- Gjithë jetën
Në jetën time-moj mike,
njoha borën edhe brymën,
edhe fllade romantike,
po asgjë s’ma zuri frymën.
Ato fllade që më frynin,
vesë lulesh nëpër sy,
si ato petale binin,
sapo kthehesha tek ty.
S’kam bërë mëkate në jetë,
siç thotë botë e çoroditur,
në kam bërë një gjë vërtetë,
them se isha i mërzitur.
Më tutje fjalën ç’ta ngasim,
ecëm tok e patëm fat,
njerëzit nga mërzia vrasin,
jo më unë-pakëz mëkat!
S’ia vlen më që të llafosim,
ato vite që janë tretur,
bashkë e nisëm e do sosim,
këtë rrugë që na ka mbetur…
13.08.2007
- Krishti i Dytë
Pse ndrin ai zjarr,
si kamina-prushin?!
Atje-në Hormovë,
po pjekin Çaushin!
Po ç’është ai zjarr,
që po bën hatanë,
në kishë të Hormovës,
djali pjek babanë!
Preu Ali Pasha,
drurët e një pylli,
të të digjte ty,
more Çaush ylli!
Të dy ballë për ballë,
gjëmonit serbes,
ai thosh: “Sabah”,
ti thoshje: “Mëngjes!”
Gjëmonte Aliu,
turçe-barbarisht,
ai thosh: “Allah!”,
ti ia ktheje: “Krisht!”
U hap flakë e zjarrit,
gjer në Tepelenë,
po ti – Çaush shpirti,
s’e ndërrove fenë!
Pse ndrit ai zjarr,
mes flakës e prushit,
jo-mor-jo s’ndrit zjarri,
po shpirt’ i Çaushit.
O Çaush i shkruar,
me yll e me dritë,
sa të kanë kërkuar,
ty ca hormovitë.
O Çaush i shkruar,
me yll e me dritë,
sa të kanë kërkuar,
Krisht-o Krisht i Dytë.
Turqi, Kemer 13.07.2005
3 Tetor, 2016
