Rri edhe mendohem,
inati më merr,
dhe dua me Zotin,
të futem në sherr!.
Dhe dua me Zotin,
të futem në sherr,
t’i them sy më sy:
“Ç’bën-o byrazer?!..”
“Çfarë Zoti je Ti,
ta them me gjithë mënd,
kur nuk more hak,
as për Birin tënd?!.”
Për Jezunë e shkretë,
gozhdë më ka mbetur,
ah-të isha vetë,
do t’i kisha tretur!.
Ah-té isha unë,
do t’i kisha tretur,
dhe nga ajo farë,
asnjë s’do kish mbetur!.
Do t’i kisha mbytur,
gjer në fyt në gjak,
do t’i kisha mbytur,
çifutë e romakë!.
Kush fal-do të thuash,
është një kryeburrë,
por Krishtin-ah Krishtin,
s’do ta falja kurrë!.
S’do ta falja kurrë,
atë gjak Vigani,
do digjja të liqtë,
në një llavë kazani!.
Dhe një Bir që kishe,
Zot-o Zot ta tretën,
por s’falet-or mik,
s’falet Biri i Vetëm!.
Nëse je akoma,
një Zot zemërak,
sa të jem unë gjallë,
për Krishtin merr hak!
Mbi të ligjtë merr hak,
nga e liga plasëm,
sa t’u duket Kryqi,
si dolli në dasmë!
5 shtator 2016

POSHTË DIKTATORI
Busti i diktatorit u rrëzua,
tridhjetë e një vite më parë,
tërhoqën zvarrë një copë hekurishte,
me një gëzim të paparë.
Kujtuan të shkretët se shpëtuan,
nga partia dhe shoku Enver,
filloi pluralizmi dhe demokracia,
me korrupsion e pabarazi përherë.
Kujtuan shqiptarët se do pasuroheshin,
e do bëheshin me zotësi kapitalist,
që të bëheshe milioner kishe dy rrugë,
ose qeveritar hajdut ose thjesht mallist.
Në 3 dekada qeveritarët kleptokratë,
edukuan popullin si të korruptohet,
e si të paguajnë drejtësinë po u kapën,
e kështu nga burgu do të mbrohet.
Por populli ngeli përherë i varfër,
se ata lart e zhvatën dhe rropën,
e lanë papunë dhe e emigruan,
ia vodhën votën e ia bënë gropën.
Qeveritarët u bënë të paprekshëm,
vodhën e asnjëherë nuk e pësuan,
bëjnë si armiq por mbrojnë njeri tjetrin,
të gjithë popullin hiç nuk e duan.
Ata duan thjesht skllevër dhe idiotë,
që iu lëpihen atyre për ca thërrime,
që ata të mbretërojnë të lumtur,
kurse populli me halle e hidhërime!
Median tashmë e kanë blerë,
e kanë kapur dhe e manipulojnë,
debate shterpë me “mercenarë”,
me sondazhe koti që publikojnë.
Në media nuk thuhet e vërteta,
por përherë i sillet veç vërdallë,
sorrollaten kot me orë të tëra,
e bëjnë popullin e gjorë për budall!
Tani dhe vlerat nuk janë si më parë,
ato na i tregon Big Brotheri e televizori,
“VIPa” që kyçen në atë shtëpi të vëzhguar,
hanë, pijnë qyl, e zihen çmimin kush do e morri!
Gjithshka për para apo për famë,
apo për një vend pune si modetator,
kjo është konkurrenca demokratike,
e qyl-parazitizmit në televizor.
Dhe populli i shkretë apasionohet,
kur shikon këta mendon ka shpresë,
këta janë shembulli si të zgjidhësh hallet,
e mendon politikës pse mos t’ja dhjesë!
Big brother është thjesht një teatër,
mjaft i ngjashëm si një laborator,
ku liria personale është e komanduar,
dhe emocionet amplifikohen me zor.
Nëse liria juaj ka një çmim,
e mund të bëni teatër duke parazituar,
nëse jeni intrigantë e llafazanë,
Big brotheri ka për t’ju “shpëtuar”!
Mbase jeni thjesht në kërkim,
të një pune me meritokraci,
mbase doni një jetë më të mirë,
e doni përherë të rrini në Shqipëri.
E nesërmja do jetë një ditë e re,
e ëndrra do keni sa të doni,
po nuk rrëzuat realisht diktatorët,
do skllavëroheni ose do emigroni.