Presidenti Biden njoftoi të enjten se administrata do të blejë 500 milionë teste të tjera për COVID-19 për amerikanët.
Një faqe interneti do të hapet javën e ardhshme në mënyrë që amerikanët të mund të porosisin testet falas, tha Biden. Nuk është ende e qartë se kur do të jenë në dispozicion.
Biden tha gjithashtu se Shtëpia e Bardhë do të vërë maska me cilësi të lartë në dispozicion falas, me detaje që do të dalin javën e ardhshme.
Ndërkohë, Shërbimi Postar i SHBA po përgatitet të lehtësojë dërgimin me postë të kompleteve të testimit në shtëpi.
Mark Dimondstein, president i Unionit të Punëtorëve të Postës Amerikane, i tha NPR se deri në 7,000 punëtorë të përkohshëm do të punësohen, disa prej të cilëve tashmë ishin të punësuar si ndihmë për të paketuar dhe adresuar kompletet e testimit në 43 qendra në të gjithë vendin.
“Ne jemi shumë të emocionuar dhe në fund të ditës, ne jemi këtu për t’i shërbyer popullit të vendit dhe jemi të përkushtuar ndaj këtij misioni,” tha Dimondstein.
Shërbimi Postar ka komentuar mbi specifikat, ku në një deklaratë, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Louis DeJoy tha:
“Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara është krenar që përmbush misionin e tij të shërbimit ndaj kombit duke ofruar komplete testimi për Covid si pjesë e kësaj nisme të rëndësishme të shëndetit publik të Administratës Biden.
650,000 gra dhe burra të Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara janë gati të ofrojnë ndihmën e tyre dhe krenarë që luajmë një rol kritik në mbështetjen e nevojave shëndetësore të publikut amerikan. Ne kemi punuar ngushtë me administratën dhe jemi të përgatitur mirë për të pranuar dhe ofruar komplete testimi në ditën e parë të nisjes së programit.”
Biden njofton ekipe të reja mjekësore për të ndihmuar spitalet e mbingarkuar
Duke folur përpara se të merrte një informim nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe administratorja e FEMA Deanne Criswell mbi përpjekjet e agjencive të tyre për të ndihmuar ofruesit e kujdesit shëndetësor, Biden u kërkoi përsëri amerikanëve që të vaksinohen dhe të marrin vaksina përforcuese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
“Nëse nuk jeni vaksinuar, bëjeni,” u lut Biden. “Zgjedhja personale na ndikon të gjithëve.” Ai e quajti COVID-19 “një nga armiqtë më të frikshëm me të cilët është përballur ndonjëherë Amerika. Ne duhet të punojmë së bashku, jo kundër njëri-tjetrit”.
Biden tha gjithashtu se gjashtë ekipe të reja mjekësore federale do të dërgohen për të ndihmuar spitalet e mbingarkuar në gjashtë shtete.
Duke u përballur me kritika për përgjigjen e saj ndaj variantit shumë ngjitës të omicron, Shtëpia e Bardhë thotë se që nga Dita e Falënderimeve, mbi 800 ushtarakë dhe personel të tjerë federalë janë vendosur në 24 shtete dhe se 14,000 anëtarë të Gardës Kombëtare janë aktivizuar në 49 shtete për të ndihmuar me gjithçka nga kujdes klinik për administrimin e vaksinave. Dislokimet janë paguar nga qeveria federale me fondet nga Plani Amerikan i Shpëtimit.
a.m/dita
