FORUMI / Tarifa: Të rinjtë shqiptarë, njeriu i vitit. Ilir Meta, antinjeriu. Islami: Yuri Kim dhe Gazmend Bardhi. Murati: Njeriu i vitit, Ismail Kadare

redaktor

 

Nga Bedri Islami

Njeriu i vitit

Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk besoj se do të mund të takohemi. Qoftë edhe për shkak të vendqëndrimeve të ndryshme.
Ajo është një zonjë shtatmesatare, vështrim të kthjellët dhe të bukur, gjithnjë kuruar bukur dhe në përshtatje me mjedisin ku është dërguar të punojë.

Nuk është shqiptare, ndoshta për këtë vend mund të ketë dëgjuar vetëm kur është menduar se mund të punojë disa kohë këtu, por mrekullisht shpejt ajo u njësua me kumtet, rrugëtimet, frymën që përshkon mjedisin gjithanshëm, e mbi të gjitha, krijoi jo vetëm rreth vetes, natyrshmërinë për të qenë aty ku duhej, pa u ndjerë e është e pranishme.

Politika, por edhe jeta shqiptare do të ishte e mangët pa figurën e saj këtë vit, megjithëse ajo nuk ishte as ligjvënëse, as qeveritare, as vendosëse. E kujdesshme për të ditur rolin e saj, shumë qartas përcolli mesazhe të mëdha, ndoshta nga më të rëndësishmet që kishin sjellë shteti i saj në vendin tonë.

Në çështjet e mëdha politike do të jetë e qëndrueshme, kokëfortë, e pakorruptueshme dhe, mbi të gjitha, asnjëherë e ngutshme. E vendosur për të thënë qartas atë çka është thelbësore dhe që është më tepër se e kuptueshme.

Periudha e saj në këtë vend përkon me stadin e pazakontë të krijimit të qartësisë se cili është synimi i shtetit të saj për Shqipërinë dhe përse është e rëndësishme kjo. Nuk do i thojë askujt “burrë shteti”, por do të dëshmojë qartas se korruptimi dhe pengimi i drejtësisë janë njëjtë të dënueshëm, si për vendin e saj të madh, ashtu edhe në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Do të saktësojë se, ajo forcë politike që do të bashkëjetojë me të keqen mund të kthehet në një ishull politik të izoluar, ku rikthimi i ngjan periudhës së vetizolimit, dhe, duke e ditur se fraza e saj është e njohur që para 60 viteve, por në një kontekst tjetër, ajo do të thotë haptas se “të korruptuarit dhe mbështetësit e tij do të hanë bar”. Zgjedhja është e juaja.

Në politikën shqiptare ajo dukej më shumë si një disidente, përmes vetive të saj si serioziteti, fuqia e përcaktimit të parimit, por edhe dubliciteti, sepse natyra njerëzore është më e komplikuar se çfarë thonin dikur kalvinistët.

Bedri Islami

Në fakt, ajo i dha frymëmarrje politkës shqiptare, pa qenë e pranishme, por duke nxitur prishjen e urave që ishin të pranishme mes së Mirës dhe të Keqes dhe këtë, si koha dëshmoi, e bëri me gjithë seriozitetin e duhur.

Më shumë se sa diplomate , shpesh herë e kam përfytyruar si Zonja e Madhe e Drejtësisë. Nuk është e përkdhelura e të gjithëve, e Keqja e ka ndjerë rrezikun dhe do të jetë përfaqsuesja e parë e një vendi të madh që do të sulomhet nga presidenti në ikje, nga ish kryeministri dhe ish presidenti, nga të gjithë ata që, ose janë tani në Listën e Zezë të departamentit Amerikan të Shtetit, ose do të jenë jo shumë larg në kohë.

Por, edhe nëse nuk do të shpallen zyrtarisht, tani njerëzit e kanë bërë shpalljen e tyre, duke ditur modelin e vënë para tyre.

Ajo e do Shqipërinë. Mendoj se ka qenë ndër ato goditjet e frytshme të një dashurie të beftë, por që erdhi si e tillë nga që ndjeu se mes njerëzve të zakonshëm dhe asaj që quhet elitë politike, mjerisht, ka dallime të mëdha, shumë të mëdha, të cilat i dhëmbi atyre që e duan këtë vend.

Quhet Juri Kim. Është ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një grua që drodhi fortesat e burrave që e mendonin veten të paprekshëm brenda kullave të tyre të korrupsionit madhor, shntazhimit të drejtësisë dhe minimit të demokracisë.

Antinjeriu i vitit

Që në krye të herës kam qenë i dyzuar mes dy figurave të politikës, se cili prej tyre, në mendimin tim, mund të ishte antinjeriu i vitit. Mendimi im i parë, i vetishëm dhe i menjëhershëm ishte për shefin e ngrehinës presidenciale, Meta, bamësitë e të cilit, në këtë vit ishin si të askujt tjetër.

Mirëpo, dua të besoj se Meta, në këtë rrokullimën që është dashuria e tij e veçantë, Berisha, do të marrë shpejt edhe ai tatëpjetën e plotë, por, edhe sikur të mbijetojë, pakkush beson ende tek ai, në dobinë e tij dhe në lidershipin që mund të kishte.

Ai, si i vetmi president i shkarkuar nga parlamenti, me kuotat më të rëna se askush tjetër, në mendimin tim është e djeshmja, ajo vazhdë turpi e politikës sonë, që në këto 30 vite u bë gangrena e shtetit.

Mendimi im i dytë ishte te një figurë politike e opozitës, që mendohet si e nesërmja, por që mund të jetë, jo shumë larg, po aq i rrezikshëm sa të djeshmit. E njëjta shkollë politike, pavarësisht moshës, e njëjta egërsi dhe cinizëm politik, e në fund, edhe e njëjta enigmë se çfarë qëndron pas këtyre figurinave të mbledhura si me dorë për të pasur zhgënim politik edhe nga opozita.

Kam shkruar edhe më parë, nuk e di përse, e gjithë pamja e tij më kujton një hierarak të një shtetit tjetër gjerman. Por nuk është kjo arsyeja përse, për mua, Gazmend Bardhi është antinjeriu i vitit.

Për herë të parë, një parti politike, e vetëquejtur liberale dhe demokratike, do të krijojë një strukturë paramilitare, si ato në veriun e Kosovës, e cila do të jetë krejt ndryshe nga të tjerat. Ndërsa më parë, që në gjenezën e saj, PD-ja kishte organizuar struktura të tilla, bile ishte e njohur që në ditët e para për krijimin e tyre, ato ishin përgjithësisht nga mitingashë të zemëruar, përgjithsisht të papërgatitur, të hovshëm dhe të marrur mendsh, të cilat prishin gjithçka që ishte kundër tyre dhe që, më vonë, pas 22 marsit të vitit 1992, ishin të gatshme të dhunonin këdo, të rrihnin njerëz, të vrisnin, të digjnin redaksi gazetash.

Të gjitha këto, edhe pse në majën e piramidës mund të kishin shtetin, përbërjen e kishin nga një tufë amorfe, që, të digjte e kishte më lehtë se të ndërtonte. E parafundit do të ishte ajo me emrin e Azem Hajdarit, që dolën të uniformuar me të zeza, e, përsëri, ishte një tufë djemsh që më shumë shquheshin për anarki e dhunë, se sa për mend.

Bardhi ishte i pari që në vitin 2021 krijoi një strukturë tjetër, paramilitare, e tani, jo më nga një tufë amorfe, pa bindje dhe larashane, por me njerëz të përgatitur, të cilët kishin qenë ushtarakë apo nëpunës të kualifikuar të shërbimit informativ, të policisë, të sistemit të drejtësisë.

Këto njerëz, tani larg pushtetit, që synonin të ktheheshin në parajsën e humbur, ai i mblodhi, i organizoi dhe i quajti “Struktura për Mbrojtjen e Votës”. Përgjithësisht të përgatitur dhe të fuqishëm, të lidhur me opozitën përmes aferave dhe shpresës për të ardhmen, ata morën përsipër krijimin e një policie paralele, të shërbimit informativ paralel; i dhanë vetes të drejtën të kontrollonin këdo që dyshonin, të bllokonin lëvizjet, të shantazhonin, të nxitnin konflikte, të paraqiteshin si njerëz të sundimit të ligjit dhe, në fund, ashtu si pritej dhe si Bardhi e kishte përgatitur, të ishin pjesë në vrasje.

Në gjurmët e tij, një budalla i politikës, por i pasur mjaftueshëm për të qenë deputet, Mziu i Kazmës, duke menduar se tani “deti u bë kos”, kërcënoi se, si ndodhi në Elbasan, mund të ndodhte kudo.

Opozita i humbi zgjedhjet kryesisht për shkak të dy figurave politike: Ilir Metës, me atë klimë marroqe që krijoi dhe deklaratat delirante me vrasje në Malin me Gropa, dhe, Gazmend Bardhit, me strukturat që ai krijoi, shfaqi, mburri, e më pas, si frikacak, i mohoi.

Sado të ishin manipulimet e strukturave shtetërore, dhe nuk ka pasur zgjedhje pa të tilla, duke filluar nga viti 1996, çka i pranon tani edhe ajo pjesë e opozitës që njihet si e vulave dhe e bravave, dëmi më i madh u bë nga futja e hundëve e Metës në zgjedhje dhe falangat që krijoi Bardhi dhe që u zbythën nga droja e një ndëshkimi.

Antinjeriu im i vitit 2021, Bardhi, është në figurat e skalionit të dytë të opozitës. I rritur duke pasur në mur fotografinë e Berishës, ai do të kthehet shumë shpejt në mohuesin e tij më cinik, ndjellakeq dhe ndarës. I nisur nga asgjëja, papritmas, për shkak të liderit të deleguar, ai do të jetë ministër i përkohshëm, por shija e postit do e ndjekë edhe më pas; i paqenë diku në oligarkinë politike, ai kërkon vendin e tij; duke i gjetur të gatshme strukturat, ai nuk është pjesë e ngritjes së tyre; ai thërret ndarjen e jo bashkimin e riformatuar dhe të reformuar të opozitës.

Si sekretar i përgjithshëm ai do të bëhet njëri ndër njerëzit përçarës të opozitës, më i spikaturi në një tufë të paaftësh dhe delirantësh, që, duke menduar se është koha e tyre, një kohë e paqenë, marrin të drejtën e cinizmit, mohimit, vetëmburrjes dhe krijimit të përplasjeve të reja.

Bardhi, si figurë drejtuese e opozitës, numri dy i saj, është ndër ato shembujt që dëshmojnë se reformimi i opozitës do të jetë edhe gjatë gjithë kohës i sipërfaqshëm, në të cilën serioziteti do të quhet kryengritja dhe në të cilën krijimi i fraksioneve do të jetë tabu.

Atë nuk e bren ndërgjegjja dhe as nuk është i shqetësuar nga gjithçka që mund të ndodhte mes dy përplasjeve; herën e parë mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, dhe, herën e dytë, brenda opozitës.

Lulzim Basha bëri në shtator 2021 aktin më të madh të jetës së tij: dëbimin e Sali Berishës. Ishte e pamenduar se do të bëhej nga ai, por ja që e bëri. Nuk kishte ndodhur më parë dhe është shenjë e mirë.
Shtërgimi i Berishës ndaj tij ishte i hekurt dhe i dëmshëm.

Por edhe ky i tanishmi, i qullët dhe zvarranik është i dëmshëm. Duhet të çlirohet prej tyre që të jetë i lirë.

 

*****

Fatos Tarifa

Nga Fatos Tarifa

Të rinjtë e vendit tim

Edhe këtë herë, si herë të tjera më parë, jam ftuar nga DITA të “zgjedh” dikë që do të meritonte të quhej “njeriu i vitit” 2021.

Ndërsa nuk është aspak e vështirë të them se cili ka qenë studenti më i mirë që kam pasur në auditor gjatë vitit akademik që lamë pas (dhe çdo vit tjetër më parë), është shumë e vështirë të zgjedh një individ, që të jetë dalluar mbi të gjithë, në një fushë të dhënë të veprimtarisë shoqërore dhe të ketë arritur të bëjë më shumë e më mirë në atë fushë, ose në të mirë të interesit publik sesa çdokush tjetër.

Por, nuk është e pamundur të japësh një mendim gjithsesi, edhe pse zgjedhja që bëjmë mund të kontestohet nga shumë të tjerë, madje edhe nga shumica e shqiptarëve.
Kjo është krejt e natyrshme në një shoqëri të hapur e pluraliste dhe, më shumë akoma, në një shoqëri, në të cilën, opinionet individualë, edhe kur ata nuk arrijnë të shndërrohen në një opinion publik, çmohen më shumë sesa gjykimet racionalë dhe mendimi kritik për ngjarje, dukuri dhe personalitete vërtet të rëndësishëm të shoqërisë.

Në fakt, si kudo gjetkë, edhe në Shqipëri, nuk ka një opinion publik të vetëm, që të shprehë atë që mendojnë dhe mënyrën se si gjykojnë e vlerësojnë të gjithë anëtarët e shoqërisë. Ka shumë publikë dhe, vlerësimi im në këtë rast, përveçse shpreh gjykimin tim individual, mund të jetë më i afërt me gjykimin e një pjese të atij publiku shqiptar, me të cilin unë përgjithësisht identifikohem dhe që, gjithashtu, nuk është homogjen.

Por, vlerësimi im mund të jetë krejt i papranueshëm, madje “very strange” për publikë të tjerë në këtë vend, të cilët mundet të përbëjnë edhe shumicën e popullsisë.
Këtë koment të gjatë e bëra për të thënë pse zgjedhja ime për “njeriun e vitit” nuk u ngjan zgjedhjeve konvencionale, që do e vinin gishtin te një individ i vetëm.

Viti që lamë pas, e përsëris, nuk më jep mundësinë që të zgjedh një njeri të vetëm, të cilin të mund ta veçoja nga—dhe ta vlerësoja mbi—të gjithë të tjerët si njeriun që ka bërë, ose ka arritur më shumë në sferën e veprimtarisë së vet, ose për të mirën e interesit publik.

Nga kjo zgjedhje përjashtoj, pa asnjë mëdyshje, pjesën më të madhe të politikanëve, në radhë të parë drejtuesit e partive politike dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Këta janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen në të cilën ndodhemi sot.
Në këtë që them nuk ka kurrfarë nihilizmi.

Ka pasur edhe vitin që shkoi, ka dhe gjithmonë do të ketë shumë njerëz të talentuar, të ndershëm, punëtorë dhe të suksesshëm në profesionet e tyre (edhe në politikë), shumë prej tyre edhe qytetarë të angazhuar në jeten e shoqërisë për kauza të rëndësishme, por unë nuk mund të them se cilin, ose cilën prej tyre do të mund ta veçoja si më të spikaturin për vitin që lamë pas.

Prandaj, jo sepse është më e lehtë, por sepse është më pranë së vërtetës (asaj të vërtete relative, tek e cila më orientojnë formimi, pëlqimet dhe bindjet e mia), unë zgjedh një emër kolektiv si “njeriun e vitit” 2021—të rinjtë shqiptarë.

Këtë zgjedhje e shpjegoj me shpresën që më japin të rinjtë e sotëm të vendit tim, kryesisht ajo pjesë e rinisë që, edhe pse (i) në kushte ekonomike të vështira, (ii) në shkolla që ende nuk janë bërë institucione arsimorë të shekullit të 21-të dhe për shekullin e 21-të dhe (iii) me një klasë politike tejet të korruptuar, që ky vend dhe kjo rini nuk e meritojnë (dhe as e duan), kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri dhe ta transformojë këtë vend me dijet e tyre, me energjitë e tyre, me dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe me besimin e tyre se ky vend ka gjithçka që i duhet për t’u bërë një vend i begatë për ta, për fëmijët e tyre dhe për brezat që do të vijnë.

Këtë shpresë nuk e kam vetëm unë, një profesor në vitet e fundit të karrierës së tij, por edhe shumë nga vetë të rinjtë shqiptarë.

Zgjedhja që unë bëj për t’i shpallur të rinjtë shqiptarë kolektivisht si “njeriun e vitit” 2021 është një bast, por unë besoj një bast që mund të fitohet, nëse në këtë vend, ku për një kohë të gjatë kanë sunduar e sundojnë nepotizmi, korrupsioni dhe padrejtësia, triumfojnë drejtësia dhe vlerat demokratike; nëse dijet, aftësitë dhe kontributet individualë bëhen kuti me të cilin maten dhe çmohen meritat e gjithsecilit.

Edhe nëse kjo është e vështirë të arrihet, e vetmja garanci që kemi se kjo mund të ndodhë nesër janë të rinjtë e sotëm shqiptarë. Duke e dashur vendin ku i sollën në jetë prindërit e tyre dhe në të cilin këta i rritën dhe i edukuan me shumë vështirësi, të rinjtë e sotëm duan një tjetër Shqipëri—një Shqipëri pa politikanë, pa gjyqtarë, pa nëpunës, pa policë, pa mësues dhe pa pedagogë të paaftë e të korruptuar.

Ata duan një Shqipëri vërtet europiane, të cilën, politikanët, gjyqtarët, nëpunësit, policët, mësuesit dhe pedagogët e tyre—ata të paaftët dhe të korruptuarit, të djeshmit dhe të sotmit—ua premtuan por nuk ua mundësuan. Unë besoj te rinia e vendit tim.

Ju më kërkoni, gjithashtu, të veçoj edhe një individ, të cilin do e konsideroja si “anti-njeriun” e vitit që shkoi në këtë vend. Vlerësimi “anti-njeri” për një humanist nuk është as i drejtë, as i pranueshëm.

Por, duke e ditur kontekstin politik e shoqëror në të cilin ju e vendosni këtë koncept, ndoshta shumë njerëz do të përmendnin Sali Berishën. Si një person i padëshiruar nga aleatët tanë të mëdhenj përtej Atlantikut dhe i papëlqyer ndoshta nga shumica e shqiptarëve, Berisha mund të cilësohej një i tillë për vitin që shkoi. Për mua, ai ka qenë i tillë qysh nga fillimi.

Por, ngaqë për Sali Berishën kam folur e kam shkruar shpesh në këta tridhjetë vitet e fundit dhe që të mos përsëris atë çka mund të pohojnë edhe njerëz të tjerë, këtë herë po e kursej emrin e tij.

Me zemër të thyer, këtë herë do të veçoja si “anti-njeriun” e vitit që lamë pas njeriun, i cili, fatkeqësisht, edhe sot që shkruaj, vazhdon të mbajë postin më të lartë në krye të Republikës sonë, dhe që unë, në fillim të vitit që shkoi, kam deklaruar publikisht se nuk e njoh si presidentin e vendit tim.

 

*****

Shaban Murati

Nga Shaban Murati

Ismail Kadare – “Njeriu i Vitit”

Çmimin “Njeriu i Vitit” e meriton më shumë se kushdo tjetër, ose më shumë se gjithë të tjerët bashkë, gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, i cili në vitin 2021 pati 85 vjetorin e lindjes në mesin e një serie të pafund çmimesh prestigjioze ndërkombëtare në fushën e letërsisë, ku më i fundit është çmimi i madh ndërkombëtar amerikan “Neustadt”, i cili konsiderohet “Nobeli amerikan”.

Nderimi dhe vlerësimi i lartë dhe i vazhdueshëm ndërkombëtar për veprën e tij me vlera botërore është nderim dhe lartësim i emrit të kombit dhe të kulturës shqiptare. Askush në letërsinë dhe në historinë shqiptare, që nga epoka e Skënderbeut, nuk ka kontribuar dhe lartësuar më shumë kombin shqiptar dhe emrin shqiptar në arenën botërore.

Çdo nderim dhe vlerësim, që mund të bëjë shteti, kombi dhe shoqëria shqiptare ndaj figurës vigane të Ismail Kadaresë nuk e shlyejnë dot borxhin e madh, që i kanë atij për monumentin e përjetshëm të lavdisë shqiptare, që shkrimtari e ngriti nëpër botë me veprën e tij të pavdekshme dhe e papërsëritshme.

Ndaj mendoj se askush më tepër se Ismail Kadare nuk e meriton të shpallet “Njeriu i Vitit”.

 

——

Tre opinionet e mësipërme janë pjesë e forumit Njeriu dhe Antinjeriu i Vitit që botohet në DITA numrin e parë të gazetës, çdo fillim viti

 

 

Share This Article
19 Comments
  • o shabe
    me mbush 85 vjet nuk është ndonjë meritë!!
    atëherë sipas teje dhe kur të përfundojë në azil të pleqve e ti ndërrojnë pelenat mol kadareja do të jetë njeriu i vitit dhe pas 5 vjetësh??
    shko mor njeri mos e dhit kot!!

  • Zoti Murati , nuk jemi me mendimin tuaj , absolutisht ne menyre absolute per Mol Kadarene . Ky Kadareja ti rrojne letrat qe shkruan , mbi te gjitha ,ky nuk eshte njeri human , ska fare dinjitet dhe karakter , arsyeja eshte e thjeshte , kurre ky Kadareja nuk e ngriti zerin te shkruaje e te ndihmoje popullin e tije te vuajtur te poshteruar nga mafia neokomuniste e ketij tranzicioni te pa fund ,qe kurre nuk po mbaron . Ndoshta ka qene interesi i tije , i Kadarese ,per tu emeruar vajza e tije ne Amerike nga shteti i dhjere Shqiptare ,ose ka qene spiun ne diktature , ku une nuk e di dhe ndoshta kjo e ben te varur , e te mbroje keta politikane bolshevike te pa ndreqshem .

    Ndryshe ka shkruar kritikuar , ndihmuar i nderuari PR Rexhep Qosja , ka shkruar kritikuar ,ndihmuar dhe i jemi mirenjohes PR i nderuar Kabo e deri tek DR Kalo e permend jo si DR qe ka ndimuar te semuret me Covit 19 , se e ka pasur detyre , por edhe ky ka shkruar e diskretituar politikane Shqiptare me epitetin politiqare . bashke .Te vetmen qje qe ka ne dore cdo njeri , eshte karakteri ,qe eshte pa imvestime ,ose genet e prinderve e tj e tj . Pastaj shkruaj per letra shkruesin tend pa dinjitet e karakter Kadare .. Kurse z Murati kush eshte njeriu me negativ i vitit qe lame pas , per mua me negativ jane te gjithe njelloj , i radhis ne nje plan Saliu ,Rama , Meta e Basha . Ose me shkurt z Murati kater familjet mafioze te pushtetit bolshevik , qe na kane drejtuar e rrenuar gjate gjithe ketyre tre dekatave te fundit . .

    • adih
      për të tgjitha i një mendimi me ty,për veç “kater familjet mafioze”!!
      me “familje” e më pas çdo lloj mbiemri,flitet për një traditë familjare!!qoftë kjo mafioze a atdhedashëse!!
      e të katër këta nuk kanë të bëjnë me “familje”,sepse nuk kanë një trashëgimi,nuk kanë një rrjedhë familjare në drejtimin e tyre!!as atë mafioz,as atë politik e aq më pak atdhetar!!këta të katër janë rrëmbythje që kanë zaptuar pushtetin dhe jetojnë prej tij në kurrizin tonë!!

  • Edhe unë z. Murati nuk jam dakort me mendimin tuaj, por jo si « Adih », i mesipërm që e quan « bolshevik »! Flitet për njeriun e vitit 2021, pra për aktivitetin e njerëzve gjatë këtij viti, ku Kadareja nuk ka patur ndonjë aktivitet të spikatur. Unë do të thoja që njeriu që i ka shërbyer më shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve keni qenë ju, z. Murati. Vazhdoni në këtë rrugë dhe mos e ndërprisni, sepse shqiptarët e mirë do t’ju vlerësojnë. Analizat tuaja janë të nivelit ndërkombëtar dhe është fatkeqësi që politika e Tiranës ndjek një linjë tjetër!

  • Njeriu i vitit ambasadorja amerikane Z. Yuri Kim kjo nuk do shumë mend e kalem ,sepse vetëm shpata e kësaj ambasdorje tenton të godasë mbretin e krimit mafiozin ordiner Sali R Berishën që sulmon selinë e partisë vet,bashkë me amerikën ,prandaj bashkohem me vlersimin e Z. BEDRI ISLAMI ,NJERIU I VITIT Z. YURI KIM

  • Mjeriu i vitit @ ………………………….

    Une nuk i them bolshevik Zotit te nderuar Murati , perkundrazi kam respekt per te ,me lexo me vemendje , por bolshevik i them 4 familjeve mafioze Ramen , Berishen , Meten e Lul Bashen qe kane shkateruar , vodhen pronen e pronareve , po ashtu trojet shteterore e deri repartet ushtake te marines ne bregdet ., shkateruan brutalisht drejtesine dhe arsimin , se vetem per mjeksi ,nuk ja vlen tja kujtosh , se ne spitalet shtetrore te thone pa u menduar , shko tek spitali Amerikan , se jane prishur aparatet . Ndajne parate bashke .

    • Po nuk eshte ndonje qamet i madh ajo qe ka thene Murati.
      Nuk e shikoni qe tregohet i distancuar nga pellgu i qelbesirave qe ka politika shqiptare?
      Ja fut me Kadarene sa per te lare gojen.
      Shikoni keta kellirat qe permendin Juri Kim dhe “te rinjte” shqiptare qe po vriten si patatet perdite rrugeve te Shqiperise dhe te botes.
      As Bedriu dhe as Tarifa nuk e permendin Ben Duken si njeriun e vitit.
      Tipiku i njeriut te ndershem dhe te zhgenjyer.
      Ku ka shembull me te spikatur se ky?
      Nje njeri i stermunduar nga maskarenjte qe mundohet te mbijetoje me nder dhe qe mundet tja dali ose jo.
      Nje njeri qe pranon fatin e tij, ndoshta me perrulje dhe shprese ndaj asaj qe beson, dhe ndonjehere me dhimbje dhe i zhgenjyer. Si te gjithe. Si gjithe ata qe nuk behen bashke me lukunine e horrave dhe te llumit qe bejne gjithe ndyresite per te fituar.
      Ky eshte njeriu i vitit.
      Keta lloj hipokritesh si Fatosi e Bedriu, qe dhe mburren me miqesine e Moikomit kur vdiq, apo me miqesine e Ben Dukes, keta, sot i sherbejne si skllever te ndyre Rames. Te dy zgjedhjet e tyre jane per Ramen.
      Kjo eshte me e ndyre sesa zgjedhja e Shabanit, qe ja ka futur kot, sa per te lare gojen.
      Keta, miq e shoke te Benit, qe sa u vjen rasti per tu shitur te Ramuti, e harrojne Benin menjehere per te treguar devotshmerine e tyre ndaj atij qe i ushqen..

  • Unë mendoj se njeriu i vitit është GRUAJA SHQIPTARE, e cila ishte faktor per një rekord boteror në nivelin e pjesemarrjes në Qeverisjen në shkallë kombetare duke kapur 70% te Kabinetit të Keshillit të Ministrave,duke bere diferencen në shkalle Boterore.

  • Histori mjerane,dikur thonin e kane care me palle ne dore historine, vlersoj shprehjen e bismarkut sot e kesaj dite ,………ky vend vetem antivlera prodhon, i zhytur ne mjerim dhe injorance i boshatisur nga njerezit normale, cerdhe prostitutash mediatike e politike kriminel dhe hajduter,….asgje me teper

  • Njeriu i vitit Marin Mema dhe Elena Kocaqi me cdo kusht mundohen per gjetjen e rrenjeve Shqiptare ne gjith teritoret ku ata jetonin ne pjeset dermuese te Ballkanit !

  • Njeriu i vitit jane TE NGUJUARIT NGA GJAKMARRJA se mbijetuan per 30 vjet pa asnje te ardhur nga
    shteti,femijet pa shkolle,shtepite pa drita,uje,pa TV e radio,pa libra e revista,pa luajtur kurre me bashkemoshataret e tyre,pa i pare baballaret dhe vellezerit e tyre te medhenj dhe mbi te gjitha do mbeten per jete ye pa martuar se askush nuk jep e merr dot me keto shtepi as nuse e as dhendetr!
    A ka ne bote,perfshi afganet tane ,qe te jene trajtuar kaq mizorisht se te ngujuarit tane qe Rama kurre nuk i ka zene me goje?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *