Çfarë e ndan dhe e bashkon Ilir Metën me Sali Berishën

J L

Bedri Islami

Botuar në DITA

 

Më në fund ndodhi ajo që pritej prej kohësh. Ishte një sekret i ditur. Ilir Meta dhe Sali Berisha përfundimisht, krejt haptas, janë bashkë në një llogore. Ata do të kenë kandidatë të njëjtë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe ky është vetëm fillimi i një ecje të përbashkët, që do të ketë edhe një fund të përbashkët. Në fakt, ka qenë e vetmja rrugë për mbijetesën e tyre jo vetëm politike, por edhe shumë më gjerë se kaq. Të mbetur në minorancën e jetës politike, ku për disa dekada kanë qenë zotër të gjithçkaje dhe të shumëkujt, ata e dinë krejt mirë, me gjithë përvojën e tyre mbi 30 vjeçare se, jo rastësisht, kanë shkuar buzë rrëpirës së tyre politike dhe se, gjendja e tanishme mund të jetë shumë më e mirë dhe më e lakmuar se ajo që mund të ndodhë në të ardhmen.

I mbetur fillikat në tryezën e pokerit të politikës, pa e ditur goditjen që mund të ketë jo shumë larg, Berisha gjeti të vetmen rrugë që i kishte mbetur, atashimin e tij në gjendjen minorene të LSI-së, që edhe kështu presin nga kushdo një dorë ndihmë, qoftë ai edhe kundërshtari më i përvëluar prej shumë viteve dhe, në të njëjtën kohë edhe dora më e ngrohtë që kanë pasur.

Pa Sali Berishën, prej kohe, Ilir Meta nuk do të ishte më në politikë, përtej saj, dënimi që mund të kishte do të ishte shumë më tej se ajo që ndodhi me Saimir Tahirin, kundërshtarin e tij të së majtës, me të cilin përleshja ishte pa dhimbje, pa ndalesa dhe e përditshme. Meta është edhe sot e kësaj dite njeriu i kapur rob nga “ mirënjohja” e Berishës, që vuri gjithçka në rrezik, edhe pushtetin e tij, për të shkëputur Metën nga drejtësia dhe për të pasur një rrugë të hapur edhe për më shumë se një dekadë.

Meta është në pritje të goditjes që mund t’i vijë nga Gjykata Kushtetuese, të cilën e pengoi sa mundi, pastaj delegoi njerëz të tij të afërt, të cilët tani, si duket, nuk do të jenë të gjithë luajalë ndaj tij dhe ndaj të cilëve ai e ka humbur besimin. Loja e tij po zgjatet përtej çdo afati kohor, mbrojtja që po bën, pavarësisht fjalëve dhe bubullimave ka në vete frikën, dhe ai nuk mund ta mposhtë atë as përmes recitimeve e këmbë e me duar, e as përmes kërcënimeve se një ditë jo shumë të largët ai do të kthehet në politikë dhe se fushëbetejat janë pasioni i tij. Atij i duhej një patericë e furishme, ndonëse jo më e fortë, i duhet ajo “turmë” që e quan ende “populli i 2 marsit”, duke e ditur se 2 mars nuk do të ketë më, por të paktën diçka do i mbetet nga 6 marsi.

Krijimi i frontit “ Shtëpia e Lirisë” është gjëja më e natyrshme në hallin e tyre të përbashkët. Mund të ishte lajm nëse Meta nuk do e mbështeste edhe më tej idhullin e tij politik, gjë që e bëri në mënyrën më budallaqe të mundshme , menjëherë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish presidentin “ non grata”. Ai vazhdon të rrijë në të njëjtën llogore, i bindur se kjo është e përkohshme dhe, në mos tjetër ai kërkon me ngulm gjithçka që mund t’i falet, që nga republikanët e heshtur, agraristët e Dukës deri te monarkistët që i josh me idenë e krijimit të një medalje për zonjën Geraldinë, për të cilën as ai vetë nuk e di se cilat përparësi dhe dobi i ka sjellë këtij vendi. Njeriu që në njërën dorë kërkon të mbajë Kongresin e Përmetit, si sanksionim i fitores së Nacional Çlirimtares, dhe, në dorën tjetër pjesë të Monarkisë, është gati të jetë si oktopodi, me dhjetëra duar e këmbë për të pasur diçka më shumë.

Berisha bëri njërin nga gabimet e tij fatale politike, ai u përfshi në stanin e Metës pa qenë i detyruar nga askush politikisht dhe pa patur asnjë përfitim politik nga ai. Nëse në këto vite ai ka zbehur figurën e tij mes demokratëve, është pikërisht ky çast, kur njerëzit që i besuan rithemelimin, krejt befas, e panë veten në shtratin e Metës dhe Kryemadhit, të cilët nuk i kanë dashur asnjëherë, dhe, për më tepër, nuk i kanë besuar asnjëherë. Ishte çiftëzimi politik më i pështirë, krijesë amorfe e një dysheje, të cilët jo vetëm programojnë dhe synojnë ide të ndryshme, por çanakun ku i kanë vënë e kanë përzier turpshëm disa herë me akuza të mëdha dhe kërcënime të hapura ndaj njëri-tjetrit.

Ilir Meta është njeri i pasionuar pas Sali Berishës. Në fakt është dobësia e tij dhe këtë e ka bërë të ditur për të gjithë. Për shumë vite, duke qenë herë në të njëjtin kalë dhe herë të tjera në kuaj që mund të përplaseshin me njëri- tjetrin, ata e kanë dashur sho-shoqin me pasionin e njeriut të sëmurë dhe, për hir të njëri-tjetrit kanë marrë nëpër këmbë ligjet e shtetit, kanë shantazhuar drejtësinë, kanë krijuar tarafet dhe grupet e tyre politike dhe, si dema të tërbuar janë sulur drejt së kuqes që qeveriste.

Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara përmes tri cilësimeve që fundosin çdo njeri të politikës. Nëse, në vend të tij do të ishte vënë emri i Ilir Metës, gjë që mund të ndodhë jo larg, askush nuk do të habitej. Në fakt, emri i tij është pritur para Berishës, pasi, në ditët e kohët e fundit, zullumet e tij kanë qenë më të mëdha, më të shëmtuara dhe ndikimi në prishjen e shtetit dhe kapjen e tij ka qenë më i pranishëm.

Tani Ilir Meta ndjen dhimbje për gjendjen e mikut të tij. Miku i tij e kupton se Meta është në fundin e pusit dhe kishte dilemën nëse do të futej bashkë me të apo do i zgjaste litarin për të dalë. Provon tani rrugën e tretë, të jenë bashkë, megjithëse duhet ta kishte ditur se qëndrimi i përbashkët ndaj së keqes e dyfishon atë.

Çfarë i ndan ata: pak gjë, vetëm koha e shpalljes së tyre “non grata”. Njëri u shpall menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Tjetri pret me ankth se cila do të jetë dita e tij. Sepse, sido që të rrjedhin gjërat, është një ditë e pritshme dhe për të cilën shumë, ama shumë, njerëz do të gëzohen.

Ndarja tjetër mes tyre është te njerëzit që i mbështetin. Berisha, si duket, po merr gjithnjë e më tepër nga baza e opozitës. Nëse do të ishte më i ri dhe ta bënte këtë lëvizje politike menjëherë pas humbjes së vitit 2017 , apo edhe pak ditë pas 25 prillit, karriera politike e Bashës do të kishte përfunduar dhe ai vetë do të kishte qenë, ose në arrest për përvetësim, pjesëmarrje në vrasje dhe tradhti e çështjeve kombëtare, ose, në rastin më të mirë, në Holandë, ku do të piqej në prushin e milionave të përvetësuara apo të falura në vitin 2017 nga shefi i qeverisë Rama.

Për Ilir Metën nuk proteston njeri. Ai mund të shpallet “non grata” dhe askush të mos lëvizë, ndoshta as në kuzhinën e madhe të shtëpisë së tij. Ai nuk mund të krijojë foltoret e veta, megjithëse ende e gënjen mendja se marsi i vitit të shkuar ishte përkrahja për të.

Dallim tjetër nuk kanë. Të babëzituar, minues të demokracisë, dhunë dhe presion mbi gjykatën, të korruptuar familjarisht.

Çfarë i bashkon:

Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë një fillesë të përbashkët në politikën pluraliste. Dhjetori i vitit 1990 ishte fillimi i tyre. Saliu komunist, Iliri nga familje komuniste, gjetën rrugën e tyre, duke pasur kundërshtitë që të jep qenia brenda llojit në rrugë të ndryshme dhe duke njohur përplasjet si mjetin për sundim.

As njëri e as tjetri nuk u shkëputën dot nga fillesa politike dhe as u bënë të aftë të krijonin një mendësi politike emancipuese, megjithëse njëri kishte kaluar rininë e tij dhe tjetri sapo ishte futur.

Aferat më të mëdha korruptive, si çështja e bllokut 700 mijësh, çështja CEZ, e shumë të tjera, i kanë të përbashkëta. Të veçantat ia kanë thënë njëri- tjetrit në krizat e tyre të dashurisë, për t’u bashkuar përsëri edhe më fort, si ndodh rëndom pas krizave të tilla. Berisha shembi një pjesë të drejtësisë për të mbrojtur Ilir Metën, pasi kishte shembur më parë një pjesë tjetër në rastin e të birit në Gërdec. Djali kryeministror i bashkonte në afera, kërcënime dhe heshtje, duke i besuar njëri-tjetrit atë që duhej dhe duke i fshehur pjesën tjetër.

Të dy të pasur, jashtëzakonisht dhe harbutë të pashembullt. Banorë të Gjirit të Lalzës, në dy vila të mrekullueshme, para së cilave vila e Enver Hoxhës as nuk të hyn në sy. Vetëm për të festuar ditëlindjen e tij në Gjirin e Lalzit , shefi i rastësishëm i presidencës së sotme, ndërtoi një restorant të tërë në det, për rreth 600 të ftuar, shumë nga të cilët ishin oligarkë të fuqishëm apo figura të lidhura me krimin. Berisha vendosi gjakun e njerëzve të pafajshëm në Gërdec, duke vendosur më parë djersën e fëmijëve miturakë që zbërthenin bomba.

Është një dyshe politike e përbindshme, por, ndërsa njëri, edhe kur ka afruar banditët për të trysnuar të tjerët, i ka larguar më pas dhe nuk i ka bërë miq të tij, tjetri, Meta, edhe i ka përdorur, edhe i ka bërë miq, edhe i ka fuqizuar, me shpresën se do të mund t’i përdorë një ditë.

Nëse Meta shpallet, dhe kushdo e beson se po, do të shpallet “non grata”, kjo nuk do të jetë për askënd një ditë hidhërimi, si ishte për pjesë të madhe të opozitës rasti Berisha.

Do të jetë ditë e shënuar.

Sepse nuk mund të jetë e kalbur gjysma e mollës e pjesa tjetër e shëndetshme.

Në 30 vite ata kanë minuar gjithçka dhe koha për të ikur ka shkuar.

Ilir Meta e ruan zyrën e tij me ankthin e ditës së largimit të detyrueshëm, duke pasur besim tek kamikazët e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Sali Berisha e ruan gjendjen e tij duke besuar tek ata që e ndjekin, gjithnjë duke besuar se përmes tij mund të vijnë një ditë në pushtet, ose thjeshtë nga loajalizmi i viteve të përbashkëta. Dëshira e shpallur e Ilir Metës që, në rast humbje të opozitës në 25 prill, ai do të jetë shefi i opozitës, është e marrë fund.

Asnjë shans nuk do të ketë. Vetëm nëse një ditë do të mund të krijohet opozita e të dënuarve. Atëherë, edhe mundet.

Dëmi i sjellë këtij vendi nga politika, babëzia që sollën, raca e mbrapshtë e krijuar, mentaliteti i oligarkut në politikë dhe e financierit në ekonomi, ka bërë që gjithçka të jetë e pabesueshme.

Askush nuk e beson më shtetin.

Për dreq, pak kush e do atë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *