Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur një aktakuzë ndaj ish-ministrit për Punët e Jashtme, Skënder Hyseni, në të cilin akuzohet se nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë. Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara dhe nuk ka deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skwnder Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
I pyetur nga Betimi për Drejtësi, Hyseni tha se është plotësisht i pafajshëm.
“Po jam në dijeni dhe është e paqëndrueshme. Po është një lëshim teknik dhe asgjë më tepër. Vetura ka qenë duke u përdorur nga djali im dhe ka qenë thjesht lëshim teknik, janë bërë shpjegimet e duhura. Natyrisht, jam në pritje të ftesës për seancë. Jam tërësisht i pafajshëm,” tha Hyseni.
a.m/dita

Paditet per 13000 euro ? Po ne shqiperi si gjyqtar si deputete kane makina nga 80 mije euro pa deklaruar dhe asnje s eshte proceduar