Ti i mbyllur je në tela,
tela e mure të rënda,
po as zëmra-po as shpirti,
jo-mor-jo nuk mbyllen brenda.
Kur një zog vjen në dritare,
me të artat cicërima,
nuk ke pse habitesh fare,
s’është zog-po zemra ime.
Kur zemra rreh si kambana,
kur: “Të dua!”-zëmra thotë,
kur përjashta të pret zana,
gjithë prangat janë kot.
Cili është sekreti i zëmrës,
që mesazhe jete çon,
është veç fuqi e ëndrrës,
që si drita fluturon.
Ajo ëndërr-ajo shpresë,
që sytë t’i mbulon me vesë,
veç ato-në të vërtetë,
të mbajnë gjallë në jetë.
Treten tela-shemben mure,
shemben muret dhe qelia,
kur të pret një vajzë nure,
kur të thërret dashuria.
Shpirt’ i bardhë i vajzës sate,
erdhi-në qeli të gjeti,
ndaj ajo qeli e vogël,
u bé sa një shtëpi mbreti.
Sytë e tu të pikëlluar,
kanë dhe vend për dashuri,
ndaj gjithnjë të kam menduar,
njëlloj si unë-je njeri.
Qofsh i lirë-si një zog vere,
apo mbyllur në një hekur,
po nuk pate dashurinë,
frymë merr-po je i vdekur.
Kjo fuqi e dashurisë,
i shëmb muret e qelisë.
10 Tetor 2008
Eva me Adamin
Eva me Adamin,
kur iu bënë magji,
qenë vëlla e motër,
ranë në dashuri.
Eh-fati i tyre,
u pre si me drapër,
kur Evës i foli,
në vesh ai gjarpër.
Ky-mëkati i parë,
ishte -padyshim,
e-që atëherë,
s’ka e s’ka mbarim.
I miri-i ligu,
s’çan kokë asnjëherë,
mëkaton pareshtur,
dhe pse shkon në Ferr.
Po mua më duken,
mundime të kota,
pa këto mëkate,
si do bëhej Bota?!
Eva me Adamin,
gjer këtu arriu,
mëkati i vjetër,
mbeti më i riu.
A. DUKA
11 Tetor 2008
Botuar në Dita, 22 korrik 2016
