënd,

gjithë të sprovuar e trima,

gjithë pallëvetëtima…

 

M’u te rrapi-te Picari,

foli Çelua i pari:

“Trima-burra istikami,

na dërgon haber Sulltani,

të vemi të bëjmë benë,

se do shesim Mëmëdhenë!

Për këtë-Sulltan mandata,

na jep tituj-na jep grada…

Nisemi-o bijtë e mi,

udhë e gjatë gjer në Turqi!”

 

Poshtë kur zbritën nëpër brinja,

ngjitej balta në opinga,

baltë e kuqe-baltë vendi,

në opingë-pluhur argjendi,

u ndez kënga nëpër muzgje:

“Të keqen-moj baltë e kuqe!”

 

Nxitonte karvani,

për në dhe të huaj,

trembëdhjetë male,

hipur përmbi kuaj…

 

Fjalë pas fjale mori dhenë,

se Çelua do bënte benë,

larg tokës e vatanit,

ndënë këmbët e Sulltanit,

Çelo mali-karakoll,

do përgjunjej në Stamboll…

 

Hëna hidhte dritë të keqe,

flit Sulltani-ngrinte leqe:

“Hajde-Çelo-bëna benë!”,

ngritën supet gjithë ç’qenë,

në mill do ta ndryshkte shpatën,

Ai që u kallte datën…

 

Pas u kthye e pa shokët,

mbi ballë era ia hidh’ flokët,

ju ngrit floku Kapedanit,

porsi krifa e luanit.

 

Zbathi opingën i pari,

mbi qilim ra baltë Picari,

foli Çelua me zëplot:

“Për këtë betohem sot!

Nuk di Çelua be të tjera,

s’lufton Çelua me hilera,

për një baltë e për një tokë,

se ç’m’u zbardh e shkreta kokë!”

 

Dhe pastaj ja mori këngës:

“Të keqen-moj baltë e Mëmës!”

 

Tiranë 1974, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skëndërbej”

 

Botuar në Dita, 5 prill 2016

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *