Politikat pro-mjedisore, nga shembulli personal i mbledhjes së plehrave, po qe nevoja edhe pa doreza, te… HEC-et brenda Parkut Kombëtar të Thethit!

redaktor

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Një ndër ngjarjet më të mirëpritura të viteve të ngarkuara pandemike që lamë pas është ajo e anullimit të ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosë.

Ndonëse jo të gjithë ekspertët ishin të idesë se ndërtimi i disa prej tyre do shënonte katastrofë mjedisore dhe mjaft e shihnin ndërtimin e ndonjë hidrocentrali jo vetëm si gjenerues të qenësishëm energjie dhe të ardhurash por edhe si një mënyrë për t’i shpëtuar nga përmbytja e përsëritur mjaft zona të banuara në afërsi të lumit, mbrojtja e ‘egërsisë’ së Vjosës mund të konsiderohet një arritje e mirëfilltë.

Përpjekjet e grupimeve ‘green’ dhe të shoqërisë civile, falë edhe sensibilizimit të fraksioneve ndërkombtarisht të angazhuara, e ‘shpëtuan’ Vjosën dhe, në mënyrë jo të drejtpërdrejt, kontribuan për promovimin e natyrës sonë të mrekullueshme përtej kufijve.

Nisma ishte, gjithashtu, në përputhje me politikat pro-mjedisore të vendit, gjatë viteve të shkuara, kur rrjetesh sociale deklarohej se mbi Vjosë nuk do kishte HEC-e dhe jepej shembulli personal duke mbledhur plehrat, po qe nevoja edhe pa doreza.

Por kalendari ka ndryshuar dhe mbrojtja e Vjosës, fatkeqësisht, mund të mos përbëjë precedent, në kalendarin e ri, për mbrojtjen e të tjerë lumenjve po aq të bukur dhe turist-ndjellës.

Në ditët e para të Janarit, gazetarja Alice Taylor solli në vëmendje projektet e ndërtimit të tre HEC-eve mbi lumin e Shalës, i cili buron në afërsi të Thethit, një ‘perlë’ natyrore dhe, njëherazi, një prej destinacioneve turistikë më të preferuar në vend.

Projektet, që duhet të jenë trashëgimi nga ish-qeverisja që ishte e gatshme të jepte koncesione hidrocentralesh mbi çdo përrua a rrëke, pasi kanë fjetur zyrash për gati një dekadë, çuditërisht, po rigjallërohen.

Sipas të dhënave të bëra publike, dy prej tre HEC-eve mbi lumin e Shalës parashihet të ndërtohen brenda Parkut Kombëtar të Thethit, çka i bie ndesh ligjit. Për më tepër, bazuar në studimet e fizibilitetit të para 10 viteve, prodhimi vjetor i tre HEC-eve mbi Shalë të marra sëbashku është rreth 321 GWh (giga vat në orë), më pak se 366 GWh të Kalivaçit, më i madhi mes mbi njëzet, që u anullua mbi Vjosë.

Përtej vendndodhjes gjeografike të të dy lumejve, HEC-et që përgatiten për zbatim mbi lumin e Shalës nuk mund të jenë ngjizje politikash ndarëse.

Në fakt, kur sheh në mesin e përfituesve të kontratave që pritet të fillojnë punën këtë vit, një kompani kineze dhe një nga Emiratet e Bashkuara, kupton se bëhet fjalë për dorovitje të llojit “mirë me të gjithë, ka për të gjithë”; me llogjikën që edhe rrekemi të hymë në BE por edhe Ballkanin e Hapur e bashkëkrijojmë; edhe ShBA të na ndërtojë Skavicën e shumëpritur edhe mini- HEC-et mbi Shalë ia japim kinezve e arabëve, se po na mërziten.

Unë uroj fort që grupet që ndaluan ‘çmendurinë’ mbi Vjosë të angazhohen edhe për ndalimin e hidrocentraleve mbi lumin e Shalës.

Përndryshe, të lutemi që miqtë nga viset e largëta shkretinore të jenë zemërgjerë dhe ndryshe nga bashkëkombasit e vet në Durrës të shkojnë përtej një spektakli fishekzjarresh për vitin e ri. Me shpresë, e hapin edhe ndonjë ‘Nusr-Et’ përrallor me pishinë alpesh.

 

Share This Article
10 Comments
  • Filloni angazhohuni te gjithe..
    Ne fakt. Shqiperia nuk fillon dhe as mbaron ne Vjose.
    Natyra dhe mjedisi eshte buka dhe jeta e te gjitheve…
    Kjo, jo per ceshtje “mjedisore”, si thote kjo kecja, qe ja le ne dere grupeve “mjedisore” qe shpetuan Vjosen..
    Eshte ceshtje jetike per te gjithe.. per Shqiperine dhe shqiptaret

    • Investimet për hidrocentrslet dhe Liqenet e digave janë njëkohëdisht edhe investime për ekuilibrin dinamik të liqeneve gjatë shfrytëzimit të ujit për energji dhe jo tê rrjedh kot. Po ashtu janë invedtime për formimin e një mjedisi ekologjik ekonomik dhe turistik të mrekullueshëm shumë më të bukur se ajo bukuri natyrale e bërë nga egërsia e rrjedhjes së shfrenuar të lumit. Por, anullimi i Hidrocentrsleve mbi Vjosë është nënshtrim ndaj rremujës që sjell turma e ndërsyer kundër Djallit imagjinar, që si lumi i trrubullt shkatron ç’ivdel përpara.

      • Mos moj kurve, shkaterrimi i Lumenjve dhe zonave perreth na qenka investim per ekuiliber dinamik.
        Na e shpjego pak kete ekuilibrin dinamik o zorre e Ramutit?

  • JO SKAVICËS – ZHDUK QYTETRIMET E HERSHME DIBRANE!

    Dy janë çështjet aktuale me rëndësi jetike për Dibrën: Rruga e Arbërit dhe HC i Skavicës! E para e shpëton Dibrën, e dyta e përmbyt atë dhe e asgjëson si tërësi gjeografike, historike dhe etno-kulturore mijëravjeçare!.

    Skavica
    Çështja e ndërtimit të HC të Skavicës u publikua në ditët e para të janarit 2016, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të vendit në Istanbul në dhjetorin e kaluar. Sipas disa kanaleve televizive bëhet fjalë për një farë marrëveshjeje midis shefit të qeverisë tonë dhe një kompanie turke, që paska marrë përsipër ndërtimin e HC të Skavicës!. Për pasojat e rënda që do të ketë për Dibrën, ndërtimi i HC të Skavicës, ky problem nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje.
    Për hirë të së vërtetës, një projekt për ndërtimin e një HC mbi Skavicë, ka qenë hartuar edhe në kohën e komunizmit, përkatësisht në vitet 1983-1984. Sipas ekspertëve të hidroteknikës së asaj periudhe, qeveria Çarçani u tërhoq nga ndërtimi i këtij HC, përballë kostës së madhe të humbjes së tokave më të mira dhe më pjellore të këtij rajoni. Se Dibra është konsideruar gjithnjë si Myzeqeja e Shqipërisë Lindore! Kjo çështje qe rihapur në shkurt 2010 nga qeveria Berisha, dhe shihej në atë kohë si zgjidhje e problemit të përmbytjeve në zonën Shkodër-Lezhë, edhe pse më vonë u gjetën zgjidhje të tjera shumë më racionale. Banorët e Dibrës e kundërshtuan këtë projekt, kundërshti që e kanë shprehur prej kohësh në shtypin periodik disa nga përfaqësuesit e spikatur të publicistikës dibrane si z. A. Hoxha, z. B. Karoshi, z. A. Ashiku, z. V. Hoxha, z. M. Koltraka, z. Sh. Skara etj. Për fat të mirë, qeveria demokratike e asaj periudhe u tërhoq nga kjo ndërmarrje me pasoja të padëshirueshme për Dibrën.
    Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës qeveritare lidhur me këtë problem, dëshëroj t’u kujtoj një ndodhi të para rreth 2000 vjetëve në Romën e lashtë atyre që nuk e kanë lexuar Senekën. Filozofi Seneka (4 para Kr.-65 pas Kr.), në vitet e fundit të jetës së tij ishte këshillltar i diktatorit Neron (54-68 pas Kr.). Kur perandori Neron dogji Romën, i frikësuar në palcë nga vala e hakmarrjes popullore, e pyeti Senekën se ç’mund të bënte për të shpëtuar kokën nga urrejtja e turmës, dhe ky i fundit e këshilllonte perandorin e tij “që t’i gënjente romakët”, pasi “populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!”.
    Më poshtë po parqesim reagimin tonë të fortë kundër këtij projekti, për arsyet e mëposhtme:

    • Për arësye gjeografike dhe ekologjike

    Skavica përfaqëson një prag të lartë shkëmbor që ngrihet midis fshatrave Qafë-Draj të Reçit të Dibrës në jug dhe Ujmisht të zonës së Lumës së Kukësit në veri, dhe që në kuptimin gjeografik, ndan pellgun e Peshkopisë nga ai Bicaj-Kukës.
    Në gjeomorfologjinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor, lugina e Drinit të Zi, përfaqëson padyshim një nga koridoret më të rëndësishme lumore. Pellgu ujëmbledhës i Drinit të Zi me sipërfaqe 5885km2 përbën bazën e një eko-sistemi mijëvjeçarë. Në shënimet e tij mbi gjendjen në epokën e bronzit, Apolloni i Rodosit e përshkruan Drinin e Zi si” lumin e thellë e të zi, afër enkelejve”. Në rajonin e Dibrës shtrihet rrjedha e mesme e luginës së këtij lumi, me një gjatësi prej 75 km, duke filluar nga gryka e Jabllanicës ku ndahet me Strugën në jug deri në pragun e Skavicës në Qafë Draj në veri. Në këtë luginë lumore, si askund tjetër, alternohen pellgjet dhe pragjet lumorë, në një harmonizim të përsosur gjeomorfologjik. Këtu vargmalet lindore e ato perëndimore herë largohen duke të shpalosur para syve fusha të bukura e pjellore, siç ndodh në pellgun e Dibrës dhe në atë të Peshkopisë, dhe herë afrohen dhe të detyrojnë të ngjitesh në qafat kufizuese apo pragjet malorë, siç ndodh në qafën e Qenokut dhe pragun e Dovalanit në jug, apo qafën e Draj-Reçit dhe pragun e Skavicës në veri.
    Me luginën e tij gjatësore, ky lum ka krijuar që në lashtësi jo vetem një vend tërheqës për banim, por edhe një arterie të rëndësishme natyrore, që lidh Shqipërinë Lindore me Maqedoninë Perëndimore, Kosovën. si dhe viset fqinje dhe ato më të largëta. Ne rajonin ne shqyrtim, Drini i Zi formon dy pellgjet me te medha te tij, atë të Dibrës ( 15 x 9 km ) me lartësi 400-450 m mbi nivelin e detit dhe atë të Peshkopisë ( 8 x 6km ) me lartesi 300-350m, të ndarë nga pragu i Dovolanit dhe qafa e Qenokut. Falë aluvioneve dhe sedimenteve pjellore te shtresezuara në shekuj, keto pellgje jane mjaft të begatë, dhe përbëjnë zonat më të rëndesishme bujqesore dhe ekonomike të ketij rajoni. Lugina e mesme e Drinit të Zi, është jo vetëm lugina lumore më e bukur dhe më e begatë në Shqipëri, por ndër më të bukurat në botë. Populli i Dibrës nuk do të lejojë përmbytjen e kësaj pasurie të rrallë!

    • Për arsye ekonomike dhe demografike
    Territori i rrethit të Dibrës ka këtë strukturë tokash: fushat lumore me lartesi 300-600m zene 13.7% te siperfaqes, zona kodrinore paramalore me lartesi 600-1000m ze 30% e saj, malet me lartesi 1000-2000m zenë 53.5% të territorit, ndersa pjesa tjeter ( 2.8% ) zihet nga malet e larta mbi 2000m. Keto te dhena jane per pjesen e Dibrës qe shtrihet ne Republikën e Shqipërisë. Pra tokat më të mira të këtij rajoni, të tipit aluvional, me strukturë pedologjike mjaft pjellore, gjenden anash shtratit të Drinit të Zi, dhe do të asgjësoheshin përgjithmonë nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i HC të Skavicës do të sillte mjaft pasoja negative social-ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha ai do të përmbyste përjetësisht një nga zonat më të rëndëishme të Shqipërisë Lindore, siç është pellgu i Dibrës.

    Së pari, asgjësimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në mardhënje komplementësie ekonomike njera me tjetrën. Fusha e Dibrës e furnizonte Malësinë me drithra buke dhe merte prej saj prodhime drusore e blektorale etj. Në vitet më të vështira të krizës së bukës gjatë luftës I botërore, përkatësisht kohën e pushtimit serb (1913-1921) dhe atij austro-hungarez (1916), hambarët e Dibrës nuk u thanë nga drithi, përveçëse u dogjën nga hasmi. T’i heqësh Dibrës këtë pjesë organike të saj, ta gjymtosh atë, është sikur t’i presësh gjymtyrët trupit të njeriut. Dhe unë besoj se qeveria do ta rishqyrtojë këtë çështje jetike për Dibrën. Dibra nuk mund të flijohet dhe të sakrifikohet për të shpëtuar të tjerët, edhe pse ajo i ka ndihmuar gjithnjë të tjerët, kur ata kanë pasur nevojë. Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë se vetëm dibranët qëndruan përkrah shkodranëve, kur Shkodra ishte rrethuar nga pushtuesit malazez në vitin 1912-1913!
    Së dyti, duhet të kujtojmë se fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë. Ajo nuk përfshihet në këto kategori. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik nr. 7501 i vitit 1991.
    Së treti, përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.

    • Për arsye arkeologjike

    Si arkeolog më duhet të mos heshtë. Si arkeolog kam shkelur në çdo fshat të Dibrës. Si arkeolog i them me bindje JO SKAVICËS! E them këtë pasi nëntoka e Dibrës ruan në gjirin e saj vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, të cilat sapo kanë filluar të zbulohen e të studiohen. Në bazë të studimeve të derisotme, rezulton se ky është një ndër rajonet më të përshtatshëm gjeografiko-topografik, me kushte jetësore optimale për jetesë, gjë që ka përcaktuar edhe hershmërinë e banimit të tij nga njerëzit që në prehistorinë e largët. Lugina e mesme e Drinit të Zi, territorialisht e lidhur me këtë rajon, përfaqëson zonën ku janë evidentuar gjurmët më të hershme të qytetërimit neolitik në Shqipëri, kronologjikisht të lidhur me gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të VII para Kr. Fshatrat më të hershëm neolitikë të këtij rajoni dhe ndër më të hershmit në Shqipëri janë Burimi, Cetushi, Kronëzat (Fushë-Alie), prej të cilave, dy të fundit përfshihen brenda kuotave të përmbytjes, pasi janë shumë afër bregut të djathtë të Drinit të Zi.
    Nëpër këtë luginë kalonte degëzimi verior i Egnatias antike, që bashkonte dy tranversalet më të mëdha tranballkanike, atë Egantia në jug (Ohër) dhe atë Lissis-Naissus në veri (Kukës). Në zonën e përfshirë nga harta e liqenit të HC të Skavicës do të përmbyteshin përgjithmonë, pa u prekur nga arkeologët, një arkiv i vërtetë vlerash dhe artefaktesh arkeologjike, që gjenden në këtë hapësirë. Duke filluar nga Skavica, pra nga veriu, e duke u ulur në drejtim të jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja:
    • Zona tumulare e Draj-Reçit (tek Trocet)
    • Zona tumulare e Zalldardhës (Qyteti në Majë Meje)
    • Vendbanimi prehistorik “Çuku i lekës”(Zall-Dardhë)
    • Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)
    • Vendbanimi neolitik i Kronëzave (Fushë-Alie)
    • Stacioni rugor në “Xhiret e Përnezhe” (Fushë-Alie)
    • Vendbanimi prehiatorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)
    • Vendbanimi prehistorikt në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)
    • Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)
    • Venbanimi prehistorik i Cetushit
    • Vedbanimet prehistorike dhe antike të Kastriotit.
    • Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur
    • Vendbanimi eneolitik i Gradecit (Brezhdan)
    • Vedbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës
    • Vendbanimi prehistorik i Selanes
    • Kisha mesjetare në Katund të Ri
    • Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec)
    • Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit
    • Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)
    • Nekropoli i periudhës romake i Gjoricës së Poshtme
    • Nekropoli i periudhës antike i Sofraçanit
    • Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës etj

    Kjo do t’i shkaktonte një dëm të madh shkecës sonë arkeologjike. Nga ana tjetër ajo do të plotësonte dëmin e krijuar në pjesën lindore të Dibrës, që shtrihet në territorin e FYROM, ku në vitin 1964 u përmbyt përjetësisht fusha e Udovës, më e madhja dhe më pjellorja e pellgut të Dibrës. U krye me atë rast një gërmim i vogël shpëtimi, sa për të thënë, dhe u varrosën nën ujë vlera të pallogaritshme arkeologjike.

    • Për arësye historike

    Është theksuar shumë kohë më parë roli i rëndësishëm i Dibrës dhe kontributi i saj i veçantë në historinë nacionale, në të gjitha etapat e zhvillimit historik e shoqëror. Përmbytja e saj do të thotë përmbytje e të gjithë kësaj historie. Një moment i lavdishëm i saj është padyshim epopeja Skënderbejane e mesit të shek. XV, dhe luftërat e tij fitimtare, atdheu historik i të cilave, është vetë Dibra, ku Skënderbeu zhvilloi 19 nga 24 betejat e tij. Pikërisht kjo Dibër tani rezikohet nga përmbytja! Me këtë veprim të nxituar, zhduket ose përmbytet përjetësisht një pjesë e territorit hapësinor të kësaj epopeje!
    Të ndalemi tek luftërat e Dibrës kundër pushtuesëve serbë të viteve 1912-1921. Ofensiva serbe e tetorit 1913 dhe ajo e vitit 1918, nuk lanë fshat të Dibrës pa djegur dy e tri herë. Pushtuesit serbë me sadizmin e tyre çubriloviçianë dhe taktikën e “tokës së djegur”, kryen në këtë hapësirë masakra nga më të tmershmet, që mund të imagjinohen nga mendja njerëzore. Nuk ka pëllëmbë të tokës dibane, që nuk u skuq nga gjaku i bijëve të saj, në mbrojtje të vatanit. Këto janë të dokumentuara në arkivat e kohës, në memorien popullore, por edhe në toponimet e shumta të kësaj periudhe si “vorret e vrame”, “vorret e serbit”, “vorri i gruas”, “vorri i nuses”, “vorret e cullve” etj, që tani duam t’i mbysim e ti fshijmë nga kujtesa historike. Ndërsa shkruaj me nervozizëm këto radhë, më vjen në mendje postulati: “ Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshishë kujtesën e tij historike. Shkatëroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harroj se çfarë është dhe çfarë qe.”

    • Për arsye gjeostrategjike
    Është vështirë të mendohet, por përmbytja e Dibrës të duket si një plan i hartuar jo në Tiranë, por në kancelaritë e vendeve fqinje që dikur donin ta përfshinin Dibrës brenda kufijve të tyre dhe që kërkonin të vinin kufirin e tyre strategjik përgjatë Drinit, ose në vargun e maleve perëndimore të Dibrës. Mjaft të sjellim ndër mend faktin se “Naçertania” famëkeqe e I. Garashaninit (1844) parashikonte edhe “aneksimin e trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qëndrore të Shqipërisë”. Meqenëse këto plane nuk u realizuan falë luftës, qëndresës heroike dhe gjakut derdhur të këtij populli, atëherë përmbytja e sotme e Dibrës, me ose pa dashje, a nuk duket se i ngjan, qoftë edhe formalisht, këtyre planeve antishqiptare?! Është e tepërt të kujtoj se me këto qëllime të mbrapshta ishte përmbytur nga pushteti sllavo-maqedonas edhe pjesa lindore e Dibrës dmth fusha e madhe e Udovës në Dibrën e Madhe (FYROM) me sipërfaqe 1340ha, me pretekst të ndërtimit të HC të Spilesë!.

    • Për arsye klimatike

    Tek arsyet klimatike vetëm do të përmendja prishjen e ekosistemit natyror si dhe faktin se rritja e sipërfaqes së pasqyrës ujore do të rriste menjëherë lagështirën absolute dhe relative të ajrit, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në ritjen e sëmundjeve reumatizmale dhe artriteve tek popullata aktive për punë, ajo e re dhe e mesme, madje dhe tek fëmijët, që sapo të dilnin në rrugë do të ndesheshin me mjegullën dhe ajrin e lagësht që do të vinte nga pasqyra e liqenit të stërmadh të Skavicës.

    • Për arsye juridike

    Në të gjithë botën e qytetëruar, para se të merren vendime të tilla që ndikojnë drejtpërdrejtë në ekosistemin e një rajoni të dhënë dhe në jetën e mijëra banorëve, organizohen referendume popullore. Pasi një qeveri e përgjegjshme, punon për interesat themelore të qytetarëve të vet. Të gjithë e dimë mirë dhe qeveria e din edhe më mirë, se në pikëpamje juridike, sikur qoftë edhe një pronar i vetëm i zonës së përmbytur, të mos jap pëlqimin e tij, HC nuk mund të ndërtohet! Dhe meqë jemi tek binomi qytetarë-qeveri, më vjen në mendje postulati i gazetarit të njohur amerikan Eduard R. Murrow “A nation of sheep will beget a government of wolves”. Përkthimin e saj në shqip unë nuk do ta bëj, pasi sot anglishten e njohin pjesa dërmuese e brezit të ri dhe e intelektualëve, dhe ky përkthim praktikisht është i panevojshëm.

    • Esse në vend të mbylljes

    Unë nuk i kuptoj dibranët që nuk po e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë “dashurinë” e madhe të qeverisë së tyre për Dibrën dhe trashëgiminë e saj historike e kulturore! “Dashuria” e qeverisë është kaq e madhe, sa që kërkon përmbytjen e përjetshme të vetë Dibrës dhe të historisë së saj! Në emër të kësaj “dashurie” kërkohet të ndryshohet deri edhe harta gjeografike e Shqipërisë Lindore, ku vendin e tokave më pjellore të Dibrës do t’a zë liqeni i HC të Skavicës! Në emër të kësaj “dashurie” po shtyhet për në kalendat greke edhe ndërtimi i “Rrugës së Arbërit”! Pse do thoni ju? Sepse qeveria plasi nga marrazi që t’i bëj “alpinët” dibranë të mësohen me turizmin liqenor! Ajo po kërkon ta bëj Dibrën një Zvicër të vogël! Ku është problemi këtu?!
    Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë këtë qëndrim dashamirës të qeverisë ndaj Dibrës! Ata duket se e kanë kuptuar gabim ose nuk e kanë kuptuar edhe thelbin e mosndërtimit të “Rrugës së Arbërit”! Disa thonë se fajin për këtë e kishte qeveria e Kinës! Disa të tjerë thonë, se edhe po të mos e kishte qeveria kineze, pra kushdo që ta kishte fajin, kjo rrugë tashmë nuk u duhej, pasi, në vend të udhëtimeve të lodhshme nëpër lugina, qafa e gryka malesh, shumë shpejt, në saj të “dashurisë” qeveritare, dibranët do të lundronin nëpër liqen?!
    Edhe pse mjaft idilike, njerëzit e thjeshtë nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria po punon me zell të madh, për të bërë të mundur, që dibranët punëtorë dhe të mençur, të shkojnë tek njeri tjetri me varka! Të shkojnë në punë me varka! Të dalin në pazar me varka! Të dalin shëtitje me varka! Të shkojnë edhe në dasëm me varka! Po, po! Shumë shpejt do të vijë dita që dibranët edhe dasmat t’i bënin me varka! Imagjinoni, krushqit me dhëndërin dhe nusen të hipur nëpër varka! Dhe tani e tutje dhëndurët dibranë, në vend të patentës së veturës do të duhej të marrin edhe patentën e drejtimit të varkës! Meqë çdo dhëndër i ri është drejtuesi i një familjeje të re, ai duhej të ishte i përgatitur si për sfidat e lundrimit ashtu dhe për dallgët e jetës! Dhe mendjengushtët do ta kuptojnë më në fund se kështu do të lulëzojë biznesi i varkave dhe motoskafëve! Se kështu jeta e popullit do të përmirësohet!
    Por s’keni parë gjë akoma! Shumë shpejt do të vijë dita, që më të kamurit e dibranëve, do të blejnë edhe ndonjë motoskaf, madje ta nisin atë direkt nga bodrumi i vilës së ndërtuar ngjitur me liqenin imagjinar. Atëhere nuk do të jetë më në modë ndërtimi i garazheve të veturave në katin përdhes të vilave, por çdo vilë duhej pikësëpari të ndërtohej buzë liqenit dhe të kishte si pjesë organike të saj, garazhin e motoskafit! Pse çfarë kishin më tepër stambollinjtë e kamur, që dalin për çdo ditë në Bosfor me motoskafët modernë direkt nga bodrumi i vilave të tyre! Nën shembullin e stambollinjëve, edhe në Dibrën liqenore do të lulëzonte biznesi i kafeneve dhe çajtoreve në lokalet e shumtë në të dy brigjet e liqenit të Skavicës! Dibranët do të duhet ta kuptojnë se në fund të fundit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në do ta pije kafen apo çajin në Bosfor, në Uskudar, në Dollma Bahçe, Top Kapi apo në lokalet e brigjeve të liqenit të Skavicës! Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria është duke punuar për “të mirën” e tyre, që t’i “akulturojë” dibranët “alpinë”, të vështirë për t’u “akulturuar”! Pastaj, a nuk e kanë krahasuar vetë dibranët Dibrën me Stambolllin?! Asnjë qeveri deri më sot nuk ka mundur t’ia përafrojë Dibrën Stambollit, dmth që Dibra t’i përngjasoj Stambollit edhe gjeografikisht, pra të ndahet në mes nga një liqen i stërmadh! Ani pse dibranët nuk duan që nuk duan t’a kuptojnë qeverinë e tyre!

    Prof. dr. Adem Bunguri Tiranë, 30.01. 2016

  • FERZILETA GJIKA, KJO BIJË E FUSHË ALIES THËRRET:
    “PO DIBRËS” – “JO SKAVICËS
    Lexojeni dhe dëgjojeni thirrjen e saj nga Amerika që vepron me dy standarde:
    NDALON NDËRTIMIN E DIGAVE TË MËDHA NË TERRITORIN AMERIKAN.
    DËRGON AMBASADOREN E VET TË PRES SHIRITIN E NDËRTIMIT TË DIGËS SË MADHE TË SKAVICËS, MBYTJEN E NJË TREVE HISTORIKE.
    Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një politikë për të refuzuar çdo hua, donacion, strategji ose politikë që mbështet ndërtimin e digave të mëdha. Shteti federal merret vetëm me mirëmbajtën e digave ekzistuese.
    Që nga viti 1990, në SHBA janë çmontuar mbi 1700 diga të mëdha. Sipas Komisionit Botëror të Digave (The World Commission on Dams) një digë quhet e madhe kur lartësia e saj është mbi 15 metra mbi themelin ose rezervuari i saj është më shumë se 3 milionë metër kub.
    Vetëm heqja e katër digave në lumin Klamath në Kaliforni do të kushtojë 450 milionë dollarë, afërsisht sa shuma që planifikohet të ndërtohet Skavica.

    TRI ARSYE PSE JAM KUNDËR NDËRTIMIT TË HEC SKAVICA

    Ferzileta Gjika është kandidate për doktore të shkencave në Graduate Center City University of New York.
    Aktualisht ajo mban titullin Adjunct Assistant Professor po prane CUNY (Universiteti i qytetit te New York).
    New York, 4 nëntor 2021

    Gjatë viteve të fundit, rezistenca e komunitetit dibran ndaj ndërtimit të digës së madhe të Skavicës, është intensifikuar dhe është bërë gjithnjë e me e koordinuar. Në disa rajone, si në Fushe-Alie, Luzni, Kastriot etj., rezistenca lokale është bërë më e organizuar dhe më efektive. Në fakt, forcimi i lidhjeve ndërlokale kontribuon në shpërndarjen e informacionit dhe burimeve njerëzore dhe materiale për të mbrojtur të drejtat e popullit dibran, me të drejta të plota të banorëve vendas.
    Unë jam lindur dhe rritur në fshatin Fushë-Alie. Vendlindja ime rrezikohet të mbulohet me ujë nga hidrocentrali i Skavicës. Bashkë me to zhduken varret e të parëve tanë, kultura, historia dibrane dhe kombëtare , dinjiteti, tradita dhe e drejta humane për të pasur tokën dhe shtëpinë që ne trashëgojmë. Sot i bashkohem thirrjes “Po Dibra, Jo Skavica”, e cila është kundër ndërtimit të HEC Skavica dhe që do të jetë hidrocentrali më i madh, jo vetëm në Shqipëri por një nga hidrocentralet më të mëdha në Europë.
    Ndërkohë që SHBA ka ndaluar me ligj ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha, siç është ai i Skavicës, dhe shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e hidrocentraleve ekzistuese, është e pakuptueshme se si është përfshirë një kompanie amerikane në ndërtimin e HEC Skavica. Gjithashtu, ndërsa Komisioni Europian, përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF),është tërhequr nga financimi i hidrocentralit, Bashkimi Europian dhe organizmat e saj nuk po kërkojnë ruajtjen standardeve mjedisore në këtë rast, ngjashëm me rastin e Lumit Vjosa.
    Cilat janë arsyet e ndërtimit të një hidrocentrali të madh në Shqipëri? A është kjo e vetmja rrugë për të siguruar energjinë elektrike në vend?
    Energjia hidroelektrike ka qenë një burim i zhvillimit në shumë vende europiane dhe ende përfaqëson një pjesë të madhe të pjesës energjetike të rajonit. Por, a është kjo alternativa më e mirë për shqiptarët dhe aq më tepër për popullin e Dibrës?
    Në përgjigje të vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar digën më të madhe në vend në rajonin e Dibrës, e njohur si diga e Skavicës, po shpjegoj se çfarë do të thotë të vazhdosh të nënshkruash kontrata ndërtimi për digat e mëdha në Shqipëri dhe konkretisht në Dibër.
    Ajo që vijon janë tri arsye pse duhet t’u themi “jo” digave më të mëdha:
    1. Sot ekzistojnë alternativa më të mira sesa ndërtimi i hidrocentralit të madh të Skavicës dhe duhet të merren parasysh në planifikimin e projektit.
    Përpara se të zgjedhë një burim alternativ energjie, qeveria shqiptare duhet të hartojë një plan strategjik që analizon nevojat për energji dhe mënyrën më të mirë për t’i arritur ato. Në këtë analizë, duhet të merren parasysh të gjitha opsionet. Është shqetësuese që kjo nuk ndodh tashmë.
    Për shembull, në rastin e digës së Skavicës, që mendohet të jetë më e madhja në Shqipëri dhe kështu sjell dëmtime serioze sociale dhe mjedisore, qeveria shqiptare ka vendosur të mos kryejë një vlerësim paraprak të alternativave. Edhe pse ligjet mjedisore ekzistojnë dhe vlerësimi është rekomanduar nga ekspertë të shkencës, gjeologjisë dhe mjedisit. Ky hidrocentral ka më shumë efekte negative sesa përfitime. Qeveria shqiptare nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto rekomandime. Diskutime dhe analiza të mirëfillta janë një standard ndërkombëtar që institucionet e mëdha financiare duhet ta zbatojnë kur investojnë në projekte të këtij lloji.
    Burimet e tjera të energjisë – që vijnë nga era dhe dielli – janë provuar të jenë ekonomikisht konkuruese, mund të ndërtohen më shpejt dhe nuk përkeqësojnë klimën në vend. Sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga era është rritur me shpejtësi vitet e fundit, kjo falë avancimit të teknologjisë, e cila ka ndikuar në uljen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike nga era. Në të njëjtën kohë, prodhimi i energjisë nga era është inkurajuar, pasi rrit përfitimet tatimore shtetërore dhe federale për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend. Shumë kompani private sot ofrojnë opsione të “çmimeve të gjelbra” që u jep mundësi klientëve për të blerë energjinë nga burime të rinovueshme, siç është era. Turbinat me erë nuk ndikojnë në ndotjen e ajrit ose të ujit, sepse nuk digjet karburant për të prodhuar energji elektrike. Janë shqetësuese emetimet e gazit serë në atmosferë, që vjen nga gjenerimi i lëndëve djegëse fosile dhe rritja e emetimit të metanit si rrjedhojë e ndërtimit dhe ekzistencës së hidrocentraleve.
    Energjia diellore që vë në përdorim panelet diellore, vjen nga qendra e diellit dhe çliron energji në formën e rrezeve diellore. Sipas studimeve shkencore, më shumë energji nga dielli bie në tokë në një orë sesa përdoret nga e gjithë bota në një vit. Teknologjia e përdorimit të paneleve diellor shndërrojnë rrezet e diellit në energji të përdorshme për konsumatorët. Procesi i shndërrimit të dritës (fotoneve) në energji elektrike (tension) quhet efekti PV, teknologji e cila përdor fotone të dritës diellore për të goditur silikonin gjysmëpërçues për të prodhuar energji elektrike. Shumë kompani të energjisë elektrike përdorin PV teknologji për të rritur fuqinë e prodhimit të energjisë elektrike. Sistemet e PV konsiderohen si mënyra më e mirë dhe eficente për prodhimin e energjisë së rinovueshme për shkak të disponueshmërisë së bollshme për një kohë të gjatë të energjisë diellore falas (si lëndë e parë) në sipërfaqen e tokës.
    Inovacionet në fushën e teknologjisë, po përqendrohen në mënyre aktive për materialet që kanë një efikasitet të lartë në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, teknologji inverter për konvertimin efikas të rrymës direkte në rrymën alternative, si dhe teknologjinë e baterive për sistemet e ruajtjes së energjisë më sistem PV (panel diellor) në shkallë të gjerë. Promovimi i politikave të sistemit PV (panel diellor) nga qeveria shqiptare, inkurajojnë zhvillimin e tregjeve të PV me potencial të lartë.
    Energjia gjeotermale e baticës dhe e valës janë alternativa, potencialin e të cilave as që e kemi parë.
    Promovimi i digave të mëdha vetëm vonon miratimin e zgjidhjeve të vërteta të energjisë së pastër, për të cilat Shqipëria dhe planeti kanë nevojë në mënyre urgjente. Shqipëria ka sasinë më të madhe dhe burimet më të larmishme të energjisë së rinovueshme në Europë. Burimet e rinovueshme të rajonit mund të sigurojnë pothuajse shtatë herë kapacitetin e instaluar në Europë, duke përjashtuar energjinë hidroelektrike.
    Megjithëse rajoni i Dibrës ka ende një potencial të madh për hidrocentrale të pashfrytëzuara, është e nevojshme të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, duke marrë parasysh kostot dhe përfitimet në krahasim me opsionet e tjera të energjisë. Qeveria duhet të ulet në një tryezë të rrumbullakët me të gjithë palët e interesuara, edhe dibranët, identiteti, historia, kultura dhe shtëpitë e trojet e të cilëve rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Të gjithë palët e interesuara duhet të vendosin nëse ia vlen të vazhdohet të investohet në hidrocentrale, apo nëse është më mirë të zgjedhësh lloje të tjera të energjisë – duke shmangur kështu ndikimet sociale, mjedisore dhe financiare që vijnë nga digat e mëdha.
    2. Digat e mëdha që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore nuk janë fitimprurëse.
    Digat hidroelektrike në shkallë të gjerë kanë pasur – gjatë gjithë historisë së tyre – ndikime negative në grupet e popullsisë vendase, burimet natyrore dhe ekosistemet e tëra, duke çuar më tej rezistencën dhe protestën kundër tyre. Debati mbi digat e mëdha ndërlikohet më tej në vendet si Shqipëria, ku digat e mëdha kërkohen të përdoren si simbole të fuqishme të krenarisë kombëtare dhe nderohen si dëshmi e përparimit të një kombi, apo përkushtimit ndaj modernizimit. Për mua, digat e mëdha janë struktura betoni dhe shkëmbore që prodhojnë energji elektrike duke ruajtur ujin, rrezikojnë fqinjët me përmbytje dhe zhvendosin apo zhdukin komunitetet apo vendbanuesit. Megjithëse qeveria e sheh ndërtimin e digës së madhe së Sakavicës si monument të përparimit, unë e shoh si monument të korrupsionit politik kombëtar e ndërkombëtar, si dhe të pabarazisë sociale.
    Është demonstruar në mënyrë të përsëritur se ndikimet sociale dhe mjedisore të hidrocentraleve janë më të mëdha se sa u menduan fillimisht. Përveç zhvendosjes së detyruar të popullsisë dhe kriminalizimit të atyre që i kundërshtojnë, digat e mëdha përmbytin tokat, zvogëlojnë rrjedhat e lumenjve dhe ndryshojnë ekosistemet e rajoneve fqinje, duke shkatërruar habitatet dhe duke kontribuar në zhdukjen e specieve. E gjithë kjo ndikon në jetën ekonomike, sociale, klimatike dhe mjedisit të komunitetit të Dibrës dhe të komuniteteve përreth, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, që vijnë si rrjedhojë e hidrocentralit të ndërtuar përbri.
    Në aspektin ekonomik kostot aktuale të ndërtimit të digave të mëdha janë shumë të lartë për të dhëne një përfitim pozitiv. Buxhetet dhe afatet kohore të projekteve të mëdha të digave janë vazhdimisht të nënvlerësuara ose kanë një kosto të fshehur që nuk dihet. Mirëmbajta e digave të mëdha, po ashtu kërkon një investim trefish në krahasim me koston që e ndërton.
    Duke pranuar se kostot janë shumë më të mëdha se përfitimet, shumë vende europiane kanë zgjedhur të çmontojnë diga të mëdha. Kompanitë private i kanë hequr tërësisht projektet hidroelektrike, sepse nuk janë as ekonomikisht të qëndrueshme dhe as fitimprurëse. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një politikë për të refuzuar çdo hua, donacion, strategji ose politikë që mbështet ndërtimin e digave të mëdha. Shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e digave ekzistuese.
    Që nga viti 1990, në SHBA janë çmontuar mbi 1700 diga të mëdha. Sipas Komisionit Botëror rë Digave (The World Commission on Dams) 1) një digë quhet e madhe kur lartësia e saj është mbi 15 metra mbi themelin ose rezervuari i saj është më shumë se 3 milionë metër kub. Vetëm heqja e katër digave në lumin Klamath në Kaliforni do të kushtojë 450 milionë dollarë, afërsisht sa shuma që planifikohet të ndërtohet Skavica.
    3. Digat e mëdha kontribuojnë në ndryshimet klimatike.
    Ndryshimet klimatike duhet të merren parasysh kur diskutohet rëndësia e hidrocentralit. Rezervuarët gjenerojnë sasi të konsiderueshme (1.3% nga njerëzimi) të efektit serë, veçanërisht metanin, i cili është 30 herë më efektiv në kapjen e nxehtësisë sesa dioksidi i karbonit. Po kështu, ndërtimi i digave rrezikon shtime të vlefshme të sasisë së karbonit. Për këtë arsye, duhet të bëhet një analizë e duhur e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe metanit, përpara se të zgjidhet një projekt dige – një proces që zakonisht nuk ndodh.
    Një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh është që ndërtimi i digave të mëdha kontribuon në ndryshime klimatike të pakthyera. Reshjet ekstreme rritin sedimentimin, i cili mund të shkaktojë probleme strukturore dhe të zvogëlojë jetëgjatësinë e digës. Thatësirat, tani gjithnjë e më të shpeshta, mund t’i bëjnë digat joefikase.
    Akoma më serioze është kërcënimi i digave të mëdha në rastet e motit ekstrem. Ne duhet të rimendojmë se si do të trajtohen evakuimet masive kur shirat e dendur kërcënojnë një shembje dige dhe përmbytje të pashmangshme. Keqmenaxhimi i mundshëm i digave të mëdha, si diga e Skavicës, mund të shkaktojë përmbytje të paprecedentë. Për këtë arsye, ndërtimi i një dige të madhe si diga e Skavicës në Dibër, rrit rrezikun e tejmbushjes, shembjes së digës dhe duhet njohur si një problem serioz. Me kalimin e kohës, diga e madhe si Skavicës mund do të fillojë të përkeqësohet dhe do të kërkojë investime të mëdha për të mbrojtur komunitetet që jetojnë në rrjedhën e poshtme.
    Shqiptarët në New York, kanë hartuar një peticion, ku bëjnë thirrje institucioneve financiare në Shqipëri të mbështesin ndryshimin që ne, si qark i Dibrës, kemi nevojë. Ne u bëjmë thirrje atyre të ndalojnë investimin në diga të mëdha, të cilat janë demonstruar herë pas here se janë të rrezikshme për mjedisin dhe komunitetet lokale, të kushtueshme për vendet dhe të papërshtatshme për klimën tonë, që po ndryshon me shpejtësi, si dhe një vend i paqëndrueshëm nga ana e tërmeteve sizmike.
    Është koha për një plan më të mirë energjie. Dhe është koha për të investuar në energjinë e rinovueshme, jokonvencionale, bazuar në vlerësime të plota, të pavarura dhe me cilësi të lartë të ndikimit social dhe mjedisor, planifikimi dhe zbatimi i të cilave respekton të drejtat e njeriut.

  • Skavica, me c’kemi marre vesh, jo aq nga shtypi, se gazetaret shqiptare servile e frikacake nuk flasin shume, por nga njerezit e thjeshte: Skavica i eshte dhene tashme amerikanve nga Edi Rama personalisht; jo me kot fluturoi nga gezimi para shume muajsh shoqja Kim dhe jo me kot u be nga zedhense e ambasades ne ambasadore dhe jo me kot amerikanet mbeshtesin drogaxhiun tone, te gjatin!
    Ne zonen e Skavices jane bere vetem pak germime arkeologjike; kane qene ne plan te beheshin me shume, por ndrroi sistemi dhe gjithshka mbeti ne dore te hajnave.
    Pervec kesaj, ajo zone dhe pak me ne jug, rezulton nga matjet satelitore si nje zone me shilacione gjeo-magnjetike. Nuk dihet perse dhe qysh!
    Nejse, ndertimi i HEC-ve me kete lloj ritmi dhe pa mendimin e specialisteve nuk duket i mire per vendin dhe brezat e ardhem!

  • Rama,ashtu si Berisha para tij po e shesiun Shqiperine pe te mbajtur pushtetin!
    ama cdo gje qe ndertohet ketu nuk pyet njeri,por niset vetem nga kerkesat dhge ofertat e mafies nderkombetare duke pare interesat e tij personale!
    Kjo ndodh se ketu pushtetet NUK JANE TE NDARA dhe vendos ai qe eshte ne krye,qe SUNDON,pra Rama!
    Kjo nuk eshte demokraci,por DIKTATURE!

  • Mjerimi ,ne po shesim hapesira ku ka vetem pleq dhe egersira..Kur te vdesin pleqte mbeten vetem egersira.Nuk ma mer mendja qe ju te shkoni te jetoni atje.Ligji mbi grabitjen e prones private per int eresa publike na ben qe ty te te hipim ne satelit dhe te vertitim ne hapesire.

  • Alice Taylor is a perfect lier. She didnt knew nothing about this project until Ive told her that. Ive send her all the info. The HPPs are not in protected areas The concession was redefined in 2017 and the 3 HPPs contemplated in the original concession signed in 2009 were eliminated. The press level of this country is a shame. You can confirm my statements on Twitter if this pathetic journalist dont delete them….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *