Humbasin prindërit në detyrë Nisin aplikimet për statusin, pagesat që do të sigurojnë fëmijët

Ornela

Nisin aplikimet për pagesat financiare që do të përfitojnë të gjithë fëmijët që kanë humbur prindërit në krye të detyrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme të gjitha procedurat se si do të aplikohet për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, duke detajuar edhe dokumentacionin që duhet dorëzuar . Sipas kushteve të përcaktuara, ‘Fëmijët në Përkujdesje të Republikës’ do të përfitojnë: pagën e plotë mujore e prindit për fëmijën e vetëm, 140 për qind të pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë, 150 për qind të pagës kur fëmijët jetimë janë tre, 160 për qind e pagës së prindit kur në familje janë katër fëmijë që kanë humbur prindin, e me radhë. Përveç trajtimit financiar, këta fëmijë do të kenë mbështetje për edukim e arsimim, punësim, mbrojtje sociale dhe në shërbimin shëndetësor publik e privat, ndërkohë që do të garantohet plotësisht shërbimi shëndetësor falas jo vetëm në strukturat publike, por edhe në strukturat private apo dhe jashtë vendit, kur të jetë e nevojshme. Për këtë kategori fëmijësh, shteti do të mbulojë edhe bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike, si dhe ofrimin e teksteve shkollore falas.

Kategoritë përfituese

Përfitues të këtij statusi mund të jenë të gjithë personat që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç dhe që plotësojnë kushtet e përcaktuara. Kategoria e parë janë  fëmijët nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, për të vijuar me kategorinë tjetër që janë fëmijët ose personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi. Mbështetjen financiare dhe përfitimet e tjera të statusit do t’i gëzojnë edhe një tjetër kategori që janë fëmijët ose personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Ndërsa kategoria e fundit përfituese  janë fëmijët që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, prindi apo kujdestari ligjor i të cilit i përket kategorisë mjek apo infermier, që ka humbur jetën qoftë edhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si rezultat i infeksionit Sars-Covid-19, të marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara/spitalet Covid-19.

Paraqitja e kërkesës dhe dokumentacioni

Sipas procedurës së përcaktuar nga dikasteri i Shëndetësisë, kërkesa për shpalljen ose njohjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” mund të paraqitet nga familjarë të fëmijës (prindër, vëllezër ose motra), nga kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i fëmijës, nga përfaqësues të autorizuar të organeve të qeverisjes qendrore ose vendore, si dhe nga çdo organizatë joqeveritare me qëllim jofitimprurës që ka për synim mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve. Në secilin rast bashkë me kërkesën për përfitimin e statusit duhet të dorëzohet edhe dosja e dokumenteve të përcaktuara, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Autoritetet e shëndetit sqarojnë se dokumentet e lëshuara nga institucionet duhet të jenë të vulosura me vulën e institucionit që e ka lëshuar, të kenë të shënuar numrin e protokollit dhe datën e lëshimit dhe të mos kenë asnjë korrigjim të bërë në të. Dokumentet e zotëruara nga organet publike sigurohen nga këta të fundit. “Dokumentet mund të jenë të lëshuara nga portali “e-albania”ose të nënshkruara dhe vulosura sipas legjislacionit në fuqi. Dosja e plotë e dokumentacioni për përfitimin e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, sqarohet në procedurën e përcaktuar për përfitimin e këtij statusi.

Statusin nuk e përfiton, ose në rast se e ka përfituar e humbet personi: i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për: krime kundër njerëzimit, krime kundër rendit kushtetues, veprimtari me qëllime terroriste, vepra penale kundër pronës dhe interesave të shtetit, për të cilin vërtetohet gjyqësisht se vendimi për njohjen e statusit është bazuar në dokumente të falsifikuara.

Vendimi për dhënien e statusit

Prej disa ditësh është ngritur edhe komisioni që do të marrë në shqyrtim të gjitha aplikimet që do të bëhen për fëmijët që plotësojnë kushtet për të përfituar këtë status. Komisioni shqyrton dokumentacionin e vënë në dispozicion në praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve dhe merr vendim unanim me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Kundër vendimit të Komisionit Qendror të Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, si dhe në rastet kur ky komision nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar në ligjin Nr. 129/2021, subjektet e interesuara mund të paraqesin ankim pranë ministrit përgjegjës për çështjet sociale, i cili shprehet brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit. Kundër urdhrit të ministrit ose kur ministri nuk shprehet brenda afatit të parashikuar në këtë pikë paraqitet ankim pranë gjykatës kompetente, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Vendimi për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, i përcillet Institutit të Sigurimeve Shoqërore për zbatim.

Dosja e dokumenteve që duhet për dhënien e statusit duhet të përfshijë:

  • Kërkesën për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, të plotësuar sipas formatit të përcaktuar.
  • Certifikata personale të fëmijës për të cilin kërkohet dhënia e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me fotografi të tre muajve të fundit ose fotokopje të kartës së identitetit.
  • Fotokopje të kartës së identitetit të familjarit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të fëmijës.
  • Certifikatën familjare që vërteton lidhjen e fëmijës me prindin ose kujdestarin ligjor i cili ka ndërruar jetë, sipas një prej rasteve të parashikuara nga Ligji Nr. 129/20121, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
  • Prokurën e posaçme, në rastet kur kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi ligjor i fëmijës ose nga organizatat joqeveritare me qëllim jofitimprurës.
  • Organizatat joqeveritare me qëllim jofitimprurës, kur paraqesin një kërkesë duhet të dorëzojnë dhe një kopje të Statutit dhe Vendimit të regjistrimit në gjykatë.
  • Vërtetim të pagës më të lartë që ka përfituar prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës.
  • Dëshmi, në formë të shkruar apo audio-vizuale, të dokumentuar nga individë, organe publike apo private, për vërtetimin e akteve të cilët kanë çuar në humbjen e jetës, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore.
  • Vërtetim për periudhën e punësimit, lëshuar nga qendra e punës, pranë së cilës ka qenë i/kanë qenë të punësuar prindi/prindërit ose kujdestari ligjor i fëmijës për të cilin kërkohet dhënia e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
  • Vërtetim nga struktura përgjegjëse për (Spitali, vendi i punës) për humbjen e jetës në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore.
  • Letër mbështetëse nga qendra e punës ose struktura të tjera që përligjin dhënien e statusit të fëmijës në përkujdesje të republikës shoqëruar me argumentet dhe faktet përkatëse.
  • Çdo dokument tjetër që vërteton që prindi ose kujdestari ligjor ka humbur jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore.
  • Për fëmijët ose personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut” kërkohet dokumenti zyrtar që vërteton marrjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” si dhe dokumentacioni i përcaktuar për këtë kategori.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *