Napoli vazhdon të humbasë terren ndaj vendit të dytë dhe dje ka hedhur një tjetër hap të madh fals, i mundur në Bergamo, pas dy barazimeve të mëparshme. Skuadra e Rafa Benitezit u shpartallua 3-0 nga Atalanta dhe mbetet në kuotën e 44 pikëve, duke humbur rastin për t’iu larguar Fiorentinës kërcënuese, gjithashtu e mundur këtë javë.
Vjollcët u mundën nga Kaliari, por për fatin e tyre të mirë napolitanët nuk ishin në gjendje të rritnin diferencën, e cil a mbetet tri pikë. Ndihet më e lehtësuar Roma, e cila edhe pa luajtur nuk e ndjen afrimin e Napolit. Në “Olimpico”, takimi midis Romës e Parmës zgjati vetëm tetë minuta, për t’u anuluar për shkak të shiut të rrëmbyer.
Me fitore është kthyer Lacio nga transferta e Kievos, ku shkëlqeu adoleshenti Keita, nga ekipi i të rinjve. Ai ka bërë më së miri punën e Hernanesit, duke përgatitur një gol e shënuar tjetrin në fitoren 2-0. Në portën e Lacios ishte sërish Etrit Berisha, i pamposhtur në harkun e 90 minutave. Verona mori një fitore të vlefshme në fushën e Sasuolos, ndërsa gjashtë gola të shënuar në fushë u ndanë në mënyrë të barabartë midis Katanias e Livornos.
