Selman Pazaj dhe tradita e gdhendjes në gur e në dru

Ornela

Nga Kastriot Rexhepi*

 Ashtu si në krahina të tjera të Shqipërisë, në Pukë, Tropojë, Skrapar, Korçë, Përmet e Gjirokastër, edhe në Labëri, tradita e gdhendjes në dru dhe në gur është praktikuar nga mjaft mjeshtër popullorë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre, në jetën tradicionale të banorëve të saj.

Mjeshtër të tillë popullorë të gdhendjes në gur e në dru në Labëri, gjatë shekullit XX, si: Laze Limaj, Jakup Gjikondi, Xhelal Ribaj në Vranisht të Vlorës, Laze Kiça e Adem Xhaka në Tërbaç, Lefter Mërkuri në Pilur, Shuaip Sako e Selim Hasani në Brataj, Laze Micoli në Bolenë, Kalo Telhai, (Alimuçaj) në Vërmik, Tartar Zeka në Kuç, Adif Abazi në Lekaj, Shako Hoxha në Smokthinë, me talentin dhe fantazinë e tyre krijuese, kanë gdhendur nëpër kohë, mjaft objekte të përdorimit shtëpiak si: çeturë, vedra, lugë, dybekë, djepe, sofra, argali, furka për tjerrje, instrumente popullore si: cule dyjare e fyej, kërraba, çibukë, të cilat i zbukuronin edhe me ornamente e figura floreale e gjeometrike.

Në këtë traditë të mrekullueshme të gdhendjes së drurit dhe të gurit, zënë vend edhe ndërtimet fshatare, shtëpitë e banimit, stanet, urat, kanalet ujitëse, mullinjtë e blojës, çezmat dhe krojet e vendbanimeve. Ndërtimi i shtëpive tip kulle me fortifikime, si ajo e Cane Miftarit në Bashaj, Lulo Abazit në Tërbaç, Dudë Sinanajt në Gumenicë, Zenel Gjolekës në Kuç, Dervish Aliut në Dukat, apo kullat e Vretajve, Kasneceve apo Vlashajve gjatë Bregut të Detit, dëshmojnë për artin e ndërtimit dhe gdhendjes gurë nga mjeshtrit vendas të Labërisë.

Kastriot Rexhepi

Në Lumin e Vlorës është mjaft e njohur edhe mjeshtëria e ndërtimeve të Islam Begës në fshatin Vranisht. Në shek. XVIII-XIX, ai ishte një nga ndihmësit e arkitektit Petro Korçari në Pashallëkun e Janinës. Gjurmët e artit të tij të ndërtimeve u shfaqën në ndërtimin e urave, kalave e kullave të banimit në Janinë, Sul, Pargë, Këlcyrë, Tepelenë, kalanë e Porto Palermos e të Dukatit, urën e Leklit mbi Vjosë, e gjetkë. Një nga veprat e tij arkitekturore është edhe ujësjellësi i Vranishtit, me anën e të cilit ai vuri nën ujë tokat bujqësore të Kallaratit, Vranishtit, Horës e Buzujkut të Tërbaçit.

Në këtë traditë të mrekullueshme të gdhendjes në gur e në dru, u frymëzua edhe mjeshtri Selman Pazaj. Duke shfrytëzuar drurin e panjës e të bushit, ai ka gdhendur lugë druri, djepe, furka, çibukë, bastunë, sofra, por edhe instrumente muzikore popullore si fyej e dyjare.

Qysh në rininë e tij, Selman Pazaj, u rropat në shpatet dhe pllajat e malit të Bogonicës në fshatin Vranisht. Gjyshi i tij, Haxhi Pazaj, dhe vëllazëria, në pllajat e malit kishin ngritur stanet, ku ai kulloste bagëtinë. Qysh atje, ai kundronte Luginën e Mesaplikut, malin e Çipinit, Çikën e Tërbaçit, por edhe hapësirat pa fund të detit Jon, ku ngriheshin fshatrat e Bregut të Detit si pulëbardha në fluturim.

Duke kullotur bagëtinë, ai zgjidhte drurin e panjës e të bushit dhe dalëngadalë, duke i rënë melodive të fyellit a dyjares, gdhendte me një durim të çuditshëm orendi shtëpiake, herë-herë duke i zbukuruar edhe me figurën e thëllëzave, sorkadhes, yllit, hënës, me zogj e lule që i shikonte në natyrën e blertë. Ornamentet e zbukurimit në dru, buronin nga shpirti i tij artistik, për t’u dhënë objekteve një pamje estetike.

Në vendlindjen e tij në Vranisht, ai kishte parë e njohur edhe mjeshtër të tjerë të gdhendjes në dru e në gur si: Zenel Lloin dhe vëllazërinë e tij, por edhe Laze Limaj, Jakup Gjikondi, Xhelal Ribaj, pranë të cilëve kishte përfituar zanatin e gdhendjes për objekte të ndryshme familjare.

Kjo traditë popullore jo vetëm në Vranisht, por edhe në fshatrat e tjera të Labërisë në shekujt e fundit ka qenë e gjallë dhe praktikohej në ndërtimin e staneve, shtëpive, krojeve, urave që lidhnin vendbanimet, por edhe në enët e gatimit dhe veglat e thurjes së fustanellave, xhubletave, tirqeve, sixhadeve, velenxave, prokofëve, gunave, sherqeve, si dhe opingave me lëkurë lope e bualli.

Poeti popullor, “Mjeshtri i Madh”, Muhamet Tartari, duke portretizuar mjeshtrin Selman Pazaj na thotë se: “Selman Pazaj ka krijuar një botë më vete artistike me gdhendjet në dru dhe në gur, një pjesë e të cilave janë në muze etnografike, një pjesë në shtëpitë e labëve, por mjaft prej tyre kanë shtegtuar edhe në Tiranë, Vjenë, Selanik, Athinë e vende të tjera të Evropës”.

Nuk ishte veç 17-18 vjeç, kur Selman Pazaj u miqësua edhe me gurin e bardhë të Vranishtit. Fillimisht gdhendi një oxhak, pastaj një portë me harqe për oborrin e shtëpitë, objekte për të ndenjur barinjtë në stane, shtrungën e bagëtisë dhe dalëngadalë nisi të skaliste edhe fyej e cule guri. Kur i dëgjonin barinjtë dhe bashkëmoshatarët meloditë e mrekullueshme që ai krijonte “Dhentë në kullotë”, “Bagëtia pinë ujë”, “Vjeshtë në stane”, “Në shtegtim”, apo “Avaze pranverore”, mbeteshin të mahnitur nga ekzekutimi i melodive.

Selman Pazaj ishte edhe një nga këngëtarët e njohur të polifonisë labe. Së bashku me këngëtarë e valltarë të Vranishtit si: Hetem Shkurti, Arap Çeloleskaj, Zihni Janushi, Jazo Hibri, Lesko Çeloleskaj, Cane Menoj, e mjaft të tjerë, ata e pasuruan më tej traditën folklorike të këtij fshati, duke e nxjerrë atë nga kuadri i ngushtë i vendlindjes, në Vlorë, Himarë, Tiranë, si dhe Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Sa herë hyn në bisedë me Selman Pazaj për traditat, zakonet dhe këngën polifonike, ai kujton me mall këshillat e gjyshit të tij, rapsodit të famshëm të këngës labe, Mato Hasani nga Brataj. Dhe thotë: “Gjyshi im nga nëna, Mato Hasani, ishte fjalë urtë, por kur e shikoja në vallet e kënduara me shokët e tij edhe mua më gurgullonte gryka, e pasoja këngën e tij qysh në fëmijëri. Ishin këngë me një traditë të hershme, me harmoni e me karakter burrëror, në to përkundeshin ngjarje, bëma, trimëri dhe luftëtarë të gdhendur me vargje që të mbeteshin në mendje…”.

Jeta stanore, polifonia labe dhe gdhendjet në dru e në gurë, gatuan një shpirt artisti te Selman Pazaj, të cilin e adhuronin edhe labë të tjerë. Jo rastësisht, në Labëri Selman Pazajn e quajnë “portret i gdhendur në gur”. Ai u dashurua me gurin, duke e nxjerrë dhe punuar me daltë e çekiç në shpatet e malit të Bogonicës. Ai ia di mirë rrembat e gurit të Bardhë dhe, pasi e siguron lëndën e parë në stane apo në shtëpi, me një durim të çuditshëm prodhon objekte të zbukuruara. Mjeshtëria e gdhendjes së gurit, ka bërë të mundur që ai të nxjerrë nga duart e tij edhe cule dyjare, një instrument muzikor popullor ky, që me tingujt e veta, lëshon melodi e avaze, në koncerte e festivale folklorike, në Labëri, Vlorë e gjetkë.

Valltari i famshëm popullor, Arap Çeloleska, duke interpretuar me virtuozitet vallen e burrave të Vranishtit në skenën e Festivalit të fundit të Gjirokastrës, kur u shfaq me culen dyjare të gurit, të krijuar nga Selman Pazaj, u mblodhën rreth tij mjaft këngëtarë, valltarë, kompozitorë e folkloristë, të cilët shprehën çudi, për melodinë brilante që ajo lëshonte tërë harmoni në hapësirat e kalasë së Argjiros.

Për mjeshtrin e gdhendjes në dru e në gur, kanë folur e shkruar mjaft etnologë, muzikantë, specialistë të folklorit, si: Haxhi Dalipi, Muhamet Tartari, Lefter Çipa, Bardhosh Gaçe, Fitim Çaushi, Afërdita Onuzi, Albert Abazi, të cilët, duke parë talentin dhe shpirtin e tij krijues, e kanë quajtur “mjeshtër i rrallë i gdhendjes në dru e në gur”, i cili edhe pse është 85 vjeç, i flet kohës dhe njerëzve me artin e tij të mahnitshëm.

Në një shkrim të Prof. dr. Bardhosh Gaçes, mbi individualitetin krijues të Selman Pazajt, ai me të drejtë konkludon, se ai “ka një përvojë dhe një profil të njohur jo vetëm në Vranisht, por në të gjithë Labërinë në punën mjeshtërore të gdhendjes së drurit dhe të gurit, duke i dhënë atyre forma artistike në jetësimin e tyre, me anën e pamjeve që ai gdhend, deri në një lloj muzikaliteti, që arti i gdhendjes arrin të krijojë nga duart e tij…”.

Në zhvillimet e sotme ekonomike dhe turistike të vendit tonë, krahas pasurive natyrore e brigjeve detare, kanë zënë vend të nderuar edhe polifonia shqiptare, si pasuri e mbarënjerëzores, por edhe mjeshtëria e gdhendjes në dru e në gur, ku mjeshtër të tillë virtuozë si Selman Pazaj, pasurojnë më tej këtë pasuri të çmuar të etnokulturës sonë.

*Emigrant – Londër

 

Share This Article
1 Comment
  • Personalisht nuk e njoh autorin e shkrimit, por dua ta pergezoj publikisht. Ai pershkruan realisht portretin e Selman Pazaj, ketij artisti te rralle te Vranishtit, qw vazhdon ta beje gurin të “këndojë”. Jo vetem kaq. Por autori plugon thelle edhe ne traditen historike te ketij arti ne Vranisht dhe ne fshatrat rreth e qark, duke skalitur emra konkrete, qe i bejne nder kultures kombetare. Me ka ardhur shume keq kur nje nga punet më me ndjenje te Selmanit, vendosur te cezma te “rrapi i xhamise” u thye nga vandalet qe i verbon arti i vecante dhe e bukura. Te gjitha veprat e Selmanit jane te perkryera, por ajo qe eshte mbi te tera, padyshim
    qw do te mbetet cula dyjare ne gur. Ajo do te vazhdoje te percjelle tingujt melodiozë, per t’u deshmuar brezave te ardhshem se arti i vertete buron nga ndjenjat e njerzeve qw dalin nga gjiri i popullit dhe i dhurojne atij kenaqesi te vecante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *