6 MARSI / Pjesëmarrja në votime në minimum, PS fiton pesë bashki, Berisha-LSI fitojnë në Shkodër, PD e Bashës del dobët

redaktor

Socialistët arritën të fitojnë me lehtësi pesë nga gjashtë bashkitë e përfshira në garën elektorale të së dielës, ndërsa opozita e përçarë arriti të mbajë Bashkinë Shkodër në një ditë ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte në minimum.

Ndërsa janë numëruar rreth tre të katërtat e të gjitha votave, socialistët duket se do të vijojnë të qeverisin bashkitë Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë, Rrogozhinë, ndërsa kandidati Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë do të qeverisë Shkodrën.

Socialistët janë në avantazh të thellë duke marrë 60-70% të votave në Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë, Durrës dhe Vorë ndërsa Shtëpia e Lirisë, koalicioni joformal mes Sali Berishës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, u rendit forcë e parë në Shkodër dhe forcë e dytë në katër nga pesë bashkitë e tjera.

Partia Demokratike, e cila përjetoi trazira të brendshme pas vendimit për të përjashtuar Berishën e shpallur Non Grata nga qeveria amerikane, rezultoi forcë e dobët në elektorat. Rezultati i saj më i mirë ishte në Rrogozhinë me 22% të votave ndërsa rezultati më i keq në Vorë, ku kandidati i saj Ymer Marku mori vetëm 6.3% të votave.

Në Shkodër, kandidatja socialiste Majlinda Angoni mori rreth 40% të votave. Socialistëve nuk u mjaftoi përçarja e opozitës për të fituar bashkinë, të cilën nuk e kanë qeverisur asnjëherë.

Nëse diferenca mes Spahis6 dhe Angonit është më pak se 1300 vota, procesi i votimit do të zhvillohet sërish. Kjo për shkak se dje në zonën e Pultit dhe të Shoshit nuk u votua për shkak se komisionerët mbetën të bllokuar në mes të rrugës nga një ortek bore. Në këto njësi administrative kanë të drejtë vote 1300 qytetarë.

PS e humbi shansin për ta qeverisur Shkodrën edhe në zgjedhjet e vitit 2019, në të cilat garuan vetë pas braktisjes së zgjedhjeve nga opozita. Në atë rast, kandidati fitues Valdrin Pjetri nuk arriti të marrë mandatin pasi u zbulua se nuk kishte deklaruar një dënim në Itali për trafik droge kur kishte qenë i ri.

Fituesit e zgjedhjeve të së dielës do të qeverisin administratat e bashkive deri vitin e ardhshëm kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e zakonshme për pushtetin vendor.

Në garën e së dielës u votua vetëm për postin e kryetarit të bashkisë ndërsa këshillet bashkiake vijojnë sipas rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2019, ku socialistët kontrollojnë praktikisht 100% të tyre.

n.s. / dita

Share This Article
1 Comment
  • Drejtesia po vendoset! Vetingu po zbatohet! Danke & thankyou Germany & USA me specialistet tuaj te jurisprudences ne Albany! Me pak se 30% e zgjedhesve votuan! Heres tjeter do te jene vetem 20%! derisa nuk do te kete me nevoje per zgjedhes! Urra! Kjo quhet demokracia made in USA & Germany!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *