Prof. Asoc. Dr. Marenglen Kasmi
Botuar në DITA
Një ditë pas pushtimit të Shqipërisë, në ditarin luftarak të Div. 100 malor lexohet qartë se problemi më i madh që paraqitej për trupat gjermane, të cilat ende nuk e kishin përfunduar procesin e pushtimit të plotë të Shqipërisë, ishte ndonjë zbarkim i mundshëm i forcave angleze dhe amerikane në bregdetin shqiptar. Po ashtu, aktiviteti i ushtrisë partizane në Shqipërinë e Jugut dhe rajonin e Tiranës po shtohej gjithmonë e më shumë. Në këtë kuadër, në datën 12 shtator 1943 komanda e divizionit arriti në përfundimin se forcat që kishin në dispozicion nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar një detyrë të tillë strategjike dhe operative, siç ishte mbrojtja e bregdetit shqiptar. Prandaj ishte e domosdoshme që gjithë trupat në dispozicion duhej të përqendroheshin në rajonet bregdetare.
Më tej, një problem jo të vogël përbënte për ta edhe çarmatosja e trupave italiane dhe marrja në ruajtje e teknikës së tyre luftarake si edhe depove të armatimit: “[…] Mendimet e divizionit për përforcimin e forcave janë dy: e para, ardhja e trupave të reja gjermane, sidomos ardhja e një batalioni tjetër të div. 297 në Tiranë dhe më pas rekrutimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve si edhe përfshirja e ushtarëve italianë si vullnetarë për të ndihmuar gjatë transportit dhe në frontet e punës. Po merren masat e para për realizimin e këtyre synimeve. Situata vazhdon të përkeqësohet nga aktiviteti komunist, të cilët zotërojnë territorin në jug të grykës së Shkumbinit dhe në Tiranë, duke shkaktuar trazira të shpeshta. “[…] Do të jetë e nevojshme që, nëpërmjet aktivizimit dhe fuqizimit të shqiptarëve nacionalistë të mbajmë nën kontroll komunistët, sepse trupat e nevojshme gjermanë për të mbajtur të pushtuar vendin në mënyrë të kënaqshme nuk do të jenë asnjëherë në dispozicion”, shkruhet në këtë ditar.
Përballë këtij rreziku, komandanti i div. 100 gjerman i dha detyrë majorit Frimmel, të merrte masa për krijimin e formacioneve ushtarake vullnetare me forca nacionaliste shqiptare dhe me ushtarë italianë, të cilët ishin ende të gatshëm të vazhdonin luftën përkrah tyre kundër formacioneve të ushtrisë partizane.
Në vlerësimin e situatës për datën 16 shtator 1943 në Shqipëri, komanda e div. 100 gjerman arrin në përfundimin se përkrah përgatitjes së mbrojtjes bregdetare, duhej të merrej seriozisht edhe lufta ndaj ushtrisë partizane në thellësi të vendit. Sa i përket zbarkimit të aleatëve, ajo vlerësonte se zbarkimi mund të ndodhte para fillimit të shirave të vjeshtës. Më pas, ky proces do të ishte shumë i vështirë, si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe moçaleve të shumta e të pakalueshme që karakterizonin territorin shqiptar. Ndërsa forcat partizane mund të lëviznin lirshëm dhe në mënyrë të pakufizuar gjatë gjithë stinëve të vitit. “Një ndërhyrje aktive nga ana jonë kundër tyre [partizanëve – M.K] rezulton gjithsesi shumë më e suksesshme, nëse kryhet në dimër, pasi të kenë rënë gjethet dhe të ketë shtruar dëbora në male”, vlerësonte kjo komandë. Ajo besonte se forcat partizane nuk do të ishin në gjendje të përballonin sulmet e këmbësorisë malore gjermane, të mësuar me dimrin e ashpër dhe të stërvitur për të luftuar në kushte e terrene malore të vështira. Si pasojë, divizioni gjerman duhej të përshtatej me këto kushte dhe deri në fillimin shirave të vjeshtës urdhëroi që forcat e shumta të organizoheshin në mënyrë të tillë që t’i bënin ballë si ndonjë zbarkimi nga deti, ashtu edhe ajri të forcave aleate dhe të angazhoheshin në maksimumin e mundshëm në luftë kundër ushtrisë partizane.
Prej datës 10 shtator 1943 rreziku që paraqisnin sulmet partizane ndaj ushtrisë gjermane filloi të ishte më evident. Trupat gjermane ishin sulmuar në shumë vende të Shqipërisë. Komanda gjermane mendonte se kjo veprimtari drejtohej sipas një plani të britanikëve, me qëllim ajo të tërhiqte trupat e vendosur për mbrojtjen e bregdetit dhe t’i hidhte ato në luftë kundër ushtrisë partizane. “Komandanti i divizionit e ka të qartë rrezikun që përmban ky plan. Si kundërmasë do të shërbejë para së gjithash mobilizimi i forcave nacionaliste shqiptare dhe nuk bëhet fjalë vetëm për të tërhequr në qytetet e mëdha dhe në administratë nacionalistë shqiptarë të besuar, por në radhë të parë duhet që nëpërmjet përfshirjes së armatosur të popullsisë [nacionaliste – shën. im] dhe sidomos në male, të s’mbrapsim komunistët”, shkruan gjeneralmajori Utz për datën 13 shtator 1943.
Rreth 10 ditë më vonë sipas gjermanëve u mblodh një çetë nacionaliste me rreth 1000 burra, të cilët u armatosën prej tyre. Kjo forcë filloi menjëherë aktivitetin luftarak kundër forcave partizane në zonën e Lushnjës dhe Fierit dhe njoftoi komandën gjermane se mendonte që këtë operacion ta shtrinte edhe në Vlorë dhe Berat, çka sigurisht ishte një ndihmë e madhe për divizionin gjerman.
Po ashtu, në një komunikatë informimi që mban datën 17 shtator 1943, që komanda gjermane shpërndau për trupat gjermane thuhet se “grupime të veçuara nacionalistësh tashmë janë bashkuar me Wehrmacht-in gjerman për të luftuar kundër bandave komuniste. Pritet që me konsolidimin e situatës së brendshme ky bashkëpunim të forcohet më tej”.
Sipas vlerësimit të komandës gjermane, përvoja e deriatëhershme në luftën kundër partizanëve, duke synuar asgjësimin e tyre me forca të shumta, kishte dështuar. Taktika e ndjekur nga ushtria partizane dhe zhdërvjelltësia e tyre, kërkonte hartimin e teknikave të reja të luftimit, që u konkretizuan në kryerjen e operacioneve me pjesëmarrjen e shumë forcave, deri në nivel kompanie e batalioni, që vepronin në drejtime të ndryshme. Qëllimi i këtyre operacioneve ishte rrethimi i forcave partizane dhe asgjësimi i tyre. Në historiografinë tonë këto operacione janë përmbledhur nën termin “Operacioni i Dimrit”.
Një rol të rëndësishëm në kryerjen e këtyre operacioneve kishin edhe forcat e Ballit Kombëtar. Ishte detyrë e forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar që pasi të pastroheshin zonat e territoret nga elementët komunistë dhe forcat partizane, ato të mbaheshin në ruajtje dhe në administrim nga Balli Kombëtar, me qëllim që të orientonin popullsinë drejt tyre dhe ushtria partizane të mos kishte mundësi të hynte më në këto zona: “Për të arritur një paqëtim afatgjatë në zonën e pastruar pas përfundimit të 505-sës, është e një rëndësie të veçantë që popullsia e atjeshme të organizohet nga forcat nacionaliste dhe të armatosen për vetëmbrojtje ndaj ndonjë tentative të re të komunistëve për të hyrë në këto zona”, shkruante komanda gjermane.
Në urdhrin e divizionit për kryerjen e këtij operacioni thuhet: “1. Për të marrë pjesë në [operacionin] „505“ merren në konsideratë trupat nacionaliste të mëposhtme:
- Trupat që komandohen nga Alush Leskanaku [Leshanaku] dhe Achmed Kassa [Ahmet Kasa], të cilat aktualisht janë në proces formatimi dhe armatosje, që janë të shënuara me ngjyrë blu në hartën bashkëngjitur.
- Grupimi nën komandën e Ismail Petrella [Petrelës], që është i stacionuar rreth shtatë km në lindje të Durrësit (rreth 500 burra).
- Grupimi i Zym Pezës, që ndodhet në juglindje të Shijakut.
- 5 deri në 6 batalione (çdo batalion ka rreth 250 burra) të Kadri Cakranit, të cilët (pas përfundimit të operacionit kundër komunistëve në rajonin e Belshit) duhet të mblidhen në verilindje të Lushnjës dhe në Kavajë.
- Grupimi i përmendur në pikën 1a) do të formatohet dhe armatoset nga trupa speciale komando e kapitenit Lange.
- Më i rëndësishmi në këtë grupim është [grupi] i Ibrahim Selimjes, që gjendet në rajonin Mustafaj. Ky grup duhet të marrë menjëherë çdo ndihmë të mendueshme, me qëllim përdorimin e tyre për qëllime zbulimi para fillimit të sulmit. Për këtë gjë, divizioni do të lidhet me kapitenin Lange.
- Të një rëndësie tejet të veçantë janë batalionet relativisht të mirë organizaur dhe mirë armatosur të Kadri Cakranit, me të cilin divizioni është i lidhur ngushtë prej shumë kohësh. Më 26.10 Cakrani njoftoi divizionin se, ai kishte marrë urdhër nga drejtuesi më i lartë i organizatës së tij, Midhat Frashëri, një kushëri i regjentit Frashëri, që të luftonte hapur kundër komunistëve në krah të gjermanëve, e sidomos kundër brigadës së Mehmet Shehut dhe kundër Myslim Pezës. Aktualisht kjo luftë e përbashkët është duke u zhvilluar me intensitet në rajonin verior të Lushnjës”.
Sikurse lexohet më sipër, tashmë çetat e Ballit Kombëtar bashkëpunojnë në bazë të një urdhri qendror të dhënë nga kryetari i Ballit, Mit’hat Frashëri. Sigurisht që kryetari i Ballit nuk mund ta lëshonte me shkrim këtë urdhër shumë komprometues. Gjithashtu, duhet theksuar që sa i përket bashkëpunimit të forcave nacionaliste me gjermanët, bashkëpunimi ishte organizuar në mënyrë vendore. Pra, komandanti gjerman i forcave vendore bashkëpunonte me komandantin e çetës apo çetave vendore nacionaliste, pa pasur nevojë që të informonte komandën e tij eprore. Organizimi u bë i tillë sepse shpejt gjermanët konstatuan se vetëm kështu mund të shmangeshin burokracitë, ndërkohë që shpesh situata ndryshonte aq shpejt dhe ndërhyrjet kundër partizanëve duhej të bëheshin shumë aktive, siç ishin rastet e “pastrimeve”, siç gjermanët quanin reprezaljet ndaj partizanëve dhe popullsisë.
Në këto aksione gjermanët shoqëroheshin edhe nga forcat nacionaliste, siç ata quanin çetat e Ballit Kombëtar. Po ashtu, gjermanët dhe Balli Kombëtar ndanin së bashku edhe kontrollin mbi qytetet shqiptare. Për shembull, në datën 18 tetor 1943, Komanda e Ballit Kombëtar të Qarkut të Vlorës nxori komunikatën e mëposhtme: “Popull Vlonjat! BALLI KOMBETAR kërkon bashkimin dhe vëllazërimin e te gjithë Shqiptarevet, te ç’do tendence politike qofshin. Tmerri dhe vëllavrasja duhen te marrin funt pa tjater. Por ne kjofte se vritet ne qytetin e Vlores ndonjë i BALLIT KOMBETAR menjëherë si hakmarrje, do te hidhen ne ere shtepijat, ku hynë dhe dalin kriminelet, dhe do te pushkatohen prej skuadriliave t’ona pjestaret madhore t’atyre shtepiave. Ne kiofte se nuk diktohen shtepit, nga ku kriminelet hyjnë dhe dalin, atëherë neper rruge, o kudo qe te gjenden, do te shtihet kundra atyre qe njihen si komunista. Nga ana e vet BALLI KOMBETAR ka urdhëruar ‘Vullnetaret e Liris’te pushojne ç’do zjarr vrasje. Popull Vlonjat! Mos qëndro me duar kryq!”
E vetmja gjë që komanda eprore gjermane nuk “liberalizoi” ishte shpërndarja e armatimeve dhe municionit te trupat nacionaliste. Për këtë duhej të jepte urdhër për çdo rast gjenerali gjerman komandues në Shqipëri. Sa më sipër, kjo natyrë bashkëpunimi e decentralizuar ndërmjet çetave të Ballit dhe ushtrisë gjermane i vinte për shtat edhe drejtuesve të Ballit Kombëtar sepse ata kësisoj nuk dilnin hapur. Gjithsesi, kjo gjë nuk i shpëton ata nga përgjegjësia politike sepse me të gjithë këto formacione, komanda e Ballit Kombëtar mbante lidhje dhe u drejtohej me qarkore e urdhra ushtarakë. Pra, i njihte si forcat e veta të armatosura. Është pikërisht ky detaj, që përdoret sot hera herës në mënyrë të qëllimshme, për të mos pranuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me gjermanët. Madje shkohet deri atje, sa kërkohet edhe marrëveshja me shkrim e bashkëpunimit, a thua se bëhet fjalë për dy ushtri të një aleance të fuqishme dhe jo të një ushtrie pushtuese dhe të një organizate politiko-ushtarake në një vend të pushtuar, të cilët kërkojnë të përfitojnë prej tyre. Raste të tilla hasen në të gjitha vendet e pushtuara nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas një hezitimi të parë të shkaktuar nga pritja e zbarkimit aleat në bregdetin shqiptar, në fund të muajit shtator 1943 shtohet numri i çetave nacionaliste të Ballit Kombëtar që bashkëpunojnë me gjermanët, fillimisht në formën e dhënies së informacioneve për vendndodhjen dhe aktivitetet e formacioneve partizane: “Sipas një raportimi të pakonfirmuar të nacionalistëve, në rajonin e Bubullimës (13 km në Verilindje të Fierit”) janë mbledhur 700 komunistë me qëllim që të sulmojnë Fierin”, shkruhet në raportimin ditor të div. 100 gjerman për datën 28 shtator. Ndërsa luftimet e para të forcave nacionaliste në kuadër të operacioneve gjermane kundër ushtrisë partizane raportohen nga gjermanët në muajin tetor 1943. “Nacionalistët raportojnë: Libofsha (12 km në veri të Fierit) është marrë kohët e fundit në mënyrë të përsëritur nga komunistët, të cilët mesa duket vijnë afrohen nga Lindja. Një grup nacionalistësh është duke kryer ndërkohë një operacion pastrimi drejt Libofshës dhe sot është ende duke luftuar në Libofshë kundër bandave komuniste” shkruan oficeri i zbulimit të div. 100 për këtë datë. Sulmi i forcave nacionaliste rezultoi i pasuksesshëm sepse ditën tjetër ata raportojnë te gjermanët, se Libofsha ende mbahej nga komunistët. Vetëm një ditë më vonë, në datën 16 tetor forcat nacionaliste njoftojnë komandën e div. 100 gjerman se kishin marrë nën kontroll Libofshën dhe i kishin shkaktuar çetave komuniste 12 të vrarë dhe kishin zënë 23 robër. Disa ditë më vonë, më 23 tetor div. 100 gjerman organizoi një operacion kundër forcave partizane në rajonin e Ballshit dhe Fratarit, por nuk hasi në qëndresë. “Sipas raportimeve të banorëve që janë të orientuar në masë drejt nacionalistëve dhe që pjesërisht i ndihmuan forcat tona në këtë operacion, komunistët u tërhoqën drejt Lindjes. Me drejtuesit nacionalistë u ndërtuan marrëdhënie miqësore”, njofton eprorin e tij komandanti gjerman i operacionit.
Operacionet kundër ushtrisë partizane bëheshin të kombinuara. Në shumicën e rasteve trupat gjermane shoqëroheshin hapur nga forcat balliste, të cilat merrnin pjesë drejtpërdrejt në to. Në një raport të regjimentit 227 gjerman shkruhet për datën 9 nëntor 1943 se “më 9.11.43 u krye me dy toga të batalionit I të regj. 227 dhe një numër të madh nacionalistësh shqiptarë një aksion pastrimi në fshatrat Kdaipashaj, Ngurzë e Vogël dhe Ngurzë e Madhe dhe Toshkëz (rreth 15 km në jug të Lushnjes). […] Pesë persona, të cilët u identifikuan nga nacionalistët si drejtues komunistë u pushkatuan. Atyre ju gjet edhe municion. Gjatë rrugës Ngurzë e Madhe-Kasimlej u vranë tre komunistë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Edhe në fshatin Toshkëz komunistët hapën zjarr mbi togën gjermane me automatikë dhe mitralozë. Gjatë sulmit ndaj fshatit u vranë pesë komunistë dhe një komunist tjetër dhe dy italianë u kapën rob. Ata do të dërgohen sot në xhandarmërinë fushore në Fier. Trupat tona nuk patën humbje”.
Më tej raportohet po ashtu në datën 27 nëntor 1943 se “nacionalistët pastruan me mbështetjen tonë [gjermane – M.K] rajonin në jug të Beratit deri në Vjosë. Lëvizjet e vogla të armikut u luftuan me artileri”. Po ashtu, gjatë këtyre operacioneve forcat nacionaliste mbështeteshin dhe nga artileria gjermane: “Trupat tona që u vendosën në mbështetje të çetave nacionaliste u qëlluan në Rodokol me mitraloz (14 km në veriperëndim të Pogradecit) nga drejtimi i Selcës së Poshtme dhe lartësitë në Veri të saj. Nuk patëm humbje. Nacionalistët përparuan të mbështetur nga zjarri i artilerisë sonë kundër qëndresës së 200-300 komunistëve deri në Marikaj (12 km në veri të Tepelenës) dhe në Arrëz. Armiku u shmang drejt Jugut”, shkruhet në ditarin luftarak të divizionit të 100 të Wehrmacht-it për luftimet e kryera në datën 29 nëntor 1943.
Sikurse shkruhet më sipër, bashkëpunimi i çetave balliste më ushtrinë gjermane është i shtrirë në thuajse gjithë zonën operative të divizionit gjerman, që përfshinte Shqipërinë e Mesme si edhe atë Jugore dhe Juglindore. Pavarësisht se komanda gjermane nuk ishte shumë e kënaqur me cilësinë luftarake të çetave balliste, shërbimi i tyre ishte përsëri i mirëpritur, duke pasur parasysh se atyre u mungonin forcat e nevojshme për të kryer këto operacione. Përfshirja e çetave nacionaliste në operacionet e ushtrisë gjermane i komprometonte rëndë ata në sytë e popullsisë dhe sigurisht që legjitimonte goditjen e tyre nga ushtria partizane.
* Shkëputur nga libri “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në shekullin XX (1900-1945)”, Tiranë 2020. (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë).

Sa e “mire” ishte kenga e Arnauteve turkoalbanosa me Ligjin e Luftes kunder Greqise qe kush eshte kunder Italise eshte edhe per Albanistanin.
O mor shoke hani e pini
Nuk e dime ku do e veme kufinin
Ne Janine apo Athine.
Keto paguhen nje Dite si nga populli Greke dhe te turqizuarit “Pella-Zagare qe duan te bejne “State” me mijera Xhamija, Medrese, Teqe, Skolio Turke!