Erdhi bukuroshi, ndenji te unë për drekë, lozi një séancë poker dhe pasi mori librin për Skënder Sallakun me autograf e pesë llafe të mira, dmth, që Xhevoja çmohej nga unë, meqë ka punuar në një trupë me Sallakun dhe meqë ka jetuar në një shekull me Ajnshtajnin, të gjitha shkruar në faqe të parë, iku e përfundoi në shtëpinë e tij të largët, në Staten Island.
Pas pesë ditësh nuk m’u ndenj dhe e mora në telefon: (Po e shënoj gjithë dialogun, dhe për ta shijuar atë po bëj një zbulim: Xhevahiri nuk e kish lexuar fare librin! Por unë, atëherë, gjatë bisedës nuk e dija. Nuk dyshoja dhe nuk e kuptova dot).
– Alo, Xhevo! Si t’u duk libri për Sallakun?
– Madhështor…
– E lexove që atë natë?
– Hajde budalla, hajde! Po ku të le ai libër ta lëshosh nga dora,mo! Të lumtë, kur të qaj tërë!
– Është me interes?
– Çfarë?! Do llafe të mira?! Do hymne ti, tani?! Pyetja më banale që mund të bëjë njeriu për këtë libër është “është me interes?”…
– Faleminderit Xhevo… Si t’u duk kompozicjoni?
– Si të them…
– E kam fjalën a t’u duk me vend që unë nuk merrem me jetën e Sallakut, kështu, në mënyrë klasike, nga e para, ose “straight” siç i thoni ju andej nga Staten Island?
– Po ti e ke patur të menduar, atë. Nuk besoj se të ka dalë ashtu, në tym. Ajo mënyrë e bën librin të veçantë.
– Po mirë, Xhevo… Si t’u dukën ato dy episodet kulmore me Kadri Hazbiun dhe me Enver Hoxhën. A nuk është gjetur bukur, që kapitujt kryesorë mbarojnë me to?
– Bukur!…
– …. dhe kështu sigurohet edhe një tension dramatik në fund të dy kapitujve kryesorë, apo jo?.
– Tensioni dramatik e zbukuron gjithnjë librin që duket sikur është shkruar për zbavitje.
Dhe shumë më vonë, pas dialogut, e çmova kujtesën e Xhevos që nuk bënte tjetër m’i riformulonte lavdet që thurja unë për veten time!
– Që thua ti, or mik, ato janë dhe dy kulminacione të të gjithë librit. Dhe ke bërë mirë që ke mbaruar dy kapitujt kryesorë më ato episode. Të lumtë!
– Oh Faleminderit Xhevo. Njeriut gjithmonë i bëhet qejfi…
– Nuk t’i them për të të bërë qefin, kur të qaj tërë!.. Ti e di që unë nuk jam nga ata.
– Po episodi me Bungon, mo Xhevo?
– Mos ma kujto se edhe tani më vjen të qesh.
– Po ato episodet në familje, a nuk janë fantastikë?
– Fantastikë, është pak.
– Faleminderit, për fjalët e mira, Xhevo!
Xhevoja më qortoi:
– Mos më thuaj më “fjalë të mira”. Këto janë fakte, jo “fjalë të mira”. Kjo është bisedë miqsh, artistësh… Është gati bisedë pune.
– Po ndonjë gjë tjetër, Xhevo?
Me këtë pyetje Xhevon me siguri sikur e kam vrarë. Vallen ai ma mbante, por e kish vështirë ta hiqte.
– Kë të kujtosh më parë aty?! – përtypet Xhevahir Zeneli. – Çdo gjë meriton të flasësh një natë të tërë dimri. (Pauzë) Kur të qaj tërë!
– Faleminderit…
– Shih ky! Faleminderit! Po ç’faleminderit, mo!…
– A e çmove fokusimin e Skenderit si klloun, si pehlivan në majë të telit dhe lënien deri diku mënjanë të figurës si aktor? Për të theksuar më shumë etjen e tij për të luajtur me rrezikun e jetës. A nuk është fenomenale?
– Ah sa mirë që fokusove kllounin, pehlivanin në tel!…
Dhe pasi unë thashë nja tridhjetë epitete, si “fantastike” e “fenomenale” e “të pazbuluara më parë”, e pasi Xhevoja m’i përsëriti prapë ato “duke qarë tërë”, e mbyllëm këtë séancë përshtypjesh.
Ime shoqe erdhi nga jashtë.
– Me cilin po flisje?
– Me Xhevon. Për librin. E ka tronditur.
– Kush e ka tronditur?
– Libri. Nuk la lavdërim, nuk la epitet, nuk la vlerësim të lartë… Ishte mrekulluar. E çmon shumë që ….
Ime shoqe ma prêt frymezimin, me të cilin nisa të përshkruaja vlerësimet e mia që Xhevoja veç m’i kish miratuar duke i futur nga një “kur të qaj..”
– Dëgjo se nuk ta thashë, – ma preu ajo. – Ai e ka humbur librin! Kur iku që këtej nga ne, e kish harruar në tren. Më telefonoi e shoqja e më tha: “Të lutem, Xhuli, më gjej një kopje tjetër, se Xhevoja atë që i dhatë e humbi dhe, jo vetëm vetë nuk pa asnjë faqe, por na la edhe ne pa e lexuar. Po e binde Pëllumbin t’ia shkruajë prapë autografin me ato fjalë, mirë.. Po nuk munde, na e dërgo pa shënime, pa autograf”… Kështu më tha e shoqja… Çfarë i kishe shënuar në autograf?
Unë jam pak i deziluzionuar.
– Nuk më kujtohet mirë, por më duket “Xhevos, me simpati për fatin që ka punuar në trupën e Tiranës, në një kohë me Sallakun dhe ka jetuar në një shekull me Ajnshtajnin”. Kështu më duket. Jo aq serioze, por…
– Ju doni të bëni humor edhe kur duhet të jeni seriozë. Me këtë libër ty tani të quajnë serioz.. E si do të bësh, do t’ia shkruash prapë?
– Mirë, – bie dakord unë. – Do t’i shkruaj vetëm për fatin që ka jetuar në një shekull me Ajnshtajnin. Por mos më dalë përpara se do ta vras!

Bravo Pellumb Kulla , nuk po e mbaj dot te qeshuren .
Pershendetje, nga Ancona Itali .
Drejt me thane o Skifter Shtepia, me burre i mire po me duket Xhevo qe ka patur turp te te thote se i ka humbur libri,se sa ti qe turpin e tij te kuptueshem e ben publike faqe gjithe botes.
Kjo tregon se edhe nese Xhevo eshte “katundar” te pakten nuk eshte katundar pordhac si ti.
Nese nuk gaboj ti ke shkuar ne Amerike si Ambasador i “Xhevove” dhe nuk erdhe me,kurse Xhevo ka shkuar me llotari.
Shiko se nuk duhet te jeshe nga Zemblaku fiks
Po c’jane keto qe shkruani!? Tjetri na zbavit me humor duke marre kenaqsi edhe per vete, edhe per mikun e tij, humoristin Xhevo, ne i kujtojme si shkoi ne amerike, a i sherbeu socializmit apo jo, ishte apo jo i persekutuar etj. etj.
Ketu nuk po lexojme gje per politiken, per karakteret, per fshatin ku ka lindur Pellumbi e ku kemi lindur secili perj nesh.
Nuk mbulohet dielli me shoshe e me fjale o Dhori.Verej si sillet “e djathta fshatare”, nga fryn era.
Dhe me ne fund,zooooteria ne fjale te shkruaj humor ne by… te tij e jo te Xhevos,pavaresisht se Xhevo i vertete me poshte ja nxjerr vete perpara
bravo zoti kulla
O i pa njohur, por…dhac,
mos ma merr me te keq se perdora emrin/pseudonimin tend zyrtar, qe vete e ofrove.
E rendesishme eshte ajo qe doje te thoje ne rreshtat e komentit tend.
Te me falesh, edhe ti edhe zoti Kulla, por asnjeri nuk po thote gje te vertete.
Une e kam dhuraten e zotit Kulla, dhe e kam lexuar dhe e nderoj Pellumb Kullen si artist.
Librin ia pranova dhe e pelqeva si artist, si koleg, kurse ti zoti Por…, merresh me politike, me politike te vjeter…Vitit 1997, eshte amnistuar nga PD e PS, kurse libri per Skender Sallakun nuk amnestohet dot kurre…
Po ta lexoje edhe ti, do merreshe me tjeter gje ne komentin tend, dhe do kuptoje se E Qeshura e S Sollakut te Pellumb Kulles eshte ajo qe na shpjegon dhe na ben per te qeshur, me ata qe kemi siper por edhe me njeri tjetrin…
Ata qe rrine shume kohe ne pushtet, te gjithe behen te frikshem, dhe ata poshte tyre vetem me te qeshura ua dalin!
Skendo Sallaku i sollaktë ka qene, me bindje, por Kulla kerkon e gjen tek ai, dhe tek cdonjeri nga ne, pjesen njerezore, mundesine qe edhe ne kohe te erreta diktaturash, ne te mbetemi sa me shume njerez…
Kurse ti mik i pa njohur, nje shkrim me humor te Pellumb Kulles, e more per nje here si te vertete dhe akuzove Kullen se me paska fyer mua! Por jo or njeri, as pellumb Kulla nuk do merzitej sikur vertete une te mos ia lexoja librin, se ai ndaj e ka shkruar librin ne emer te Skender Sollakut: sepse, shakate qe ka bere Sallaku nuk ia ka bere vetem ai, por secili nga pak, Skenderi me shume, Skenderi me i njohuri, por secili ka bere pjesen e tij dhe Kulla e di se edhe shakate e mia, psh, apo edhe shakate e tij, ia ka veshur miqesisht me te famshmit per to, shefit te humorit zyrtar shqiptar te kohes!
Ndaj them se je nxituar, ke gjetur vendin e gabuar per tu ngaterruar me veten!
Xhevo te pershendes dhe te uroj jete te gjate.
Mund te shkruash mijra faqe,qe kur i lexon ta bejne bythen ne kater pjese si
te brumbullit,por vetem me pake reshta ,njeriut qe lexon i lene mbrese per
vleren e tyre.
Ata qe rrine shum ne pushtet,bhen te frikshem{ me nje fjale bhen mut}
dhe ata poshte tyre vetem me te qeshura ua dalin{ me nje fjale me fryrje bythe}
Po mire ta ka bere, po t’i kishe dhene dy libra, njerin do ta kishte cuar ne destinacion.
Je treguar kurnac.
Tregimi eshte shume i lezetshem.Urime.
Po qesh hidhur, nga zori. Sa vjen e me shume po shtohen ata qe bejne analiza pa e lexuar librin. Nje here e nje kohe Pellumbi e quante kultura e kalendareve. Tani mund te quhet edhe kultura dhe mbreterimi i telendareve. Ne media te shkruar dhe vizive, ne te gjitha fushat e nivelet e shoqerise mbreterojne telendaret, nuk kane lexuar dy rreshta dhe i japin mendje gjithe dynjase. Koha e arte e tyre!
More Z Pellumb,qe i vogel dhe deri tash jam kenaqur duke te lexuar dhe duke pare shfaqjet e tua ne Estraden e Fierit.Sigurisht qe kisha fatin e madh te kisha komshi.Respekte.
Pellumb Kulla nje ideator humori, qe ka dhene shume ne kete fushe, smund te rri pa bere humor, se vete jeta e tij, ka qene humor i gjalle qe na ka bere per te qeshur edhe atehere kur sna qeshej, kjo edhe fale humoristeve te shkelqyer, qe kane patur estradat ne shume qytete, qe sot i ka humbur vula.
Prandaj dua ti them dikujt, qe lere politiken. Zoti Kulla e ofron dialogun me Xhevahir Zenelin edhe tek ne qe te qeshim.