Me pensione familjare trajtohen të gjithë personat që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili ishte në kushtet e përfitimit të njërit nga llojet e pensioneve që mbulon skema e sigurimeve shoqërore. Kërkesa për përfitimin e pensionit e shoqëruar nga dosja e dokumenteve të përcaktuara duhet të paraqitet nga aplikuesi që përmbush kushtet për përfitim pranë Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që mbulon vendbanimin e tij.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, për të siguruar pension familjar, gruaja e ve duhet të përmbushë tre kushte, që janë: të ketë mbushur moshën 55 vjeç, të jetë e paaftë për punë, si dhe të ketë në ngarkim fëmijë deri në moshën 8 vjeç. Këto kushte vlejnë edhe në rastet e përfitimit për burrin që mbetet i ve, me ndryshimin e vetëm të kriterit të moshës që në këtë rast është 60 vjeç. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se për këto dy kategori përfituese do të veprohet me ndërprerjen e pagesës së pensionit familjar në rast se do të konstatohet se do të martohen. “E veja dhe personi i ve humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen”, saktësohet në kushtet e përfitimit të pensioneve familjare.
Pensionin familjar kanë të drejtë që ta përfitojnë edhe kategori të tjera, ku përfshihen: Jetimët sipas moshës së përcaktuar, prindërit, si dhe nipërit e mbesat që janë në ngarkim të personit që humb jetën. Për secilën prej këtyre kategorive në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara kushtet që duhet të plotësohen për të marrë pensionin familjar, së bashku me dosjen e dokumenteve të detyrueshme, dhe atyre shtesë që duhet të shoqërojnë kërkesën për sigurimin e pensionit familjar, së bashku me institucionet që janë përgjegjëse për lëshimin e tyre.
Sa i takon llogaritjes, pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Pensioni, që do t’i takonte të ndjerit llogaritet sipas rregullave për pensionet e invaliditetit. Në këto kushte, pensioni familjar jepet në masën: 50 përqind për personin e ve, si dhe në masën 25 përqind për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë. Masa e pensionit për jetimin është 50 përqind, kur ai është, ose mbetet vetëm pjesëtar në pension. Kur pjesëtarë në pension janë më shumë se një jetim, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind. Gjithashtu, jetimi ka të drejtën e një pensioni familjar edhe nëse prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv, ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes
Personave që u mbaron afati i përfitimit të kësaj pagese kanë të drejtë që të kërkojnë përsëritjen e tij. Edhe kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore që mbulon vendbanimin, sipas gjendjes civile, duke i bashkangjitur dosjen e dokumenteve të rinovuara që kërkohen në këto raste. dokumentacionin e kërkuar.
Pensionet familjare, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, sociale, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.
PENSION FAMILJAR PËRFITOJNË:
E veja, kur përmbush këto tre kushte:
- Është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç.
- Kur është e paaftë për pune.
- Kur ka mbushur moshën 55 vjeç.
Burri i ve, kur përmbush këto tre kushte:
- Është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç;
- Kur është i paaftë për punë ose
- Ose kur ka mbushur moshën 60 vjeç.
Jetimët:
- Jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme;
Prindërit
- Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë.
- Prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t`i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.
Nipërit dhe mbesat
- Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë.
Dokumentacioni i detyrueshëm që duhet t’i bashkohet kërkesës për pension familjar
Dokumenti Institucioni ku merret
- Fotokopje e Kartës së identitetit Vetë personi
- Certifikatë vdekjeje (të jetë shënuar shkaku i vdekjes) Zyra e Gjendjes Civile
- Certifikatë familjare Portali e-Albania, DRSSH
- Certifikatë lindjeje personale të fëmijëve përfitues Zyra e Gjendjes Civile
- Certifikatë martese e të ndjerës Zyra e Gjendjes Civile
- Librezë pune e të ndjerit/të ndjerës Qendra e Punës
- Librezë kontributesh e të ndjerit/të ndjerës Qendra e Punës
- Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak Qendra e Personel Rekrutim
Dokumentacioni shtesë në rastet e mungesës së Librezës së Punës dhe asaj të Kontributeve të të ndjerit
- Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës Qendra e Punës
- Vërtetim page për kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011 Qendra e Punës
- Vërtetim për kontributet nga viti 2012 deri në lënien e së punës Portali e-Albania, DRSSH
- Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë) Zyra e Punës
- Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë Gjykata
- Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve Vetë personi
- Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak) Qendra e Punës
Dokumentacioni shtesë për përfitimin e pensionit familjar nga fëmijët:
- Vërtetim nga shkolla kur fëmija është mbi 18 – 25 vjet Institucioni Arsimor
- Vërtetim nga dega e tatim-taksave për pjesëtarët që janë në ngarkim Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave/Portali e-Albania, DRSSH
- Vërtetim si kërkues pune Shërbimi Kombëtar i Punësimit
