Nga Bedri Islami
Çdo rrëfim nuk është kurrë i plotë. Kështu, edhe rrëfimi im për Man Avdinë, për një pjesë të jetës së tij, do të ketë përherë mangësi. E kam njohur herët, një hidhësi e pashtershme e jetës sime, si në një paradoks , më dërgoi pranë tij dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
Man Avdia ishte djali i hallës sime, njëri nga dy djemtë binjakë të saj. Pra, nipi i babait tim. Ishte rritur jetim, pasi i ati u kishte vdekur herët, në një fshat jo shumë larg vendlindjes së babait tim, që quhej Micoj, dhe, kur kishte ndodhur gjëma, halla ime, me katër fëmijë, vajza e vogël sillej ende nëpër këmbë, i ishte bindur të vëllait për t’u kthyer në shtëpinë e lindjes, në lagjen Dedaj-Shkrel. Ai kishte qenë aso kohe, viti 1948 , vetëm 23 vjeçar, i sapo fejuar, që prej tre viteve drejtuesi kryesor i rrethit të Pukës. Fillimisht kishte marrë rrugën në Shkodër, ku banonte e fejuara e tij dhe i kishte thënë thjeshtë, se, pas kësaj gjëme, ai nuk mund ta linte motrën e tij në një fshat tjetër, në një kullë ku nuk dihej se si mund të vinte jeta e saj, për më tepër me katër fëmijë që kishin para vetes enigmën e jetës së tyre. Ajo kishte pranuar lehtësisht.
Jeta përbëhet prej hovesh, nganjëherë të kontrolluara e herë të tjera,jo, por ajo nuk mund të ruhet nga gjithëfarë bravash dhe çelësash, ashtu si e nesërmja nuk dihet ende se çfarë mund të sjellë në jetët njerëzore.
Nëse nuk do të kishte ndodhur fataliteti me tim atë , me siguri, nuk do të isha lidhur aq shumë me Man Avdinë. Ne jetonin larg Pukës, në një qytet tjetër, Elbasan, emrin e të cilit nuk e tha kurrë më halla ime, si të kishte hasmëri të pashpallur, dhe, ashtu si kishte ndodhur me hallën time, që befas do të khehej në shtëpinë e vllait të saj, ashtu edhe ne, tani tre fëmijë, u kthyem te daja ynë. Historia nganjëherë përsëritet në mënyrën më mizore, por edhe njerëzore në të njëjtën kohë.
Daja ynë, Xhavit Gjylbegaj, mjek i shquar, asaj nate që ndodhi gjëma jonë, dhe ai e kishte ditur disa orë para nesh, kishte marrë me vete edhe një makinë tip “Ziss”, i bindur se nuk do të mund të linte motrën e tij, me tre fëmijë, më i vogli 5 vjeçar, në një qytet të huaj, që, megjithëse i kishte dashur, përsëri do të ishte një dashuri e dhimbshme.E kam treguar ikjen nëpër natë , me një arkmort në karrocerinë e makinës, me një trupë policie që na ndaloi befas në kalimin e Qafë Krrabës, zbritjen e arkmortit dhe ndjenjën e pabesuar të ankthit të nesërm.
Man Avdinë e kisha takuar vetëm një herë para 9 korrikut të vitit 1961. Ndoshta tetë a nëntë muaj para se të ktheheshim në Shkodër, në Shtëpinë e Madhe të Gjylbegajve, ku kishte lindur nëna jonë. Aso kohe, në muajin tetor, festohej dita e çlirimit të Pukës, që quhej shkurt, Festa e Rrapes. Si duket nga që lufta ishte bërë në rrëpirat e Rrapes. Im atë shkonte thuajse çdo vit kur ishte në Shqipëri dhe , në tetorin e fundit të jetës së tij, më mori me vete. Ai vajti me miqtë e tij, unë ngela me Man Avdinë. Ecnim rrugëve të qytetit të vogël dhe ai u thonte njerëzve që pyesnin për mua se është “ djali i dajës”. Ata ia kthenin, “Ah, djali i Zenelit”. Deri vonë, sa herë që shkoja në Pukë, edhe kur isha fëmijë , edhe vite më pas, kur u bëra gazetar, njerëzit më thërrisnin jo në emër, por thjeshtë, “ djali i Zenelit”, dhe mua më pëlqente kjo.
Çdo vit , në fillimin e verës, ime më na dërgonte në fshatin e lindjes së tim eti. Ishte një mrekullibërëse vajtja aty. Halla ime e mirë ishte një fenomen i shkëlqyer, me humorin e hollë dhe fjalët e begata, zërin e qetë dhe përkushtimin e tejzakonshmes për fëmijët e vllait. Kishte qenë njëra nga nxënëset e pakta të Migjenit, në jetë kishte qenë gjithnjë mes triumfit të përkohshëm dhe humbjes së përjetshme, por nuuk ia kishin mplakur zemrën dhe as tkurrur mendjen.
Vera ishte e freskët dhe përroi që ishte në fillimin e rrugës kur ngjiteshe për në mal, rridhte nën lisat ku vareshin pjergullat , vilat e të cilave ishin te tejshkuara nga drita.
Rrija në një patalog , nën hijen e dy qershive të mëdha, fshati ende nuk ishte bërë kooperativë dhe çdo mëngjes halla më sillte qumështin e freskët, të cilin, ende, edhe sot e kësaj dite, nuk e di se si e ftohte. Ndoshta nga që ujët e burimit të arës së poshtme ishte aq i ftohtë, sa që edhe bostani çahej në dysh kur vijen nën rrjedhën e tij.
Aty lexoja dhe prisja të kthehej nga puna në qytetin e Pukës Man Avdija.
Në gjithçka ai i ngjante dajës së tij. Kishin të njëjtën fizionomi dhe dëshirë për jetën. Fliste rrjedhshëm dhe zërin e kishte tingëllues, deri në atë çast kur mendohej se mund të këputej. Rrallë herë kam parë njeri që e donte kaq shumë jetën, jo për vitet, por për ta shijuar atë, kurrë një herë vetëm. E shihja pasditeve ndërsa kthehej. Në supe mbante gjithnjë dy çanta; një, të madhe, ku fuste ushqimet që nuk gjendeshin në fshat, oriz, miell gruri, sheqer, vaj, bukë të bardhë – çdo ditë kështu, dhe, një trastë të vogël, ku kishte librat që më sillte mua , ose që , i lexonte në dritën e një kandili. Atëherë nuk kishte dritë elektrike në fshatrat malore dhe kandili, pas bishtukut dhe pishës, kishte qenë një zhvillim i madh. Ishte lexues i jashtëzakonshëm,që nuk dinte e nuk donte të gardhonte botën e tij të brendshme nga njerëzit, me të cilët kishte të bënte, mbi gjithçka me ndjenjën e theksuar të dinjitetit vetjak.
Ajo që mund të kishte qenë lumturi për të, jeta e dajës së tij, tani i ishte kthyer pas, sëbashku me vdekjen e dajës. Nga njeri i pushtetit, befas, krejt befas, kur ende nuk e kishte marrë mirë veten, u bë njeriu i antipushtetit. Askujt nuk ia kishte me hile dhe as e mendonte se mund të përmbyste gjë, veç tokës që e lëronte në pranverë dhe e mbillte me misër, fasule dhe perime. I pëlqente të ishte i gëzuar dhe e gjente gëzimin aty ku pak vetë e mendonin, edhe në ujrat e burimeve që i ndeshte rrugës për në qytet.
Nuk është ligj i domosdoshëm i jetës që njerëzit e thyer nga fati të egërsohen, t’u shtohet rreptësia apo t’u bëhen më agresive qëndrimet.
Ai ishte njeri zemër qeshur dhe shpesh herë, mes të qeshurave thonte gjëra shumë të rëndësishme. Nuk kam njohur njeri në atë qytet të bekuar që nuk e donte, nuk i fliste në rrugë, nuk e ftonte për një kafe apo që nuk kthehej me dëshirë në shtëpinë e tij, aty ku niste pylli i gështenjave dhe arrat pikonin në mbrëmjet e freskta të vjeshtës.
Një mik i dajës së tij, Zef Prendi që ishte edhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv , e dërgoi të punonte në bibliotekën e qytetit. Aty hapi botën e librave dhe , disa vite më pas, kur flisnim për librat, ndryshe nga unë që isha i magjepsur nga Esenini dhe magjia nuk më ka dalë ende, ai donte Lermontovin dhe Çehovin.
Punonte, mbante familjen, sidomos pas kolektivizimit, ku arat e bukës nuk ishin të askujt, studionte dhe bënte punën ndershmërisht.
Kur unë nuk shkoja në Pukë, ai dhe nipi tjetër i tim eti, Shaban Karati, vinin tek ne. Gjenin një makinë të rastit dhe nganjëherë vinin sa për të pirë një kafe. Kur flinin tek ne atëherë ishte ditë gëzimi, por kjo ndodhte rrallë. Maqinat ishin të pakta asaj kohe, të shtunave punohej, një ditë e diel ishte e paktë për gjithë çfarë duhej bërë në shtëpi.I prisnim me padurim, ishte si një urë lidhëse mes nesh dhe vendlindjes së tim eti.
Kur Enver Hoxha, nëntë vite pas gjëmës, reabilitoi në heshtje dajën e tij, ai nuk ndryshoi, vetëm se jeta e tij ishte më e qetë dhe gëzimi i shpërfaqej natyrshëm.
Me Man Avdinë mund të rrije deri në mëngjes , të flisje pa fund, ta dëgjoje, të këndoje, të pije raki, të shetisje në fundin e arave , ku rritej rrushi çelek dhe thanat skuqnin si gjak, të bisedoje lirisht, të qeshje, të prisje miq dhe të veje mik, të rrije pa folur: ai rrezatonte gëzimin e jetës , sepse ishte nga ata njerëz që donte të rrëmbente çdo çast nga jeta.
Pranë tij çdo kush ndjehej si me veten. I mënçur, hokatar, i pasionuar pas librave, nëse koha dhe shteti nuk do i kishin prerë rrugët, me siguri do të ishte bërë një figurë e njohur e shkencës.
Nejse. Viti 1990 e gjeti nëndrejtor dhe shef plani në një ndërmarrje dhe, kur gjithçka u mbyll, ai mbeti, si të tjerët, i papunë.
Këtu nis edhe mësimi që më dha një ditë fund vjeshte.
Ishte ende i ri për pension. Familja po i rritej. Vetëm me pagën e gruas nuk mund të shtyhej. Ai kishte qenë njeri i librave, llogarive, drejtues dhe vetëm në ditët e dielave u ishte përveshur punëve të tokës. Toka është nazelie. Duhet të ia dish huqin dhe veset. Ta përkdhelësh dhe të merresh vesh me të.
Ai filloi të njihej me nazet e saj, si e vetmja mundësi për të mbijetuar. Rriti bagëti, mbarështroi lopët dhe të imtat. Mëngjeseve, kur fëmijët shkonin në shkollë, ai vinte para tufën e të imtave dhe ngjitej në kullotat e freskta, aty ku ishin edhe burimet më të mira dhe bari i gjelbër të sillte aromën e papërsëritshme të jetës. Pastaj merrej me gjithçka që i duhej për të pasur një jetë të zakonshme. Në darkë, kur “ kam fat” – më thonte, priste miq dhe jeta khehej në një ritëm tjetër.
Një vjeshtë vajta në fshat bashkë me djemtë e mi. Ishte nga ato ditë vjeshtore kur pylli dukej sikur kishte marrë flakë dhe gështenjat që piknin të dukeshin si goditje zemre. Patalogu i qershive, ku dikur lexoja , nuk ishte më. As qershitë. Në fundin e arave rrushtë ishte bërë për t’u vjelur dhe mes gjetheve më dukeshin së stërpikje margaritarësh. Në lisin e madh, pranë përroit , kishte ende pjergulla.
Shtëpia jonë kishte tri ara, njëra pas tjetrës,si një amfiteatër. Fillimi i arave ishte me kumbulla të zeza dhe mollë jeshile, arra, lajthi dhe ftonj. Fundi i tyre ishte me pjergulla dhe thana. Në një patalog anash ishin dy manda, të bardhë dhe të zi, që piqeshin vonë. Ecnim sëbashku me djemtë dhe Man Avdia më tregonte se çfarë donte të bënte. Ende nuk ishte pensionist. Ara e vogël, poshtë burimit të ftohtë , ishte akoma me misrin e pakorrur dhe era lëviste mes tyre.
Kur, befas, në të djathtë ë saj shoh një arë të re, çelur mes gurëve dhe shkëmbinjve. Jo shumë e madhe, por ishte mbjellur e gjithëfarë perimesh, domate, gjysma e të cilave ishin të skuqura, tranguj, speca disa duarsh, karrota, patate, bishtaja, qepë, dhe e rrethuar gjithandej me vreshtë të vogël. Ishte e pabesueshme se si mund të ishte hapur ajo tokë. Mes parcelave kishte ende gurë të mëdhenj, që nuk i lëviznin dot as dhjetë burra, në shumë vende gjithçka ishte e rrëpirtë, vetëm vija e ujit që lëviste mes perimeve sillte freski , pak matanë tokës së hapur vazhdonte pirgu i gurëve, disa nga të cilët dukej se ishin vendosur me dorën e njeriut.
E pyeta se çfarë kishte bërë kështu?
-Shiko, më tha, duhej bërë. Burri që i thotë vetes burrë, nëse nuk është i zoti me mbajtë ndershmërisht familjen e tij, të thyejë qafën e të shkojë.
Tani nuk është më. E përcollëm një ditë me diell, dhe, ashtu si e kisha pritur, i gjithë sheshi para shtëpive ishte mbushur me njerëz, të shumtë, që shtoheshin vazhdimisht, dhe tregonin ndodhi gjithë jetë të këtij njeriu të zakonshëm, që i deshi librat si pak kush, e shijoi jetën ashtu si i erdhi, nuk u dëshpërua kurrë, nuk u mposht dhe, kur erdhi dita, iku pa lënë humbëtira pas vetes, por vetëm mirësi.
Që asaj dite nuk kam shkuar më në vendlindjen e tim eti.

Bedri, nga shkrimet e tua më të ndjera,e paske dash me zemër Manin,nga sa bukur e ke përshkuar kuptova madhështinë e atij burri e njeriu.U kujtoftë si i takon Man Avdisë.