Nga Ndoc Logu
-Në kujtim dhe nderim të inxhinierit poet Latif Fodulli, në 55 vjetorin e ndarjes nga jeta –
Për Latifin kam adhurim nëpërmjet krijimtarisë sw tij. Është për t’u adhuruar e marrë si model për kohën e vet,por edhe për brezat e ardhshëm se si dy vëllezër nga Çepani, arrijnë të kapin këto lartësi dijesh, kulture, vetëdije atdhetare preokupim shoqëror dhe orientim të drejtë edhe në kohë ndryshimesh e transformimesh, shpesh herë edhe të rrezikshme. Mbresëlënëse është tek këta dy vëllezër, krijimtaria, veçanërisht te Latifi. Ai, Latifi, me duket fenomen duke pasur parasysh moshën e tij të re dhe angazhimin në disa gjini arti e krijimtarie.
Dy librat e Latifit që më dhuroi Ilmiu, vëllai i tij, më tronditën. Më ndodhi kjo kur u njoha me jetën e Latifit dhe pasi lexova një pjesë të krijimtarisë së tij. Që të dy librat kishin tituj prekës, emocionues e që të shtien në mendime. Këta tituj të imponojnë për të kuptuar domethënien e tyre. I pari ,me poezi “Këngë e ndërprerë” është i qartë,por të imponon për të ditur të vërtetën se përse iu ndërpre kënga poetit, kur ajo, kënga, kishte marrë udhë për tek adhurusit e saj. Por kjo enigmë, pas 55 vjetësh është e vështirë për t’u gjetur.
Titulli i librit tjetër me pjesë nga ditari i Latifit është akoma më befasues dhe tronditës njëkohësisht.Vetë titulli:”Kam dashur…kur më urryen…” e thellon akoma më shumë enigmën por edhe ndihmon për t’u thelluar në pse-në e ikjes pa kthim të poetit.Për librin “Kënga e ndërprerë” do të them diçka në vijim,por gjithsesi jo mjaftueshëm.Titulli i poezive paralajmëron tragjedinë e poetit.Ndërsa titulli i librit me ditarin e tij që në kolanën e veprës letrare që na ka lënë Latifi,mban numurin tetë, na bën të kuptojmë diçka më të rëndë siç e sipërpërmenda”Kam dashur, kur më urryen!” Ky titull mban në vetvte një të vërtetë dhe një enigmë të madhe që lidhet me jetën, krijimtarinë dhe ikjen e poetit.Pjesën e parë të titullit na e ka thënë vetë poeti me ato çka arriti në ato 27 vjet, vlerat e të cilave nuk vdesin kurrë.Në se poeti ka dashur, përse e urryen dhe kush e urrente? Latifi nuk pati kohë për t’i dhënë shkaqe askujt për ta urryer.Nëse nisemi nga pjesa e parë e titullit,’kam dashur’, kjo mendoj unë është e qartë nga vetë angazhimet e poetit në punën e tij si inxhinier, në jetën shoqërore dhe në krijimitari. Poeti e nisi udhën e shkollës e të diturisë duke ecur mbi gëzhojat e luftës dhe me porosinë e nënës në gji e shpirt për t’u bërë njeri me shkollë, inxhinier. Dhe ai u bë. Gjatë viteve të shkollimit dhe të punës u shqua edhe si poet, studiues gjuhësh, përkthyes e të tjera për të cilat do të flasim në vijim.
Personalisht nuk e kisha njohur Latf Fodullin as si inxhinier as si poet. Kjo edhe për faktin se isha disa breza më vonë dhe se ai u nda nga jeta shumë shpejt pa botuar asgjë nga krijimtaria e tij. Pasi dola në punë dhe punova pothuajse tërë kohën me përjashtime jo të gjata, në veprat e mëdha industriale e të ndërtimit, jeta dhe detyrat më sollën që të njihem dhe të punoj me disa nga shokët më të mirë të grupit të Latifit që kishin studiuar bashkë për inxhinieri në Republikën Popullore të Kinës.
Për mua ka qenë befasi e këndshme, por edhe trishtuese njohja me jetën dhe krijimtarinë e inxhinierit poet nga Skrapari i vlerave të mëdha të çdo kohe dhe të çdo fushe, që kanë mbetur pjesë e thesareve dhe krenarisë kombëtare. Duke qenë adhurues i poezisë, e lexova , me një frymë, siç i thonë,vëllimin me poezi të këtij inxhinieri poet “Kënga e ndërprerë”.Titulli ndryshe nga poezitë, më trishtoi. Ai ka kuptim të dyfishtë.”Kënga e ndërprerë” paralajmëron se kënga nuk do të vazhdojë. E në se kënga ndërpritet, autori, këngëtari, mbartësi i tyre shpirti i poetit ka arsye madhore që hesht, ndoshta fatale. Ka një arsye, dramë apo tragjedi. Dhe kjo tragjedi vjen shumë shpejt e tepër e dhunshme, në moshën më të bukur, vetëm në vitin e 27 të jetës, në moshën e Migjenit.Vjen atëherë kur ëndrrat, talenti, vargjet kishin filluar të merrnin udhën për te shpirti i lexuesit e për të mos u ndarë prej tij.Kjo, “Kënga e ndërprerë” ndodhi atëherë kur talenti i Latifit ishte shfaqur i plotë si poet, autor dramash,humorist, studiues, gazetar, përkthyes, vizatues e piktor,karikaturist,studiues i disa gjuhëve të huaja,por edhe inxhinier krijues i talentuar. Janë të rralla, shumë të rralla ato raste, që tërë këto prirje të shfaqen kaq herët dhe tek një person,çka tregon se kemi të bëjmë më një talent, një fenomen jo të zakonshëm,-siç thonë me të drejtë edhe mësuesit e tij, bashkëkohësit dhe të tjerë që e kanë njohur.
Duke menduar këtë rast, besoj se nuk e teproj, duke thënë se, në se jeta e Latifit nuk do të ndërpritej në kohën që kishte shpërthyer me gjithë ngjyrat e ylberit(kupto shumëllojshmërinë në krijimtari të tij) ,dhe ai do të vijonte vrullshëm në udhën e tij, më pas Skrapari, ne të gjithë, kultura shqiptare, ndoshta do të kishim pasur një Xhevahir Spahiu të dytë, apo edhe një poet tjetër i lartësive të mëdha. Ndoshta kultura dhe arsimi do të kishin fatin për të pasur një tjetër figurë si Kahreman Ylli. Arti do të kishte pasur një artist shumëdimensional dhe Skrapari, pse të mos e themi, një atdhetar të përmasave të Riza Cerovës e Zylyftar Veleshnjës por në kushte të reja. Industria elektrometalurgjike do të kishte pasur një inxhinier e drejtues, krijues të talentuar.
Duke lexuar poezitë e Latifit, herë pas here më silleshin ndër mendje kujtime, mbresa dhe emocione, veçanërisht për poezitë personalizuese si ato për nënën, Migjenin, gjyshin, por edhe natyrën, sendet, objektet si detin, zogjtë, gushkuqin, Hënën, njerëzit e ndryshëm e të thjeshtë, humorin, satirën,qytetet si Tiranën, Himarën etj. Intersante dhe premtuese ishin,ose është, shumëllojshmëria e problemeve që rrok krijimtaria e Latifit, çka tregon se kjo krijimtari , po të mos ndërpritej, do të ishte e përmasave tepër mbresëlënëse.Shpërthimet e para në moshë aq të re,rreth 14 vjeç, tregojnë se ai do të kishte një rritje të shëndetëshme.
Poezitë e para të Latifit më risollën një emocion personal, veçanërisht ato të individualizuara. Edhe djali im, ashtu si Latifi, ka nisur të shkruajë poezi që në moshën 10 apo 11 vjeç.Edhe ai ka shkruar jo pak poezi për nënën, mësuesen e parë, për gjuhën tonë të bukur , për natyrën, për dashurinë, për jetën për jetën dhe “udhët me stuhi”,-siç i quante ai rrugën e shkollimit e të jetës.
Asnjë kategori shoqërore nuk ka adhurues më shumë se poetët. Poetët lexohen, rilexohen, vlerësohen, studiohen, të frymëzojnë, të trishtojnë, të kthjellojnë për të kuptuar rrethanat e jetës realisht dhe për t’i ndryshuar ato, me forcë e me dituri.Prandaj poetët duhen kaq shumë, kujtohen me kaq respekt, e nuk harrohen brez pas brezi. Këtu e me këta mund ta vendosim , ta kërkojmë e ta gjejmë, me krijimtarinë e vet edhe inxhinierin poet Latif Fodulli, edhe për një kohë të gjatë, pavarësisht se këtë vit bëhen 55 vjet nga ndarja e tij nga jeta. Ne sot, pas 55 vjetësh të ndarjes fizikisht prej Latifit poet, inxhinier, krijues shumëdimensional nuk mund të themi me saktësi se çfarë do të kishte arritur ai po të mos i ndërpritej kënga në buzë dhe se në cilën fushë ai do të ishte më i suksesshëm, apo paralel në të gjitha ato që kish nisur. Por ne sot, mbështetur në ato që ai ka lënë të shkruara mund të parashikojmë ose të parandjejmë, e t’ia lejojmë vetes që të shprehemi se duke studiuar me vëmendje gjithçka na ka lënë, duke ditur moshën e tij vetëm 27 vjeç, 4 muaj e 12 ditë,duke krahasuar me arritjet e paraardhësve të tij, bashkëkohësve dhe pasardhësve të Latifit, dhe në moshën e Latifit, mund të themi me shpresë, me bindje, por edhe me dhimbje: Latif Fodullin mund ta kishim një nga personalitetet më të spikatur të kulturës sonë kombëtare. Ndoshta një erudit të përmasave europiane. Ndoshta një Moikom Zeqo të dytë dhe bashkëkohës me të. Dhe për më bukur, s’ka dyshim, se ai do të ishte një krijues atdhetar i përkushtuar. Edhe pse i ri në moshë, edhe pse shumë i ngarkuar me studimet e inxhinierisë, edhe me ngarkesat e punës së përditshme, me gjuhët e huaja ai nuk e ndërpreu punën krjiuese: poezinë, prozën, dramën, humorin, aktivitetin sportiv,vizatimin, shënimet filozofike,përkthimet, publicistikën dhe ditarin e tij, i cili shpesh herë merr përmasat e një analize të gjithanshme të jetës së asaj kohe që ai jetoi.
***
Studimet e larta të Latifit në një vend shumë të madh,siç ishte Republika Popullore e Kinës, me qytete të zhvilluara e me industri të rëndë, njëherazi me prapambetje të krahinave fshatare ku jetohej ende me metoda primitive; me kulturë e mentalitet krejt të ndryshëm nga vendlindja e tij,Shqipëria, ishte një përparësi e madhe për të që të kuptonte realitete, ndikime, transformime e botkuptime tepër të ndryshme për jetën, punën, shoqërinë, familjen dhe individin kozmopolit, qytetarin global dhe shoqërinë e konsumit. Tërë këto dukuri edhe në qytetet e mëdha kineze të kohës i dhanë që të kuptojë poetit, mendoj unë, se shoqëria njerëzore po zhvishet me shpejtësi nga ato vlera e tradita historike që popujt kishin trashëguar dhe që i mbajtën gjallë për shekuj me radhë. Mendoj se prej këtej buron mendimi i Latifit se “Shekulli i njëzetë është shekulli i injorancës lakuriq”.Nuk mund të them se si e kuptojnë të tjerët këtë parandjenjë të poetit, 30 vjet më parë se të fillonte rrënimi i gjithçkaje në Shqipëri, pas vitit 1990. Por them me bindje se kalimi i këtyre tridhjet viteve më pas, nga kjo thënie e poetit, u vërtetua profecia e Latifit. Madje ka tridhjet vjet të tjera që vazhdon e nuk po ka të ndalur injoranca dhe lakuriqësia e shoqërisë shqiptare, në kuptimin më dekadent dhe poshtërues.
Duke u njohur me jetën e shkurtër dhe krijimtarinë e bukur të inxhinierit poet Latif Fodulli, duke shkruar këto radhë modeste për këtë talent të rrallë, nuk ka se si të mos shpreh konsideratën më të lartë për punën dhe përkushtimin e vëllait të vet, Ilmi Qazimi. Përkushtimi për 55 vjet për të mësuar të vëtetën e ikjes nga jeta të të vëllait është thuajse e pashembullt. Nuk kam parë,dëgjuar apo lexuar për një rast të tillë kurajoz e në kohë kaq të gjatë. Si duket dashuria e madhe për vëllain, dhimbja për të, ndërprerja e jetës dhe krijimtarisë së tij të shumëllojshme, në moshë aq të re dhe amaneti i prindërve, Karafiles dhe Saliut: “Gjejeni përse vdiq Latifi; ai nuk mund të mbytej kurrë vetë. Mos e lini emrin e tij që të humbasë!”,- kanë qenë detyrim i përjetshëm për Ilmiun. Ai edhe tani pas 38 viteve nga amaneti i prindërve , edhe pse kanë kaluar 55 vjet nga vdekja enigmatike e vëllait, Latifit,ai vijon me të njëjtën këmbëngulje hulumtimet e kërkimet për të gjetur të vërtetën e asaj enigme, e asaj tragjedie familjare e shoqërore.Nuk është pak, është madje shumë e vështirë që të mbledhësh, të mundësh e të gjesh, të takosh, bisedosh, sistemosh opinione, dëshmi, konsidertaa e 392 vetëve për jetën, krijimtarinë dhe gjithçka lidhet me Latif Fodullin. Është një vullnet prej çeliku i markës më speciale. Për mua ky njeri është shembulli dhe model i padëgjuar dhe i vështirë për t’u përsëritur. E përgëzoj Ilmiun për kurajën dhe reazultatet. Madje jo thjeshtë kurajo. Ka kurajo, punë dhe rezultate. Ilmiu ka mbledhur dhe botuar dhe vijon që të botojë një seri librash me të gjithë krijimtarinë e gjerë të të vëllait- që siç kam parë projektet, janë nëntë vëllime. Dhe ajo më torturuese, siç e kam provuar edhe vetë me rastin e tim vëllai,ka qenë ecejaket e pafund nëpër institucionet e shtetit, të cilat dikush e disa kanë qenë, apo janë realisht përgjegjës për këtë vdekje enigmë. Në mos vrasjen apo dërgimin drejt vrasjes të Latifit dhe zhdukjen e tërë dokumenteve përkatëse, Ilmiu vazhdon të kërkojë që të gjejë të vërtetën sado e dhimbshme apo e maskuar që ajo të jetë.Ngjarje të tilla kanë ndodhur kudo e kurdoherë dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen.Por është shteti ai që ka detyrimin e vet ligjor e njerëzor që për shtetasit e vet duhet të thotë se çfarë ka ndodhur nga kush dhe përse.
Vdekja e inxhinierit poet Latif Fodulli, 55 vjet më parë,vrasja e vëllait tim pilot dhe ushtarak i lartë 35 vjet të shkuara, janë misterioze ose krime të sofistikuara, që janë kryer nga njerëz me pushtet, direkt apo indirekt, por që edhe vetë shteti nuk ka dashur t’i zbulojë e t’i ndëshkojë.Ose me qëllim ka heshtur.Ka ngjashmëri midis këtyre vdekjeve me atë të kolonelit të policisë së shtetit S.Ormëni në vitet ’50 të shekulli të kaluar, me vrasjen e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit Zenel Islami në vitet ’60 që akoma e kësaj dite nuk janë thënë të vërtetat,vdekjen e Edi Plasarit etj. Por fshehja e së vërtetës për vrasjen e poetit inxhinier dhe oficerit pilot është edhe më e rëndë.Jo vetëm atëkohë, por edhe në vitet deri tani, në këto tridhjet vjet me tjetër sistem shoqëror,jo vetëm nuk i ka shkuar mendja kujt për të kaluar ngjarjet në filtrin e së vërtetës ,por as për të rivlerësuar apo vlerësuar ashtu siç ka qenë krijimtaria dhe veprimtaria e këtyre dy personave të vrarë.Ashtu si Skrapari edhe Dukagjini, nga kanë lindur poeti dhe piloti, ka shoqata, forume, njësi pushteti dhe indidivë që nuk duhet të rrinin heshtur, sikur të mos ishin bijtë e këtyre krahinave. Minimalisht duhet që të ishte bërë rivlersimi i punës dhe krijimitarisë së tyre për të mos u mbuluar nga harresa.Harresa siç dihet është dënimi i fundit dhe më i rëndi. Për poetin inxhinier kjo nuk do të ndodhë sepse me këmbënguljen vetëm të të vëllait të tij, me kursimet si pensionist, janë botuar poezitë,disa prej tregimeve të tij dhe reportazhe dhe një monografi si dhe është hapur një ekspozitë në një galeri artesh në Tiranë me disa prej vizatimeve të talentit Latif Fodulli.Ai ka qëmtuar si bleta nekatrin e luleve e cila për një gram mjaltë kryen njëqind mijë kilomtra fluturime duke mbledhur tërëçka ka mundur të gjejë nga dorëshkrimet e padjegura, duke arritur që,nga krejt i panjohur Latifi të lexohet sadopak si pjesë e kulturës sonë.
Në fund të këtyre shënimeve modeste për inxhinierin poet Latif Fodulli dhe vëllain e tij e shokun tim Ilmi Qazimi, në kujtim e nderim të diturisë, krijimtarisë dhe me dhimbje në shpirt për moshën dhe ndërprerjen e këngës së tij në vitet më të bukur të jetës.Do t’u kërkoj luleve të shumëllojshme të lëndinave të Dardhazit, ku Latifi kaloi vitët e njoma të fëmijërisë, ku mblidhte lule e polen për t’ia “dhuruar” gjuhës shqipe, që në çdo 12 të Majit, të ndarjes nga jeta të “ulin ” kokën si “Manushaqja” e Naimit, për pak çaste në nderim e kujtim të djaloshit që ka të njëjtën vendlindje me ato lule, Çepanin. Dhe lulet e shesheve të Dardhazit do të “bëjnë ” këtë.Do t’u kërkoj valëve të serta dimërore të lumit Osum që në një orë të çdo 17 Janari të “ndalojnë” pak çaste oshëtimën e tyre atje thellë kanioneve shekullore, në kujtim të ditlindjes së poetit inxhinier që kaloi sa herë duke medituar pranë tyre…Dhe Osumi do të “bëjë ” këtë.Do t’i kërkoj lumit Vjosa, që mban të fshehur në gjirin e saj misterin e ikjes së poetit, që në çdo 12 Maj, si i vetmi variant që dimë deri tani për këtë humbje tragjike , ta “ndërpresë” oshëtimën e e saj nanurisëse në nderim e kujtim të poetit inxhinier që fati e solli ta ndërpresë këngën dhe jetën, pikërisht në ujin e kaltër të saj. Dhe Vjosa do ta “bëjë” këtë.

Dy fjale per zotin Ndoc Logu
Me thene te drejten hera e pare qe ndegjoj kete histori dhe meqe me bere pershtypje kerkova ne internet dhe me thene te drejten u befasova..
Me te vertete ishte dhe mbetet i jashtzakonshem..
..Por ajo ku gabon rende Ndoci por dhe vellai Hilmi
eshte se i meshojne fort se dikush e ka vrare nga mbrapa..eshte budallallek 100%
.
Fakti qe ai ishte “ekstraordinary” ose ka kaluar ne sherbimet inteligjente teper sekrete shqiptare qe quhen “only one way”
ose eshte vetembytur nga depresioni se kete njeri fenomen e kane “rrasur” ne Gramsh & Polican qe ishin realisht nje burg …njeri me i dhjere se tjetri.
lutemi me mirekuptoni dhe ju sugjeroj te lini qarjet me denese qe ne nje fare menyre e njollosni kete engjell qe nga disa parametra ngjan me ekselentin Kastriot Gjini qe i ku shume i ri ne kulmin e karrieres
Nderime !
Nuk e kam njohur personalisht, por qe nga dita e vdekjes se tij kam degjuar shume per te. Mu krijua pershtypja e pare se, nje i ri aq optimist per te ardhmen, shume dimensional ne krijimtari, te mund te bente vete nje akt te tille ekstrem… Talenti i rralle ne mjaft fusha te kultures, njohes i disa gjuheve, por edhe te inxhinierit per te cilen studioi e ben Latifin ne syte e mi nje fenomen. Bukur mire e thote autori i shkrimit, Ndoc Logu, se Latifi mund te behej nje personalitet qe do ti jepte shume kombit tone…
Poetët nuk vdesin!?Le ta kujtojmë çdo vit në ditën e lindjes me botime të tij apo shkrime e kujtime te atyre qe e kanë njohur!?
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
Poetët nuk vdesin!?Le ta kujtojmë çdo vit në ditën e lindjes me botime të tij apo shkrime e kujtime te atyre qe e kanë njohur;se ata kanë vetëm ditlindje!?
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!