Edhe për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023 përzgjedhja e fituesve të rinj në radhët e maturantëve që do të garojnë për studimet e larta në degët e shkencave sociale do të përcaktohet nga vlerësimi i tre kritereve që janë: mesatarja e shkollës së mesme, ajo e provimeve të Maturës Shtetërore 2022, si dhe mesatarja e lëndëve formuese të përcaktuara si prioritet nga vetë Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë publik, bëjnë me dije se është përcaktuar edhe ndikimi që do të ketë secili prej këtyre kritereve në pikët totale me të cilat çdo maturant do të konkurojë për kuotat e reja të 2022, teksa është bërë edhe vlerësimi i llojit të shkollës së mesme me koeficintin përkatës.
Sipas formulës së përcaktuar, nota mesatare e shkollës së mesme do të ketë ndikimin më të madh, pasi vlerësohet me 40 për qind të peshës, ndërsa dy kriteret e tjera, mesatarja e provimeve të maturës, si dhe e lëndëve formuese vlerësohen secila me nga 30 për qind të ndikimit në sigurimin e pikëve totale të çdo kandidati. Pikët e mbledhura nga secili kriter do të përbëjnë edhe rezultatin final të çdo maturani që konkuron për kuotat e miratuara në të gjitha programet e studimit të nivelit të parë “Bachelor” në degët e Shkencave Sociale që do të realizohen përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023.
Sa i takon koeficientit të përcaktuar, shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz seksioni dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4. Shkollat e kategorive Pedagogjike, Gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim-biznes kanë koeficientin 1.2. Ndërsa të gjitha shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1. Çka do të thotë se më shumë prioritet në përzgjedhje do të kenë kandidatët shkollat e të cilëve vlerësohen me keficientin më të lartë.Në vijim të shkrimit do të gjeni edhe formulën e detajuar mbi të cilën do të bëhet përzgjedhja e fituesve të rinj pas vlerësimit të secilit prej kritereve të miratuara.
Programet e ciklit të parë të studimit “Bachelor”, organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Matura Shtetërore 2022
Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2022. Ndërkohë që ka përfunduar edhe plotësimi i formularit A1 dhe A1Z që i hap udhë dhënies së provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje, rezultatet pozitive të të cilave janë vendimtare për të vijuar më tej garën për studimet universitare, si në strukturat publike, ashtu edhe në ato private.
Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2022, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MASR për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithëshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Listën e lëndëve që mund të jepen si provim me zgjedhje e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Edhe për maturën e vitit të ardhshëm do të vlejnë po të njëjtat rregulla për zhvillimin e testeve, çka do të thotë se maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Kriteri 1
Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme që vlerësohet me 40 për qind!
Rezultati 1 = (Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme x 0,4)
Kriteri 2
Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje të Maturës shtetërore që vlerësohet me 30 për qind. Sa i takon zbatimit të këtij kriteri bëhet e ditur se për maturatët që japin provim me zgjedhje lëndët: Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji do të aplikohet aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa për maturanët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1.
Rezultati 2= (Nota mesatare e provimeve të maturës shtetërore x 0,3)
Kriteri 3
Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese të përcaktuaranë shkencat sociale që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit. Në grupin e lëndëve formuese përfshihen Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji e Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12). Për nxënësit që kanë zgjedhur në klasën e 12 lëndët me zgjedhje psikologji apo sociologji, ose të dyja lëndët, ju aplikohet për këto lëndë koeficienti 1.2.
Rezultati 3= (Nota mesatare e gruplëndëve formuese x 0.3)
Rezultati final për fituesit e rinj të 2022= (Rezultati1+ Rezultati 2+ Rezultati 3)x 100x koeficienti i shkollës
Koeficienti me të cilin vlerësohet çdo shkollë e mesme:
- Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4.
- Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2.
- Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1.
Degët për të cilat do të garohet tek Shkencat Sociale:
- Punë Sociale
- Psikologji
- Shkenca Politike
- Administrim dhe Politikë Sociale
- Filozofi
- Sociologji
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje në Maturën Shtetërore 2022-2023
PËR GJIMNAZET E PËRGJITHSHME:
- Kimi
- Fizikë
- Biologji
- Histori
- Gjeografi
- Qytetari dhe Psikologji
- Filozofi dhe Sociologji
- Ekonomi
VETËM PËR SHKOLLAT ARTISTIKE:
- Histori Baleti
- Histori Arti
- Histori Muzike
VETËM PËR SHKOLLAT PROFESIONALE:
- Hoteleri-turizëm
- Shërbime mjetesh transporti
- Mekanikë
- Elektroteknike
- Elektronikë
- Përpunim Druri
- Ndërtim
- Tekstil Konfeksione
- Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
- Teknologji Ushqimore
- Bujqësi
- Shërbime sociale dhe shëndetësore
- Instalues i sistemeve termohidraulike
- Teknologji Kimike
- Peshkim
- Detari
- Gjeologji-miniera
- Llogari
- Shërbime Bankare
- Sipërmarrje e agjencisë turistike
- Sigurime
- Tregti
- Administrim biznesi
- Rrjete të dhënash
- Mbështetje të përdoruesve të TIK
- Zhvillim Website
- Rrjete të dhënash (pilot-giz)
- Inxhinieri informatike sofweresh
- Silvikulturë
- Agrobiznes
- Gjeodezi
- Veterinari
- Biznes Harry Fultz
- Elektronikë Harry Fultz
- Automekanik Harry Fultz
- Shërbime Kujdesi për të moshuar, pilot Giz
- Kërkim shpim dhe shfrytëzim gazi, nafte dhe uji
- Shërbime të udhëtimit dhe turizmit
- Riparime të pajisjeve elektronike40
- Telekomunikacion
- Teknologji Bujqësore
