Disa receta tradicionale të gatimeve të fundvitit

anazapta

Gjel deti Elbasani me dollëm

Gjeli i detit tradicionalisht në Elbasan bëhet me oriz, me përshesh misri, përshesh me kulaç gruri. Gjeli i detit përdoret kryesisht për Bajram, Krishtlindje, Vitin e Ri dhe Ditën e Verës.

Buka e misrit zakonisht gatuhet vetë në shtëpi. Merret mielli i misrit dhe me ujë të nxehtë bëhet brumi. Piqet dhe e nxehtë buka përsheshet duke i shtuar dalëngadalë lëngun e gjelit të detit derisa bëhet një masë e plotë.

 

Gjel deti me kulaç gruri

Ndërkohë që gjeli vendoset në një tenxhere për të zier përgatitet kulaçi i grurit.

Merret mielli i hidhen dy-3 lugë vaj ulliri, pak sodë buke sa të kapin gishtat dhe ujë të vakët. Rrihet brumi dhe bëhet një masë e tërë pak e fortë. Vendoset në një vend të ngrohtë duke ardhur. Kur brumi ka ardhur, atëherë vendoset të piqet. Pasi piqet i nxehtë, thërrmohet. Futet në lëngun e gjelit që është duke zierë derisa bëhet një masë e tërë.

 

Gjel deti me arra

Pastrohet mirë e mirë gjeli i detit, lahet dhe vendoset në tenxhere të marrë një valë. Pas kësaj mbushet me thelpinj arrash në brendësi bashkë me kripën. Futet në furrë dhe lihet derisa piqet.

 

Pashaqofte Elbasani

½ kg mish të grirë, 1 kg qepë në rende, 2 vezë, spec të kuq, piper të zi

Gatimi

Përpunohet brumi i qofteve mish i grirë qepë dy vezë me ½ filzhan oriz. Brumi gatuhet dhe skuqet në tavë.

I vendosim në tavë dhe me vajin e mbetur skuqim dy lugë miell, i shtojmë pak salcë domateje. Pasi skuqet kjo masë i hidhet ujë dhe limontos. Kjo përgatitje i hidhet tavës me qofte dhe i vëmë të ziejnë pak nga pak. Në fund i hedhim piper të zi.

 

Tavë me lëng të bardhë

Për 5 persona

1 kg mish, 2 vezë, 2 lugë buke miell gruri, vaj ulliri, 1 kokër qepë mesatare, limontors, spec të kuq, piper të zi, kripë

Gatimi

Ziejmë mishin në tenxhere, skuqim qepën e grirë hollë me vaj ulliri, i fusim spec të kuq. Pasi të jetë zverdhur qepa, masën e fusim në tenxheren me mish që ndërkaq po zien. Vazhdon zierja e mishit deri në tretjen e qepës. Pasi të sigurohemi që mishi është zier, përgatisim lëngun.

Në një enë rrahim 2 vezët në një gotë ujë, hedhim dy lugët me miell dhe i përziejmë bashkë. Këtë përzierje e hedhim pjesë pjesë në tenxheren e mishit në zierje e sipër. Pasi është trashur pak lëngu, gjithmonë duke e trazuar ngadalë, e fusim të gjitmë masën në një tavë balte, i hedhim ½ lugë kafeje limontos. E përziejmë ngadalë dhe i hedhim pak pipër të zi. Piqet në temperaturën 150% si tava me kos. Gatuhet në tavë balte ose bakri.

 

Vorbe me uthull

1 kg mish, 6 kokrra qepë (qepujka) thelpinj hudhra pa qëruar, vaj ulliri, ½ lugë buke salcë domateje, spec i kuq, piper i zi, 4 lugë uthull.

Gatimi

Skuqet qepa e cila është e prerë gjatë, bashkë me mishit derisa zverdhet qepa. I hedhim salcën dhe më vonë specin e kuq. I kapërdisim mirë dhe pas kësaj i hedhim një gotë ujë dhe 4 lugë uthull. Pastrojmë kokat e hudhrave dhe i fusim brenda. Tenxherja mbahet e mbyllur për të mos dalë era e uthullës. Masa zihet me zjarr të ngadaltë dhe kontrollohet vazhdimisht duke i shtuar vazhdimisht nga pak ujë derisa të zihet mishi. Në fund i hedhim piper të zi.

 

Tavë me Kos

Ziejmë mishin (tradicionalisht përdoret mishi i qengjit).

1 kg mish zihet fillimisht dhe më pas vendoset në tavë me lëngun e tij për skuqur në furrë. I futet ½ filxhan kafeje me oriz, vaj kripë dhe pak ujë. E fusim në furrë për tu skuqur.

Përgatitet masa e tavës së kosit

1 kg kos, 2 vezë, 3 lugë buke miell misri

Rrahim vezët me miellin, shtojmë kosin dhe afërsisht 1 gotë ujë. Masën e përgatitur e e fusim në tavën me mish që është duke u skuqur në furrë. Fillimisht e perziejmë derisa të mpikset lëngu pastaj e fusim në furrë për ta skuqur.

 

Tavë me pestil

Një sasi mishi për 4 persona, 6 kokrra qepë të grira imët i vendosim në zjarr derisa të zverdhet qepa. Më pas i hedhim salcë, spec të kuq dhe vazhdojmë kapardisjen. Kësaj mase i hidhet një copë pestil i ndarë në pjesë të vogla. Fusim ujë pak e nga pak sa të mbulohet mishi. Kur mishi të jetë gjysmë i zier i hedhim ½ filxhan kafeje oriz. Uji futet pak e nga pak dhe vazhdimisht derisa përfundon. Në fund i hedhim piper të zi.

 

Qull me arra

Gatuhet me pulë ose mish viçi ose me mish dashi ose me plandës

1 kg arra të qëruara i shtypim dhe i bluajmë. Dy lugë buke miell merr i skuqim me 4 lugë vaj ulliri. Shtypim 3 thelpinj hudhra, kripë, piper të zi, kripë. Pasi kemi skuqur pulën presim duke vendosur mishin në pjata. Lëngun e pulës ose të mishit të viçit e vëmë në tenxhere. Arrat e shtypura ose të bluara i vendosim në tenxhere, shtojmë hudrat e shtypura dhe e trazojmë. Veç skuqim sa të zverdhet 2 lugë miell, më pas i shtojmë 1 gotë ujë sa të mpikset mielli.

Përziejmë arrat me sasinë e pregatitur më parë. Lëngut të pulës i shtojmë këtë pregatitje duke e përzier. Kur shohim se është trashur pak e fusim në pjata ku kemi vënë mishin e pulës. I hedhim pak piper të zi sipër.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *