Mega-furnitorë kokaine, kush janë vëllezërit Osmani, që u goditën nga EUROPOL, lidhja e tyre me familjen Berisha

redaktor

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende europiane, të organizuar nga Europol. Fillimisht u tha se në shënjestër ishte një organizatë e madhe e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë, e drejtuar nga shqiptarët. Emrat e tyre janë zbuluar vetëm dje. Bëhet fjalë për vëllezërit Osmani.

Në Kosovë, vëllezërit Osmani njihen si miliarderë të famshëm. Prej vitesh jetojnë në Gjermani, ku kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane.

Paratë raportohet se i kanë investuar në ndërtim, shitblerje pronash, lojëra fati. Me qendër në Hamburg në Gjermani familja Osmani është sot një prej lobeve më të mëdha të lojërave të fatit dhe industrisë së seksit në Europë.

Bashkim Osmani është më i madhi i katër vëllezërve. 50-vjeçari prezantohet në median spanjolle si bosi mafioz i dashuruar me Majorkën. Ai mbërriti në ishull dy dekada më parë dhe u martua me një grua gjermane në rezidencën e tij. Për banketin me qindra të ftuar, solli me avion privat artistë të njohur gjermanë dhe shqiptarë.

Bashkim Osmani

Osmani kalon periudha të gjata në rezidencën e tij luksoze në Camp de Mar në Majorka. Kontrolli në këtë rezidencë të martën zgjati më shumë sesa pritej. Përpjekjet e agjentëve u përqëndruan në hapjen e kasafortës. Pas disa orësh punë, arritën ta hapin dhe gjetën para, bizhuteri dhe dokumentacion.

Një pjesë e parave, ishin pothuajse para syve të agjentëve, në vendin më të papritur, mes një kutie me peceta higjienike që ndodhej në banjë.

86 piktura vaji me vlerë pesë milionë euro, shtatë makina luksi, 16 orë luksoze, 203,000 euro në para të thata dhe 40,000 në kriptovaluta u sekuestruan brenda vilës. Sasia e kriptomonedhave të sekuestruara  zbuloi mënyrën se si bitcoin dhe altcoin përdoren për pastrimin e parave.

Më shumë se 30 milionë euro pasuri të paluajtshme në Majorka të Bashkim Osmanit gjithashtu u sekuestruan, përfshirë restorantin Ritzi në Puerto Portals dhe hotelin BO.

Kontrolli në vilë

Agjentë të FBI-së amerikane dhe NCA britanike ishin gjithashtu të pranishëm në operacion.

Gjithsej 18 arrestime ndodhën në ishull, por arrestimi i Bashkim Osmanit ishte një nga prioritetet kryesore të agjentëve. Ai nuk u gjend gjatë blicit në vilën në Majorka, por aty u arrestuan bashkëshortja dhe vjehrri i tij. Operacioni i pagëzuar “Shqiponja e Zezë” e kapi Bashkim Osmanin pak orë më pas në Kroaci. Pas pak ditësh, ai do ekstradohet për gjykim në Spanjë.

Hetimi e vendos Osmanin në krye të organizatës. Sipas hetimeve, rrjeti i është përkushtuar futjes së sasive të mëdha të kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut përmes porteve të ndryshme evropiane. Droga shpërndahej në të gjithë kontinentin me aeroplanë privatë, automjete me fund të dyfishtë, pako postare dhe kontejnerë.

Spanja dhe vende të tjera të BE-së janë përdorur më pas për operacione komplekse të pastrimit të të ardhurave nga trafiku i drogës për një vlerë disa milionë eurosh. Grupi ka përdorur emra të rremë, pajisje komunikimi të koduara dhe janë përgjuar gjatë udhëtimeve të rregullta në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi.

Përveç Majorkës, Belgjika ishte qendra tjetër e madhe nervore e këtij makrooperacioni.

Në Belgjikë u bënë 30 arrestime dhe u sekuestruan 1.3 milionë euro. Gjithashtu aty u sekuestruan një duzinë armësh të lehta, dy me silenciator, dhjetë kilogram kokainë, 13 automjete dhe 1 mijë litra përzierës për përgatitjen e drogës.

Dy nga vëllezërit kanë qenë më herët të dënuar për evazion fiskal

Veç Bashkim Osmanit, në pranga ranë bashkë me anëtarët e tjerë të organizatës, si dhe vëllezërit e tij, Qazim (me nofkën Feliks), Burim dhe Bekim. Në 2008, Bashkimi dhe një nga vëllezërit janë dënuar me 4 vjet në Gjermani për evazion fiskal.

Lidhja e klanit Osmani me familjen Berisha:

Klani “Osmani” ishte financuesi kryesor dhe garanti financiar i gjithë fushatës elektorale të Partisë Demokratike më 2005. Ata financuan pagesën nën dorë për një kompani lobimi amerikane, si dhe më pas mbështetën gjithë shpenzimet personale të Seli Berishës, për t’u shpërblyer pas fitores me marrjen nën kontroll të lojërave të fatit në Shqipëri.

Në janar të vitit 2005, Partia Demokratike nënshkroi në Uashington një marrëveshje me shoqërinë BG&R për mbështetje në fushatën elektorale të vitit 2005. Ish-këshilltari i Berishës atë kohë, Mero Baze, tregon:

“Ndërsa dilte nga zyrat e BG&R, ku Berisha sapo kishte firmosur kontratën, ishte shqetësuar dhe ishte çuditur, pse “këta” i donin 500 mijë me bankë dhe pjesën tjetër në cash.

Në kontratën formale të nënshkruar, pagesa do të ishte 500 mijë dollarë e ndarë nga 20 mijë dollarë për 25 muaj. Por jashtë kontratës do të paguheshin 1 milionë dollarë të tjerë.

Damir Fazlliçi që na printe në korridorin e ndërtesës, dukej i lumtur dhe po i jepte zemër Berishës se gjithçka do shkonte mirë. Dhe Sali Berisha e kishte një zgjidhje në mendjen e vet. Për të siguruar pagesën formale, Sali Berisha organizoi një justifikim fondesh nga 25 degë të Partisë Demokratike, të cilat gjoja do të grumbullonin nga 20 mijë dollarë. Operacioni ishte fals.

Më tej Damir Fazlliç, i cili ishte ndërmjetësi me BG&R, tha se duhet të merrte pagesën formale prej 1 milion dollarë në Tetovë. Paratë u kaluan ilegalisht në kufirin shqiptaro- maqedonas dhe dorëzimi i tyre u bë në Tetovë”.

Vëllezërit Osmani dhe Shkëlzen Berisha

Lidhjet e Sali Berishës me familjen Osmani ishin më të hershme. Në vitin 2002, mbesa e Sali Berishës pati nevojë për një ndërhyrje mjekësore të shtrenjtë në Gjermani dhe ajo u mundësua në Hamburg aty, ku vepron familja Osmani.

Më pas lidhjet e tyre u forcuan dhe ata u bënë garantët financiarë të fushatës elektorale të vitit 2005.

Pas fitores së Partisë Demokratike, lojërat e fatit u futën tërësisht nën kontrollin e këtij klani. Ata ishin shitësit kryesorë të makinave të lojërave të fatit për kazinotë e lagjeve që u hapën në çdo cep rruge, ndërsa një rrjet i gjerë lojërash të fatit nën kujdestarinë direkte të djalit të Sali Berishës, funksiononte jashtë vëmendjes fiskale të shtetit dhe sot janë njerëzit më të rëndësishëm të klanit Osmani në Tiranë.

I njëjti klan kishte lidhje me një ministër të afërt me familjen e Rugovës në Prishtinë, të cilët po ashtu u përfshinë në biznese të përbashkëta me lojërat e fatit në Shqipëri.

Shkëlzen Berisha u bë njeri familjar i klanit Osmani. Ai ishte jo vetëm i ftuari i tyre i përhershëm në Evropë, por dhe mysafir tek shtëpia e tyre në Gjakovë gjatë një fatkeqësie ku shkoi për ngushëllime, çka tregon lidhjen e afërt personale me ta.

Lidhjet e reja që po dalin dhe me sekserë të tokave në bregdetin e Vlorës, e forcojnë dhe më shumë përfshirjen e Shkëlzen Berishës në bizneset e këtij grupi.

‘Tani që ky grup është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është vendosur nën sekuestro, SPAK e ka për detyrë të hetojë gjithë partnerët e tyre në Shqipëri, njerëzit që kanë përfaqësuar bizneset e lojërave të fatit të lidhur me ta dhe natyrisht, Shkëlzen Berishën” – thotë Baze.

o.p. / dita

 

 

Share This Article