Europa në prag të luftës/ Ukraina goditet nga sulmet kibernetike, Rusia lëviz më shumë trupa

Amelda Amelda

Ukraina u godit nga një sulm kibernetik masiv duke paralajmëruar qytetarët e saj që “të kenë frikë dhe të presin më të keqen”, dhe Rusia, e cila ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufirin e fqinjit të saj, publikoi fotografi televizive të më shumë forcave të vendosura në një stërvitje.

Perëndimi duhet të përgatitet për mundësinë që mund të ketë një përshkallëzim të tensioneve me Moskën, tha i dërguari i SHBA në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) pas bisedimeve me Rusinë në Vjenë të enjten, duke paralajmëruar se “daullja e luftës po tingëllon me zë të lartë”.

Michael Carpenter tha se grumbullimi i 100.000 trupave, armatimit të avancuar, sistemeve artilerike, sistemeve elektronike të luftimit dhe municionit nga Rusia afër kufirit të saj me Ukrainën “shtron shumë pyetje për atë se cilat janë qëllimet e Rusisë”.

“Duhet ta marrim këtë shumë seriozisht. Duhet të përgatitemi për mundësinë se mund të ketë një eskalim”, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni parapëlqen rrugën e dialogut dhe shtensionimit, raporton Reuters.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Ukrainës tha se ishte shumë herët për të thënë se kush mund të qëndronte pas sulmit, por tha se Rusia kishte qenë pas sulmeve të ngjashme në të kaluarën. Rusia nuk komentoi menjëherë, por më parë ka mohuar të jetë pas sulmeve kibernetike në Ukrainë.

Fuqitë perëndimore dhe Rusia këtë javë kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve diplomatike për uljen e tensioneve.

Të hënën, SHBA dhe Rusia zhvilluan bisedime në Gjenevë të Zvicrës. Të mërkurën, në Bruksel u zhvilluan bisedime mes NATO-s dhe Rusisë. Të enjten, OSBE-ja zhvilloi bisedime me Rusinë në Vjenë të Austrisë.

a.m/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *