Presidenti rus Vladimir Putin ka marrë sanksione nga të gjitha anët. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar planet e SHBA-së për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe në sanksionimin e Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov.
Gjatë një konference, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se SHBA, “në përputhje me vendimin e aleatëve evropianë”, do të sanksionojë Putinin, Lavrovin dhe “anëtarët e tjerë të ekipit rus të sigurisë kombëtare”.
Por ndërsa sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së ndaj Putinit dhe Lavrovit do të sjellin një ngrirje të aseteve, jo një ndalim udhëtimi, Psaki tha se masat e SHBA do të përfshijnë edhe ndalimin e udhëtimit. Psaki thotë se detaje më specifike mbi sanksionet do të publikohen më vonë.
Masa kundër Putinit dhe kryediplomatit të tij Sergei Lavrov erdhi ndërsa të dërguarit e 27 vendeve anëtare të BE-së diskutuan hollësitë e një vale të re sanksionesh, që u mbështetën nga udhëheqësit e BE-së në një samit urgjent të enjten në mbrëmje.
“Është një sinjal i rëndësishëm politik”, tha një diplomat i lartë i BE-së, duke iu referuar vendimit për të vënë në shënjestër udhëheqësit e Rusisë.
Një zyrtar i BE-së tha se ky raund i dytë sanksionesh do të pasohet nga një i tretë, që mund të synojë “shumë më shumë” oligarkë rusë. “Ne po lëvizim sa më shpejt që mundemi,” tha zyrtari.
Më herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Evropës që të veprojë më shpejt dhe më me forcë në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, duke akuzuar aleatët perëndimorë se po bënin politikë, ndërsa forcat e Moskës përparonin në Kiev.
a.m/dita
