Një vit pa mjeshtrin e filmit dokumentar

J L

ENVER KUSHI

 

(In memoriam Kujtim Gjonaj)

Ditën e fundit të shkurtit 2021, u shua regjisori Kujtim Gjonaj, një nga emrat e njohur të filmit shqiptar, veçanërisht atij shqiptar. Mbaj mend mesditën e datës 26 shkurt. Ishte e premte, kur ai më telefonoi. Menjëherë e pyeta se si ishte me shëndet dhe se dëgjoja një si fishkëllimë gazi. Jam shtruar mnë spital, tha. Më solli Genti pas mesnate te “Shefqet Ndroqi”. Isha keq, por tani e ndjej vehten më mirë. I thashë, se nuk dua të të lodh më tej, se do ta merrja prapë në telefon, por fatkeqësisht kjo ishte biseda ime e fundit me të. Pasditen e të premtes dhe gjatë natës, gjendja e tij u përkeqësua. E mora në telefon mesditën e së shtunës, por Kujtimi nuk m’u përgjigj.

Mora djalin e tij të madh, Gentin, I cili me zërin që I dridhej tha se mjekët megjithë kujdesin që po tregonin ishin të pashpresë. E diela, dita e fundit e shkurtit nisi me diell dhe atë paradite I rashë prapë telefonit të Kujtrimit. Asnjë përgjigjre. Dhe pasdite vonë, kur në Tiranë kishte rënë nata, Genti më dha lajmin tronditës: “Kujtimi ndrroi jetë”. Sytë m’u mbushën me lotë. U ula dhe vura duart në kokë. Miku im Kujtim Gjonaj nuk ishte më. Nuk ishte më ai që I kishte dhënë aq shumë filmit shqiptar. Nuk ishte më mjeshtri I madh I filmit dokumentar. Nuk ishte më regjisori, që kishte realizuar shumë filma mbështetur në skenarët e shkruar nga unë, si “Ëndrra e Çamërisë, “Hasan Tahsini”, “Dinastia Dino”(me bashkëautor Luan Ramën), “Ramush Haradinaj” etj, etj.

Tani, që ai ka shkuar nga kjo jetë, sjell ndër mend punën e tij të palodhur, rrugëtimet që kemi bërë bashkë, si dhe dhjetra kujtime nga Suli, Janina, Dodona, Paramithia, Arta, Preveza, Parga, Delvina, Ninati, Saranda, Shkodra, Prishtina, Deçani, Gjakova, Prizreni, Parisi, Nëev Jorku, Filadelfia, Stambolli etj, etj. Teksa po shkruaj këto shënime modeste, mendoj se ç’ngarkesë, jo vetëm fizike, por mbi të gjitha shpirtërore, ka mbajtur Kujti Gjonaj në rrugëtimin e tij të gjatë, shumë të gjatë, duke realizuar mbi 100 filma dokumentarë.

Kujtimet e mia modeste dhe vlerësimet për krijimtarinë dhe kontributin e regjisorit Kujtim Gjonaj në filmin dokumentar shqiptar i kam shpalosur në shkrimin botuar në gazetën Dita, një vit më parë, pasi ai ndërroi jetë. Në atë shkrim mes të tjerash nënvizoj faktin se në filmat e regjisorit Kujtim Gjonaj me temë historike duket sikur ai gjithmonë ka patur pjesë të qenies së tij Shqipërinë si lëndë historike dhe Shqipërinë si lëndë shpirtërore. Në të Shqipëria si lëndë historike, vjen me peshën e ngjarjeve dramatike dhe tragjike të saj, ndërsa si lëndë shpirtërore me kulturën e saj befasuese nga më të çuditshmet, të larmishmet dhe me kolor jo vetëm në hapësirat ballkanike por edhe më gjerë. Këtë lëndë historike Kujtim Gjonaj jo vetëm e njeh mirë por si regjisor e shndërron atë në imazh dhe imazhin si emocion. Filmat e tij dokumentarë kanë në thellësi të imazheve kronikën e historisë dhe kronikën e shpirtit shqiptar në shekuj. Kujtimet e mëposhtëme në formë episodesh, kanë të bëjnë me punën për realizimin e filmit ‘Ëndrra e Çamërisë”.

Kujtim Gjonaj, Enver Kushi

Episodi i parë

Kisha kohë pa e takuar Kujtimin, kur e pashë nga larg, teksa po kapërcente rrugën e gjerë përballë Muzeut Historik. U gëzova duke pritur nën drurin e blirit në trotuarin me pllaka të hequra… U takuam si miq të vjetër duke i thënë se dukej mirë me shëndet . Pastaj i thashë se një natë më parë kisha parë në një nga kanalet televizive filmin e tij dokumentar “Ditët e fundit të një luani”, se më kishte pëlqyer dhe se më kishin emocionuar pamjet e xhiruara në Janinë, Prevezë, Pargë apo brigjet magjike të Çamërisë. Biseda ishte e shpejtë, e nxitimtë, pa e ditur që në atë takim të rastësishëm do të vendosej realizimi i skenarit të filmit dokumentar për “Ëndrrën e Çamërisë”. Kujtimi më falënderoi për fjalët e mira që thashë për filmin dokumentar kushtuar Ali Pashë Tepelenës dhe pastaj shtoi: “Në Çamëri kam xhiruar jo minuta për orë të tëra… Çamëria është magji”. Atëherë unë i thashë se kisha shkruar që në vitin 1992 një skenar për Çamërinë, se atë e kishte pëlqyer prof. Abaz Dojaka e se ai ishte ndarë shpejt nga jeta dhe nuk ishte arritur realizimi i premtimit të tij, si Kryetar i Shoqërisë “Çamëria” për financimin e filmit. Pastaj ashtu nxitimthi shtova se skenarin e kishte pëlqyer edhe Halil Kamberi, por vetëm kaq, pa hedhur ndonjë hap për jetësimin e tij… Ma sill skenarin, më tha Kujtimi. Do ta sjell, i thashë unë. Do ta rishoh dhe besoj që pas dy apo tri ditësh do ta sjell. …Mbaj mënd që ishte ditë me diell dhe një Tiranë e zhurmshme dhe gjithmonë kaotike.

Episodi i dytë

Ditë e nxitimtë. Dola nga zyra në katin e tretë të Muzeut Kombëtar si gjithmonë në orën 16.00 dhe zbrita shpejt shkallët… Rruga e Kavajës… Kryqëzimi 21 Dhjetori …Prapë me nxitim ngjita shkallët e pallatit parafabrikat te Parku… Ai ishte atje në një nga sirtarët e bibliotekës time, në një dosje kartoni të vjetër. E rilexova me një frymë skenarin shkruar me makinë shkrimi në letër të verdhë të ish Fabrikës së Letrës Kavajë… Punova deri vonë atë natë… Edhe të nesërmen në zyrë… Prologu, që niste me fjalët: “Në si i kam ato vende” … Doli më i plotë. Shtova diçka për lashtësinë e Çamërisë dhe Sulin, Marko Boçarin… Edhe për kulturën çame si dhe disa personalitete të saj… Edhe fundi i skenarit doli ndryshe.

Episodi i tretë

Natën vonë. Dal në ballkon. Qielli është me re dhe ndoshta do të bjerë shi… Sa është ora? Po data? Në ç’vit jemi?
Bije po s’dua te fle, më vjen papritur vargu i De Radës. Pastaj më vinë ndërmend fjalët e nënës time për Çamërinë dhe Spatarin, vendlindjen e saj: “Në si i kam ato vënde. Më vinë në ëndërr të vdekurit. Më mbillni sitë e më lini në Qafë të Botës… Me sitë e mbyllur vete në Spatar… Se më njeh çdo gjë atje… Edhe gurët më njohin… “Bije zilja e telefonit. Ngre receptorin dhe dëgjoj zërin e Kujtim Gjonajt: “Sapo e lexova skenarin, më pëlqeu. E ke shkruar bukur. Jam gati që nesër të filloj xhirimet. Urime…”.

Episodi i katërt

Biseda të gjata me Kujtimin. Skenari paraqitet në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Nuk miratohet nga bordi. Paraqitet prapë dhe prapë nuk miratohet. Nuk e kuptojmë arsyen. U desh viti 2008, që Bordi i drejtuar nga Moikom Zeqo, të vlerësonte dhe miratonte skenarin “Ëndrra e Çamërisë”. Takimet me Tahir Muhedinin, Kryetar i PDI, që jep ndihmë të pa kursyer për filmin… E ndjejmë këtë ndihmë edhe në rrugëtimin për xhirime në Çamëri. Kujtimi e njeh mirë Çamërinë… Janinën. Pastaj në Sul. Kulla e Marko Boçarit… Shtëpi e rrënuar… Busti i Boçarit dhe i Xhavellës… Jam si i përhumbur ose më saktë si në jerm… Kujtim Gjonaj flet me operatorin Gavrosh Haxhihyseni. Zëri i regjisorit Gjonaj kumbon ndryshe këtu në Sul, ku më duket se prek dhe dëgjoj disa hije dhe zëra të tjerë që vinë nga thellësia e shekujve… Me siguri dhe Kujtimi prek dhe dëgjon të njëjtat hije dhe zëra. Ai tashmë me syrin e regjisorit me përvojë sheh imazhet e montuara të filmit “Ëndrra e Çamërisë” … Preveza si e larë nga ujërat e Jonit, Nikopoja e ngrirë në lashtësinë e saj… Ujërat e turbullta të lumit mitik Aheron… Emocionet e Tahir Muhedinit përpara shtëpisë së tij në Paramithi… Parga magjike… Dash Tahiri në gërmadhat e shtëpisë së të parëve… Kujtim Gjonaj që porosit operatorin të filmojë qiellin blu, fushat dhe kodrinat me ullinj, portokalle dhe limona të Çamërisë, por edhe shtëpitë e braktisura dhe dhimbjen ulëritëse të tokës çame… E pastaj udhëtimet mbresëlënëse në Amerikë, Neë Jork. Mikpritja e Sali Bollatit dhe veçmas ajo e zonjës së tij, Bules, bijë e familjes së famshme Pronjo… Emocione nga Filadilfia, ku na pret Llazar Vero dhe një grup i madh burrash dhe grash, të rinj e deri fëmijë me origjinë nga Çamëria… Është tetori i vitit 2009.

Episodi i pestë

Tirana është gri, një gri e përgjumur ëndrre. Jemi në palcën e dimrit mendoj duke shkuar ne studion e regjisorit Kujtim Gjonaj. Tashmë filmi “Ëndrra e Çamërisë” është në përfundim. I kam dhënë shumë shpirt këtij filmi thotë shpesh Kujtimi. Jam bërë pjesë e Çamërisë dhe dhimbjes çame shton ai. Ka të drejtë… E kam parë filmin e montuar pa tekst dhe muzikë dhe kam ndjerë emocione të mëdha. Ja kam dhënë tekstin Esat Telitit, thotë Kujtimi. Të regjistrojmë sot tekstin e prologut, vazhdon ai. Të them të drejtën mbaj mend pak gjëra nga teksti që kam shkruar, por atë të prologut e mbaj mënd mirë… Atë do ta interpretojë aktorja e madhe Margarita Xhepa. Margarita duket e emocionuar si para ndonjë premiere në Teatrin Kombëtar. Lulëzim Sula, montazhieri i filmit ka bërë gati aparaturat… Kujtimi qëndron pranë Margaritës, ndërsa unë në pjesën tjetër të studios pranë Lulit… Margaritë! Ti je nëne çame i thotë Kujtimi. Ajo ka mall për Çamërinë dhe flet si në ëndërr. Më kupton? Është zë ëndrre. Janë mijëra zëra nënash çame… Aktorja e madhe nuk flet. Duket sikur nuk është në këtë studio, por larg, shumë larg. Gati thotë Luli. Regjistrim. Dhe Margarita nis interpretimin e tekstit të prologut: …“Në si i kam ato vende. Në si i kam ullinjtë, bahçet me limona, portokale, gurët e bardhë, detin… Dhe varret. Atje jam në vendin tënë… Më shpie ëndrra atje me krahët e saj…”. Befas Luli më vendos kufjet dhe unë dëgjoj zërat e dhimbjes së Çamërisë, që aktorja e jashtëzakonshme i sjell mrekullisht në këtë ditë gri e me shi te Tiranës. Shoh përtej xhamave sytë e përlotur të Kujtimit. Mrekulli! Mrekulli Margaritë, dëgjoj pastaj zërin e tij…

Nga premiera e filmit “Ëndrra e Çamërisë”

Episodi i gjashtë

Xhim Mezani merr herë pas here në telefon. Ai ka qëmtuar dhe grumbulluar gravura, piktura, foto kostumesh të Çamërisë në arkivin e tij elektronik, që ja tregon Kujtimit. Edhe vëllezërit Fetahu vijnë thuajse çdo ditë në studion e Kujtim Gjonajt dhe japin ndihmesën e tyre me materiale të ndryshme… Kujtimi thotë se tashmë teksti i lexuar nga Esat Teliti dhe kolona muzikore e përzgjedhur nga Pranvera Kati, i kanë dhënë filmit emocion të veçantë. Interpretimet e Margarita Xhepës janë një mrekulli, shton pastaj ai. Ditët ikin shpejt. Fillim marsi i vitit 2010 në Tiranë nis me shira ndërsa e mërkura e 10 marsit është me re dhe erë shumë të fortë. Premiera e filmit është në orën 19.00 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Nuk do ta harroj atë natë, heshtjen e qindra të ftuarve, që me sy e veshë ndiqnin çdo sekuencë të filmit. Nuk do të harroj lotët në sytë e nënave çame, por edhe përlotjen e burrave dhe të rinjve çamë. Filmi dokumentar ua kishte sjellë Çamërinë me zonjëllëkun, bukurinë, krenarinë, magjinë si dhe dhimbjen e saj klithëse… Regjisori Kujtim Gjonaj kishte realizuar dhe bërë të prekshme dhe të afërt ëndrrën e mijëra e mijëra çamëve të vdekur dhe të gjallë, “Ëndrrën e Çamërisë”.

Në vend të epilogut

Filmi dokumentar “Ëndrra e Çamërisë” është nga më të arrirët dhe një nga kulmet e krijimtarisë së regjisorit Kujtim Gjonaj. Ai për herë të parë në kinematografinë shqiptare solli historinë, kulturën, personalitetin dhe dramën e Çamërisë.
Dokumentari i Kujtim Gjonajt është filmi i pjekurisë artistike të regjisorit dhe nga më të vështirët e më me përgjegjësi i karrierës së gjatë të tij. Siç ka shkruar shkrimtari dhe kineasti Petrit Ruka për këtë film “…Kujtim Gjonaj merr përsipër një temë të madhe kombëtare, i bindur se ka ardhur koha t’i bëjë një shërbim historisë së Atdheut të tij. Të mbajë në shpatulla një barrë të madhe si gjithë artistët e vërtetë… “
E quaj veten me fat që skenarin e shkruar nga unë, fjalën dhe botën time shpirtërore të derdhur në këtë skenar letrar, regjisori Kujtim Gjonaj e shndërroi në imazhe filmike magjike, të prekshme dhe emocionale.

Share This Article
1 Comment
  • Shkrimi per Mjeshtrin e Madh-te Paharuarrin Kujtim Gjonaj; nga jo Vetem Njohes, Krijues, Bashkepunues, Shoqerues por edhe Intelektual Atdhetar si z.E.Kushi eshte nje Vleresim Shume Kuptimplote.Ketu vleresohet krahas Shpirtit Krijues Atdhetarizmi me te cilin ishte Brumosur dhe Perjetoi duke Shpalosur nepermjet Veprave, figurat e Shquara se bashku me Krahinat Shqiptare kudo ndodhen qe nga lashtesia.Me Z.Enver Kushi jemi njohur fillimisht ne Krijimin e Shoqerise Atdhetare Çameria, vec aktiviteteve dhe, shkrimeve me shume mall e krenari nuk me hiqet nga mendja si moderator ne Museun Kombetar ne ekspoziten per Çamerine e “harruar”; nje dite vijne disa gra te moshuara nga Paramithia Shqiptare (te krishtera qe vazhdojne te jetojne atje) dhe me nje gjuhe Shqipe te paster i shprehen z.Kushi se keni pregatitur nje ekspozite me veshje e pamje Çame te mrekullueshme , na gezoni shume dhe do ishte mire te vinit ne Paramithi si ne shtepine tuaj dhe do mirepriteni nga ne te gjitha. Kete miredashje alla shqiptarshe e ka perforcuar edhe me shume miqesine dhe bashkepunimin me te ndjerin e sotem z.K.Gjonaj. Dhe ne vazhdimesi te bashkepunmit krijues kane paraqitur figura te Shkelqyera. Kur arriten ne NY ne xhirimin e Endrres se Çamerise i kemi pritur si Vellezer te nje Ideali me Dinjitet Shqiptar se bashku me familjareti e miqet edhe ne Filadelfia.Atje banojne prej kohesh shume familje me prejardhje nga Çameria. Dhe kurioziteti i vecante se kush eshte Çameria Shqiptare, Amerika e Bekuar qe na ka strehuar dhe Miremban dhe Greqia ku kemi lindur,ku na kane masakruar e debuar pa te drejte vizite ne tokat ku kemi lndur. Atje ne Filadelfia jetonte nje e moshuar Çame se bashku me familjen, femijet me niper e mbesa.Z.Mine Teme ishte martuar me nje Cam qe kishte punuar shume vite ketu ne Filadelfia por kishte vdekur ne Vlore me 1968. E shoqja z.Teme me zotesi, zgjuaresi dhe guxim kishte ruajtur(fshehurazi) pashaporten Amerikane te shoqit dhe me kurajo ne vitin 1992 mbasi paraqitet ne Ambasaden Amerikane ne Tirane me ate Pashaporte i jepet e Drejta te vije ketu ne Amerike se bashku me familjaret,niper embesa dhendura e nuse gjthesejt 65 persona te jetojne , punojne e te gezojne te lumtur jeten. Dhe kete tregim fantastik mbasi eshte publikuar edhe ne gazetat e ketushme;z. Kujtim Gjonaj me skenaristin E.Kushi e filmuan ne Endrra e Çamerise dhe me te vazhdon te tregohet Vlera e Pashaportes Amerikane dhe “demokracia e Greqise Europiane?!” Pronare Etnike prej mijera vitesh ne tokat e tyre te lindur e te rritur ne Cameri nuk lejohen te vizitojne vatrat e tyre te lindjes; ndersa Amerika e Bekuar nga Zoti i Vertete pranon te jetojne ketu dhjetra qindra njeres qe kane pasur prindin e tyre te punesuar ketu shume vite me pare. Dokumenta te tilla shume kuptimplote nuk “vleresohen” nga politikanet perulesa te Tiranes ndaj pretendimeve shoviniste greke dhe me absurditete te tilla si ligji i “luftes” 82 vjecare mbahet nga qeveritaret shovinista greke nga perulja e politikaneve te Tiranes.Ketij mohimi shovinist grek alla janullatos me dinakerine greke nuk njihet genocidi mbi popullesine Shqiptare te Camerise.Dokumenta te te tilla te Shpalosura nga Mjeshtri I Madh Shqiptar Kujtim Gjonaj duhet te njihen dhe zbatohen simbas legjislacioneve Nderkombetare
    dhe Çameria te jete Çameri e Shqiptareve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *