Përtej një homazhi për Kurt Kolën (II)

J L

Xhevdet Shehu

(Vijon nga numri i kaluar)

***

Gjatë ditëve të asaj greve pushteti në të vërtetë ishte mjaft i shqetësuar dhe i përdori të gjitha format për ta ndërprerë grevën. Një natë rreth mesnatës mbërritën te grevistët përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Prof. Ylli Popa dhe kinoregjisori Kujtim Çashku. Në bisedën që patën me Kurtin dhe komisionin e grevës fliste vazhdimisht Çashku, ku lehtësisht dallohej përpjekja për ta mbyllur grevën. Çashku edhe premtonte për ndërmjetësimin në Qeveri.

– Ju kini ardhur në emër të Komitetit të Helsinkit apo të Qeverisë? – e pyeti jo pa ironi Kurti.

Ndërsa një anëtar i komisionit të grevës i ngarkuar për lidhjet me shtypin, ndërhyri:

– Zoti Çashku, nuk iu shkon fare ky mision që keni marrë përsipër si avokat i Qeverisë. Dikur, kur ishim në burg, e di ti që na çonin me forcë për të parë filmat e tu, për t’u edukuar me dashurinë për partinë dhe shokun Enver?! Ndërsa tani… Bëni gabim që merrni përsipër gjëra që nuk ju takojnë, se diskreditoheni. Do të besoja sinqersisht ato që thoni po t’i dëgjoja nga goja e profesor Yllit. Ndërsa nga ti…

Çashku u çarmatos dhe u ngrit. Përpjekja e tij nuk dha asnjë rezultat. Ndërkaq në përkrahje të grevës ishin vënë thuajse të gjitha partitë politike. Edhe klerikët.

Kurse PD e thelloi më tepër deklaratën e Qeverisë, ku përveç etiketimeve të njohura për ish-të përndjekurit, ishte shtuar se shoqata e tyre është vënë në shërbim të opozitës komuniste. Grevistët u acaruan sërish nga ajo deklaratë. Por, ushqenin një shpresë të vakët se ndoshta Presidenti do të ndryshonte diçka nga ato deklarata kundër tyre, do të ndërhynte në një moment të caktuar. Ai nuk kishte folur ende…

 

***

Greva u ndërpre në ditën e 8-të, natën. Disa orë para se të ndodhte kjo, kishte hyrë vullnetarisht në grevë deputeti Azem Hajdari, i cili përveçse ishte bërë garant për jetën e tyre, kishte dorëzuar në mënyrë demonstrative dhe në shenjë rebelimi ndaj partisë së tij dekoratën Pishtar i Demokracisë.

Hyrja e Azemit në grevë i qetësoi grevistët ndaj ndonjë ndërhyrjeje të mundshme të policisë, sikundër flitej. Azemi ishte betuar me nderin e deputetit se nuk do ta lejonte kurrsesi këtë.

Megjithatë, ajo natë do të mbetet e paharruar për ish-të përndjekurit pikërisht për të kundërtat e atyre që kishte garantuar Azemi.

… Ishte ora dy e gjysmë pas mesnate, kur më telefonuan nga greva për të më thënë se ata kishin mbërritur, domethënë policët. U vesha me shpejtësi, hodha çantën në krah e u nisa. Selinë e ish-të përndjekurve e kisha më pak se 10 minuta larg në këmbë. Sapo dola jashtë u kthjellova plotësisht nga freskia e mëngjesit që po vinte dhe nga një dritë e mrekullueshme hëne. Është gjynah të kryhet ndonjë krim këtë natë, mendoja ndërsa ecja i vetmuar dhe i magjepsur në rrugët e boshatisura, të lyera me vërnikun e hënës.

Por, kur u afrova në afërsi të selisë së grevës, ç’të shihja! Makina policie, furgona dhe Ifa me forca të shumta në gatishmëri, ndërsa ishin mbyllur të gjitha shtigjet dhe policët nuk lejonin kërkënd të afrohej. Iu prezantova atij që jepte urdhra dhe i kërkova të më lejonte të hyja. Por ishte e pamundur. I tillë është urdhri, më tha me njëfarë mirësjelljeje.

U largova për të tentuar të hyj nga ana lindore, nga hipotenuza e trekëndëshit që formojnë rrugët që rrethojnë atë godinë në rrugën e Elbasanit. Aty takova tre-katër kolegë të mi që sapo kishin mbërritur edhe ata. Ishin Benet Koleka i Rojterit, Aleksandër Furxhi i radio Londrës dhe dy kolegë të tjerë të gazetave të Tiranës. Është e pamundur të hyhet atje brenda, më thanë. Unë po e provoj dhe një herë, thashë dhe u drejtova për andej. Pa kaluar dhjetë metra, m’u turr një polic duke klithur “Kthehu, ik, largohu!”. Arsyetimit tim se isha gazetar i Zërit të Amerikës, ai iu përgjigj me një ngërdheshje dhe duke më kërcënuar me tundjen e shkopit të gomës para syve.

U ktheva.

– Më mirë presim këtu. Këtej do të kalojë me siguri ndonjë prej grevistëve, – thanë kolegët duke mbajtur këmbët te një urë e vogël buzë Lanës.

Nga selia vinte oshëtima e një zallamahije me klithma dhe ulërima. Diçka e papëlqyer po ndodhte. Po, çfarë?

Nga porta kryesore e selisë pamë të dilnin një tufë grevistësh. Ata ishin të tromaksur. Shumica e tyre morën rrugën kryesore drejt qendrës së qytetit, kurse tre u drejtuan për nga rrugica jonë. U turrëm si me komandë drejt tyre.

Dhe ata na treguan se ç’po ndodhte atje brenda.

“Që dje pasdite pamë një grumbullim jo të zakonshëm policësh para godinës, ndërsa operacioni për ndërprerjen e grevës filloi rreth orës dy e gjysmë pas mesnate. Na goditën dhe na hoqën zvarrë. Vetëm Azemi nuk po dorëzohet dhe vetëm atë nuk po e prekin, se është deputet…”

-Do të largoheni ju me të mirë apo t’ua bëjmë copa-copa ato aparate!

Një polic na kishte bërtitur kështu, ndërsa pas tij u turrën edhe dy – tre persona të tjerë që nuk ishin të veshur policë. Përfundimisht, na larguan dhe nuk na lejuan të qëndronim aty. Ndalesa jonë e dytë ishte rreth 300 metra më tej dhe ne e kishin gati të pamundur të merrnim vesh më tej se ç’po ndodhte. Po edhe aq na mjaftonte.

Në orën katër isha sërish në shtëpi, por tashmë s’mund të flija. Më shumë nga ato që kisha parë e dëgjuar, sesa nga koha e kufizuar që kisha për përgatitjen e reportazhit. Në orën 6 e kisha lënë me zyrën të më telefononin.

Dhe zilja ra në orën 6. E ngrita menjëherë receptorin dhe…

Nuk ishte zyra.

– E përgatite materialin për grevën? – njoha zërin e Ekspertit Presidencial (sikurse quhej ndryshe eminenca gri e Sali Berishës) të më pyeste me butësi.

– Atë jam duke përgatitur, – ia ktheva nuk e di sepse me njëfarë sinqeriteti të tepruar që shpesh më bënte të pendohesha. Gazetari nuk ka pse të tregohet i hapur dhe i sinqertë me cilindo se ç’ka ndërmend të bëjë. Kjo mendoj se hyn në ato që quhen rregulla të pashkruara të profesionit.

– Mendoj se e ke theksuar në material se grevistët e ndërprenë vullnetarisht grevën… Madje, disa policë që u ndodhën aty rastësisht, ruajtën thjesht rregullin, ata nuk kishin as shkopinj gome… Apo jo? – tha ai me nëntekst të lexueshëm.

Buzëqesha hidhur. Këtë lloj “përkujdesjeje” brutale unë e kisha provuar edhe herë të tjera dhe e dija përse bëhej, ndaj nuk e prisha gjakun dhe vazhdova qetësisht punën…

Atë ditë që u mbyll greva u mor vesh se e njëjta sjellje e ashpër e policisë ishte vënë re edhe në qytetet e tjera gjatë nxjerrjes forcërisht të grevistëve nga ngujimi. Ndërsa Kurt Kolën e kishin mbyllur në arrest shtëpiak. Është e tepërt të thuhet se sa të indinjuar ndiheshin ish-të përndjekurit, të cilët, edhe në të tilla kushte, shpreheshin për vazhdimin e grevës në kushte të tjera. Me këtë rast bëra një intervistë të veçantë me Kurt Kolën, ku theksova faktin se ndaj tij është vendosur masa e arrestit shtëpiak.

Përsëri ra zilja e telefonit sapo mbaroi intervista e Kurtit te Zëri i Amerikës. Ishte sërish Eksperti presidencial.

– More, (ai e përdorte shpesh këtë fjalë) këtë Kurt Kolën e paskan mbyllur në arrest shtëpie, tani e mora vesh. Po si munde t’ia marrësh intervistën? Si të lanë rojet? – pyeti ai me një kureshtje të lexueshme.

– Jo, e mora me telefon…

– Si ka mundësi? Sepse, me sa di unë, kur vendoset masa e arrestit shtëpiak për një njeri, atij i hiqet telefoni, – bëri sërish të çuditurin ai…

***

… Ndonjë orë pasi u dha intervista ime te Zëri i Amerikës, m’u pre telefoni, do të më tregonte më vonë Kurti. Më hoqën të vetmen mundësi të komunikimit me anëtarët e Shoqatës. Kur më hoqën telefonin, ideja e burgut m’u bë krejt konkrete, më mbytën kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe ndjeva dhimbje. Dhimbja më buronte së brendshmi për shumë arsye, por mbi të gjitha se ndihesha i zhgënjyer, i tradhtuar, i mashtruar nga njerëzit, të cilët kisha besuar se do të bënin Shqipërinë, siç e kishim ëndërruar ne të burgosurit e ndërgjegjes të diktaturës komuniste. Dhe njeriu i tradhtuar e mashtruar bie shpejt në dëshpërim. Ndërsa unë i uroja vetes: Të mos bija në dëshpërim…

(Kurt Kola u mbajt tre muaj në arrest shtëpie dhe u çlirua nga akuzat që i bëheshin disa ditë pas referendumit për kushtetutën më 6 nëntor).

Të nesërmen e ndërprerjes së kësaj greve urie, në Tiranë filloi procesi gjyqësor ndaj pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, ndërsa çështja e ish-të përndjekurve politikë kaloi në plan të dytë. Kjo çështje u spostua dhe u injorua, por nuk u harrua… Në analizat që do të bëheshin pas humbjes në referendum nga ana e pushtetit, dhuna e përdorur ndaj ish – të përndjekurve politikë do të radhitej ndër faktorët e rëndësishëm që kishte ndikuar negativisht në rezultatin.

Ndonjë muaj më vonë në Shqipëri u shfaq epidemia e Kolerës që mori dhjetëra jetë njerëzish. Një politikan i opozitës e quajti Qeverinë e Berishës – Qeveria e Kolerës.

Një vit e ca më vonë do të bënte kërdinë Poliomeliti.

Ndërsa epidemia e piramidave rentiere të fajdeve ishte ende larg…

***

Por, le të kthehemi tek referendumi i 6 nëntorit për kushtetutën, i cili në të vërtetë ishte një Vaterlo për Berishën dhe regjimin e tij.

Koha pas Referendumit do të shfaqte herë pas here të papritura të ndryshme, të cilat gjithsesi nuk ishin në favor të Berishës. Një e tillë ka qenë, për shembull, kremtimi që iu bë 50 vjetorit të Çlirimit. Një vit më parë Parlamenti i dominuar nga demokratët kishte vendosur me shumicë votash që dita e Çlirimit të Shqipërisë të mos ishte 29 Nëntori, sikurse ishte përkujtuar gjatë regjimit komunist, por 28 Nëntori. Dhe më 1994, pushteti i kremtoi edhe Ditën e Flamurit edhe Ditën e Çlirimit në një ditë. Për herë të parë në podiumin e festave dhe në parakalimin simbolik që u bë para korpusit të Universitetit, u shfaqën krah për krah ish-partizanët dhe ish-nacionalistët, sikurse i quante propaganda zyrtare ballistët dhe zogistët, të privuar nga ky gëzim për gjysmë shekulli.

Megjithatë, të gjitha ceremonitë e organizuara me këtë rast ishin krejt të zbehta, gati formale. Një mbledhje solemne, ku fjalimet kryesore i mbajtën Ymer Dishnica dhe Aleksandër Meksi, si dhe parada para Universitetit, që nuk zgjati më shumë se 15 minuta, përbënin kremtimet publike të festave. Pritja në Pallatin e Brigadave shënoi mbylljen zyrtare të këtyre ceremonive, ku dukej qartë bojkotimi nga opozitarët, sidomos nga veteranët e Luftës Antifashiste.

Pikërisht në këtë moment, domethënë një ditë më pas, më 29 Nëntor, ndodhi e “papritura” e madhe, së cilës ia kishin frikën pushtetarët demokratë. Në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, aty ku një Ansamble Popullore e kishte shpallur Shqipërinë Republikë në janar të vitit 1946, ndërsa më 1948 ishte mbajtur Kongresi i parë i PKSH, ishin mbledhur veteranët e Luftës Antifashiste për të përkujtuar Ditën e Çlirimit. Salla ishte mbushur plot e përplot, në plate e në lozha, ku, përveç veteranëve merrnin pjesë edhe përfaqësues të disa partive politike të opozitës si PS, PSD, PUK etj. Kishte edhe të rinj, entuziazmi i të cilëve binte më shumë në sy.

Mbledhjen e hapi ish-kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, veterani Haxhi Lleshi, ndërsa fjalën e rastit e mbajti ish-ushtaraku i lartë Dilaver Poçi, i dënuar nga Enver Hoxha në vitet ’70. Oratorët, midis të cilëve dhe përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse, mbrojtën me zjarr luftën partizane nga deformimet që po i bëheshin nga pushteti aktual dhe 29 Nëntorin si ditë të Çlirimit të Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, për herë të parë pas më shumë se katër vjetësh, u duartrokit me entuziazëm për Enver Hoxhën. Kjo ndodhi në një moment ndërsa oratori Dilaver Poçi e përmendi emrin e Enver Hoxhës si një nga protagonistët e asaj lufte heroike të  partizanëve shqiptarë. Salla u ngrit në këmbë dhe, si një herë e një kohë, filloi të duartrokiste e të brohoriste “Enver Hoxha, Enver Hoxha!”…

Ndërsa po regjistroja, vështroja me vëmendje sallën. Entuziazmi i dikurshëm i kongreseve të Partisë së Punës dhe brohoritjet për Enver Hoxhën që ishin ruajtur me fanatizëm, ishin një sfidë e pashembullt për pushtetin antikomunist në fuqi.

Kronika për këtë takim ka qenë nga të rrallat që e kam transmetuar me shumë vështirësi. Pas çdo fraze ndërpritej lidhja telefonike me Amerikën. Por durimi i shefit dhe i kolegëve të tjerë në Uashington ishte i madh. Në orën 18, ndërsa ishte dhënë sinjali i fillimit të programit, e përfundova së transmetuari materialin. Bashkë me duartrokitjet për Enver Hoxhën. Nënteksti ishte i qartë: në Shqipëri ishte shpallur haptaz dashuria për Enver Hoxhën, nostalgjia për regjimin e tij…

Ato duartrokitje e mbartnin e mbartnin këtë nëntekst që doja të përcillja te dëgjuesit si mesazh. Provë më autentike të zhgënjimit të madh, të megamashtrimit që kishte pësuar një popull nuk mund të gjeje.

Në radhë të parë, këtë nëntekst duhej ta “lexonte” partia në pushtet sepse tek ajo parti populli pati ushqyer shumë shpresa dhe e donte si alternativë të së ardhmes, jo të së shkuarës.

Fatkeqësisht, PD dhe Berisha, më saktë, Berisha dhe PD që sundohej prej tij, e dëgjuan, por nuk e lexuan asnjëherë këtë mesazh. Përkundrazi, u egërsuan më keq, vazhduan të ecnin me shpejtësi dhe vendosmëri në rrugën që ishin nisur, drejt katastrofës.

Humbja e 6 Nëntorit ishte padyshim një disfatë e madhe për ta. Por, njëkohësisht ajo humbje ishte edhe një shans për të korrigjuar plot gjëra të gabuara, që, ndoshta, ishin bërë të nisura nga qëllimi i mirë.

Pendesa është njerëzore.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *