Gara për infermierët, të gjitha vendet e lira në poliklinika e spitale

J L

Janë me qindra vendet e lira të punës të raportuara nga qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe strukturat spitalore të të gjitha niveleve për punonjës të shkencave mjekësore teknik, pjesa dërrmuese e të cilave në profilin infermieri. Punësimet definitive janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të vendeve vakante, teksa ka edhe një sërë vendesh të lira për punësimet provizore. Vendet e lira të punës tashmë janë bërë publike për të gjitha strukturat mjekësore që mbulojnë të katër rajonet i: Tiranës, Elbasanit, Vlorës dhe Shkodrës.

Në këto kushte, të gjithë infermierët, teknikët e laboratorit, mamitë, teknikët e imazherisë, fizioterapistët dhe logopedët që janë testuar më herët nëpërmjet shpalljes “Infermier për Shqipërinë” dhe që janë në listat e pritjes për punësim, mund të njihen me vendet e lira të punës të raportuara në secilin prej këtyre rajoneve.

Drejtoria Rajonale e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë bën me dije se për të gjitha strukturat mjekësore që përfshin ky rajon, do të vijohet me punësimin e 53 punonjësve, kryesisht të profilit infermier. Pjesa dërrmuese e vendeve të lira rezultojnë të jenë pranë qendrave shëndetësore në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Për rajonin e Vlorës për të gjitha strukturat mjekësore raportohen 76 vende të lira pune. Më tej në rajonin e Elbasanit pas vlerësimit të nevojave për personel nga të gjithë strukturat shëndetësore rezultojnë të lira 80 vende, ku pjesa dërrmuese e tyre sërish janë për profilin e infermierit. Po kaq është edhe numri i vendeve vakante të raportuara për strukturat mjekësore që mbulon Drejtoria Rajonale e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Elbasan. Sikundër ka ndodhur edhe në fazat e mëparshme, shumë prej të punësuarve që do zgjidhen nga listat e pritjes për këto vende të lira do të mund të marrin kontratën definitive të punës, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë të punësuar provizor, sipas nevojave të shpallura nga qendrat shëndetësore, poliklinikat, apo edhe strukturat spitalore. Ndarjen e plotë të vendeve të lira të punës për secilin rajon e gjeni të detajuar në tabelat bashkangjitur shkrimit.

Autoritetet e shëndetit sqarojnë se të gjithë fituesit e portalit të shpallur në fazat e mëhershme të aplikimeve dhe që aktualisht janë në listëpritje, do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës, deri në daljen e fituesve nga konkurimet që do të zhvillohen sërish gjatë muajve në vijim. Kandidatët që janë në listëpritje ripozicionohen sipas pikëve që kanë.

Që nga viti 2019 punësimet në strukturat mjekësore të të gjitha niveleve bëhen nëpërmjet portalit online “Infermier për Shqipërinë”, ku të gjithë të pajisurit me lejen e ushtrimit të profesionit në këto profile mund të konkurojnë nëpërmjet dy fazave që kanë të bëjnë me aplikimin nëpërmjet dosjes dhe fazës së dytë që është testimi i informatizuar që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit.

Çdo kandidat që bëhet pjesë e portalit vlerësohet me pikë për secilën fazë konkurimi. Sipas skemës së përcaktuar në fazën e parë të aplikimit me dosje kandidati vlerësohet rreth arsimimit të kryer, përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën. Për fazën e parë të aplikimit sigurohen deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë që është  “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, dhe nëpërmjet testimit çdo kandidat mund të sigurojë deri në 70 pikë. Testi përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, si dhe pjesa e dytë që përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë  dhe në specialitete.

Vendet e lira Elbasan

Vendet e lira Shkoder

Vendet e lira Tirane

Vendet e lira Vlore

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *