“Të mashtruar, të lodhur e të pazgjidhje, do donim të besonim që këta nuk na shesin për dy lekë në pazarin e pushtetit, por…”

redaktor

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pranonte të shqyrtonte çështjen për shkarkimin e presidentit dhe pas tre seancave plenare deklarohej se “vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, presidenti thërriste: “Jam Ilir Meta, o superbudallenj”.

Që thirrja nuk ishte një përpjekje vetëprezantimi qoftë edhe për budallenj superiorë është e qartë. Shqiptar që nuk ia di emrin dhe pamjen presidentit të vendit nuk mendoj se ka.

Po ashtu, të paktë duhet të jenë ata që nuk ia dinë postet e mbajtura, ulje-ngritjet spektakolare, dhe rolet, shpesh kyçe, që z. Meta ka luajtur në sferën politike, përgjatë 30 viteve.

Prandaj fraza interesante la shijen se qëllimi i saj ishte tjetërsoj, diçka si rifreskim kujtese për ata që harronin se me kë kishin të bënin apo nuk ia dinin fuqinë emrit të përveçëm, përtej zyrës së Presidencës.

Por, siç edhe presidenti vetë sqaroi një ditë më pas, thirrja i drejtohej një grupi të caktuar: atyre që kanë ndryshuar Kushtetutën dhe kanë dobësuar demokracinë në Shqipëri e që janë pozicionuar kundër Presidentit, pasi janë jo vetëm dhunues të të drejtave të qytetarëve shqiptarë por dhe të sovranitetit të Shqipërisë.

Paçka se është në 6-mujorin e fundit të mandatit të tij si president – gjithmonë nëse Gjykata Kushtetuese nuk miraton shkarkimin e tij – unë do doja shumë që arsyeja pas vendimit të Parlamentit për largimin e Presidentit të ishte vërtet kjo: të ishte z. Meta i shigjetuar dhe i padëshiruar se luftoi -bile kërkoi armatosjen tonë me kosa – për interesat e popullit dhe të vendit.

Madje do isha e lumtur edhe nëse Presidenti shkarkohet pikërisht pse mbrojti i paepur demokracinë, vlerat e saj. Do më bëntë të mendoja se ka qëndrestarë të mirëfilltë kundër “superbudallenjve”, të cilën nuk na shesin për dy lekë në pazarin e pushtetit.

Si qytetare e këtij vendi, si dikush që me këmbëngulje do të besojë në potencialin e tij, paçka se nga kush e si udhëhiqet, si një pedagoge që dëshmon përditë se si studentët e vet shohin rrugët e botës si alternativën më të prekshme, do mendoja se dikush ‘atje lart’ na e do të mirën, është në krahun e popullit.

Nëse rritja e ndjeshmërisë së presidentit Meta për shqiptarët nuk do përkonte gjithësaherë me një etapë tjetër të procesit të shkarkimit, ashtu si lufta e ish-kryeministrit Berisha për rithemelim dhe demokraci përkoi me shpalljen e tij non-grata dhe përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së, do besoja se ky vend nuk qenka vetëm ‘parajsa’ e një grushti njerëzish mbi ligjin “që bëjnë ligjin” dhe që ulërasin për popull dhe për demokraci, vetëm kur u preken interesat vetjake.

Do besoja se idealizmi i studentave të Dhjetorit – që rishtazi fort po u trumpetoka nga keto dy figura të rëndesishme të pluralizmit në Shqipëri – nuk është një gjetje për të na kujtuar lavdinë e shkuar, që të mos përmenden lëvizjet e tyre domosdoshmërisht jo edhe aq idealiste e të lavdishme në tre dekadat pasuese.

Do besoja, minimalisht, se akuzuesit apo të akuzuarit me “superbudallallik” do merrnim përgjegjësi për veprimët apo mosveprimet e tyre nëse situata e nënë Lizës së “5 Majit” apo atyre që ajo përfaqëson nuk do i befasonte, a thua se nuk e dinin se nga mbiu.

Nëse historia e gruas së vjetër “që nuk do asgjë nga shteti dhe po mbron mundin e bijve emigrantë” nuk përdorej pamëshirshëm nga të gjithë burrashtetët me rradhë si kryq turpi për t’iu lënë në derë tjetrit.

Do besoja se politikanët e vjetër mund të ndjekin politika tjera, zhvilluese, nëse shpatullat e saj s’do rriheshin me dashamirësi e nëse gjendja e saj s’do mbllaçitej nga secili pushtetar që në 30 vjet nuk mori mundimin të adresojë asnjë prej problemeve që prodhuan fenomenin e “nëne Lizës”.

Do besonin shumë shqiptarë, në fakt, të mashtruar, të lodhur e pazgjidhje,  por kreu i shtetit thirrjen e kishte për një tjetër kategori…

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Shqiperia eshte ne kete gjendje mizerabel per faj te lir Metes dhe Sali Berishes,kush mendon te kunderten eshte budalla.Rama po qeveris i vetem sepse eshte rrethuar nga mashtrus dhe hajdute qe nuk bejne punet si duhet.Rama ka propozuar ti mbylli te gjitha ministrite pervec Kryeministrise dhe me Leket e kursyera do te ndihmoj fukarejt,por Berisha dhe Meta dolen kunder se duan shperdorimin e buxhetit. Rama do largohet vete se me vota nuk e mund askush,por largimi i tij do te jete fatkqesia me e madhe e kombit shqiptare qe nga vdekja e Skenderbeut.

  • O milet!
    Tellalli, pasi i ra pesë herë tupanës, thërriti:” O milet !”
    Që të na kuptoje rinija sot, na duhet të japim ca shpjegime, për përrallën që do të tregojmë .Në turqisht populli emertohej milet. Tellalli ishte ai që njoftonte popullin , për ligjet qe ka nxjerrë qeveria. Kush është tellalli në ditët e sotme?- me të drejtë mund të pyes rinija .Sot emërtohen zëdhëndës,këshilltar, spiker, moderator, opinonistë, analistë,…., se të tërë paguhen për të çuar mesazhet e pronarit në popull.
    Për t’u bërë tellallist duhej të fitoje konkursin.Nuk kërkohej shumë arsimim, por dy të dhëna të lindura.Zërin ta kishe pushkë, që ta dëgjonte edhe ai në fund të rreshtit, dhe kujtesë për të thënë fjalë, për fjalë lajmin që do të citonte.Ka qenë punë qe paguhej mirë, por edhe shumë e rrezikshme. Shumë tellallistë kanë shkuar në giotinë nga kapadaillëku ,se i bënin interpretim lajmit sipas deshirës së tyre.Ngjaria që po tregojmë, është përpara zgjedhjeve elektorale vendore.
    Doli tellalli e therriti: O milet! Dëgjoni , e mbani vesh!O supërbudallej mos harroni se po ju drejtohet Veziri! Gjindja, sa e dëgjuan ,e lidhen me rrypat e patallonave, për ta çuar ne spitalin psiqiatrik.Nuk kishin faj në veprimin e tyre. Një ditë përpara , lajmëroi se kajmekani i therriti miletit , o budallej.
    Në këto momente doli sulltani.
    – Çfarë po bëni o të çmendur?- e pyet turmen.
    Turma i tregoi për veprimin që po bënin.
    – O të çmendur, nuk e keni marre vesh se te çmendur janë edhe Kajmekami, edhe Veziri? Leshojeni tellallin, se ai nuk ka asnjë faj!
    E leshuan tellallin e pafajeshëm. I rivendosen rripat e pantallonave në brez.Të mërzitur shkuan në shtëpi.Të nesermen karvane të shumtë u nisën për në emigrim. Gjindja do të ndalonin në atë vend, ku nuk do t’i emërtojnë as budallej, as superbudallej, e as të çmendur.

  • E kapen duke vjedhur, doli I pafajshëm, duke u rrahur me rojet, doli se po mbronte kushtetutën , duke korruptuar se po mbronte demokracine. Popull shqiptar, ju denoj me vdekje duke u vetevarur tek ura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *