Detajohen kategoritë e studentëve që duhet të paguajnë tarifën e plotë dhe atë të reduktuar për ndjekjen e programeve të studimit në të gjitha ciklet që zhvillohen në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Në vendimin më të fundit të marrë pak ditë më parë nga Bordi i Administrimit në UPT bëhet e ditur se të gjithë studentët që kanë notën mesatare të vitit paraardhës nën notën gjashtë do të duhet të shlyejnë tarifën e plotë vjetore. Kjo kategori duhet të paguajë tarifën e plotë të shkollimit të përcaktuar për vitin akademik 2021-2022 që është në shumën e 40,000 lekëve. Për studentët që kanë mesatare më të lartë do të ketë reduktim të tarifës deri në 50 për qind. Në këto kushte të gjithë studentët që kanë mesatare të vitit të mëparëshëm ndërmjet notës 6 deri në 9 nuk do të pagujanë tarifën e plotë, por vetëm 20,000 lekë.
Po sipas vendimit të marrë nga Bordi, studntët përsëritës duke nisur nga viti i parë tek ai i pesti në rastet kur janë dukje ndjekur ciklin e integruar, si dhe nga viti i parë në të tretin kur janë duke ndjekur për ciklin “bachelor” (BAIND) gjithashtu do të duhet të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit të përcaktuar për këtë vit akademik që është 40,000 lekë. Ndërkohë që për të gjithë studentët që janë përsëritës të vitit të pestë të ciklit të integruar, si dhe ata të vitit të tretë të ciklit të parë “Bachelor” nuk do të jetë e detyrueshme pagesa e tarifës së plotë. Për këtë kategori studentësh Bordi ka vendosur se gjatë këtij viti do të paguajnë vetëm për provimet që do të japin për lëndët e mbartura gjatë vitit akademik 2021-2022.
Ndërsa për studentët që ndjekin programet e ciklit të dytë në “Master profesional” bëhet e ditur se shlyerja e tarifës vjetore të studimit do të bëhet e ndarë në dy këste, ku në këstin e parë studentët duhet të shlyejnë tarifën prej 42,900 lekësh. Po kaq do të jetë edhe shuma që do të paguhet për këstin e dytë. Duke marrë faturën përkatëse pranë strukturave mësimore të këtij fakulteti, studentët duhet të paraqiten pranë pikave të përcaktuara të bankave të nivelit të dytë për të bërë shlyerjen e saj. Në vijim mandatin e pagesës duhet që ta dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të fakultetit. Studentët që nuk do të shlyejën në kohë tarifën vjetore të shkollimit do të përballen me penalitete sa i takon hyrjes në sezonet e provimeve.
Pranimet e reja në këtë institucion të arsimit të lartë çdo vit bëhen nëpërmjet disa treguesve që janë mesatarja e studimeve të shkollës së mesme, mesatarja e lëndëve prioritet, si dhe pikëve të fituara nga testi i pranimit. Në këtë fakultet kanë të drejtë të aplikojnë për programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për t’ju nënshtruar Testit të Pranimit në FAU, në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë do të jetë sipas përcaktimeve të akteve ligjore në fuqi për vitin akademik përkatës.
Kritereve të pranimit duhet t’u nënshtrohen të gjithë shtetasit shqiptarë, si dhe kandidatët nga trojet shqiptare, të cilët përfitojnë nga kuotat e parashikuara për shqiptarët nga trevat jashtë kufirit, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Do të jetë një komision “Ad-hoc” që do të bëjë të mundur renditjen finale të kandidatëve sipas formulës së llogaritjes së pikëve totale, ku dhe do të vendosë vijën e kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin e studimit. Testimi i kandidatëve do të organizohet në një ditë dhe do të zgjasë 2 orë, ndërkohë që do të përmbajë pyetje, dhe përgjigjet e pyetjeve do të jenë me përzgjedhjen e alternativës së saktë, në mënyre që të mundësojë korrigjimin e automatizuar. Çdo kandidat duhet të plotësojë një test, që do të ketë në përmbajtje 60 pyetje që do të jenë vetëm me alternativa, në mënyrë që të mundësojë edhe korrigjimin elektronik. Ky test përfshin vlerësimin e katër komponentëve të ndryshëm që janë: Test i arsyetimit logjik, test i kulturës së përgjithshme, test i historisë dhe historisë së arkitekturës, si dhe test i vizatimit dhe prezantimit.
Ndërsa në programet e ciklit të dytë të këtij fakulteti kanë të drejtë të aplikojnë kandidatët që: kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë në fushën përkatëse të studimit ose në fusha të tjera të përafërta, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit; janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
Tarifat e studimit për vitin akademik 2021-2022
- Studentët që kanë notën mesatare të vitit paraardhes nën 6 duhet të paguajnë tarifën në shumën 40,000 lekë.
- Studentët që kanë notën mesatare të vitit paraardhes nga nota 6 deri në 9 duhet të paguajnë ½ e tarifës së shkollimit të tyre per 2021-2022 në shumën 20,000 lekë.
- Studentët përsëritës nga viti i parë në të pestë (cikli i integruar), si dhe ata nga viti i parë tek i treti në “bachelor” duhet të paguajnë tarifën e plotë prej 40,000 lekësh.
- Studentët përsëritës të vitit të pestë (cikli i integruar), si dhe ata të vitit të tretë në “bachelor”duhet të paguajnë vetëm për provimet që do të japin për lëndët e mbartura gjatë vitit akademik 2021-2022.
- Studentet e “Masterit profesional” duhet të paguajnë këstin e parë në shumën e 42,900 lekësh.
Llojet e diplomës që ofrohen në Fakultetin e Arkitekturës:
- Arkitekturë Interieri dhe Dizajn “Bachelor”
- Arkitekturë profil Arkitekt “Master i shkencave në Arkitekturë, profili Arkitekt”
- Arkitekturë profil Urbanist “Master i shkencave në Arkitekturë, profili Urbanist”
- Restaurim i Monumenteve të Kulturës “Master profesional”
- Arkitekturë Doktoraturë (PHD)
- Urbanistikë Doktoraturë (PHD
