Kanceri i gjirit, kontrolli i duhur në çdo moshë! Testet dhe qendrat ku mund të paraqiteni

J L

Kontrollet për diagnostikimin e kancerit të gjirit duhet të nisin sa më herët, kjo me qëllim për të shmangur kalimin e sëmundjes në stadet më të rënduara, çka mund të vërë në rrezik edhe jetën. Duke iu referuar moshës, specialistët e shëndetit në Institutin e Shëndetit Publik sqarojnë se kontrollet për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje duhet të nisin që në moshën 20 vjeçare. Çdo femër e kësaj moshe duhet që të paktën një herë në muaj të bëjë vetkontrollin e gjirit për të zbuluar sa më herët riskun që ka për zhvillimin e kancerit. Krahas vetkontrollit mujor, me rritjen e moshës, duhet të bëhen edhe teste të tjera diagnostikuese, siç është Eko e gjirit, kontrolli klinik tek mjeku specialist, si dhe mamografia.

Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen, formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal te gjirit. Pa mjekim këto qeliza përhapen në pjesët fqinje dhe më pas në të gjithë trupin. Kanceri i gjirit mund të gjëndet në cdo moshë, por shumica e rasteve zbulohen tek gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe tek burrat, ndonëse këto janë raste më të rralla. Mjekët bëjnë me dije se disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit sesa disa të tjera, kjo për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.

Referuar ttë dhënave të raportuara nga strukturat spitalore, janë më shumë se 700 raste të reja me kancerin e gjirit që diagnositohen çdo vit në Shqipëri, duke bërë që të jetë kanceri më i shpeshtë tek gratë. Sipas të dhënave 1 në 10 femra që diagnostikohen me kancer gjiri janë nën moshën 45 vjeç.

Kontrollet sipas çdo moshe

Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë ekzaminimet klinike të gjirit dhe mamografia. “Për moshën 20-39 vjeç rekomandohet që të bëjnë çdo muaj vetkontrollin e gjirit, ndërkohë që çdo vit duhet të bëjnë edhe vizitën e gjirit tek një mjek specialist si dhe ekografinë, ndërsa mamografia duhet të nisë të bëhet ndërmjet moshës 35-39 vjeç. Kujdesi duhet të vijë në rritje për gratë e moshës 40-49 vjeç. Kjo kategori krahas vetkontrollit mujor të gjirit duhet të bëjë detyrimisht çdo vit një kontroll të gjirit dhe ekografi tek mjeku specialist, ndërsa mamografia duhet të përsëritet çdo dy vite. Rreziku për zhvillimin e sëmundjes shfaqet në rritje për grupmoshën mbi 50 vjeç, për të cilat krahas kontrollit mujor dhe ekografisë duhet të bëjnë detyrimisht çdo vit edhe mamografinë. Tek femrat që kanë rrezik më të lartë kontrollet duhet të bëhen edhe më të shpeshta sipas rekomandimeve të mjekut specialist”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Sa më herët të bëhen testimet aq më të larta janë edhe shanset në trajtimin e sëmundjes.  Ndoshta nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancer gjiri, si: sëmundjet tuaja familjare, apo menstruacionet në moshë shumë të re. Por, ju mund të jeni të aftë të ndryshoni disa faktorë të tjerë, si: peshën tuaj, apo se çfarë duhet të konsumoni. Për zvogëlimin e rrezikut tuaj, këshillohet që të mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme, të kryeni rregullisht aktivitet fizik, të konsumoni ushqime me yndyrna të pakta, të konsumoni perime dhe fruta, të mos konsumoni alkool, të konsultohuni me mjekun për kon traceptivët, të mos pini duhan dhe eleminoni duhanpirjen pasive sa më shumë që të jetë e mundur, të përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj, si dhe të flisni sa më herët me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut të zhvillimit të sëmundjes.

Shenjat që nuk duhet të neglizhoni

Njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë. Disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit, janë: “Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull (Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer, trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit, ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit, rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun. Po ashtu duhet të bëni kujdes nga çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit, dhimbjet në gji, fryrjet apo ënjtjet e krahut nga njëra anë. Disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit. Megjithatë, duhet edhe të dini se ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri, por nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku që të kontrollohet.

Qendrat ku mund të bëni mamografinë

Shërbimi i mamografisë si në Tiranë ashtu dhe në të gjitha spitalet rajonale të vendit. Pikat e këtij shërbimi janë në spitalet: Vlorë, Durrës, Fier, Lezhë, Kukës, Dibër, Berat, Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, si dhe në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për zonat më të largëta janë vendosur edhe dy mamografë të lëvizshëm të cilët sipas një grafiku të përcaktuar ndalojnë në këto zona për të bërë të mundur diagnostikimin e sëmundjes.  Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra, si: ndërhyrjet kirurgjikale, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.

 

Ekspozimi ndaj disa faktorëve njëherësh:

  • Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si: histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm e mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind gjiri të ngjeshur dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për kancer gjiri. Atyre u rekomandohet:
  • Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit.
  • Konsultë me specialistin e gjirit.
  • Mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç.
  • Vetëkontroll mujor i gjirit.

 

Për grupet më të rrezikuara

  • Grave që kanë faktorë gjenetikë (janë bartëse të difektit BRCA1 apo BRCA 2), kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë u rekomandohet:
  • Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj.
  • Mamografi dhe/ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç.
  • Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik.

 

 

Faktorët që ulin rrezikun për kancer gjiri:

  • Ruajtja e një peshe të shëndetshme.
  • Ushtrimi i aktivitetit fizik, mesatarisht çdo 4 orë në javë.
  • Një apo më shumë shtatzani.
  • Mosha e hershme e shtatzanisë së parë (para moshës 25 vjeç).
  • Ushqyerja me gji për më shumë se 15 muaj.
  • Menopauza e hershme përpara moshës 50 vjeç.

 

Faktorët që shtojnë rrezikun për kancer gjiri:

  • Mbipesha dhe obeziteti.
  • Jeta sedentare.
  • Konsumimi i pijeve alkoolike.
  • Ekspozimi ndaj rrezatimeve.
  • Moshimi.
  • Historitë familjare me kancer gjiri.
  • Mutacionet gjenetike të trashëguara.
  • Përdorimi i terapisë zëvendësuese hormonale pas menopauzës.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *