- Vdes në puthjen tënde
Unë vdes në puthjen tënde,
po puthjes nuk i druhem,
se jam një flakëz hëne,
venitem-por nuk shuhem.
- Mos më pyet!
Mos më pyet: “Pse,
pse rri i mërzitur,
dhe kaq i vetmuar,
si qiri i fikur?!”
S’më mban dot-o zemër,
se jam për të ikur,
ka ardhur një engjëll,
për të më kositur.
Një qefin të zi,
më ka porositur!
- Pas “Lamtumirës”
Dikur kur shkrova: “Lamtumirë!”,
pyeta veten: “Pse u ngute?”,
se përveç vdekjes s’ka në botë,
asgjë më tepër absolute.
Gjithmonë me vete kam menduar,
ajo që shkoi-iku-u prish,
por edhe çasti i kaluar,
plot me shkëlqim kthehet sërish.
Se jeta s’paska vetëm renga,
nuk është veç helm e pelin,
se vjen një ditë e shuhet brenga,
papritur syri merr shkëlqim.
Kaluan nuk e di sa vite,
dhe zjarri i parë m’u ndez sërish,
në qiellin tim ti m’u përndrite,
si një dhuratë perëndish.
Me dhimbje shtymë shumë mote,
as unë-as ti nuk kishim vdekur,
në zemrën time ndjenja jote,
ç’më kish mbetur e paprekur.
Nga gjumi letargjik u zgjova,
sa kisha fjetur-nuk e di,
të falem-Zot-që e takova,
sërish të parën dashuri.
- Gjendet e vërteta
Këndova nga zemra,
në një shkretëtirë,
dhe fjala-dhe kënga,
m’u bënë xhevahirë.
Këndova gjithë jeta,
këputa zinxhirë,
gjendet e vërteta,
dhe në shkretëtirë.
- Mbi një zjarr të tretur
Kur shuhet një zjarr,
mbetet një dorë hi,
kur shuhet një zjarr,
dhe një dashuri.
Mbi një zjarr të tretur,
mos u lodh më kot,
se hiri i mbetur,
zjarr nuk bëhet dot.
- Pa titull
Shpirti i Njeriut u tha,
s’harrin dot as kafshërinë,
ujku-ujkun nuk e ha,
njeriu e vret njerinë!
A. DUKA
8 Maj, 2016

APOLOGJIA E DOKTORIT DHE PUTHJA E LUL-JUDËS
Të dashur demokratë të PD sime,
në 8 janar te SHQUPi selia jonë,
Lul Brava bashkë me narkoshtetin,
kujtuan se na zbuan përgjithmonë.
Ju kopanisën me dru banditët,
hodhën dhe gaz për t’na helmuar,
përdorën dhe shkumë fikse zjarri,
rrinin si friksa në zyrën e blinduar.
Mu duk vetja si Krishti i tradhëtuar,
kur policinë kishin telefonuar,
mungonte vetëm puthja e Lul-Judës,
e pastaj në qeli të kisha përfunduar.
Ne nuk ramë pre e provokimit,
ishte paqësore protesta e bekuar,
me gurë i thyem xhamat e dritareve,
me vare do rrëzonim derën e blinduar.
Ne do rikthehemi përsëri te selia,
por më të fortë dhe të organizuar,
s’është çështje ndërtese e karrikesh,
por simboli për të na përfaqësuar.
Parti tjetër nuk krijojmë dot,
s’duhet ta përçajmë PD tonë,
patjetër duhet të jemi të bashkuar,
kundër Ramës të gjithë në unison.
Për propagandë mos u mërzisni,
te Syri i Zenit kemi Pim Çekën,
do çensurojmë opinionet kundra,
çensurojmë kë na thotë të vërtetën!
Që kur iku dhe Ben Blushi nga Topi,
shumëçka duket se ka ndryshuar,
Armina atje mund të fillojë moderatore,
i doli tashmë fati dhe shansi i munguar!
Do thoni ju që fëmijët tanë çajnë kudo,
e ne pasurohemi në pangopësi,
ndërkohë që ju ngelët duke emigruar,
s’keni as punë këtu e as shtëpi.
Pikërisht për këtë dua prapë partinë,
e të vij përsëri trumfues në pushtet,
do punoj shumë fort për Shqipërinë,
që Rama kurrë mos të bëhet mbret.
S’mund ta lëmë Lulin dhe kunatin,
portin Durrësit ta vjedhin me Ramën,
të paktën ta ndajnë më tresh me mua,
përndryshe narkoshteti do ndjejë dramën!
Le t’ja tregojmë vendin Amerikës,
që këtu s’pranojmë guvernator,
burrë shteti më quajtën në 21 janar,
s’jam minues demokracie, por paqësor!
Po erdha unë në pushtet do shikoni,
se si do lulëzojë ekonomia,
duke mbjellur pemë ulliri dhe arorë,
n’tokë bujqësore, kodra apo te shtëpia.
Do t’i ringremë universitetet private,
do bëheni t’gjithë intelektualë e doktorë,
do i merrni provimet dhe me klering,
e pse jo pa hapur fare librat me dorë.
Le të ngrihemi edhe njëherë në këmbë,
ta përmbysim këtë narko- qeveri,
le ta shporrim dhe Lul bravën pengun,
të sundojë familja ime, në pushtet të rri.