Sociologu dhe diplomati Fatos Tarifa në një studim të botuar me pjesë në gazetën DITA parashikon se “Bashkimi Europian do të dobësohet dhe do të shpërbëhet, në mos brenda një dekade, gjatë dekadës që do të vijë pas saj”.
Shkruan Tarifa:
“Shtetet anetarë të tij, si dhe vendet që nuk janë anëtarësuar në të, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të përgatiten për një periudhë post-BE, e cila nuk do i ngjajë periudhës së mëparshme para anetarësimit të tyre në këtë suprashtet, i cili nuk është as një federatë, as një organizatë ndërkombëtare. Atyre do u duhet të rifitojne sovranitetin e tyre të plotë kombëtar.
Shumë nga arritjet e derisotme të Bashkimit Europian do të mbeten, por kohezioni politik, ekonomik e financiar i tij gradualisht do të dobesohen dhe humbasin. Europa do të parcializohet dhe do të njohë një “return to the past”, por kjo “e kaluar” do të jetë diçka tjeter si nga ajo e para Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Marrëdhëniet e Europës me Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të ndryshojnë. Vende të veçantë europianë mund të krijojnë ose të ruajnë marëdhënie më të ngushta me superfuqinë amerikane përtej Atlantikut; vende të tjerë mund të krijojnë partneritete ose aleanca më të ngushta me vendet fqinjë.
Ajo çka sot është një Europë e bashkuar, nesër mund të jetë përsëri një Europë e fragmentarizuar, e ndarë. Në vend të Bashkimit Europian mund të kemi një Europë Mesdhetare, ose një Europë Latine (Franca, Italia, Spanja, Portugalia—me ose pa Greqinë, por me shumë të ngjarë, pa këtë të fundit).
Mund të kemi gjithashtu një Europë Balltike (Suedia, Finlanda, Danimarka, Estonia, Letonia dhe, ndoshta, edhe Norvegjia, edhe pse kjo e fundit, si deri më sot, mund të dëshirojë të mbetet e paasociuar me ndonjë grupim vendesh të tjerë).
Vendet e Benelux-it (Hollanda, Belgjika dhe Luksemburgu) mund të kthehen përsëri në atë rajon bashkëpunimi ndërshtetëror që ata krijuan pas Luftës së Dytë Botërore dhe që mori formë të plotë në vitet 1950.
Britania e Madhe, e cila gjithnjë ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Bashkimin Europian (të cilit iu bashkua vetëm në vitin 1973 dhe prej të cilit doli në janar të këtij viti), do të vazhdojë të ruajë e të forcojë marrëdhënien e saj të veçantë me Shtetet e Bashkuara (dhe një marrëdhënie të ngushtë me Kanadanë), pa u përzier shumë në punët e kontinentit dhe pa u ndikuar në ndonjë masë të madhe nga problemet dhe krizat e mundshme të tij.
Një “tjetër” Europë do të jetë ajo Gjermanike, ose Europa Qendrore (Gjermania, Austria, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe, ndoshta, edhe Polonia). Çekia dhe Sllovakia gjithashtu, pasi këta dy vende s’kanë se ku futen veçse në këtë grup, duke i dhënë fund konceptit të Vishegradit. Zvicra ka shumë të ngjarë të vazhdojë, si deri më sot, të ruajë neutralitetin e saj, çka i ka shërbyer shumë zhvillimit të atij vendi.
Do të mbetet, gjithashtu, një Europë Ballkanike (me fare pak ndryshime nga kjo që është sot, në të cilën mund të rikthehen Bullgaria dhe Rumania, por jo Kroacia dhe Sllovenia. Greqia ka të ngjarë t’i ribashkohet kësaj pjese të Europës nëse vendet e Europës Mesdhetare nuk do të duan (dhe ka shumë arsye të mos e duan) ta kenë atë në mesin e tyre.
Fati i Turqisë mbetet ende i panjohur. Një vend me një sipërfaqe dhe me një popullsi më të madhe sesa çdo vend tjetër në Europë, Turqia mund të europianizohet gjithnjë e më shumë, por ky vend mundet eventualisht edhe të bëhet më pak europian dhe, në konflikt të vazhdueshëm me Greqinë, fqinjen e saj historikisht antagoniste, Turqia mund t’i shohë interesat dhe të ardhmen e saj të lidhura më shumë me Azinë Qendrore.
Nëse linja e ashpër e presidentit Erdogan vijon ta drejtojë këtë vend edhe pas tij (çka më duket e vështirë), Turqia mundet edhe të dalë nga NATO për të krijuar një aleancë me Rusinë, ose për t’u vënë, si një fuqi e madhe rajonale, në krye të një grupimi shtetesh në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendore.
Vetë NATO, do të mbetet edhe për ca kohë, por do ta ketë të vështirë të transformohet në kërkim të një misioni të ri. Në fund të fundit, NATO e ka kryer misionin e saj.
Amerika do të mbetet “the sole superpower” edhe për një kohë të gjatë, e pazëvendësueshme nga asnjë fuqi tjetër e madhe në pozitën e saj si hegjemome globale dhe në rolin e saj të lidershipit global.
Hendeku mes Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera të mëdha përsa i përket pasurisë, shkallës së zhvillimit teknologjik, ekonomik e kulturor, fuqisë ushtarake, forcës së ideve dhe mënyrës së jetesës, edhe nëse nuk thellohet më shumë, do të mbetet i madh për disa dekada të tjera”.
—–
Shkrimi i plotë, botuar më 22 gusht 2020, mund të lexohet KËTU
