Dy udhëzimet e fundit/ MAS rishikon kushtet për punësimin e drejtuesve në shkolla!

Ornela

Vlerësimi i performancës vjetore, sigurimi i një vlerësimi më të mirë në shkallën e kualifikimit, si dhe detyrimi për trajnimin nëpërmjet shkollës së drejtorëve janë kushtet e sanksionuara së fundmi nga Ministria e Arsimit sa i takon punësimit të drejtuesve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar publik. Në dy udhëzimet e miratuara së fundmi Ministria e Arsimit dhe Sportit përcakton se për të konkurruar për vendet e lira të punës si drejtor shkolle, arsimtarët krahas diplomës universitare sipas nivelit të përcaktuar, duhet që të kenë siguruar të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” me vlerësimin jo më pak se “Mirë” në kualifikimin e fundit që mund të kenë kryer (prioritet në përzgjedhje kanë mësuesit që kanë kategori më të larta kualifikimi). Një tjetër kusht që do të lejojë arsimtarët të garojnë për drejtues në shkollat publike të arsimit parauniversitar në vend, apo t’i mbajnë këto poste, është edhe detyrimi i ndjekjes së shkollës përgatitore të drejtorëve.

Për këtë në udhëzimin e MAS saktësohet se: “Kandidati për drejtor shkolle duhet të ketë edhe një tjetër kusht të plotësuar, që është marrja e certifikatës së drejtuesit të institucionit të shkollor, ose në mungesë të saj të vërtetimin që tregon se ky kandidat është pranuar për të kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor”. Kjo certifikatë, si dhe vërtetimi duhet të jenë pjesë e dosjes që mësuesi do të dorëzojë në procesin e konkurrimit për punësimet si drejtues të shkollave. emërimet e reja në këto pozicion.

Një tjetër rishikim i bërë në udhëzimin e mëparshëm është edhe vlerësimi i performancës vjetore të çdo drejtuesi, e cila nëse nuk do të jetë e kënaqshme, do të çojë në uljen e tij nga detyra. “Drejtori i çdo shkolle i nënshtrohet procedurës së vlerësimit vjetor të performancës nga ana e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar. Në rast se pas vlerësimit vjetor drejtori rezulton me performancë jo të kënaqshme, ndaj tij do të merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga drejtoria Rajonale e arsimit që mbulon shkollën përkatëse. Pas uljes në detyrë ai mund të kalojë në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij, brenda të njëjtit institucion arsimor, ose të kalojë si mësues në shkollën me të afërt që mbulon zyra Vendore e Arsimit përkatës”, përcaktohet në udhëzim e MAS. Po sipas ndryshimeve të bëra në udhëzim, çdo drejtues do të largohet nga posti në rast se nuk pranohet për të kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve, që duhet kryer për drejtimin e institucionit arsimor parauniversitar. Ky penalitet do të jetë i vlefshëm edhe në rastet kur drejtuesi që ka ndjekur këtë shkollë nuk certifikohet deri në dy testime të njëpasnjëshme të zhvilluara në përfundim të shkollës së ndjekur. Drejtori pezullohet edhe në rastet kur shkolla e tij ka dy vlerësime të njëpasnjëshme “dobët”.

Shpallja e vendeve të lira të punës dhe fituesit

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimet për punësimin e drejtuesve në shkolla, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar (ZVAP), jo më vone se dhjetë dite pune nga krijimi i vendit të lirë për drejtor, njofton zyrtarisht Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) për vendin e lirë të punës. Ndërsa në rastet e vendeve të lira për nëndrejtor njoftimet bëhen në një afat më të shkurtër prej pesë ditësh. Kandidatët për të dyja postet duhet të aplikojnë dosjen e kërkuar të dokumenteve të cilën duhet ta dorëzojnë brenda afatit të përcaktuar në secilin rast. Në përfundim të aplikimeve,  do të jetë komisioni i shqyrtimit dhe i vlerësimit të dokumentacionit të aplikimit të kandidatëve për pozicionin e drejtorit dhe nëndrejtorit që do të vlerësojë me pikë  dosjet e paraqitura nga të gjithë kandidatët që janë në konkurrim për vendin e lirë të punës. Kandidatët që kanë mungesa në dokumentacion do të njoftohen për plotësimin e tij brenda tre ditëve nga shpallja e këtyre rezultateve paraprake. Njoftimi për çdo kandidat do të bëhet me anë të emailit.

Pas vlerësimit të dosjeve, aplikantët me dokumentacionin e plotë do t’i nënshtrohen fazës së dytë të konkurrimit që është intervista e strukturuar. Për këtë të fundit janë përcaktuar edhe fushat mbi të cilat do të fokusohet intervista para komisionit të ekspertëve, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Çdo anëtar i Komisionit e vlerëson intervistën me pikë nga 1 në 10.

Në fillim të intervistës së strukturuar, anëtarët e Komisionit hartojnë një listë prej 5 pyetjesh, të cilat vlerësohen me nga 2 pikë secila, gjithsej 10 pikë. Pyetjet e hartuara nga Komisioni janë të njëjta për të gjithë kandidatët që realizojnë intervistën e strukturuar. Secili anëtar i Komisionit bën vlerësim individual me 0-2 pikë për përgjigjen e dhënë nga kandidati për secilën pyetje.

Në mbyllje të intervistave, ky komision harton tabelat e pikëve dhe rendit kandidatët sipas shumës së përgjithshme të pikëve, në rendin zbritës, duke identifikuar edhe dy kandidatët që kanë numrin më të lartë të pikëve, të cilët do të zhvillojnë edhe intervistën finale për të përcaktuar se cili do të jetë kandidati që do të drejtojë shkollën përkatëse. Kur ka më shumë se dy kandidatë me numër të njëjtë pikësh, veçohen dy kandidatët për drejtor që kanë marrë më shumë pikë në intervistën e strukturuar përpara Komisionit.

Kandidati për drejtor në shkollat publike duhet të plotësojë këto kushte:

  • Të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
  • Të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” me vlerësimin jo më pak se mirë në kualifikimin e fundit që mund të ketë kryer.
  • Të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij.
  • Të ketë certifikatën e drejtuesit të institucionit publik të arsimit parauniversitar, ose vërtetimin e marrë nga shkolla e drejtorëve që është pranuar për të kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor.
  • Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar (ZVAP), jo me vone se dhjete dite pune nga krijimi i vendit te lire për drejtor, njofton zyrtarisht Drejtorinë Rajonale te Arsimit Parauniversitar (DRAP) për vendin e lirë të punës.

 

 

Kandidati për nëndrejtor në shkollat publike duhet të plotësojë këto kushte:

  • Të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
  • Përjashtimisht për shkollat e arsimit “të orientuar”, diploma duhet të jetë në profilin e shkollës. Në rast se nuk ka kandidatë në këtë profil, konkurrimi vazhdon me kandidatët e tjerë.
  • Të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” me vlerësimin jo më pak se mirë në kualifikimin e fundit që mund të ketë kryer.
  • Të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij.
  • Të jetë Certifikuar nga Shkolla e drejtorëve pas përfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për drejtimin e institucionit të arsimit parauniversitar, ose të jetë pranuar për ta ndjekur atë.

 

Dokumentacioni i aplikimit që duhet dorëzuar për punësimet si drejtor, apo nëndrejtor në shkolla:

  • Jetëshkrimin dhe kopjet e njësuara me origjinalin të dokumenteve që dëshmojnë pohimet në të (sipas modelit të përcaktuar).
  • Kopjen e njësuar me origjinalin të librezës së punës.
  • Kopjen e dokumentit të identitetit (ID).
  • Tabelën me të dhënat për aplikantin (sipas modelit të përcaktuar).
  • Certifikatën e drejtuesit të shkollave të arsimit parauniversitar, ose në mungesë të saj vërtetimin e marrë nga Shkolla e Drejtorëve që tregon se është pranuar për ta ndjekur këtë trajnim të detrueshëm përgatitor.
  • Vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore (sipas modelit të përcaktuar).
  • Vërtetim nga institucioni ku punon, që nuk ka masë disiplinore në fuqi.
  • Deklaratën e konfliktit të interesit me punonjësit arsimorë të IPAP (bashkëshort/bashkëshorte, prind, vëlla/motër, fëmijë në moshë madhore, prindër të bashkëshortit/bashkëshortes), sipas modelit të përcaktuar.
  • Dokumentacioni i përcaktuar i aplikimit duhet që të dorëzohet me anë të shërbimit postar në institucionin publik të arsimin parauniversitar jomë vonë se sa dhjetë ditë  pas shpalljes së vendit të lirë të punës për drejtor apo nëndrejtor në faqen elektronike të zyrtare të Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar.

 

SKEMA E VLERËSIMIT ME PIKË TË KANDIDATËVE PËR DREJTOR DHE NWNDREJTOR:

Share This Article
1 Comment
  • Vis Xhihani Drejtori i Shkollës 9 vjeçare ” 3 Deshmorët” në Kavajë ka dipllome por është me arsim 8 vjeçar,po kështu edhe vëllai i tij.Ka zaptuar territorin e Shkollës me biznesin e tij dhe askush nuk i thotë gjë.Militant i vjetër i PD-s tani PS,por edhe “besimtarë”.Si ky injoranti që duhet të ishte në burg është mbushur plot Shqipëria, por populli është i pafuqishem sepse i përkrah Qeveria. Ka pasur ankesa nga Mësuesit deri në Ministrinë e Arsimit si i paftë,por nuk kan rreaguar sepse bën çfar i thonë socialistët kur vijn zgjedhjet.Shqipëria po varroset nga politikanë në bashkëpunim me injorantët dhe gangsterat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *