Dy balada dhe vargje të tjera

J L

Unë isha Një i vetëm!

 

Nuk munda dot-o miq,

t’ju ndizja dritë të gjelbër,

se kishim shumë armiq,

dhe ishin shumë të egër

 

Nuk munda dot aspak,

t’ju nxirrja ju prej territ,

gjithkund kërkojnë gjak,

sot bijtë e Luçiferrit.

 

Nuk munda dot-o miq,

t’ju ndizja dritë të gjelbër,

ma zinte çdo udhëkryq,

një ujk-a një kuçedër.

 

Në dallgë e në furtunë,

e shkova gjithë jetën,

të liqtë ishin shumë,

unë isha një i vetëm.

 

Dhe nuk më bëri dritë,

as dielli-as hëna,

dhe shtigjet natë e ditë,

të gjitha qenë të zëna.

 

Më shkoi e gjitha kot,

kjo jetë-jetë qëni,

për ju-më-s’bëj gjë dot,

pra bëni si të bëni!

 

Lëvizni vetë nga pak,

nga sytë largoni gjumin,

pështyni mbi batak,

mos rroni tok me llumi!

 

Po luftës nuk i trembem

 

Tani nga pabesia,

as vuaj e as çmendem,

unë jam njeri i paqes,

po luftës nuk i trembem.

 

Unë të afroj buqetën,

ti më vërvit çomangen,

unë jam njeri i paqes,

po luftës nuk i shmangem.

 

Unë ndez qiri për jetën,

që koha s’mund t’i fiki,

se jam njeri i paqes,

po luftës nuk i iki.

 

Unë thur ëndrra magjie,

po ti magjitë i shemb,

unë jam njeri i paqes,

po lufta nuk më tremb.

 

Ti zhytesh në mes llumit,

unë Zotin shkoj takoj,

se jam njeri i paqes,

po luftën e fitoj.

 

 

 

Ne e bëjmë Botën

 

Bota s’është e mirë,

Bota është e ndyrë!

A ç’më çani kokën!

S’na bën Bota neve,

ne e bëjmë Botën.

 

 

 

Ku je fshehur vallë?!

 

Nuk e di sa shkoi,

që s’të kam takuar,

ndaj më duket Bota,

si plakë e shëmtuar.

 

Ku je fshehur vallë,

ku je që s’je dukur?

Vetëm nga ty-Bota,

më duket e bukur…

 

A. DUKA

21 Qershor 2016

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *