Pasaportat më të fuqishme dhe më të “këqija” në botë për vitin 2022 sipas Henley & Partners

Amelda Amelda

Ekziston një hendek në rritje midis veriut global dhe jugut global kur bëhet fjalë për liritë e udhëtimit, thotë raporti i parë i vitit 2022 nga firma këshilluese globale për qytetarinë dhe vendbanimin me qendër në Londër, Henley & Partners.

Indeksi i pasaportave Henley, bazuar në të dhënat ekskluzive të ofruara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), ka monitoruar rregullisht pasaportat më të përshtatshme për udhëtime në botë që nga viti 2006.

Sipas kësaj firme, rritja e barrierave të udhëtimit që janë futur gjatë rrjedhës së pandemisë Covid kanë rezultuar në hendekun më të madh global të lëvizshmërisë në historinë 16-vjeçare të indeksit.

Indeksi nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme, kështu që duke lënë mënjanë aksesin aktual të udhëtimit, mbajtësit e pasaportave në krye të renditjes — Japonia dhe Singapori — janë në gjendje, teorikisht, të udhëtojnë pa viza në 192 destinacione.

Europa dominon

Më poshtë në top 10, renditja mbetet praktikisht e pandryshuar ndërsa hyjmë në tremujorin e parë të 2022. Koreja e Jugut është e barabartë me Gjermaninë në vendin e dytë dhe Finlanda, Italia, Luksemburgu dhe Spanja janë të gjitha së bashku në vendin e tretë.

Vendet e BE-së dominojnë në krye të listës si zakonisht, me Francën, Holandën dhe Suedinë që ngjiten nga një vend për t’iu bashkuar Austrisë dhe Danimarkës në vendin e katërt.

Irlanda dhe Portugalia janë në vendin e pestë.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat mbanin vendin e parë së bashku në vitin 2014, kanë rifituar pak terren. Ata janë ngritur një renditje në vendin e gjashtë, së bashku me katër kombe të tjera me një histori izolacioni ose neutraliteti: Zvicra, Norvegjia, Belgjika dhe Zelanda e Re.

Në numrin 7 kemi Australinë, Kanadanë, Çekinë, Greqinë dhe Maltën. Vendet e Evropës Lindore përbëjnë pjesën tjetër të 10-shes së parë.

Hungaria dhe Polonia janë ngjitur në vendin e tetë, Lituania dhe Sllovakia janë ngjitur në vendin e 9-të dhe Estonia, Letonia dhe Sllovenia janë në vendin e dhjetë.

Raporti i fundit vë në dukje se shfaqja në fund të vitit të kaluar e variantit Omicron hodhi dritë mbi një ndarje në rritje të lëvizshmërisë ndërkombëtare midis vendeve më të pasura dhe atyre të varfra, duke çuar drejt kufizimeve të ashpra të vendosura kundër kombeve kryesisht afrikane që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i përshkroi si duke qenë e ngjashme me “aparteidin e udhëtimit”.

Përveç pandemisë, nivelet e përgjithshme të lirisë së udhëtimit janë zgjeruar jashtëzakonisht gjatë dy dekadave të fundit. Indeksi i pasaportave Henley zbuloi në vitin 2006 se një individ mund të vizitojë mesatarisht 57 vende pa pasur nevojë të marrë vizë paraprakisht. Sot, ky numër është 107 — pothuajse dyfishi.

Christian H. Kaelin, kryetar i Henley & Partners dhe krijues i konceptit të indeksit të pasaportave, thotë se hapja e kanaleve të migracionit do të jetë vendimtare për rimëkëmbjen pas pandemisë.

“Pasaportat dhe vizat janë ndër instrumentet më të rëndësishme që ndikojnë në pabarazinë sociale në mbarë botën, pasi ato përcaktojnë mundësitë për lëvizshmëri globale,” thotë ai.

“Kufijtë brenda të cilëve ne kemi lindur dhe dokumentet që kemi të drejtë të mbajmë, nuk janë më pak arbitrare se ngjyra e lëkurës sonë. Shtetet më të pasura duhet të inkurajojnë migrimin pozitiv të brendshëm në një përpjekje për të ndihmuar në rishpërndarjen dhe ribalancimin e burimeve njerëzore dhe materiale në mbarë botën.”

Pasaportat më të mira në vitin 2022 janë:

1. Japoni, Singapor (192 destinacione)
2. Gjermania, Koreja e Jugut (190)
3. Finlandë, Itali, Luksemburg, Spanjë (189)
4. Austria, Danimarka, Franca, Holanda, Suedia (188)
5. Irlandë, Portugali (187)
6. Belgjika, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara (186)
7. Australi, Kanada, Republika Çeke, Greqi, Maltë (185)
8. Polonia, Hungaria (183)
9. Lituani, Sllovaki (182)
10. Estonia, Letonia, Sllovenia (181)

Po, pasaportat më të këqija që kufizojnë lëvizjen në sa më shumë destinacione?

104. Koreja e Veriut (39 destinacione)
105. Nepali dhe territoret palestineze (37)
106. Somali (34)
107. Jemeni (33)
108. Pakistan (31)
109. Siri (29)
110. Irak (28)
111. Afganistan (26)

a.m/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *