Incidenti në Komisionin Hetimor dhe medialët në ndihmë të partisë

J L

Bedri Islami 

 

Gjatë kohës që Komisioni i posaçëm parlamentar për Inceneratorët kishte përballë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tre gazetarë të njohur shkëmbenin mesazhe me njëri-tjetrin dhe , si një ekip mbështetës , i dërgonin pyetjet dhe i tregonin rrjedhën e mëtejshme kryetares së këtij komisioni, që është në të njëjtën kohë edhe nënkryetare e Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha. Një ”triumvirat” oligarkësh mediatikë, të cilët, prej kohësh, edhe në mediat ku bëjnë pjesë apo në strukturat partiake i kanë bërë të njohura mendimet dhe opinionet e tyre.

Në të gjithë këto ditë, para Komisionit parlamentar kanë dalë shumë figura të njohura dhe mirë është që kjo të vazhdojë edhe më tej. Kanë dalë ministra e ish ministra, funksionarë të lartë të shtetit, drejtues strukturave dhe bashkie, njerëz që kanë njohuri për rrjedhën e dhënies së koncesioneve, ashtu si mund të dalin edhe të tjerë.

Megjithatë, në asnjë rast tjetër nuk ka pasur, ose, nuk dihet se ka pasur shkëmbime të tilla mesazhesh në ndihmë të kryetares së Komisionit, që, dalëngadalë po e kthen komisionin hetimor në sallë gjyqi, përmes arrogancës dhe tonit diktues.

Megjithatë, kjo nuk është e rëndësishme. Ka pasur edhe herë të tjera Komisione të tilla, ka pasur britma, grindje, përplasje, ndërprerje punimesh, dhe, deri tani, asnjëri komision nuk ka pasur ndonjë vlerë reale. Ka pasur edhe komisione të tillë që janë ngritur për të mbuluar krimin e ndodhur, si ai për 21 janarin, i ngritur po nga opozita e tashme, velloja e të cilit hodhi mjegullën, por nuk e ndryshoi të vërtetën. Ndoshta ky do të jetë ndryshe. Problemi që është ngritur tani ka marrë përmasa të ndjeshme, gjërave i duhen shkuar deri në fund, shumë pikëpyetje janë ngritur dhe shumë të tjera presin të kenë sqarimin e tyre. Shifra e hedhur në tregun mediatik, prej 430 milionë eurosh është tronditëse dhe nuk mund të kalojë lehtësisht, duke lënë pas veten enigma të shumta. Aq më tepër që tani, si dihet, në veprim ka hyrë edhe SPAK, institucioni që ka barrën dhe përgjegjësinë ligjore për të dhënë drejtësinë e duhur, nëse ka pasur krim financiar dhe korrupsion, pavarësisht se kush  qëndron pas tyre.

Të tre gazetarët e njohur, dikush për qëndrime ekstreme dhe ndonjë tjetër pas tyre edhe për veprime ekstreme, angazhimin e tyre në këtë proces, sidomos faktin që rastësisht apo e ndjekur, u bë e njohur prania e tyre si ndihmës të partisë, nuk mundën të përgënjeshtronin faktin, dhe, si ndodh në këto raste, vendosën të hedhin një gjethe fiku mbi ngjarjen, duke sjellë alibinë e tyre , që nuk është më e rëndësishme.

E rëndësishme është tjetër gjë: krijimi i një oligarkie mediale, pranë forcave politike, në këtë rast pranë opozitës, si levë mbështetëse, duke e sjellë imazhin e saj në fundin e besimit dhe të forcës reale që duhet të ketë një media e pavarur, figurën e analistëve që dalin rregullisht çdo mbrëmje në studio televizive, të cilët, ndërsa tundin pa anësinë dhe seriozitetin, jo rastësisht dhe befas shfaqen ashtu si ndodh në të vërtetë: sejmenë medialë dhe politikë, të dhunshëm, të pa skaj dhe inatçorë deri në fund.

Komisioni parlamentar është shenjë demokracie dhe serioziteti, ai , ose është i aftë të trajtojë si duhet një çështje, ose nuk ngrihet fare. Deri tani ata kanë shërbyer si ato paralajmërimet serioze që ndjellin në fakt luftën e jo paqen, por që përfundojnë keqas , ashtu si gjërat pa vlerë. Ky komision ka shansin të jetë i vlefshëm. Ndërkohë ai ka në mbështetje gjithë ata që duhet të ketë, specialistë dhe militantë, njerëz seriozë dhe të ditur, jo çapaçulë që befas u mbushet mendja se gjithçka në këtë vend duhet të rrjedhë përmes mendjes së tyre.

Çfarë lidhje kanë tre gazetarë, njëra edhe me ligj e ka të ndaluar të jetë pjesë e lojës politike, sidomos në parlament, të jenë në vorbullën tinzare mbështetëse, të ngritin një treshe përgjuese, kur askush nuk i ndalon dhe nuk mund t’i ndalojë të dalin haptas, ashtu si kanë dalur, të afishojnë qëndrimet e tyre politike, të analizojnë dhe të bëjnë këtë , ashtu si e kanë bërë.

Media po kthehet dalëngadalë në patericë të politikës. Shërbyese e saj e skajshme. E verbër dhe inatçore. E mllefosur ndaj asaj që nuk i përshtatet dhe oligarkia e saj mediale po bëhet gjithnjë e më shumë e neveritshme dhe e pabesuar.

Medialë që askush nuk e dinte deri tani se si kanë arritur të jenë pronarë të vilave luksoze, por që në emisione të posaçme përrallisin për seriozitet dhe shërbim të publikut, që ndjekin këmbë pas këmbë një funksionar të lartë, nga i cili nuk kanë pasur përfitime dhe shantazhet mediale nuk e kanë trembur, gazetarë të shfaqur bujshëm si koka e mençur e shtetit dhe të përvuajtur, e që, nga ana tjetër marrin rroga sheikësh në disa drejtime, nuk mund të jenë në të njëjtën kohë edhe zëri i mëvetësisë.

Nëse kryetarja e Komisionit kërkon të vendosë  autoritetin e saj përmes britmave dhe presionit dhe, në të njëjtën kohë ka një vilë super luksoze, e ku tjetër? Në Gjirin e Lalzit, nga i njëjti pronar që e ka shantazhuar në ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri” , e në të njëjtën kohë pret në celularin e saj pyetjet e dërguara nga gazetarë ndjekës, atëherë do të ishte mirë të mësonte dy gjëra: autoriteti nuk është kurrë përmes dhunës verbale dhe se, figura e një njeriu të politikës duhet të jetë deri në fund e pastër, sidomos kur është fjala për akte korruptive që hetohen. Para se të ia kujtojë të tjerëve shokët e klasës që janë në burg, çka nuk është detyra e saj , as të prokurojë e as të hetojë, do të kishte bërë mirë të dëshmonte rrugën e ndjekur për vilën e saj, që asgjë të mos jetë e turbullt dhe besueshmëria të ketë kuptim. Para se të ngrejë zërin, duhet të jetë qartësisht e ditur nëse mund të drejtojë këtë Komision edhe pa ndihmën e të tjerëve, që , nga jashtë sallës bëhen pjesë e saj dhe zbehin aftësitë e kryetares për të drejtuar. Unë e di se afshi i qeverisjes dhe i pushtetit prej kohe ka zënë shumë njerëz, por, pas kaq shumë provave të dhunshme, është koha të dinë se pushteti merret më shpejt përmes mendjes dhe dijes, se sa nga arroganca dhe patericat mediale, që , në këtë rast, zbehën figurën e saj.

Tre gazetarë, afishuar pranë opozitës me të gjithë qenien e tyre, të cilët , pasi gjejnë shkak absurd pse janë aty brenda, duke shfrytëzuar detyrën dhe funksionin që i ka votuar parlamenti, të cilët këshillojnë nënkryetaren e partisë opozitare se ku duhet të pyesë, çfarë duhet pyetur, tonin që duhet të ketë, drejtimet që duhet të marrë, mund të jenë çkado, ama në këtë rast ngjajnë me atë që dikur Enver Hoxha cilësonte krijuesit, si “ ndihmës të Partisë…”.

Komisioni hetimor ka trazuar gjithçka, si duket, ai ka qenë i pritshëm dhe në kohën e duhur, por vetëm bota mediale ka mbetur në llogoret e saj, mbytëse dhe tinzare.

Bota mediale , për fat të keq, ka krijuar oligarkinë e saj. Ndoshta më të dëmshmen në të gjithë piramidën e shtetit. Të vetmen që duhej të ishte krejt e besuar dhe mbështetëse, pa anësia e të cilës duhej të kishte shkundur qeveritë dhe opozitën.

Për fat të keq, kjo oligarki, tani e vendosur në rangun e njerëzve të pasur dhe të dhunshëm, ka bërë që media të jetë kjo që është – thelbësisht e pabesuar dhe marrëzisht e futur në ingranazhet e politikës dhe të pushtetit.

Tre gazetarë na treguan se do e kemi vështirë të ndreqemi.

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
1 Comment
  • Nje analize e drejte qe ka kapur esencen e ngjarjes:

    1. Kryetarja ishte tamam si nje prokurore e caktuar apo emeruar nga “Gestapo”.

    2. Menyre e saj e komunikimit ishte shume e shumtuar. Ajo po ndjente nje pushtet dhe kenaqesi te jashtezakoneshme, mund te them “sadistike”.

    3. Dihet se ne demokraci i “akuzuari” trajtohet ne menyre normale kur nuk eshte provuar se eshte fajtor.

    4. “I akuzuari” humbi kontrollin dhe ne vend qe ti pergjigjej pyetjeve kundershtonte sjelljen e pa denje te kryetares ne rolin e prokurorit, sic e kuptonte ajo.

    5. Ajo qe ndodhi, po te mos qe zhvilluar “ashtu sic e pame te gjithe” tregon se demokracia po fillon te aktivizohet ne Shqiperi.

    6. Komunikimet e Kryetares me njerezit e saj ne mediat
    e cvlefteson personalitetin, identitetin, dhe bindjet qe ajo mbron.

    Shtrohet pytja:

    7. A eshte ajo nje nga lideret e PD-se apo kontrollohet nga grupe te ndryshme interesi?

    8. LLogjika e saj filloi te kontrollohej nga inatet qe lindin ne luften per pushtet dhe harroj kush ishte roli i saje.

    9. Te gjithe jemi te infektuar, kush me shume e kush ma pak, por duhet te respektojme ne radhe te pare interesin kombetar ne luften kunder kangrenes se korrupsionit, qe nje dite do na fundose te gjitheve.

    10. Shqiperia do jete me te vertete nje shtet demokratik jo vetem kur te demasakosh te korruptuarit, kur provohet apo vertetohet, por edhe duke pastruar veten nga “mekatet personale” duke mos i perseritur me.

    11. Keto “gjynahe” te pranishme ne subkoshience, ka raste qe te shtyjne te gjesh “korrupsine kolosale” per ti mbushur mendjen vetes se rasti tend eshte i neglizhushem.

    12. Po te jete keshtu, atehere do zhytesh akoma me thelle ne ne keneten ku je ne kete moment deri sa te mbytesh.

    13. Por ne qofte se $450,000,000.00 do jene humbjet e shqiperise deri ne vitin 2047 kjo nuk do te thote qe ky proces korrupsione, qe kur ka filluar e deri tani, te konsideroheti si dicka qe si ka ardhur koha te meret ne konsiderate.

    14. “I akuzuari” duhet ta vleresoje shprehjen ” Beso dhe Kontrollo”. Ai mund te mos kete kohe te beje verifikime, por Ai mund te kete komisjone verifikuse, qe ti raportojne se te gjitha veprimet jane kryer sipas ligjeve”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *