Të paktën 145 mbrojtës të të drejtave të njeriut u vranë në Kolumbi në vitin 2021, një shifër më e ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas, zyrës së Mbrojtjes së Popullit, kjo shifër konfirmon rigjallërimin e dhunës në vend që nga marrëveshja e paqes e vitit 2016.
“Në vitin 2021 janë regjistruar 145 vrasje të liderëve socialë apo mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, tha në një deklaratë për shtyp organi publik që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
Në vitin 2020 janë regjistruar 182 vrasje.
Sipas Mbrojtësit të Popullit personat e vrarë ishin: 32 përfaqësues indigjenë, 16 drejtues fshatarë dhe shtatë sindikalistë janë ndër viktimat e vitit 2021.
“Ne i dënojmë këto fakte, kryesisht për shkak të veprimeve kriminale të grupeve të armatosura ilegale”, tha mbrojtësi Carlos Camargo, pa dhënë detaje mbi autorët e dyshuar të këtyre sulmeve.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes me guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) në vitin 2016, vrasjet e liderëve socialë kanë qenë të përsëritura.
Organizatat sociale akuzojnë disidentët e FARC-ut, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), guerrilja e fundit aktive në Kolumbi, trafikantët e drogës dhe grupet paraushtarake se qëndrojnë pas vrasjeve.
Departamentet më të prekura janë: Antioquia, Cauca dhe Valle del Cauca, që janë edhe korridoret e trafikut të drogës.
Kolumbia është një nga vendet më të rrezikshme në botë për aktivistët, sipas disa OJQ-ve. Global Witness e identifikoi atë si më vdekjeprurësin për mbrojtësit e mjedisit duke regjistruar 65 viktima në 2020.
a.m/dita
