Rikthehen grabitjet në qytetin e Shkodrës, sulmohet me armë dhe maska kazinoja e dytë në një javë dhe plaçkitet dyqani i celularëve. Autorët mundën të grabisnin 600 mijë lekë të reja të xhiros në lokalin e lojërave të fatit dhe materiale të shumta nga dyqani. Policia nisi hetimet duke sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe mori dëshmitë e punonjësve. Janë shoqëruar të paktën 10 persona të njohur si kontigjente krimi, por ende nuk ka një të arrestuar. Një javë më parë u grabitën me armë 400 mijë lekë nga një tjetër kazino në qendër të qytetit.
Grabitja
Ngjarja është regjistruar gjatë orëve të natës, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në bulevardin “Zogu i Parë”, në lagjen “Parrucë”, kur 2 persona të paidentifikuar sipas dëshmisë së punonjësve, kanë grabitur kazinonë në pronësi të Manfred Q. Burime nga policia e Shkodrës bënë me dije se grabitësit kanë marrë nga kazinoja shumën prej 600 mijë lekëve të reja, e xhiros ditore, për t’u larguar menjëherë nga vendngjarja. Punonjësit dëshmuan se autorët mbanin maska dhe pistoleta dhe më pas u larguan me makinë. Ata i kërcënuan me jetë, duke kërkuar të gjitha paratë. Policia po heton nëse denoncimi është i rremë dhe morën të gjitha gjurmët dhe pamjet përreth zonës.
Plaçkitja
Burime nga komisariati i Shkodrës, njoftuan dje edhe për një tjetër plaçkitje. Gjatë natës, është grabitur edhe dyqani i një kompanie celulare në lagjen “Vasil Shanto”, ndërsa nuk dihet lidhur me dëmin e shkaktuar në këtë biznes. Ngjarja regjistrohet pak pas mesnatës, pothuajse në të njëjtën orë me kazinonë, ku autorët e panjohur dëmtuan xhamat e dyqanit dhe hynë brenda duke marrë prej aty pajisje dhe celularë. Dëmi mendohet të jetë i konsiderueshëm. Paraprakisht mësohet se grabitësit kanë spostuar kameran e sigurisë dhe pasi kanë prerë grilat mbrojtëse, thyen xhamin kryesor, duke marrë 12 telefonat celular android. Në momentin e grabitjes së kazinosë, patrulla e policisë ishte larguar për tek kazinoja e grabitur dhe hajdutët mendohet se kanë vepruar në lehtësi.
