Hazis GJERGJI
(historiograf i pavarur)
Orosh i Mirditës. Me thirrjen: “O sot o kurrë!”, në mëngjesin e 12 dhjetorit 1921, komandanti i krahut lindor të operacionit kundër “Republikës së Mirditës”, Ahmet Zogu ngriti në këmbë kolonelin Leon Gjilardi, majorin Meleq Frashëri, kapitenët Aziz Çami e Shefqet Korça dhe i nisi drejt Tiranës. Brenda 10 ditëve 12-24 dhjetor 1921, Shqipëria përjetoi në ethe një ngjarjen dramatike të Grushtit të Shtetit, që i dha fund unitetit kombëtar të farkëtuar dy vjet më parë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës.
Dy muaj më parë, më 12 tetor 1921, Presidenti i vetëshpallur i “Republikës së Mirditës”, Marka Gjon Marku ishte nisur nga Prizreni me 1,5 milionë franga ari, të marra nga fondi i fshehtë i MPJ të Jugosllavisë, me 1300 “vullnetarë”, midis të cilëve 687 bjellogardistë rusë të gjeneralit Vrangel, 513 ushtarë e oficerë jugosllavë të maskuar si fshatarë shqiptarë, si dhe 100 efektiva të bandave esadiste të komanduar nga Osman Bali, Halit Lleshi dhe Tafë Kaziu, të paguar nga qeveria jugosllave si oficerë në rezervë. Në mbështetje të tij ishin nisur drejt Shkodrës dhe Dibrës dy kolona të ushtrisë jugosllave të shoqëruara me artileri dhe avionë. Të gjendur përballë rrezikut të pushtimit të plotë të Shqipërisë Veriore nga trupat jugosllave, dy grupet parlamentare të Këshillit Kombëtar- “Partia Popullore” dhe “Partia Përparimtare”- kishin formuar grupin e përbashkët politik me emrin “Bashkimi i Shenjtë” dhe kishin zgjedhur një qeveri koalicioni me kryeparlametarin Pandeli Evangjelin në krye.
Më 1 nëntor 1921, ndërsa kolona e parë e trupave ushtarake jugosllave i kishte ngritur çadrat në brigjet e lumit Buna dhe kolona e dytë në pushtoi Lurën, “Republika e Mirditës” i hapi zyrat e saj në Orosh të Mirditës. Inkursioni luftarak i ushtrisë mbretërore jugosllave në Shqipërinë e Veriut la pas “me qindra të varur e të pushkatuar në gjirin e banorëve të pafajshëm shqiptarë dhe fshatra të tërë të shkatërruar,” siç do të raportonin më pas të dërguarit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. (AQSH, F. 246, V.1921, D. 35, fl. 19; Joseph Swire, “Shqipëria-ngritja e një mbretërie”, (1929), Tiranë: Dituria, 2005, f. 286-292; P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia 1918–1927, Tiranë, 1990, f. 64-65; O. Pearson, Albania and king Zog, London, 2004, p. 173-174)
Në përgjigje të intervensionit jugosllav, më 4 nëntor 1921, kryeministri Evangjeli e spostoi Komandantin e Përgjithshëm të Operacionit, kolonel Bajram Currin në krahun perëndimor të frontit (Pukë-Zadrimë) dhe emëroi deputetin matjan Ahmet Zogu komandant të krahut lindor (Mat-Mirditë). Në përshtatje me kushtet e gjendjes së luftës midis dy shteteve, po atë pasdite, organi më i lartë i shtetit shqiptar, Këshilli i Naltë i Regjencës nxori dekretin e jashtëzakonshëm për mbylljen e punimeve të Parlamentit deri në fillim të vitit të ri 1922. Dekreti u lexua në mbledhjen e Parlamentit nga vetë kryeministri Evangjeli dhe u miratua me 41 vota pro, 10 kundra dhe 4 abstenime. (AQSH, F. 252, viti 1921, dosja 30, fl. 8, dekret dt.04.11.1921; Aqif Pashë Elbasani, përmbledhje dokumentesh, f. 362, dok. nr. 344; Historia e popullit shqiptar, vëll. III, Tiranë, 2007, f. 211–212)
Në të njëjtën kohë, intervencioni dhe mizoritë e ushtrisë jugosllave mbi popullin shqiptar kishin ngritur në alarm kancelaritë e Fuqive të Mëdha të Europës, veçanërisht qeveritë e Britanisë së Madhe dhe Italisë, të cilat ishin të interesuara për investime në fushën e kërkim-shfrytëzimit të naftës dhe vajgurit në Shqipëri. Më 8 nëntor 1921, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Pandeli Evangjeli, u njoftua nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve se kryeministri i Britanisë së Madhe, David Lloyd George i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond notën e fortë të 7 nëntorit 1921, ku e cilësonte “vazhdimin e mëtejshëm të agresionit jugosllav në Shqipëri, si rrezik real për prishjen e paqes ndërkombëtare (Continued advance of Yugoslav forces into Albania being of nature to disturb internacional peace)”. (A. Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, f. 301–302: dok. 38; f. 305–306: dok. 39; f. 306-308: dok. 40; O. Pearson, Albania and king Zog, p. 176–177)
Konferenca e Ambasadorëve e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, e mbajtur në Paris më 9 nëntor 1921, ripohoi trasenë e kufijve të Shqipërisë, ashtu siç i kishin përcaktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe e kishte njohur përfundimisht Shqipërinë: “Shtet Sovran dhe të Pavarur”. Vendimi i katër Fuqive të Mëdha i ishte bërë i njohur menjëherë qeverisë mbretërore të Jugosllavisë. Duke përshkruar gjendjen paqësore në frontin e Mirditës, ish-deputeti Sejfi Vllamasi dëshmon:
“Pozita e ushtrisë në këtë kohë prej 2-3 javësh mbetet stacionare. Pas kësaj kohe dhe papritmas, në krye të një fuqie të përbërë prej afro 100 xhandarësh dhe afro 1000 dibranësh e matjanësh, arrin në Orosh, si komandant i përgjithshëm i operacionit për Lindjen, Ahmet Zogu dhe si komandant i ushtrisë major Meleq Frashëri. Me arritjen e Zogut krejt situata u përmbys. Zogu hyri në kontakt me kryengritësit, grumbulloi ushtrinë, deri atëherë të shpërndarë; thirri në raport në një ditë të caktuar të gjithë komandantët e kolonave dhe i lajmëroi se operacioni mori fund dhe se të nesërmen gjithë paria e Mirditës me gjith’ armët e tyre do të vinin në komandën e operacionit për t’i bërë akt-nënshkrimin qeverisë.” (S. Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri”, botim II, Tiranë: Neraida, 2002, f. 252)
Në fakt, qysh më 12 nëntor trupat e ushtrisë jugosllave kishin marrë urdhër nga Beogradi për të filluar tërheqjen nga Mirdita. Për më tej, në raportin e Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit të dërguar nga Lidhja e Kombeve në Mirditë, thuhet:
“Sapo u përhap lajmi, aty nga mesi i nëntorit, se trupat jugosllave ishin duke zbrazur vendin, popullariteti i Marka Gjonit filloi të bjerë. Edhe përkrahësit e tij nuk po merrnin rrogë veçse në të rrallë dhe po bëheshin çdo ditë më të pakënaqur. Fundi erdhi më 20 nëntor. Marka Gjoni bëri një shpallje, duke i dërguar në shtëpi përkrahësit e tij, kurse vetë iku në Prizren bashkë me nja 50 miq e familjarë. Qeveria e Tiranës dërgoi në Orosh një të deleguar të quajtur Ahmet Bej, i cili ndoqi një politikë pajtimi që dha rezultate. Më 28 Nëntor, ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u shpall amnisti e përgjithshme.” (A. Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, raporti i KNH, dt.19-20.12.1921, f. 311)
Kështu, pa shkrehur asnjë pushkë, Ahmet Zogu vuri në kokë kurorën e lavdisë së një lufte të zhvilluar për afro gjashtë muaj nga qindra ushtarë e oficerë të ushtrisë e xhandarmërisë kombëtare, si dhe dhjetëra çeta vullnetare të fshatrave e qyteteve të gjithë Shqipërisë. Përveç kësaj, Zogu u kujdes që, për çdo rast, të lidhte pas vetes me besë të gjithë bajraktarët e Mirditës, të cilët i premtuan se mund të rekrutonin deri 1000 pushkë. Dhe rasti nuk vonoi të vinte.
Në qetësinë e krijuar pas tërheqjes së ushtrisë jugosllave, “Bashkimi i Shenjtë” i partive Popullore e Përparimtare u prish dhe midis kryeministrit Evangjeli dhe Këshillit të Naltë të Regjencës shpërthyen polemikat mbi kandidaturat e tre titullarëve të Ministrive të Luftës, Arsimit e Financës. Në kulmin e situatës së acaruar politike, ministrat Ahmet Dakli e Zija Dibra u larguan nga qeveria. Kështu, qeveria e Pandeli Evangjelit, e mbetur vetëm me dy ministra, ra vetvetiu de facto e de jure. (Historia e Shqipërisë, vëll. i dytë (1965), f. 507; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 182)
Për të mos e lënë vendin pa qeveri, dy regjentët që ndodheshin në Shqipëri, Aqif Pashë Elbasani dhe Imzot Luigj Bumçi, në bazë të Kanunores së Kongresit Kombëtar të Lushnjës mbi rastet e krizave ministrore, i kërkuan Pandeli Evangjelit të jepte dorëheqjen, pasi detyrën e formimit të qeverisë së re do t’ia ngarkonin deputetit Qazim Koculi. Pandeli Evangjeli e kundërshtoi kërkesën e Regjencës me argumentin se do ta jepte dorëhiqej vetëm përpara Këshillit Kombëtar (Parlamentit) dhe shkoi e u mbyll në dhomën e tij të banimit në hotelin “Internacional”. Aqif Pasha urdhëroi rrethimin e hotelit “Internacional” me trupa ushtarake, ndërsa deputetët Qazim Koculi, Irfan Ohri, Hasan Prishtina, Ramiz Daci, Mustafa Kruja, Riza Dani dhe prefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara u futën në dhomën e Pandeli Evangjelit dhe i kërkuan të nënshkruante aktin e dorëheqjes. Evangjeli iu bind kërkesës së tyre, por shkroi edhe një letër për Ahmet Zogun, të cilën ia nisi me anën e shoqëruesit të Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit të ngjarjeve të Mirditës, Mehdi bej Frashërit. (Aqif Pashë Elbasani…, f. 367, dok. nr. 346; f. 371, dok. 347; Mehdi Frashëri, Kujtime, Tiranë, Omsca–1, 2005, f. 101)
Të nesërmen në mëngjes, kryeministri Qazim Koculi nuk shkoi fare në zyrë, pasi deputetët e partisë së tij e kërcënuan aq rëndë, sa ish-udhëheqësi i Luftës Çlirimtare të Vlorës shkoi në zyrën e Aqif Pashës dhe ia la aktin e dorëheqjes në dorë. Brenda ditës Aqif Pasha e Luigj Bumçi dekretuan qeverinë re me kryeministër deputetin e “Partisë Përparimtare”, Hasan Prishtina. Pavarësisht se Prishtina kishte zgjedhur në kabinetin e tij patriotë e demokratë të njohur si Luigj Gurakuqin, Fan S. Nolin, Hoxha Kadrinë, Zija Dibrën, Ahmet Daklin, Koço Tasin e Haki Tefikun, deputetët e grupit “Partia Popullore” përhapën fjalë se “qeveria e Hasan Prishtinës” ishte ngritur “me irredentistë kosovarë e gegë”; se Italia kishte paguar “për të hapur luftë kundër Jugosllavisë” etj. Militantët e “Partisë Popullore” arritën të ngrinin në demonstrata një pjesë të oficerëve, nëpunësve e arsimtarëve të kryeqytetit.
Pas shpërndarjes së demonstratës, kryetari i Këshillit Kombëtar, Eshref Frashëri; ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Fevziu; ish-zëv/ministri i Luftës, Mustafa Maksuti; deputeti Sejfi Vllamasi, major Xhavit Leskoviku etj., të shoqëruar nga dy kompani xhandarësh me nga 150 xhandarë, u nisën drejt Elbasanit për të vazhduar mbledhjet e Këshillit Kombëtar në sarajet e vjehrrit të Ahmet Zogut, Shefqet bej Vërlacit. “Para nisjes,” dëshmon Vllamasi, “Salih Vuçiterni me Bahri Omarin, me një letër, me korrier special, lajmëruan Zogun në Mirditë mbi ngjarjet e Tiranës.” (S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, f. 262)
Lajmin e parë mbi ndryshimin e qeverisë në Tiranë, Ahmet Zogu e mori nëpërmjet urdhrit të ministrit të Luftës në Qeverinë Prishtina, kapitenit të karrierës Zija Dibra, për t’ia dorëzuar detyrën e komandantit të krahut lindor në duart e Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit, kolonelit Bajram Curri. Të nesërmen, më 9 dhjetor 1921, në Orosh arriti Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit, të cilin e shoqëronte bashkëpunëtori dhe miku i tij familjar, Mehdi bej Frashëri. Letrat e Pandeli Evangjelit, salih Vuçiternit, Bahri Omarit dhe shpjegimet e Mehdi Frashërit i dhanë të kuptonte Ahmet Zogut se ora e tij për të marrë pushtetin në Shqipëri tashmë kishte ardhur. Fati është arbitër i veprimeve tona deri në gjysmë, këshillonte Makiaveli, ndërsa gjysma tjetër është në dorën tonë. Ahmet Zogu, shkruan historiani anglez Jason Tomes, “e përmendte vazhdimisht fjalën e urtë popullore që thotë: “Fati është si një dem i tërbuar qorr, që të bie shpesh herë në këmbë, por nuk të thotë asnjëherë: “Hajde, më kap”. I zgjuar dhe i zoti është ai njeri që e kap në moment demin për brirësh dhe nuk e lëshon.” (J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 47)
Tashmë Ahmet Zogu kishte me vete ligjvënësit që po e kërkonin me ngulm dhe dy mijë ushtarë e mercenarë të armatosur nga Mati, Dibra e Mirdita, të cilët ua kalonin në numër trupave të Aqif Pashës, Abdi bej Toptanit e Bajram Currit të marrë së bashku. “Në Shqipni aso kohe kishin peshë ma tepër personat se partitë e programet,” dëshmon ish-deputeti Mustafa Kruja. “Që prej kohësh që s’ mbahen mend e deri para pak vitesh,” shkruan Eqrem bej Vlora, “shqiptari ka njohur vetëm përkatësinë fisnore dhe varësinë ndaj një “të fuqishmi”. (Mustafa Kruja, Anthologji historike, Tiranë: Sejko, 2001, f. 302; E. Vlora, Kujtime…, f. 460)
“O sot, o kurrë!”, grushti i Shtetit i Ahmet Zogut
Ahmet Zogu u nis drejt Matit, ku pararoja e komanduar nga kapiteni Aziz Çami e kishte bindur komandantin e vendit që t’i kthente mbrapsht ushtarët që kishte nisur për t’i zënë rrugën në Shkallën e Tujanit. Kur Aziz Çami zuri Shkallën e Tujanit, Ahmet Zogu arriti në Lis të Matit, duke rekrutuar të tjerë mercenarë matjanë. Ndërkohë, Këshilli i Naltë i Regjencës e kishte zëvendësaur qeverinë e Hasan Prishtinës me një “Qeveri Teknike” e përbërë nga sekretarët e përgjithshëm të ministrive, nën kryesinë e Idhomene Kosturit, një tregtar nga Korça me banim në Durrës. “Qeveria Teknike” do të drejtonte fushatën e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, si i vetmi organ legjislativ që Bazat e Kanunores së Kongresit Kombëtar të Lushnjës e kishin përcaktuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Këshillit të Naltë të Regjencës dhe Këshillit Kombëtar (Parlamentit). Ish-deputeti avokat Hysen Myshketa dëshmon:
“U formue nji qeveri e paanshme për me ndalue trazimet e të dy anvet partizane. Qetsija fitoj natyrën e vet të butë që kishte përpara, dhe me gëzim po thirrshim e po pritshim ardhjen e deputetëve me të tanë fuqinat morale, sikurse ato që u ndodhshin këtu. Për fat të keq, ditën e martë [13 dhjetor 1921] u hap lajmi se Ahmet Beu po vjen në Tiranë me fuqi të madhe bashebuzuke [bashibozuke]. Qeveria mbi kët lajm trazimqar dërgoj major Nazifin [Voshtina, komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë] e i komunikoj Ahmet Beut se me fuqi bashebuzuke asht e ndaluem me ardh’ në Tiranë. Ahmet Beu, tue mos ndigjue urdhnin e qeverisë e tue mos lanë major Nazifin të kthej në Tiranë, erdhë në të nesërmen këtu, pa pyet aspak a ka qeveri apo jo; shkoj e zaptoj komandën e Përgjithshme të Kryeqytetit. Ndaloj policët, largoj nga puna kryetarët e armës së paanëshme qeveritare. Kësisoj, Ahmet Beu tregoi sjellje shum’ ma t’ashpër se ajo e Esat Pashës kur erdhi sefte në Durrës.” (Hysen Myshketa, Kujtime e shënime pak si historike, Durrës-Lecce: Acustica, 1999, f. 236)
Po ashtu deputeti Hoxha Kadria kujton: “Ahmet Beu qëndroi në Tiranë si një diktator absolut. As cari i Rusisë nuk pati ushtruar një diktaturë të tillë mbi popullin e vet.” Sipas gjykimit të historianes ruse Nina Smirnova, “ky ishte në të vërtetë një puç i armatosur i Ahmet Zogut”. Pas konsultimit me veprat kryesore të botuara mbi ngjarjen në fjalë, historiani anglez Owen Pearson shkruan: “Ai [Ahmet Zogu] u shfaq në Tiranë në krye të mijëra pasuesve të tij të armatosur dhe hyri në qytet pa asnjë kundërshtim. Zogu kreu realisht një grusht shteti, duke imponuar përkohësisht një diktaturë të vërtetë (Zogu had in effect carried out a coup d’etat, temporarily imposing a virtual dictatorship).” (Hoxha Kadria, Kujtime e shënime, në përmbledhjen: Elez Isufi, kreshniku i Dibrës, f. 235; N. Smirnova, Historia e Shqipërisë…, f. 113; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 182–183)
Përkundër zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve midis institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Ahmet Zogu rrethoi banesën e ish-kryeministrit Hasan Prishtina, arrestoi ish-ministrin e Luftës, Zija Dibra dhe e shtriu shtetrrethimin në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Akoma pa gdhirë dita e 22 dhjetorit 1921, Zogu urdhëroi Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë kombëtare të rrethonte me të gjitha mjetet ndërtesën e Këshillit Kombëtar (Parlamentin). Në fjalën e tij deputeti sypatrembur demokrat Luigj Gurakuqi bëri pyetjen historike:
“Parlamenti, që ditën që asht çelë e deri më sot, ka pasë rojtarët e vet; e sot ka një shumicë ushtarësh me bajoneta në majë të pushkëve. Dua të di, këta ushtarë, a janë për me mbrojte lirinë e fjalës së deputetëve apo për t’u lidhë gojën?!” (Revista “Bisedimet e Këshillit Kombëtar”, nr. 37, Tiranë, 1921, f. 598-626)
Në marrjen e një shteti, këshillonte Makiaveli, prijësi duhet të mendohet mirë në lidhje me ashpërsinë që do të jenë të domosdoshme dhe t’i kryejë ato si një goditje të vetme, me qëllim që të mos ketë nevojë t’i përsërisë ato përditë. Me justifikimin se në prefekturat e Dibrës dhe Kosovës [Kukës-Has-Tropojë] që kishin qenë të pushtuara nga ushtria jugosllave, në vend që të mblidhnin Asamblenë Kushtetuese, Këshilli Kombëtar i mbledhur në shtetrrethim ua hoqi padrejtësisht mandatet e përfaqësimit deputetëve: Hasan Prishtina, Hoxha Kadria, Ramiz Daci, Irfan Ohri, Iljaz Vrioni, Selahudin Shkoza, Avni Gjilani, Gani Strazimiri etj. “Këtej e tutje,” siç e ka vënë në dukje edhe historiani amerikan Bernd Fisher, “mbajtja e pushtetit në Shqipëri i përkiste vetëm atij që komandonte numrin më të madh të forcave të armatosura.”(B. Fischer, “Ahmet Zogu…”, f.44)
Në kundërshtim flagrant me Bazat e Kanunores së Kongresit Kombëtar të Lushnjës, deputetët prozogistë në Këshillin Kombëtar rrëzuan me shumicë votash dy anëtarët e Këshillit të Naltë të Regjencës, patriotët e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe Imzot Luigj Bumçin. Menjëherë, në shenjë proteste dhanë dorëheqjen edhe dy regjentët e tjerë, patriotët e sprovuar Abdi bej Toptani dhe doktor Mihal Turtulli. Me shkrirjen e Këshillit të Naltë të Regjencës, sipas Kanunores së Lushnjës, Këshilli Kombëtar duhej të vazhdonte fushatën e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, si i vetmi organ legjislativ që kishte të drejtë të zgjidhte anëtarët e Regjencës, në kushtet kur Fuqitë e Mëdha të Europës nuk kishin caktuar akoma Princin e Shqipërisë.
Përkundrazi, deputetët prozogistë zgjodhën katër anëtarë të rinj të Këshillit të Naltë dhe ngritën një qeveri me anëtarë që nuk ishin të rrezikshëm për pushtetin absolut të Ahmet Zogut. Duke analizuar strategjinë e Ahmet Zogut në rrugën e tij drejt fronit mbretëror, historiani kanadez Robert C. Austin përfundon:
“Zogu mendonte se, nisur nga natyra fisnore e shoqërisë shqiptare, monarkia i përshtatej më mirë mentalitetit shqiptar… Megjithatë, gjatë viteve kur çështja e monarkisë u debatua më shumë, Zogu ishte republikan për një arsye të thjeshtë: nëse Shqipëria do të ishte konvertuar në monarki, ai nuk ishte ndër kandidatët për mbret. Monarkistët ose shpresonin të tërhiqnin një sovran të ri nga Evropa, ose mbështesnin kthimin e Vidit. Së pari, Zogut i duhej të impononte dominimin e tij të plotë në jetën politike shqiptare përpara se të ishte në gjendje të impononte atë që ai e identifikonte si rendin natyror të gjërave në Shqipëri.” (Robert C. Austin, “Founding Balkan State. Albania’s experiment with democracy 1920-1925”, University of Toronto Press, 2012, Toronto, Buffalo, London, p. 8)

