“Puçi ushtarak i Shkollës së Bashkuar në vitin 1991” dhe “Paranoja e përgjimeve”

J L

Kujtimet e një prej krerëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në duart e publikut dhe opinionit publik shqiptar është tashmë libri me titull “PLURALIZMI DHE SIGURIMI I SHTETIT SHQIPTAR” me autor zotin BUJAR. SH. HOXHA. Një libër që të befason me misteret dhe të panjohurat e spiunazhit shqiptar dhe rolin e tij në kthesat e historisë në fundvitet 1989-1992.

Nga Sigurimi i Shtetit tek SHIK-u, ndryshimi i madh që ndodhi në kapërcyellin e viteve 90. Si dështoi puçi ushtarak i Shkollës së Bashkuar. Roli i Azem Hajdarit dhe përgjimi që u bëhej drejtuesve të lartë të PD-së…  Si u rrëzua pohimi i Azemit kur përmendi të “vrarë” në ngjarjet e ambasadave, duke nxjerrë shifrat njëzet apo tridhjetë njerëzve të groposur në Malin me Gropa.

Paranoja e përgjimeve u qëndronte fiksim në kokën e politikanëve edhe ky kapitull tejet interesant ka në vetvete një histori që përsëritet në këto 30 vjet. Autori si një profesionist kalibri na e jep të qartë këtë panoramë me dy tablo në mënyrë që ta sqarojë opinionin publik dhe lexuesin e këtij libri.

 

Në fillim të çdo kapitulli të librit “Pluralizmi dhe Sigurimi i Shtetit” autori Bujar Sh. Hoxha e ka parë të arsyeshme që të komunikojë me lexuesin nëpërmjet simboleve dhe sentencave e thënieve nga autorë të ndryshëm botërorë e shqiptarë. Kjo shenjë komunikimi kërkon ta rafinojë kontaktin me lexuesin tek i cili fillon vetiu lidhja e autorit të përmendur me pritshmërinë e ngjarjeve në kapitujt në vijim, gjetje e arrirrë që e lehtëson barrën e leximit të këtij lloj zhanri. Ja disa prej tyre: Dostojevski shkruan, – Si mund të thuash se ke jetuar kur nuk ke një histori për të treguar. Apo Sun Tzu, – Nëse njihni armiqtë dhe njihni veten nuk do të rrezikoni as njëqind beteja. Një thënie tjetër, – Gërvishtjet në shpirt nuk bëhen me thonj…bëhen me fjalë. Thënie nga Faik Konica, – Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. Tjetër thënie nga Pompidu, – Një burrë shteti është një politikan që e ve veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes. Thënie nga Ali Asllani, – Ja, grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarëve koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve.

 

***

Një pikë në oqean janë ngjarjet në librin e Bujar Sh. Hoxhës, sepse do të duheshin vëllime të tëra për ta pasqyruar të vërtetën e viteve 1989-1992. Po kujt do t’i shkonte në mendje se “Puçin Ushtarak” do ta neutralizonte SSH-it.

Ja, si e përshkruan autori Bujar Sh. Hoxha: “Stuhia kaloi aq shpejt, sa kishte ardhur. Plane të reja kishin dalë në sipërfaqe. Ishte shkurti i vitit 1991, më saktë ditët pas 20 shkurtit kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Ishte planifikuar zhvendosja e shtatores së E. Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar tek “Sheshi Skënderbej” dhe arrestimi i Ramiz Alisë. Plani do të vihej në zbatim në mënyrë provokative nga disa oficerë të Akademisë Ushtarake, që më pas do të bëheshin “gjeneralë”. Kundërzbulimi i mirinformuar u tregua në lartësinë e duhur dhe lëshoi operacionin me masa të bujshme policeske dhe agjenturore. Në orët që zhvilloheshin bisedimet në brendësi të Shkollës së Bashkuar të organizuar nga SSH-it, në lartësinë e quajtur “Oxhaku” nisën të shtëna me armë zjarri, ku do të vritej një kalimtar i rastit, që ndodhej rreth një kilometër larg dhe një polic i forcave speciale me armë pistolete nga distancë e afërt. Për kalimtarin fatkeq që po kthehej nga puna, u provua se ishte qëlluar nga një plumb qorr. Hetimi i nisur provoi se nga policia nuk ishte qëlluar, nuk ishte harxhuar asnjë fishek. Për policin e vrarë qëllimisht, dyshimet serioze ranë ndaj një personi, në mos gaboj me mbiemrin Kumbulla, i cili shoqëronte një deputet të Partisë Demokratike. Ata të dy të frikësuar ndërtuan alibinë duke u larguar në qytetin e Librazhdit. Ndërkohë, në mënyrë të qëllimshme u ndërpre energjia elektrike duke shkaktuar një errësirë të thellë.

Hetimet konkluduan se veprimet e policisë ishin korrekte, por nuk arriti të provonte personat që zunë lartësitë në vendin e quajtur “Oxhaku” si dhe politikanin që ndërtoi “alibinë”, megjithëse kundërzbulimi depozitoi një material bindës. U zhvillua një analizë tek Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, i cili nuk bindej për saktësinë e hipotezave të gërshetuar me informacionet e kundërzbulimit të Tiranës. Hetuesia tërhiqte këmbët zvarrë. Parandalimi i skenarëve me gjak qenë rezultate pozitive, falë një kompleksi favorizues të punës informative”. Paranoja e përgjimeve u qëndronte fiksim në kokën e politikanëve edhe ky kapitull tejet interesant ka në vetvete një histori që përsëritet në këto 30 vjet. Autori si një profesionist kalibri na e jep të qartë këtë panoramë me dy tablo në mënyrë që ta sqarojë opinionin publik dhe lexuesin e këtij libri. Po ia lemë lexuesit disa paragraf të nxjerra nga libri:

“Në ato ditë të nxehta nisën akuzat se SSH-it po kryente përgjime ndaj politikanëve opzitarë, në tejkalim të autoritetit të tij lidhur me ndjekjen dhe përgjimet aktiviteteve politike, duke përmendur mjediset edhe në ish hotel “Dajti”, – shkruan Bujar. Sh. Hoxha. SSH-it bazohej në akte të njohura zyrtarisht, ishte e justifikuar. Sqarimet zyrtare dhe konfideciale nuk bëheshin të besueshme. Mund të them pamëdyshje se kur “urithët” apo “nunët” të ngjitur pas poltikanëve ndjenin frymëmarrjen e kundërzbulimit në shpinë, karikonin sulmet mediatike ndaj SSH-it. Njëri prej tyre, natën dhe i maskuar, frekuentonte ambasadën jugosllave, ndërsa ditën, haptas, futej në mjediset e Partisë Demokratike. Ai i dinte vetë hallet e tij. Edhe kundërzbulimi i dinte. Mbase kishte simpati të veçantë për atë lloj mjedisi. Nisur nga arsyetimi se në ambiente të veçanta të hotelit kishte pika stacionare përgjimi të destinuar kryesisht për të huaj të dyshimtë, nuk mund të shmangte që në rrjetën e këtyre përgjimeve të binin edhe shtetas shqiptarë, qofshin edhe politikanë.

Akuza zgjerohej edhe për përgjim të telefonave të politikanëve të rinj që do të bëheshin udhëheqës shteti. Kujtoj një rast me Eduart Selamin gjatë një takimi rutinë në bar-kafe tek “Pallati i Kongreseve”. Ai ngriti shqetësimin, se i përgjohej telefoni. Me gjakftohtësi i shpjegova se nuk merremi me të tilla gjëra, por ai këmbënguli se kur ngrinte receptorin dëgjonte zhurmë, kjo sipas tij vërtetonte shqetësimin se përgjohej. Me etikë i shpjegova se nuk ishte e vërtetë dhe për ta mbyllur e sqarova se përgjimi telefonik realizohet pa krijuar as më të voglin dyshim tek abonenti-objekt, ndryshe nuk sigurohet qëllimi për të cilën veprohet dhe personi i tij nuk plotësonte konturet për të qenë në vëmendjen e shërbimit sekret. U egërsua, në mbrojtje i erdhi “engjëlli” Azem Hajdari, duke e qetësuar se do i zgjidhnim këto punë. E vërteta ishte se kundërzbulimi në Tiranë kishte nisur procedurat për çmontimin e pajisjeve stacionare në disa ambiente, por në mintingjet e organizuara si nga e majta dhe e djathta, mjetet e përgjimit dhe filmimit i mbanim aktive për të shmangur keqkuptimet dhe të ruheshin si prova, nëse do ndodhnin keqpërdorime të ligjit. Në disa raste kemi shmangur përgatitje dhe tentativa për atentate majtas dhe djathtas, në një rast tepër delikat ndaj Sali Berishës në mitingun e organizuar nga Partia Demokratike, pranë ish stadiumit “Dinamo”. Përgjimet kombinative mbetën një armë e fuqishme gjurmimi, një goditje e zbërthimeve kodifikuese dhe ndihmuan për disa operacione fine në “bashkëbisedime”. Ja një nga provat, – Mora detyra specifike për të themeluar partinë, për të shtuar rradhët me shtresën e besuar, për të themeluar partinë me sfond etnik, – thonte njëri prej tyre i sapokthyer nga Maqedonia.

Do të veçohej deklarata publike “bombë” e Alfred Serreqit, për çudi do bëhej ministër i Jashtëm, që do e niste karrierën duke sulmuar SSH-it. Ai do të mbahet mend se në zyrën e tij SSH-it kishte vendosur mjete përgjimi. Në të vërtetë ato ishin mikrofona të hapur që incizonin dhe regjistronin bisedat protokollare të takimeve zyrtare ministrore, për të evituar ndonjë pasaktësi në protokoll. Taktika jezuite e hundkërkuesit Serreqi ishte vetëm një: të fajësohej SSH-it. Pas zjedhjeve të vitit 1991, pas një debati tendecioz nga opozita në parlament, u krijua një komision special për të hetuar verpimtarinë e SHIK-ut tashmë ish “SIGURIMI I SHTETIT” kishte marrë emrin Shërbimi Informativ Kombëtar, duke u zhveshur nga funksionet ekzekutive.

Ardhja e Komisionit Parlamentar krijoi një klimë optimiste, – shkruan ndër të tjera Bujar. Sh. Hoxha. Ishte një rast i shkëlqyer për t’iu përgjugjur akuzave të përditshme, por gjithashtu, për të treguar misionin real të shërbimit, përpjekjet e tij për të ndihmuar proceset demokratike dhe penguar anarshinë që po përhapej me egërsi në çdo cep të vendit. Komisionin e kryesonte Baki Shehu, kryetar i komisionit dhe deputet i Partisë Socialiste, Neritan Ceka nënkryetar dhe deputet i Partisë Demokratike, ndërsa nga anëtarët mbaj mend Azem Hajdarin. Në cilësinë e drejtorit të shërbimit sekret për kryeqytetin, në materialin e paraqitur, prezantoja veprimtarinë e strukturave të riorganizuara dhe me shifra reale, si për personat që gjurmoheshin, ashtu edhe informatorët. Azemi pretendonte se materiali nuk pasqyronte realisht problemet, shifrat nuk ishin reale duke mbuluar “fajet” për natyrën funksionale të SSH-it. Dukej alergjia e atij njeriu për të gjetur fijen në tra kundër këtij raportimi. Me kërkesën e tij, për të shmangur keqkuptimet dhe të pjesëtarëve të tjerë të pranishëm, u ekzaminua fizikisht arkiva e zyrave, ku mbaheshin dokumentet operative, ndaj të cilave do të nisnin procedurat standarte të ekspertizës. Ishin gati 500 dosje të veçuara për agjitacion e propagandë dhe tendencë arratisje që prisnin të asgjësoheshin në funksion të ekspertizës. Dua të shoh të gjitha dosjet…të gjitha, – deklaroi ashpër Azemi. Me mirësjellje iu përgjigja se kjo kërkesë nuk plotësohej. Azemi u tërbua. Vetëm ai kërkonte të “rrëzonte muret” të fshehura. Menjëherë kërceu pupthi dhe foli për tunele tek “Shtëpia me Gjethe”. Për të larguar çdo dyshim bashkërisht shkuam në ambientet e degës përkatëse, që njihej si “Shtëpia me Gjethe”, e cila në atë kohë dhe më pas do të etiketohej si vegël fajësie e SSH-it, që në të vërtetë kishte një mision të kufizuar në aspektin përgjues, tabela e së cilës ishte adresuar ndaj selive të ambasadave. Një strukturë universale në të gjitha shtetet e botës, por me një ndryshim esencial: e vogël në personel dhe e mjerueshme në infrastrukturë. Glorifikimet që i bëheshin zyrës së përgjimeve dirigjoheshin nga shërbimet e huaja nëpërmjet “urithëve” të tyre, të çoroditurit dhe të pakulturuarit duke futur edhe politikanë mediokër. Akuzat e tij për këtë zyrë, një shërbim i vogël i ngarkuar me interceptimet, normale që i bashkëngjitej SSH-it, shkonin deri në kufijtë e absurdit: tunelet poshtë saj përdoreshin për tortura ndaj kundërshtarëve politikë, që edhe ekzekutoheshin pa gjyq dhe varroseshin s’dihej se ku? Një mendim fantastik, që mund të lindte vetëm në trurin “pjellor” të Azemit, i cili përpiqej të zbulonte ndonjë ligësi. Azemi ndërhynte për çdo gjë dhe me besim disi të madh, se do të na zinte me “presh në duar”. Mirëpo shpejt e vërejti se në komision askush nuk e kishte entuziazmin e tij. Anëtarët e tjerë kishin mendimin se raportimet ishin të drejta dhe bindëse. Në përfundim, anëtarët e komisionit nxorën njëzëri konkluzionin se asgjë nuk po i vërtetonte pohimet e Azemit. Ato dukeshin vetëm gjepura, nëse do t’i vlerësoje nga pozicioni i një mendimi të arsyshëm, prandaj komisioni i vlerësoj informimet e Azemit thjesht, teorizime mbi temën e keqinformimit. I inatosur Azemi përmendi të “vrarë” në ngjarjet e ambasadave, duke nxjerrë shifrat njëzet apo tridhjetë njerëzve të groposur në Malin me Gropa. Më pas kjo akuzë u hoq si qesharake. Kur u muar vendimi për të mos dëgjuar konkluzionet e komisionit, të gjitha shpresat për një diskutim të arsyeshëm dhe me ndershmëri të çështjes u zhdukën.

Një rast u takuam me Azemin tek kafeja e “Pallatit të Kongreseve”. U përshëndetëm ftohtë dhe me “shaka” më quajti “sigurims i fshehtë”. Iu përgjigja se fshehtësia ishte profesioni im, por ti pse fshihesh, pikërisht në lagjet periferike të Tiranës. Shtangu më kërcënoi me gjeste dhe gjithë tërsëllim u largua. E kuptoi që kishte lënë gjurmë duke bërë “gilivili” në një banesë private. Dihej se kishte siguruar një status të veçantë, honorifik dhe real si një njeri me të ardhme të madhe, madje shumë të madhe. Ai është një politikan zhurmues e paranojak me shenjat e delirit të madhështisë, që përbënin dhe stilin e tij komik, – e cilësonte agjenti “Bisturia”. Dëshira e tij që t’i shtrinte lidhjet e komunikimit me fuksionarë të shërbimit të fshehtë, e paraqiste edhe fodull, edhe kërcënues. Agjenti “Bisturia” ishte rreshtuar në rradhët e strukturave të opozitës, por pa e larguar vëmendjen nga shërbimi, që e kishte rritur. Propaganda për përgjimet po kthehej në paranojë, ndaj nisën sulmet për të djegur zyrat e SSH-it.

Përgatiti: Kastriot Kotoni

Share This Article
1 Comment
  • C’fare kuptimit ka kjomshprehje:
    “… Taktika jezuite e hundkërkuesit Serreqi ishte…”?
    Mor injorant fanatik antkulture shqiptare, a nuk e din ti se jane pikrisht JEZUITET ATO QE HAPEN TE PAREN SHKOLLE/GJIMNAZ NE TROJET SHQIPTARE ne vitin 1877?
    Qe ky gjimnaz u frekuentu jo vetem nga katolik shqiptar per edhe nga shume nxenes shqiptar musliman dhe ortodoks?
    Qe kush kryente kete gjimnazin e JEZITVE kishte te drejte te ndiqvte çdo univesritet europian…
    Ishin pikrisht keto JEZUIT qe hapen TEATRIN E PARE NE TROJET SHQIPTARE dhe ORKESTREN E PARE SHQIPTARE me nxenesa te atij gjimnazi.
    Qe ndertuan STACIONIN E PARE METEOROLOGJIK NE TROJET SHQIPTARE,
    Qe krijuan muzeuet e para te gjitha llojeve?

    HAPE MENDJNE MOR INJORANT FANATIK ANTIKULTRE EUROPIANE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *