Kriza energjetike dhe “Trekëndëshi i Bermudës”

J L

Miltiadh Mata*

 

Aktualisht bota është duke përjetuar përballjen e ashpër midis pamjaftueshmërisë së burimeve  energjetike dhe rritjes se ritmeve të zhvillimit ekonomik. Tapeti mbi të cilin zhvillohet ky dyluftim është Mbrojtja e Mjedisit ndërsa arbitër është Ekologjia Sociale.  Pra nëse do të shpreheshim në mënyrë figurative me terma politik,  koalicioni energji  dhe zhvillim, si opozitë të saj ka mjedisin.

Kohet e fundit ne zhvillimet aktuale politike është përdorur shumë i ashtuquajturi “Trekëndëshi i Bermudës” si instrument i një retorike banale të aktorëve të politikes shqiptare, por trekëndëshi i vërtetë i Bermudës në të cilin do të varen dhe vetë politikanët, është ruajtja e ekuilibrit trigonal, këndet e të cilit janë Energjia, Zhvillimi dhe Mjedisi. Nëse ky ekuilibër jetik shpërdorohet, natyra do të gjenerojë cuname, rrufe, tërmete, të cilat shkatërrojnë themelet e godinës njerëzore. Por cila është status quo-ja e këtij ekuilibri dhe projeksioni i tij në të ardhmen? Referuar intensitetit në kohe dhe hapësirë të fenomeneve të fatkeqësive natyrore në pese dekadat e fundit, duket qarte që ky ekuilibër është përkeqësuar nga ndërhyrja vrastare që i është bërë natyrës në kuadrin e zhvillimit. Për pasoj, sot dhe ne vazhdimësi,  ajo po godet  njerëzimin, si ndëshkim për krimet mjedisore dhe vetëmbrojtje për habitatet e saj  Në këto kushte në aspektin rajonal dhe me gjerë Bashkimi Evropian është politik bërësi dhe përgjegjësi kryesor për të realizuar një zhvillim me sa më pak impakte mjedisore si dhe për të përmirësuar situatën alarmante të krijuar nga ndotjet e mëparshme. Nëse do t’i referohemi institucioneve politikë-bërëse të B.E. në fushën e mjedisit në këto tre dekadat e fundit, ato kanë vendosur objektiva shumë ambicioze në samitet periodik kushtuar burimeve energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit.

Konkretisht sipas Traktatit te Lisbonës në vitin 2009 si element strategjik me përparësi veprimi për Unionin Evropian, ishte hartimi dhe zbatimi i politikave komunitare për energjinë si element bazë për realizimin e lëvizjes së lirë të katër elementeve themelor që do të garantojnë zhvillim demokratik dhe të qëndrueshëm, siç janë njerëzit ,kapitalet ,teknologjia dhe financat. Për konkretizimin e kësaj politike u hartua objektivi “ Energjia dhe ndryshimet klimatike deri në vitin 2020 sipas formulës 20-20-20. Kjo do të thotë që, në vitin 2020 do të kishim reduktim 20% të shkarkimit të gazrave serë, që në bilancin energjetik do të kishim 20% të burimeve energjetike të rinovueshme dhe që do te rritej 20% efikasiteti energjetik. Gjithashtu në vijim të kësaj politike, Këshilli Evropian hartoi dhe miratoi paketën e katërt “Energjia dhe Klima” ku vihej theksi për përshpejtimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike dhe gazit brenda këtij unioni. Me gjithë përpjekjet e bëra deri tani misioni i këtij tregu nuk ka funksionuar, pasi vetë unioni nuk po inicion politika të fuqishme solidariteti dhe kohezioni. Pikërisht kjo është dhe gozhda e nxehtë e cila përvëlon direktivat e BE-se, nga pamundësia për të hartuar dhe zbatuar politika komunitare energjetike, si pasojë e divergjencave që ka brenda vendeve anëtare, të cilat edhe sot buqetat e bilancit energjetik i ndërtojnë në mënyrë pragmatiste, duke mbrojtur interesat e tyre sipas konjukturës dhe rrethanave. Ky qëndrim e bën të brishtë dhe shumë të ekspozuar BE-në raport me furnizuesit strategjik sidomos Rusinë, nga e cila plotëson gati 42% të nevojave te saj për gaz ndërkohë që rreth 55% të nevojave energjetike ajo i plotëson nga tregu i jashtëm. Nëse do të hedhim një vështrim në zbatimin e direktivave afatmesme në ketë fushë, konstatohet lehtë fakti që ato janë te mbivendosura kronologjikisht në marrëdhënie me njëra-tjetrën, pasi ritmi i zbatimit tyre në kohë ka qenë i kompromentuar rast pas rasti dhe i neglizhuar. Në samitin e fundit të BE-së (dhjetor 2019) u shpall Projekti i madh shume ambicioz për një kontinent neutral për klimën që mban emrin “Marrëveshja e Gjelbër”, nëpërmjet së cilës synohet që Evropa të jetë kontinenti i parë neutral për klimën në botë, deri në vitin 2050.

Lidhur me koston e ndryshimit të jetës në Evropë në favor të klimës, Komisioni Evropian projektoi krijimin e një fondi kalimtar prej 100 miliardë eurosh. Miratimi i direktivave në ketë samit, u shoqërua me debate dhe mosbesim sidomos në drejtim të sigurimit të fondeve financiare dhe përmirësimit cilësor të burimeve energjetike, nga vendet lindore si Polonia, Hungaria, Çekia, Rumania, Bullgaria etj. Kjo tregon edhe njëherë sa shumë e ekspozuar është Evropa ndaj krizës energjetike globale e cila ka marrë përmasa kërcënuese në kuadrin e riaktivizimit të ekonomisë botërore sidomos asaj kineze gjatë periudhës së pandemisë dhe në vazhdim. Kjo krize do të komprometojë dhe më tej direktivat për rritjen e burimeve të pastra energjetike dhe zvogëlimin e shkarkimit të gazrave serë, duke rritur dominancën e burimeve fosile të cilat janë ndotës të mëdhenj mjedisor dhe mbi të gjitha dis-ekujlibrues të bilancit energjetik botëror, pasi janë energji të pa rikthyeshme. Goditja e habitatit njerëzor nga pandemia kovidjane zbuloi mungesën e imunitetit dhe “rritjen e temperaturës” së ekonomisë globale (që shprehet me rritjen e çmimeve dhe frenimin e zhvillimit) për efekt të krizës energjetike. Gjithashtu ajo paralajmëroi faktin që periudha post-kovidjane do të jetë afatgjate dhe me shumë kosto për të mjekuar “Pandeminë Energjetike”.

Zgjidhjet afatgjate dhe të integruara në kuadrin e Unionit Evropian janë ende silueta të pa deshifruara në horizontin kohor. Aktualisht buqeta e bilancit energjetik është shumë e fragmentarizuar duke filluar nga  Polonia që është duke e shtuar përdorimin e thëngjillit si burim energjetik, deri tek Çekia apo Franca etj. që kërkojnë rivlerësimin e prodhimit te energjisë elektrike nga centralet bërthamor si energji e pastër, për të hequr kufizimet ndaj saj. Ne zgjidhjet strategjike dhe tepër afatgjata në kuadrin e projekteve rajonale Shqipëria mund të jetë partnere dhe në fushën e energjisë bërthamore, pasi bota shkencore po orienton të gjithë potencialet e saj drejt  rritjes shkalles së sigurisë dhe zvogëlimit të kostove fillestare të centraleve bërthamor. Pra projeksionet dhe aksionet anti-krizë në fushën e energjisë “për pasnesër” Shqipëria duhet ti shikojë dhe realizojë në kuadrin e BE-së, ndërkohe që aktualisht ajo duhet ti dalë zot vetes për zgjidhjen e krizës imediate “për sot”  dhe nevojave afatmesme “për nesër”. Kapërcimi i kësaj situate në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme kërkon një rivlerësim të bilancit energjetik si dhe të potencialeve reale të burimeve energjetike të vendit tonë. Gjithashtu krahas rritjes së potencialeve gjeneruese, si mjekim për gjendjen aktuale duhet të shërbej rritja e koeficientit të efikasitetit që nga gjenerimi transmetimi deri tek konsumi i saj. Orientimi aktual drejt energjisë së pastër të paneleve diellor dhe asaj eolike, i shërben zhvillimit, duke ruajtur ekuilibrin trigonal të “Trekëndëshit të Bermudës”. Por fatkeqësisht këto burime energjetike janë ende minore në bilancin energjetik të vendit tonë. Ne aktualisht kemi një dominim total të prodhimit të energjisë elektrike nga energjia e rinovueshme ujore, e cila sikurse dihet ka vartësi të konsiderueshme nga periodiciteti dhe kapriçiot meteorologjike. Kriza aktuale periodike në vendin tone krahas krizës globale energjetike, ka nevojë jo thjesht për rritjen e kapaciteteve gjeneruese por dhe ndërtimin e një strukture rregullatore sikurse është ruajtja dhe riciklimi i potencialeve ujore me tendence shtrirje gjithëvjetore. Ketë mision rregullator mund ta kryej shume mirë ndërtimi i hidrocentralit te Sakavicës, i cili mund të konsiderohet si vaksina e parë për frenimin e “pandemisë energjetike”. Kjo vaksinë duhet të shoqërohet me dozën e dytë, e cila në gjykimin tonë do të ishte vënia në pune e TEC-it të Vlorës, që aktualisht është shndërruar në një varrezë hekurash që përpiu rreth 80 milion euro nga taksapaguesit shqiptare. Ky tec i projektuar dhe ndërtuar keq, si dikur “Traktori i pare shqiptar” ka nevojë të rikonstruktohet për të përdorur si lëndë djegëse gazin natyror dhe jo gazoilin, gjë e cila favorizohet nga funksionimi i projektit TAP në vendin tonë. Pozicioni gjeografik i këtij teci, krahas rritjes së kapaciteteve gjeneruese, shërben dhe si rregullator për zvogëlimin e humbjeve në rrjet, pra rrit koeficientin e efikasitetit energjetik.  Për sa i përket vetë projektit TAP ai aktualisht i shërben  zgjidhjeve gjeostrategjike në rajon, por jo nevojave imediate te vendit tonë, ai eshte potencial i fuqishëm për skenarët e “pasnesërm” të cilët i përkasin zgjidhjeve të integruara edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian .

 

*Ekspert pranë Agjencisë Kombëtare Bërthamore

 

Share This Article
1 Comment
  • Z. Mata faleminderit qe sillni ne vemendje te lexueseve tematiken e energjitikes. Aktualisht ajo eshte nje nga tematikat me te rendesishme social-ekonomike per shoqerine njerezore ne planin lokal dhe ate boteror.

    Ju jepni nje informacion mjaft te sintetizuar dhe te kuptueshem mbi zhvillimet strategjike enrgjitike dhe masat afatgjata te organizmave vendimmarrese europiane ne kete fushe.

    Megjithate trajtimi juaj i lidhjes dhe pasojat e ketyre zhvillimeve me situaten dhe perspektiven energjitike ne Shqiperi duket se nuk eshte ai qe pritet nga nje ekspert i energjitikes. Me poshte disa nga pikepyetjet e mia:

    1- Ju flisni per rritje çmimi per shkak te tranzicionit nga energjia tradicionale (fosile) ne “green energy” por nuk jepni afersisht sa % do te jete ky ndryshim (dhe sa % ne rritjen totale te kostos se jetes ne pergjithesi) .

    2- Megjithese ju sugjeroni nje ballancim te burimeve hidroenergjitike (nga kapricot e rreshjeve vjetore) perseri ju propozoni si “vaksine imediate” ndertimin e nje tjeter hidrocentrali (Sakavices)?
    3- Agjensia e Energjitikes (emer pompoz “berthamore” per Shqiperine ku nuk ka asgje berthamore !!!!), ku ju punoni, a ka paraqitur ndonje studim te qeveria nese te njejten sasi energjie mund ta siguroni me energji diellore (Solar Energy) apo energji eolike (Wind Energy) qe jane me te pavarura nga kapricot e motit ne Shqiperi?

    4- Ne vazhdim, meqenese ne Europe Solar dhe Wind Energy japin kontribut te rendesishem, a ka filluar te aplikohen keto dy burime energjie ne Shqiperi? Nisur nga pozita gjeografike dhe topografia, keto dy burime energjitike qe jane “green” duhet te jene rentable ne vendin tone.
    5- Kush eshte opinioni shkencor dhe zyrtar i specialisteve te energjitikes ne kete drejtim; per sa kohe behet dhe sa kushton zevendesimi i energjise fosile ne Shqiperi me dy burimet e mesiperme? Ç’fare roli pozitiv luan ne kete drejtim nje agjensi energjitike qe te informoje (dhe imponoje me fakte dhe autoritet) qeverine te hedhe fonde ne kete fushe,
    me mire se sa te hidhen per TEC me teknollogji te vjeteruar (pa marre ketu parasysh korrupsionin e qeverive tip “banana republic”)

    Shpresoj se komenti im do mirepritet nga specialistet nga specialistet e energjitikes dhe mbeshtetesit e Green Energy ne vendin tone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *