Nga Bedri Islami
(Vijon nga numri i kaluar)
Rënia e mitit të Berishës nuk ka ndodhur menjëherë; ndoshta edhe nga një fakt i dyanshëm – ata që e mbronin ishin njerëz të pushtetshëm, që kishin në duart e tyre jo vetëm fuqi financiare, si Bukoshi dhe Isa Mustafa, Rexhep Gjergji apo Anton Kola, por edhe media të shumta, të cilat, edhe pse Kosova ishte nën pushtetin e Milloshviqit, lejoheshin të kishin agjendën e tyre dhe të krijonin mozaikun politik te njerëzit, e , nga ana tjetër, në mjedisin e krijuar, euforik dhe shpresëpritës, se gjithçka do të rregullohej përmes pritjes paqësore, duhej një mit, cilido qoftë ai, por që të kishte vetinë e përqasjes me mendësinë e atxre që ishin të fuqishëm në Prishtinë.
Në LDK-në e pas vitit 1991 ishin bërë pjesë një elitë e ish të burgosurve politikë, shumë nga të cilët ishin të njohur për qëndrimet e tyre, kishin prirë në demonstrata të furishme, si të pranverës 1981, apo kishin krijuar vrulle të forta në vitin 1989. Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Berat Luzha, Ramë Buja, Ali Laçej, Gani Sylaj, Jakup Krasniqi, të njohur për aktet e tyre atdhetare, papritmas, u bënë drejtues të LDK-së, edhe në kryesinë e saj, dhe, fakti që ata pranonin linjën zyrtare të saj në raport me shtetin shqiptar, ishte edhe një shenjë më shumë drejt pranimit të kultit të Berishës.
Lëvizja klandestine çlirimtare, LPK, e pranoi faktin e ndryshimeve politike në Shqipëri. Një pjesë e saj, që vendosi ideologjinë mbi kombëtaren, ose më saktë, përmes ideologjisë së majtë të shkojmë drejt kombëtares, krijoi një fraksion të vetin, që më pas u shndërrua në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, që, çuditërisht, megjithëse në disa raste ekstremisht e majtë, u pranua lehtësisht nga qeveria Bukoshi. Pjesa tjetër e lëvizjes klandestine, sipas përcaktimeve të liderëve të saj, vendosi kombëtaren mbi ideologjiken dhe ndryshimet në Shqipëri i trajtoi si zhvillime pozitive, të domosdoshme. Por, duhet thënë, raportet e saj me Berishën dhe qeverinë e tij ishin thuajse të akullta, më shumë vetjake me figura anësore, asnjëherë zyrtare dhe asnjëherë mbështetëse. Mendimi në organizatë ishte se Berisha duhej pritur në ecurinë e tij, nuk duhej ngutur, duhej mbështetur në heshtje, duke i pranuar ndryshimet, por duke bërë kujdes. Fakti që disa nga drejtuesit e saj do të burgoseshin, në afate të shkurtra, nga qeveria e kohës, si Thaçi, Zahir Pajaziti ,etj, rriti dyshimet, por nuk i prishi urat. Berisha, që ishte në dijeni të kësaj lëvizjeje nga këshilltari i tij, Adem Çobani, dërgoi sinjalin se nuk do të lejonte asnjë veprim që mund të prishte statuskuo-në në Kosovë. Është koha kur ai pranon pranë autoriteteve të larta amerikane se, “për Kosovën është e mjaftueshme autonomia e saj”. Dyshimi i parë erdhi nga një lëvizje që mund të kishte kushtuar shumë më tepër. Grupe të ndryshme që kishin filluar të stërviteshin në Shqipëri me shqiptarë të Kosovës, në shumicën e tyre, u arrestuan dhe policia serbe, mjerisht, dinte jo vetëm çfarë kishin bërë në Shqipëri, por edhe numrat e armëve personale që kishin sjellë me vete. Vetëm dy grupe, ai i Llapit, i drejtuar nga Zahir Pajaziti, shumica e të cilëve ishin antarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, dhe, ai i Drenicës, i drejtuar nga Adem Jashari, ku të gjithë ishin anëtarë të kësaj Lëvizje, arritën të shpëtonin dhe të fillonin lëvizjen klandestine. Rrethimi i parë i familjes Jashari, në 30 dhjetor 1992, ishte shenja e parë e mosbesimit tek ajo që po ndodhte në Shqipëri, por dyshimi nuk ngjitej deri te Berisha. Ndarja do të ndodhte më vonë, me fillimin e aksioneve të UÇK-së.
Shpallja për herë të parë “ non grata” megjithëse e heshtur dhe figurative, Berishës i erdhi nga miku i tij i viteve të para pas 90-tës, Rugova.
Rugova dhe Berisha ishin tipa të ndryshëm dhe e bënin politikën ndryshe. Krejt ndryshe. Rugova ishte i qetë, enigmatik, mbante në vete dhe fliste përmes heshtjes. Nuk ngutej kurrë dhe nuk kërkonte të ishte lider kombëtar dhe as të ndikonte në shtetin shqiptar. Ishte flegmatik.
Berisha ishte dhe vazhdon të jetë impulsiv, i ngutshëm, shpërthyes deri në skaj, kërkon të jetë i afishuar dhe i adhuruar në të njëjtën kohë. Ai nuk e pranon kurrë të rrijë në karrigen e dytë dhe nuk mund të jetë i qetë nëse përpara tij janë ulur njerëz të tjerë. I pasionuar, folës i zjarrtë, adhurues i mitingjeve dhe demonstrimeve, ai erdhi në pushtet përmes tyre. Patriarkal në besimin e tij politik, ai kërkoi hapësirë më të gjerë se sa ishte e mundur dhe shkeli në Kosovë, e , në të njëjtën kohë, shkeli në dërrasën e kalbur që ishte pranë Rugovës.
Rugova, kur ndodhej para krizave të mëdha bëhej i ashpër, kishte vendosmërinë e një burri të heshtur, i cili, qetësisht bën atë që ka menduar, si ndodhi me përjashtimin e gjithë ish të burgosurve politikë, në Kuvendin e mbajtur në restorant “Ora”, që mendohej se mund të ishin urë lidhëse mes tij dhe UÇK-së.
Berisha përjashtimet i bënte me zhurmë, fanatikisht ashpër, disa herë edhe me shqelma, si përzuri Eduard Selamin, Cekën, Zogajn, e shumë të tjerë.
Mes dy politikanëve, njërit i mjaftonte Kosova , dhe tjetrit, që e kishin përkëdhelur se ishte lideri kombëtar. Në vitin 1996 ndodhi përplasja e heshtur, si mes dy akullnajash, që nuk u shkri kurrë.
Berisha synoi që, fillimisht, përmes Hydajet Hysenit, atë kohë nënkryetar i LDK-së dhe figurë me autoritet, e pastaj përmes Demaçit, që kishte filluar të ngrinte raportet me Rugovën, të radikalizonte gjendjen në Kosovë, duke i porositur të fillonin aksionet e mosbindjes. Berisha mendoi se sinqeriteti i Hydajet Hysenit dhe emri i tij si demonstrues i klasit të parë, dhe naiviteti dhe gatishmëria e Demaçit, si njeri i rrahur me burgjet serbe, do të nxitnin valë protestash, të cilat do të hiqnin vëmendjen nga kriza e piramidave që po afrohej dhe që ai vetë e kishte planifikuar të plasnin pas dhjetorit të vitit 1996.
Rugova e kuptoi lojën e tij, largoi Hysenin, ngriu marrëdhëniet me Demaçin, dhe u bë akull me Berishën. Mediat pranë tij filluan të hiqnin emrin e tij nga lakimi i zakonshëm dhe nuk po përdorej më figura e mitit të kombit. Fillimisht gazeta “Bujku”, e më pas “Rilindja” që dilte në Zvicër, po heshtnin, megjithëse Bukoshi, tashmë i afishuar krejt pranë Berishës dhe fshehtas thellësisht kundër Rugovës, nxiste lëvizje të afërta me rebelimin partiak, çka solli dëbimin e tij dhe këshilltarëve të tij nga foltoret e LDK-së në diasporë.
Rugova nuk e fali kurrë Berishën. Nuk bisedoi më asnjëherë me të, heshti ndaj tij dhe kishte burrërinë që të mos vendoste ura mes tij dhe socialistëve që kishin ardhur në pushtet. Loja mes tij dhe socialistëve i ngjante asaj “ngrij – shkrij”, pa u ngrirë kurrë dhe pa u shkrirë asnjëherë. Ai, Rugova dhe Nano, njohës të mirë të uiskit, duhanpirës të këndshëm, i hidhnin dhe i pritnin gazmorë fjalët e njëri tjetrit, i pari dhuronte gurë të nëntokës së Kosovës, dhe, i dyti ndonjë shishe të zgjedhur skoceze, por marrëveshje nuk bënë kurrë.
Megjithëse socialistët lëshonin herë pas here shenja miradie, ai, haptas, as nuk e mohoi Berishën në ato vite, as nuk e mbështeti më.
Heshtja e tij u bë proverbiale. Një ditë, kur lufta po mbaronte, ishte në grahmat e fundit të saj, ndodhesha në zyrën e Pandeli Majkos, kryeministër i kohës, ku ishte dhe Paskal Milo, ministër i jashtëm. Pritej që Ibrahim Rugova të vinte në Shqipëri për të takuar të dëbuarit nga lufta, shqiptarë të Kosovës, që tashmë ishin më shumë se gjysmë milioni. Kishte preokupim të jashtëzakonshëm për pritjen e tij, diskutohej me hollësi dhe me ankth, padurim dhe dëshirë. Kur u thashë se kot trazohen, pasi, ai, Rugova nuk do të vinte në Shqipëri, u ndjenë të befasuar, të habitur dhe mosbesues. “Si nuk do të vinte?”. Këtu kishte popullin e tij.
Rugova nuk erdhi, vajti në Maqedoni, dhe njëri ndër shkaqet qëndronte në mos dëshirën e tij të takohej me Berishën dhe të mos e shpallte haptas ndasinë e tyre. Rugova i ruante miqtë, deri në ditën që ata e tradhtonin.
Është fakt i pamohueshëm që, prej vitit 1996 dhe deri në ditën e largimit nga jeta, Rugova, asnjëherë nuk e përmendi më emrin e tij, nuk foli për të, nuk dërgoi emisarë dhe as nuk përcaktuan projekte të përbashkëta. Rugova e mohoi totalisht, dhe kjo, qoftë edhe për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm që kishte ai, ndikoi që edhe forcat pas tij, si Sabri Hamiti, për të cilin, më pas, ish funksionarë të lartë të shërbimit sekret serb e akuzuan se kishte qenë bashkëpunëtor i tyre, dhe as të tjerë, Rexhep Gjergji, Fehmi Agani, nuk u përpoqën të ringrinin urat. Por, edhe nuk u sulën kundër tij, i lanë gjërat në heshtjen mohuese dhe miti i Berishës filloi të zbehet. Ai nuk ishte më i domosdoshmi në Kosovë, dhe, roli i tij ndikues po shkonte drejt asgjësë.
Kur Berisha, pas luftës, kërkoi të vizitonte Kosovën, Rugova vuri veton e tij dhe gjërat dolën haptas. Pas kësaj, vetëm ata që u kishte mbetur ora, ose kërkonin me çdo kusht të shërbenin ende te padronët e vjetër, po qëndronin në mitin e Berishës. Gjërat po rrokulliseshin.
Lëvizja klandestine çlirimtare ishte e dyzuar.
Ne, në fakt, pavarësisht dyshimeve, e donim bashkëveprimin me Berishën. E kemi dashur me të gjithë që do të ishin në pushtet, si rrjedhojë e besimit të njerëzve. Berisha ishte presidenti i Shqipërisë, dora e fortë e sistemit, njeriu që vendoste gjithçka dhe, asnjëherënuk është menduar se lufta në Kosovë mund të bëhej pa pasur mbështetjen e Shqipërisë.
Berisha nuk e donte bashkëpunimin me lëvizjen ilegale. Jo sepse mendohej se ajo ishte një lëvizje e majtë, pasi nga vetë Lëvizja, kur ajo shkëputi nga vetja mendimin ideologjik, u shkëput një fraksion, i cili ishte thjeshtë lëvizje ideologjike e majtë, por që kishte lidhje dyfish të mira, me Berishën e me Bukoshin. Hapësira politike e Lëvizjes në Shqipëri, deri në marsin e vitit 1998, ishte e kufizuar, e ngushtë. Ajo ishte ilegale në vendin e saj, kjo është e kuptueshme. Fakti që klane të lidhur me Berishën, edhe pas majit të vitit 1998, po e dëmtonin strukturën logjistike të UÇK-së, ishin dëshpëruese. Njëherë, kur u takuam gjysmë ilegalisht me Thaçin, i thashë se do të ishte ndoshta e arsyeshme që të krijonim një lidhje edhe me njerëzit e Berishës, sidomos në veriun e Shqipërisë, mirëpo , asokohe, kishte gjëra më të rëndësishme përpara. Thaçi, gjatë luftës, nuk vendosi asnjë kontakt me Berishën, e nuk kishte përse… e përsëris, asokohe, Berisha nuk kishte ndikim në në lëvizjen çlirimtare. Nuk ka pasur kurrë.
Pastaj erdhi thyerja e embargos.
***
Shumë gjëra janë ditur që asaj kohe, shumë të tjera janë bërë të qarta më pas. Për shembull është ditur se besimi tek Berisha duhet të ishte i kujdesshëm, jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj lëvizjes çlirimtare, por edhe për shkak të lidhjeve të tij martesore. Ishte pak e besueshme, por ishte e vërtetë se Berisha kishte lidhje martesore në një familje gjysmë serbo-malazeze, por jo të zakonshme, si mund të kishte ndodhur rëndom në vitet pas çlirimit. Familja e Milicës, më pas Vera, ishte familje e njohur për lidhjet me shërbimet e fshehta të sigurimit serbo-malazez. Njerëzit e familjes së saj ishin ende në rrethin e afërt të njerëzve të Millosheviçit, sidomos të Bulatoviçit (Momir Bulatoviç, ish-President i Malit të Zi, personi që kontaktoi Berishën dhe ku u vendos thyerja e embargos së naftës, shën.red). Shërbimi ynë informativ kishte njohuri për lidhjet e mëtejshme të tyre. Po ashtu për vizitën e ish-Presidentit malazez në Shqipëri, ndërsa shitja e naftës ilegalisht nuk ishte sekret për askënd. Përralla e shëmtuar dhe e trashë e ditëve të sotme të Berishë se, shiti naftë për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë, është e shëmtuar. Me atë naftë ka punuar makineria ushtarake serbe , e cila i vrau njerëzit në Kosovë. Por, më e hidhur se kjo, ishte tregtia e armëve. Ministri i asaj kohe, Zhulali, dëshmoi se Shqipëria ka armë për t’i shitur gjysmës së Evropës, por shitja po bëhej për serbët e Bosnjës. Shokët e Lëvizjes që ishin aty, anëtarë të devotshëm që më pas u bënë pjesë drejtuese e UÇK-së, informuan se ka një lëvizje të ndjeshme të këtij armatimi. Më pas, lëvizja ilegale, është detyruar të blejë nga ky armatim… që kur e kërkonte në Shqipëri, jo vetëm nuk i shitej, por i sekuestrohej dhe dënohej edhe kur e gjente. Berisha bëri disa takime të fshehta me tregtarët e politikës serbe e malazeze, njerëz të afërt të tij u takuan në Shkodër e në Tiranë me njerëz të Millosheviçit, kjo vazhdoi deri në kulmin e krizës së vitit 1997 në Shqipëri, por edhe atëherë, befas, Berisha, përmes disa figurave të njohura në Kosovë, si Demaçi, Hydajet Hyseni etj, u përpoq të radikalizonte gjendjen befasisht në Kosovë, për të hequr vëmendjen nga Shqipëria. Ky është momenti kur ai do të prishet përfundimisht me Rugovën, por për këtë askujt nuk i erdhi keq.
Kështu që besimi u lëkund jashtëzakonisht, nëse deri asaj kohe kishte pjesë të elitës drejtuese të Lëvizjes çlirimtare që besonin se me Berishën mund të gjendej një rrugë e përbashkët, apo, më saktë, një mesore, kjo nuk ndodhi dhe ndikimi i tij në këtë lëvizje u përmbys. Nëse Rugova i mbajti gjërat brenda vetes, Lëvizja, pas marsit të vitit 1998 i dëshmoi, por asnjëherë nuk shkoi deri në limitet e saj. Ajo e shmangu Berishën, por nuk e anatemoi.
Edhe qeveria socialiste, deri në qershorin e vitit 1998 hezitonte të takohej zyrtarisht me përfaqësuesit politikë të UÇK-së. Pastaj ndryshoi gjithçka, por kjo ka lidhje me takimin e zotit Hollbruk me përfaqësuesit politikë të UÇK-në në Zvicër. Takimi i Bardhyl Mahmutit, anëtar i Drejtorisë Politike dhe nënkryetar i Organizatës, ishte njohja e parë ndërkombëtare e UÇK-së.
***
Në Kosovë mendimi për Berishën ka kaluar përmes një kalvari politik: nga paprekshmëria në anatemim. Do të shkojë drejt humbjes së plotë, pasi, sa më shumë kalon koha, sa më shumë dokumente do të zbardhen, aq më tepër do të jetë e qartë se ai nuk bëri asgjë të dobishme për Kosovën. Nuk bëri as për atë pjesë politike, që quhej lëvizje paqësore, dhe, as për pjesën tjetër që ishte Lëvizje klandestine çlirimtare. Nuk bëri gjë as në paraluftën e saj, as në luftën e domosdoshme dhe as në pasluftën e dhimbshme.
Nëntë vite më parë, në gazetën DITA kam shkruar :
“Në Kosovë ka vërtet shumë njerëz që e duan Berishën. Mund të them pa droje se ata që e donin gjithnjë Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte në pushtet, janë të ftohur me të, ashtu si ka edhe shumë të tjerë që nuk e duan. Më së shumti, ata që e duan, janë të lidhur me klikën e vjetër të politikës, ose që kanë ardhur nga Lidhja Komuniste e Kosovës, degë e Lidhjes komuniste të Serbisë. Pas vitit 1989 ata u shndërruan brenda një nate në demokratë, pastaj pritën ndryshimet në Shqipëri, duke paralajmëruar si kasandrat fundin e saj. Më në fund krijuan mitin e njeriut të tyre, Berisha. Ata kishin shtypin, medien, politikën e njohur të pëshpërimës. Ky mit tani ka rënë, do të bjerë edhe më tej, deri sa të shkelet. Jam çuditur gjithnjë me këtë që ka ndodhur e që po zhbëhet. Si mund të besosh tek një njeri që tallet me ndjenjën kombëtare? Po mendoja një çast sikur lideri i opozitës të ishte dhëndër serb, siç është Berisha, të kishte qenë komunist fanatik e drejtues partiak, si ishte Berisha, të kishte ndihmuar një makineri vrasëse siç e ndihmoi Berisha Millosheviçin, të kishte Serbinë edhe sot, në vendin e tretë për shkëmbimin tregtar siç bën Berisha, të kishte mik familje një serbo-boshnjak si Fazlliçi siç e ka Berisha, dhe ky Fazlliçi që është nipi i ish-Shefit të shërbimit të fshehtë serb; të dërgojë këtë Fazlliçin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të shtetit, siç bëri Berisha; të ketë fëmijët e lidhur në biznese me këtë serbo-boshnjak siç bën Berisha, të afishohej haptas kundër luftës çlirimtare, si u afishua Berisha… çfarë do të ndodhte mendoni ju? E imagjinoni dot për një moment se çfarë do të ndodhte? Miti i Berishës është miti enigmë në Kosovë, që nuk ekziston, por që mundohen ta ngrenë… Ai po bie përfundimisht. Sa më shpejt të bjerë përfundimisht, aq më mirë do të jetë“. Gazeta DITA, 03.05.2013
Tani ky mit ka rënë. Askush nuk e mbron dot haptas atë. Në fakt, askush nuk dëshiron të ketë fatin e tij.
