Përgjysmimi i tarifës vjetore/ Kërkesa që duhet të bëjnë studentët e masterit tek Shkencat Sociale

Ornela

Pranvera Kola

Të gjithë studentët që ndjekin programet e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në Fakultetin e Shkencave Sociale në UT që nuk arritën të aplikonin dot në fund të vitit të shkuar për të përfituar mbështetjen finaciare nëpërmjet reduktimit të tarifës vjetore të shkollimit, apo programit të bursave, mund të aplikojnë sërish. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se kanë hapur një tjetër afat shtesë aplikimi, ku brenda katër ditëve të ardhshme çdo student që bën pjesë në kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë bursë apo reduktim tarife duhet që të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të përcaktuara pranë strukturave përgjegjëse të këtij fakulteti. Ndërkohë që pas verifikimeve të bëra në aplikimet e muajit dhjetor është shpallur tashmë edhe lista e parë me 258 studentët që ndjekin programet “Master shkencor” dhe “Master profesional”, të cilët do të paguajnë vetëm gjysmën e tarifës vjetore të studimit në programin që janë duke ndjekur, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

“Afati final për dorëzimin e dokumentacionit do të jetë data 21 janar. Që të jetë i vlefshëm aplikimi, dorëzimi i dosjes duhet të bëhet vetëm nëpërmjet postës së dërguar në adresën e fakultetit. Studentët aplikues duhet të kenë kujdes që dokumentacioni i tyre të ketë ardhur në fakultet nga posta brenda datës 21 janar që është afati përfundimtar i aplikimit përkëtë vit akademik. Duhet që pëveç dokumentacionit të kërkuar dosjes t’i bashkëngjitni edhe një kërkesë me shkrim në të cilën të specifikohet për çfarë aplikohet, për bursë, ose përjashtim nga tarifa vjetore e shkollimit. Në rastin kur studentët janë përfitues edhe të bursës edhe të përjashtimit nga tarifa e shkollimit mjaftojnë të dorëzojnë vetëm një palë dokumenta origjinale”, sqarojnë autoritetet e Fakultetit të Shkencave Sociale. Sipas tyre, kërkesa nuk është e vlefshme nëse nuk ka të bashkëngjitur të gjithë dokumentat që përcaktohen sipas kategorisë në të cilën bën pjesë studenti përfitues. Në vijim do të gjeni të detajuar dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzojnë për reduktimin e tarifës së studimit për të gjitha kategoritë e studentëve që ndjekin ciklin e dytë në këtë fakultet.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimit të kryer.

Ndërsa programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri mekarakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyreështë një vit ose dy vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer

 

STUDENTËT E MASTERIT QË MUND TË APLIKOJNË PËR REDUKTIMIN ME 50% TË TARIFËS

Studentëve me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të KMCAP (Studentë që nuk shikojnë, tetraplegjikë, paraplegjikë) u kërkohet:

  • Fotokopje të noterizuar të Vërtetimit të KMPV-së (Komisionit të përcaktimit të verbërisë) ose të Vërtetimit të KMCAP (Komisionit të caktimit të aftësisë për punë).
  • Vertetimi origjinal nga njësia e vetëqeverisjes vendore për masën e pagesës së verbërisë/ paaftësisë që merr studenti.
  • Vërtetimi nga shoqata e të verbërve të Shqipërisë ose nga shoqata përkatëse.
  • Fotokopje e noterizuar e Librezës së verbërisë dhe fotokopje e noterizuar e statusit të paraplegjikut dhe teraplegjikut.
  • Certefikatë Familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit të studentit.

 

Studentët fëmijë të personave me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojnë:

  • Kopje origjinale ose e noterizuar e Vërtetimit të KMCAP-së për studentin me prindër me aftësi të kufizuar (invalid pune, invalid paraplegjik, invalid tetraplegjik ).
  • Vërtetim që lëshon shoqata e invalidëve të punës së rrethit përkatës së bashku me fotokopjen me vulë të njomë të Dëshmisë së Invalidit të Punës të përfituar sipas statusit të invalidit të punës.
  • Vërtetim origjinal të institutit të sigurimeve shoqërore për pagesën e pensionit të invaliditetit.
  • Vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore për masën e ndihmës ekonomike të plotë apo të pjesshme që përfiton familja e studentit.
  • Certefikatë Familjare që vërteton lidhjen e studentit me invalidin e punës/ invalidin paraplegjik ose tetraplegjik.
  • Fotokopje të kartës së identitetit të studentit dhe të prindit invalid.

 

Për studentët, familjet e të cilëve përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme:

 

  • Certefikatë Familjare që vërteton lidhjen e studentit me kryefamiljarin familja e të cilit përfiton ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeversijes vendore.
  • Vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore në lidhje me masën e ndihmës ekonomike që përfiton familja. Vërtetimi i ndihmës ekonomike duhet të ketë të shënuar numrin e dosjes dhe të jetë shënuar qartë shuma e ndihmës ekonomike (me shifra dhe me fjalë), si dhe masa e ndihmës ekonomike (e plotë ose e pjesshme). Vërtetimi duhet të jetë me numër protokolli, të jetë nënëshkruar nga përgjegjegjësi i seksionit të ndihmës ekonomike dhe kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe të jetë i vulosur. Nuk pranohen vertëtime me korrigjime të pafirmosura nga personat përgjegjës dhe të pavulosura.
  • Fotokopje të kartës së identitetit të studentit.

Studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta u kërkohen këto dokumente:

  • Certefikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit.
  • Certefikatë vdekjeje e prindit që u është ndarë nga jeta.
  • Vërtetime që vërtetojnë të ardhurat vjetore të familjes, si më poshtë:
  • Vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore që familja përfiton ndihmë ekonomike si familje në nevojë.
  • Vërtetimi nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve që asnjë nga familjarët e studentit (personat mbi 18 vjec) nuk ushtrojnë aktivitet privat.
  • Vërtetime nëse prindërit apo ndonjë pjesëtar i familjes mbi 18 vjec janë të rregjistruar si punëkërkues të papunë (nga zyra e punës).
  • Vërtetim familjarisht nga ISSH (nëse përfitojnë pension ose jo).
  • Vërtetim nëse familjarët kanë tokë ose pasuri të palujtshme fitimprurëse në pronësi;

 

Studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;

  • Çertefikatë Familjare.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Certefikatën e vdekjes së dy prindërve.
  • Fotokopje e noterizuar e statusit të jetimit të përfituar nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;

  • Rasti kur studenti e ka humbur përgjegjësinë prindërore nga të dy prindërit duhet të dorëzojnë certefikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit, si dhe vendim gjykate i formës së prerë që studenti ka humbur përgjegjësinë prindërore (nga të dy prindërit) (Kopje origjinale ose kopje e noterizuar e vendimit të gjykatës).
  • Rasti kur studenti e ka humbur përgjegjësinë prindërore nga njëri prind dhe prindi tjetër nuk jeton duhet të dorëzojnë certefikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit, vendim gjykate i formës së prerë që studenti ka humbur përgjegjësinë prindërore, si dhe certefikatë vdekjeje e prindit tjetër.

 

Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor:

  • Çertefikatë Familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit.
  • Vërtetim nga Ministria e Mirëqënies Sociale ose Ministria e Brendshme që kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.

 

Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të

Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të

Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ajo e mbrojtjes;

  • Certefikatë Familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit.
  • Certefikatë vdekje e prindit që ka humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
  • Vërtetim konfirmimi nga Ministria përkatëse.

 

Studentët romë dhe ballkano-egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse

  • Fotokopje e kartës së identitetit;
  • Vërtetim anëtarësie në shoqatën përkatëse;
  • Vërtetim konfirmimi nga Ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;

 

Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;

  • Certefikatë Familjare që vërteton lidhjen e studentit me prindin të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.
  • Vëretimi i statusit të prindit ish të përndjekur/ dënuar politik.
  • Dëshmi penaliteti për prindin ish të përndjekur politik ose vërtetim për kohën e dënimit të lëshuar nga ministria e punëve të brendshme.

Përvec kategorive sociale më sipër përfitojnë ulje të tarifës vjetore të shkollimit

  • Studentët që kanë nisur vitin e parë të ciklit të dytë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë me notën mesatare vjetore 9 deri në 10 .
  • Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 deri në 10 të regjistruar në vitin e parë pas të parit dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitin akademik paraardhës.
  • Këta studentë që ndjekin studimet e ciklit të dytë Master shkencor ose profesional me notë mesatre 9-10 nuk do të paraqesin asnjë dokumentacion, pasi listat e këtyre studentëve në bazë të notës mesatare përkatëse do të përgatiten nga vetë insitucioni (sekretaria mësimore) dhe do të përcillen për miratim në Bordin e Administrimit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *